Zaim Kuçi/Diktatorët dhe interesat gjeopolitike të shteteve

    557
    Sigal

    Jetojmë në makthin e luftës, në formë dhe sjellje ndryshe

    Nëse analizojmë, si konfliktet globale të deritanishme dhe ato të brendshme të vet shteteve, duket se zhvillimi i luftërave më tepër ka pasur influencën për interesa të individit delirant se sa zhvillimin e interesave kombëtare të vet shteteve. Ajo që të intrigon më shumë në këtë vrasje popujsh është fakti se këta diktatorë vijnë në pushtet dhe delirohen nga një rritje populiste që ata krijojnë në shtresa të caktuara të shoqërisë, por dhe në masat e gjëra duke shfrytëzuar varfërinë e popujve, si burim për rritjen e autoritetit të “pushtetit të individit” dhe situatat destabilizuese të vet shteteve nga ku këta diktatorë gjejnë gjithmonë terren për veprim. Të ardhur nga kjo bazë prurje ata dalin “shpëtimtarë” duke faturuar të këqijat e kësaj varfërie çështjet nacionaliste dhe për të rritur figurën e tyre ata luajnë lehtësisht me këtë nocion, që afron adrenalinën e duhur për aksion populist. Ata paraqiten aktivë vetëm në dukje, pra aktrojnë situatën në mënyrën më të mirë të tyre për të fituar kredibilitet popullor. Diktatorët kërkojnë shtrirje, terren dhe pushtet me forma dhe mjete të modernizuara, të mirëorganizuar në format hierarkik shoqëror të paraqitur si “vlerë” deri në flijim, duke stimuluar ndjenjën e krenarisë,  këtij kodi nderi të turpshëm  nga ku nisen dhe forcohen udhëheqësit diktatorë të shteteve. Historikisht, kombet dhe shtetet kanë jetuar apo mbijetuar më shumë përmes konfliktit sesa bashkëpunimit; më shumë në luftë sesa në paqe; më shumë të ndarë sesa të bashkuar. Në retrospektivën e kohërave thuhet se e vërteta tragjike e historisë ka të bëjë me faktin se njerëzimi është skllav i luftës dhe nuk mund të shkëputet prej saj. E përgjithshmja e post konfliktualitetit është se të tmerruar nga betejat ç’njerëzore të shkaktuara po nga qenia njerëzore, shfaqen sjellje, betohen dhe lindin shpresa të reja për shkëputje nga ky tmerr vrasës duke shpresuar në një paqe të përjetshme dhe se fjala luftë do të humbasë vendin në fjalorin “popull”, do të mbetet vetëm një kujtesë e hidhur historike në memorien e njerëzimit për të mos u përsëritur më. Por historia e hershme dhe e sotme na e përshkruan dëshirën për paqe vetëm si një iluzion. Lind një solidaritet në mbarë botën duke dhënë ndihmë dhe duke zhvilluar kompromise, marrëveshje, bisedime e deklarata, por përsëri nuk gjendet ajo mënyre sjellje politike-diplomatike, ai mekanizëm veprues mbyllës i këtij makthi pushtues të njerëzimit, i sajuar dhe i zhvilluar nga vetë njeriu në format diktator. Pa u vonuar shikojmë forma të reja lufte dhe prapë mblidhemi, analizojmë dhe luftojmë, pra vijojmë ciklin dhe mbetemi në luftë – luftë e përhershme me formë dhe përmbajtje të re, e përsosur në dukje. Tipike janë tmerret e luftës në Irak, Afganistan, Liban, Egjipt, Gjeorgji, në Siri e Mali, së fundmi kërcënimet bërthamore të diktatorit të Koresë së Veriut dhe shumë konflikte në vende të tjera, të shkaktuar nga diktatorët populistë, ku njerëz të pafajshëm dhe të viktimizuar nuk mund të riparohen më nga solidariteti i botës,  nga mobilizimi dhe veprimet konkrete për eliminimin e pasojave të luftës, pra kur lufta ka mbaruar.

