Zyhdi Kroi: “Arsyet që nuk u arrit marrëveshje me PS-në dhe pozicionimi i ri i ushtarakëve”

    394
    Sigal

    Intervista/Flet Presidenti i Nderit të Shoqatës së Ushtarakëve, Zyhdi Kroi, për problemet e ushtarakëve

    Shoqata Kombëtare e Ushtarakëve në Rezerve pritet që të bëjë një marrëveshje me Lëvizjen Socialiste për Integrim. Një fakt të tillë e bën të ditur në një intervistë për “Telegraf” Presidenti i Nderit të Shoqatës së Ushtarakëve, Zyhdi Kroi. Sipas tij nuk u bë i mundur nënshkrimi i një marrëveshje me PS-në, para zgjedhjeve. Dhe tani po diskutohet që të arrihet një marrëveshje me LSI-në.

     -Zoti Kroi, sa e gjejnë vetën në programet e partive politike ushtarakët?

    -Unë mund të them që jemi në një fushatë gënjeshtrash në tërësi. Mund të them që palët politike po ua shesin gënjeshtrat njerëzve si të vërteta. Njëra palë që është në qeveri thotë se ka bërë mrekullia dhe pala tjetër që është në opozitë dhe do të vijë në qeveri thotë se do të bëjë mrekullira. Sa i përket programit për ushtarakët, unë mund të them që nuk ka asnjë gjë konkrete, ka vetëm fjalë dhe nuk ka asnjë gjë të shkruar. Në do të dëshironim që të merrte zgjidhje ajo që ne e quajmë “Thembra e Akilit” për ushtarakët dhe që është Akti Normativ që përgjysmoi pensionet e parakohshme të ushtarakëve. Por as në një vend nuk është folur për këtë. Po ashtu ne do të dëshironim që edhe dy vendime të Gjykatës Kushtetuese që lidhen me implementimin e të drejtave të fituara të ishin në programet e partive. Ende nuk i kemi parë programet e plota, por me aq informacion sa kam, mund të themi që nuk janë të përfshira të gjitha problemet që kanë të bëjnë me ushtarakët. Por shpresojmë që të bëhet një rotacion paqësor mbi të gjitha. Dhe t’u përmbahen premtimeve që kanë bërë ato që do të fitojnë për ta nxjerrë vendin nga ky ngërç ku është futur. Pasi situata është shumë e vështirë, unë jam pensionist dhe pres me padurim që të vijë data e pensionit.

     -Ushtarakët patën shprehur dëshirën për të pasur një përfaqësues të tyre si kandidatë për deputet dhe kjo nuk u arrit. Cilat ishin arsyet?

    -Po, është e vërtetë që ushtarakët patën shprehur dëshirën për të pasur përfaqësues të tyre për deputet në zgjedhjet e 23 qershorit. Ne i kemi bërë ofertë Partisë Socialiste disa herë me shkrim, por kryetari i saj nuk ka denjuar që të presë dhe të takojë apo të bisedojë me ushtarakët. Po e përsëris, ne kemi bërë disa herë kërkesë me shkrim dhe nuk kemi marrë përgjigje. Dhe ne jemi një grup shoqatash dhe organizatash si: Organizata e Veteranëve, Organizata e familjeve Dëshmorëve, Organizata e Invalidëve të Luftës, dhe Shoqata e Kombëtare e Ushtarakëve. Këto organizata së bashku me shoqatën e ushtarakëve njihen si mbështetës të së majtës prej vitesh, por kryetari i PS-së Edi Rama, nuk ka pranuar që të presë asnjë nga ne.

     -Fakti që ushtarakëve nuk u është pranuar kandidati për deputet nga radhët e tyre, a do të ndikojë kjo në qëndrimet që ato kanë pasur ndaj të majtës?

    -Ne shpresojmë që do të arrijmë një marrëveshje me një forcë tjetër politike që është e majtë edhe ajo. Dhe javën tjetër pritet që të bëjmë një marrëveshje me Lëvizjen Socialiste për Integrim.

     -Ku do të konsistojë marrëveshja juaj me këtë forcë politike, cilat janë kërkesat që do i parashtroni?

    -Kërkesa jonë e parë është që të riaktivizohet marrëveshja e bashkëpunimit që ka shoqata jonë me Ministrinë e Mbrojtjes dhe Shtabin e Përgjithshëm. Kërkesa e dytë është që të zbatohen të tëra vendimet e gjykatave kushtetuese. Kërkesa e tretë është që të kemi të përbashkët një administratë me Ministrinë e Mbrojtjes. Por ne do të insistojmë që të na jepet Drejtoria e Përkujdesit. Kjo është drejtoria që merret me problemet që kanë ushtarakët me pensionet.

     -Le ti rikthehemi edhe njëherë marrëveshjes që do të bëhet me LSI-në. Kjo marrëveshje do të bëhet midis shoqatës së ushtarakëve, apo midis individësh të caktuar?

    -Ne kemi diskutuar dhe pritet që të biem dakord për marrëveshjen që ju thashë me sipër. Dhe marrëveshja do të bëhet nga Shoqata Kombëtare e Ushtarakëve në Rezervë dhe LSI.