Zyrtarët që grabitën 1.2 miliard lekë të invalidëve

    393
    Sigal

    Fakte të reja mbi projektin e PNUD “Për promovimin e të drejtave të PAK”

    Ministria e Punës, sot Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, në 15 korrik të vitit 2010, bëri publike projektin me PNUD për personat me aftësi të kufizuar. Ky projekt “do forcojë kapacitetet e pushtetit vendor, do kemi përmirësime në fushën e legjislacionit, por kryesorja do jetë përshtatja ne terren e ambienteve, në mënyrë që personave me aftësi të kufizuara t’u krijohen lehtësitë e duhura që ne jemi të detyruar t’i përshtatim me ligj”, tha Spiro Ksera, ish- ministri i Punës.

     Projekti

    Projekti “Për promovimin e të drejtave të PAK” me një fond prej 820 104 euro është implementuar nga PNUD dhe FSHDPAK në një periudhë kohore prej 15 korrik 2010- 14 korrik 2012. Mësohet se, pjesë e projektit është dhe Draft-Raporti “Analiza në sektorin e aftësisë së kufizuar në Shqipëri”.

     Faqja zyrtare e FSHDPAK

    Në faqen zyrtare të Fondacionit Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar (FSHDPAK), me kryetare Blerta Çani, në lidhje me projektin thuhet: “Në Korrik të vitit 2010, FSHDPAK me mbështetjen dhe në bashkëpunim me PNUD dhe Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta,  filloi zbatimin e projektit “Promovimi i të drejtave të personave me aftësi të kufizuara në Shqipëri; Program mbështetës për Konventën për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara (KDPAK)”.

    Faqja zyrtare e PNUD

    Analiza: Për promovimin e të drejtave të PAK në Shqipëri sfidat mbeten në fushën e përshtatshmërisë fizike dhe teknologjike. Aksesi nënkupton që mjedisi fizik, transporti, informacioni, komunikimi dhe të tjera lehtësi e shërbime që janë të hapura apo të siguruara për publikun e gjerë, qoftë në zonat urbane apo rurale, të jenë gjithashtu të hapura edhe për personat me aftësi të kufizuar në mënyrë të barabartë. Por  kjo kërkon eliminimin e pengesave në lidhje me ndërtesat, rrugët, transportin dhe objekte të tjera të brendshme dhe të jashtme, duke përfshirë shkollat, banesat, objektet shëndetësore dhe vendet e punës, shërbimet elektronike, shërbimet emergjente si dhe informimin.

    Gjithashtu, korniza Ligjore dhe Politike Shqiptare mbetet një nga prioritetet e këtij projekti. Kushtetuta, një gamë e legjislacionit dhe të politikave janë të rëndësishme për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të personave me aftësi të kufizuar në Shqipëri.

    Aktorët për zbatimin i projektit

    Projekti do të zbatohet në partneritet me qeverinë dhe partnerët joqeveritare. Ministria e Punës do të jetë partneri kryesor për implementimin e disa komponentëve të programit.

    Këshilli Kombëtar për Çështjet e Aftësisë së Kufizuar do të përdoret gjerësisht

    gjatë zbatimit të projektit dhe do të mbështetet në funksionet e tij në lidhje me hartimin e

    projektligjit në nivel kombëtar, integrimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuar në nivel kombëtar duke mbajtur parasysh të drejtat e PAK në legjislacionet e vendeve të tjera si dhe vijëzimin e rekomandimeve për hartimin e akteve ligjore në

    çështjet e aftësisë së kufizuar.

    Organizatat e Shoqërisë Civile do të jenë partnerë kyç në zbatimin e disa projekt/

    aktiviteteve. Ata do të jenë përfituesit kryesor të disa ndërhyrjeve të projektit dhe do të përfshihen në procesin e konsultimeve për të gjitha rezultatet kryesore të projekteve.

