Zvicra shpall kuotat, ja punëtorët e huaj që do të pranohen

    347
    Këshilli Federal vendos të shtojë numrin e punonjësve, të cilët vijnë nga vendet jashtë BE-së. Në shqyrtim lista e profesioneve
    Edhe në vitin 2018, ekonomia zvicerane duhet të jetë në gjendje të përthith krahun e nevojshëm të punës, thuhet në një komunikatë të Sekretariatit Shtetëror për Migracion (SEM). Për këtë arsye, në mbledhjen e tij të fundit Këshilli Federal ka marrë vendim për përcaktimin e kuotave maksimale për punonjësit e kualifikuar, të cilët vijnë nga vendet jashtë Bashkimit Evropian dhe EFTA-s. Kufijtë maksimalë për vitin 2018 për disa kategori do të rriten. Në këtë mënyrë, Këshilli Federal ka ndjekur nevojën në rritje për specialistë, të cilët vijnë nga vende të treta (përfshirë edhe Shqipërinë), si dhe i është përgjigjur kërkesave të ekonomisë. Brenda fundit të nëntorit do të miratohen të gjithë specifikimet e nevojshme për pranimin dhe qëndrimin e këtyre punonjësve. Në zbatim të marrëveshjes së arritur me BE-EFTA për lëvizjen e lirë, edhe vitin e ardhshëm sipërmarrësit zviceranë duhet të punësojnë një numër të caktuar punonjësish të specializuar nga vendet jo anëtarë të BE-së. “Këshilli Federal është shprehur dakord me rritjen e pjesshme të kufijve maksimalë për vitin 2018, duke mbajtur parasysh nevojën konstante të ekonomisë për specialist të ardhur nga vendet e treta, si dhe të rezultatit të procedurës së konsultimit me kantonët dhe organizatat sociale”, thuhet në njoftim.

    Gjatë vitit 2017, kontingjentet e pranuara u rritën me 1000 leje, por në veçanti situata e kategorisë së lejeve të qëndrimit (B) dhe e atyre të lëshuara nga furnizuesit e shërbimeve nga BE mbetet e nderë. Vitin e ardhshëm do të jetë e mundur të pranohen në total 8 mijë specialist të ardhur nga vendet e treta, me një shtesë tjetër të mundshme prej 500 personash. Për këta punonjës do të lëshohen 3500 leje qëndrimi (që mund të arrijë deri në 4 mijë) dhe 4.500 leje qëndrimi me afat të shkurtër (L). Numri shtesë prej 500 vendesh do të lihen në dispozicion të rezervës federale, që do të plotësojë sipas kërkesave, nevojat shtesë të kantoneve. 

    Kontingjentet për furnizues shërbimesh të BE-së
    Këshilli Federal i Zvicrës ka diskutuar edhe për kuotat maksimale për furnizuesit e shërbimeve, që vijnë nga vendet e BE-së, me një kohëzgjatje përtej 90 apo 120 ditësh në vit. Në vijim të plotësimit të shpejtë të kontingjenteve dhe duke mbajtur parasysh interesat ekonomikë të Zvicrës, Këshilli Federal është shprehur në favor të rritjes së kufijve maksimalë, që pritet të shkojnë sërish në nivelin 2014. Për vitin 2018 janë përcaktuar 3 mijë leje qëndrimi afatshkurtër (L) dhe 500 leje qëndrimi (B). Lejet do të vazhdojnë të lëshohen për çdo tremestër. 

    Detyrimi për të njoftuar listën e profesioneve që kanë një përqindje papunësie më të lartë se mesatarja është vendosur nga Parlamenti dhe përbën një detyrim të ri ligjor, duke nisur nga viti 2018, për të rregulluar migrimin, sidomos në sektorët më pak të strukturuar. Pranimi i punëtorëve të ardhur në Zvicër nga vendet e treta vazhdon të jetë i autorizuar në funksion të interesave global të ekonomisë zvicerane dhe kontribuon për të garantuar vendet e punës. Prioriteti i punësimit të vendasve është i garantuar në këtë mënyrë, ndaj pranimet për punëtorë të huaj plotësojnë ato nga vendet e BE-së. Brenda fundit të nëntorit pritet të shpallet edhe lista e profesioneve, që do të paraqitet për miratim në Këshillin Federal. 
    Shifrat
    Gjatë muajve janar-qershor 2017, imigracioni në Zvicër, për popullsinë rezidente permanente, ka rënë me 6 % (-4069 persona), në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Është vënë re një rënie e imigracionit me prejardhje nga vendet e Bashkimit Evropian (-7.6 %), si dhe nga vendet e treta (-2.2 %). Në të njëjtën kohë, janë larguar nga Zvicra 35.411 persona, ose 2,3 % më pak se në të njëjtën periudhë të vitit 2016. Në gjysmën e parë të vitit, diferenca ka qenë në nivelin 25.526 persona, që është një ulje me 12 % e numrit të emigrantëve. 
    Sigal