    Këto forma lufte kanë një shtrat të vetëm, mungesën e një platforme të qartë politike, diplomatike rajonale e globale; atë të zhvillimit të elementëve kryesorë të strategjisë së bërjes së luftës së sotme: Parashikimi dhe Parandalimi, një strategji që e vlerësoj sfiduese në këtë aglomerat modernizimi, e cila përkon me teorinë e strategut kinez Sun Tzu: “Arti i të luftuarit pa luftuar”.  Ajo që i mungon kësaj rrokullisje është paaftësia për të gjetur formulën e instalimit të Demokracisë apo Diplomacisë së vërtetë, të gjetjes e më të mirit për udhëheqje.

    Edhe epoka e globalizmit, me një varfëri në rritje, solli shtimin e fuqisë për mbrojtjen, që kupton, nuk është marrë në konsideratë zhvillimi i pritshëm i demokracisë dhe diplomacisë, ose nuk u besohet atyre si faktorë strategjike në planifikimin e forcës, në arritjen e marrëdhënieve midis shteteve rajonale dhe globale, apo më e padëshirueshmja do të ishte që, vizionarët e këtij globi kanë parashikuar dështim të pritshëm të saj si fenomen i ri i shekullit.

    Në këtë rritje ambicie, ndoshta dhe të stimuluar lufte, ende në horizont nuk janë shfaqur të diturit dhe të urtët, “filozofët diplomatë e demokrate”, si dikur në kohën e konflikteve të mëdha, ku roli i tyre ishte vendimtar duke përmbysur plane e projekte armësh dhe lufte të njerëzimit, duke afruar zgjidhje për konfliktet e shoqërisë. Në një shikim global të shoqërisë njerëzore vërejmë se luftërat e bëra kundër njerëzimit po nga vet ai kanë ngjalluar vizionin e vetshtrembëruar me polemika pothuajse gjithmonë bajate. Fatkeqësisht njerëzimi përherë është në kërkim të gjetjes së mjeteve të reja të luftimit, nga ato më të thjeshtat e deri në sofistikim antinjerëzor.

    Fakti tronditës që globi strehon rreth 25 mijë armë bërthamore tregon se njerëzimi është në çdo moment i kërcënuar dhe se nuk heq dorë nga ky kërcënim i mirëstudiuar dhe i mirëdrejtuar nga organizmat ligjore të shtetit dhe ata jo ligjorë, nga gjasme “politikanë, strategë, analistë, mjekë, ushtarake, artiste etj., etj”, ata janë të gjithë diktatorë.

    Përherë pohohet se jemi të kërcënuar me pasoja katastrofike, nga forca e mjeteve fantazmë të prodhuara po prej vet qenieve njerëzore. Koha ecën dhe përherë ndihet ankthi dhe pasiguria. Heshtje duke harruar se po përgatisim me vullnetin tonë të ardhmen katastrofike, përplasemi kundër njeri-tjetrit por pa rezultat, njerëzimi jeton në enigma të pafundme…në këtë hallakatje diktatorët duartrokiten furishëm nga injoranca, nga ata … që mbajnë gjoja emrin popull. Mëshoj dhe akuzoj kalimet tepër të befta midis interpretimit humanist dhe politikës së bërë, duke shpresuar se një shoqëri e përparuar teknologjikisht me armatim të sofistikuar duhet të drejtohet jo nga diktatorë si ekspertë teknikë që dinë të përdorin këtë teknologji vrasëse moderne, por nga ekspertë politikanë/diplomatë, për më tepër, të jenë shoqërore/shpirtërore. Por, çka kemi humbur udhës është tragjike që kurrë nuk mund as të reduktohet në një formulë, as të nxirret jashtë loje, por të mbetet një aspekt i debatit për sigurinë globale, fushë veprimi për zhvillimin e demokracisë dhe diplomacisë. Gjasat janë që krizat, konfliktet dhe luftërat janë të pashmangshme, bashkudhëtare të përhershme me zhvillimin e shoqërisë njerëzore, për aq kohë sa do të udhëhiqemi nga diktatorët. Në epokën e globalizmit vërehen ndryshime të shpeshta dhe të shpejta politike dhe ekonomike, sidomos në shtete të vegjël, me demokraci të brishtë, ku individët marrin rol përcaktues në emër të interesave të shtetit, të cilat në fokusin e një ushtaraku vlerësohen si rrezik për destabilitet brenda vendit, krizë lokale dhe më pas rajonale. Në këtë zhvillim epokal vërehen kriza të paparashikueshme, që për shoqërinë përbëjnë rrezikun më të madh, pasi përjashtohet faza e parandalimit të saj, si mundësi për ndalimin apo zvogëlimin e efekteve të katastrofës.