    Draft-raporti/Analiza në sektorin e aftësisë së kufizuar në Shqipëri

     Të drejtat e personave me aftësi të kufizuar kanë mbledhur në datë 28 nëntor në një tryezë, përfaqësuesit e shoqatave të ndryshme në mbrojtje të personave me aftësi të kufizuar (PAK), përfaqësues nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë si dhe përfaqësues të PNUD-it (Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim). Objekt i kësaj tryeze ishte draft-raporti në sektorin e aftësisë të kufizuar në Shqipëri, me konsulentë z.Sinan Tafaj, kreu i shoqatës së të verbërve dhe znj. Mirsa Titka. Raporti është hartuar në kuadër të programit të zhvillimit PNUD, në mbështetje të zbatimit të Konventës së OKB-së për të drejtat e PAK. Ky studim ofron një analizë të situatës së PAK në Shqipëri, me synimin për të identifikuar fushat dhe nevojat prioritare për veprim. Ky studim vjen pas miratimit dhe ratifikimit nga Parlamenti shqiptar i Konventës së OKB-së për të drejtat e PAK, draft-planit të veprimit, ku përcaktohen veprime prioritare në terma afat-shkurtër dhe afat-mesëm si dhe planifikimi i kostove bazuar në të dhënat buxhetore të ministrive të linjës. Konventa përbën traktatin e parë në fushën e të drejtave të njeriut për PAK të miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, në shekullin e 21, është e para e miratuar me pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të përfituesve PAK dhe parimi themelor i saj është “asgjë për ne, pa ne”. Shqipëria si shtet palë i kësaj konvente ka detyrimin për të shmangur diskriminimin dhe për të nxitur përfshirjen dhe krijimin e kushteve të barabarta për personat me aftësi të kufizuar, si për të gjithë qytetarët e tjerë. Ky raport, pas analizës në sektorin e aftësive të kufizuar, ka vlerësuar 7 prioritete dhe masat për realizimin e tyre: 1)Integrimi në Legjislacionin e vendit të parimeve dhe normave të Konventës së OKB-së për të drejtat e PAK; 2) të respektohet parimi themelor i Konventës së OKB-së: “Asgjë për ne, pa ne”; 3)Arsimi gjithëpërfshirës dhe afrimi i mundësive reale për edukimin e nxënësve me aftësi të kufizuara; 4)Ofrimi i mundësive reale për punësimin e PAK dhe integrimin e tyre në tregun e punës; 5) Zhvillimi i një reforme të thellë në sistemin e përfitimeve për shkak të aftësisë së kufizuar; 6) Zgjerimi i gamës dhe cilësisë së shërbimeve; 7)Sigurimi i mundësive për akses dhe për përfshirje shoqërore të PAK.

    Draft-raporti i është paraqitur Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë për ta patur parasysh në hartimin e një Ligji Integral për PAK, në kuadër të Konventës për PAK.

    Projekti në një tjetër këndvështrimin

     Edhe pse projekti i PNUD kishte një afat kohor, burime konfidenciale, në atë kohë pjesë e administratës së Ministrisë së Punës shprehet për “Telegraf” se edhe pse projekti me PNUD për personat me aftësi të kufizuar mban firmën e ministrit Ksera, aktori kryesor në implementimin e tij ishte Fondacioni Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar (FSHDPAK), me kryetare Blerta Çani. Sipas burimit, i cili do të bëhet publik në një tjetër moment, edhe pse ka si kryetare znj. Çani, një tjetër person qëndronte pas saj, person që sot është e veshur nën petkun e politikës. Po sipas të njëjtit burim, e vetmja gjë që u bë në Ministrinë e Punës në kuadër të projektit ishte montimi i një ashensori për 5 kate, që sipas tregut nuk mund të shkojë më shumë se 15 mijë euro, me gjithë tolerancat në llogaritjen edhe të hakut të punës. Ndërsa, edhe pse në projekt është parashikuar bashkëpunimi me Organizatat e Shoqërisë Civile, përfaqësuesit e tyre bëjnë të ditur për “Telegraf” se nuk kanë qenë pjesë e këtij projekti. Shifra e vënë nga PNUD, mbi 820 mijë euro, për promovimin e të drejtave të PAK, sipas burimeve konfidenciale, në fakt u konkludua me Draft-Raportin “Analiza në sektorin e aftësisë së kufizuar në Shqipëri”, kjo edhe për të justifikuar fondin e lëvruar. Gjatë prezantimit të këtij drafti, grupet e interesit ngritën pretendimet për mospërfshirjen e mendimeve të tyre dhe të komunitetit që përfaqësojnë në këtë projektligj. Mësohet se pagesa e dy konsulentëve që kanë marrë pjesë në hartimin e këtij projektligji, nuk ka shkuar më shumë se 5 mijë euro, 1 mijë euro mund të kenë shkuar për organizimin e eventit (prezantimi i draftit dhe kokteji), po shtojmë dhe 10 mijë euro shpenzime operative (pretendimet për takime me grupet e interesit jashtë Tiranës) dhe në total, ky draft mund të ketë shkuar rreth 20 mijë euro duke përfshirë edhe 4 mijë euro shpenzime të tjera në materiale (letër, kompjuter, dizajn etj.). Po të shtojmë këtu dhe 15 mijë euro për ashensorin në Ministrinë e Punës, bëhen gjithsej 35 mijë euro. Ndërsa nuk dihet se ku kanë përfunduar paratë e lëvruara për këtë projekt.

    Info

    820 104 euro fondi i projektit të PNUD

    Shpenzime

    15 mijë euro ashensori në Ministrinë e Punës

    5 mijë euro pagesa e konsulentëve

    1 mijë euro prezantimi i draft-raportit

    10 mijë euro shpenzime operative

    4 mijë euro shpenzime në materiale