    Çdo krizë e zhvilluar apo jo, ka si bazë mjaftueshmërinë ose jo të zhvillimit të demokracisë dhe të rolit të diplomacisë. Në fjalorin kinez, pra në gjuhën e shkruar kineze, fjala “krizë“ është në format dykuptimësh, që paraqet dy mënyra sjelljesh. Krizë që do të thotë rrezik dhe kuptimi i dytë, mundësi për dalje nga kriza.

    Për t’i dhënë një kuptim të përgjithshëm të dy rasteve, vlerësuar që nga historia e lindjes dhe zhvillimit të krizave, konfliktit dhe luftës; do të arsyetoja se, sjellja e parë është vepër e personaliteteve me kostum politik të udhëhequr nga diktatorë dhe mundësinë për dalje nga kriza them se e kanë “eskluzivitetin“, ndoshta më bindës, vetëm ushtarakët.

    Ata dinë mirë të llogarisin se çfarë katastrofe njerëzore do të ndodh dhe çfarë humbje ekonomike sjell kjo apo ajo krizë. Por ajo që mungon tek ushtarakët është: aftësia për të mësuar dhe bindur klasën politike që udhëheq; lobingu i kërkuar në mjedisin politik për të vërtetuar se, çfarë interesa politike fitojmë dhe nga ana tjetër çfarë pasojash vijnë nga ky interes politik i dëshiruar dhe së fundi, sa diplomatë janë ushtarakët përballë një vendimi politik të gabuar.

    Pra, në një krizë, konflikt dhe luftë, janë ushtarakët ata profesionalisht që bëjnë raportin e forcave, parashikojnë suksesin dhe dështimin e betejës. Dhe, së fundi, janë po ata që mund të parandalojnë katastrofën e shkaktuar nga ambiciet politike ku fshihen interesat e individit, gjithmonë në se janë bindës, në se kanë një nivel të lartë formimi, intuitë dhe njohuri në fushën e diplomacisë dhe të politikës.

    Sjellim si shembull rastin e Sirisë, ku strategët ushtarakë u treguan servilë dhe të paaftë të ndalonin masakrën, të parashikonin që kriza po zgjerohej drejt një luftë civile, për më tepër po shndërrohej në një konflikt rajonal, e gjithë kjo shkaktuar nga politikat konfliktuale të presidentit diktator të tyre, por angazhuan me servilizëm forcën ushtarake në interes të tij. Dorëheqjet e njëpasnjëshme të tyre nuk plotësuan elementin luftarak të fushës së luftimit “parashikim-parandalim“ të krizës dhe nuk justifikojnë vrasjet e mbi 100 mijë sirianëve, largimet masive (7miljon që prej 2012) dhe shkatërrimin e vendit të tyre.

    Edhe për katastrofën e pritshme koreano-veriore nuk i duhen as dhe ata ushtarakë të lartë që pozohen në foto qesharake dhe nxisin me populizmin e tyre diktatorin 29 vjeçar Kim Jong-un që pak kohë më parë ekzekutoi me armë të rënda shefin e shtabit të ushtrisë, pasi në ditën e zisë kombëtare të diktatorit të madh, (i ati i tij), gjenerali paska organizuar një ceremonial festiv familjar. Sot ai kërcënon mbarë botën duke prodhuar dhe testuar armë të tjera bërthamore. Një vend i tejvarfër që prodhon dhe kanibalizëm për të mbijetuar, mbështet me entuziazëm diktatorin me moshë adoleshenti, si shpëtimtar të regjimit komunist. Identike sjellje, si kjo foto entuziaste ushtarakësh i gjejmë në Iranin bërthamor dhe kudo në vendet ku nuk ka demokraci.

    Ky është populizmi i kohës moderne.

    Diktatorët vijnë nga grupet populiste, zhvillojnë aktivitetin e tyre politik-ekonomik duke zgjeruar orbitën e zonës së veprimit të interesave të tyre ekonomike nga ku delirohen nga ky pushtet i fituar dhe largohen po nga këto grupe populiste.

    Diktatorët kanë tipare të përbashkëta, pavarësisht nga përkatësia e tyre, edhe ajo gjeografike. Në këtë rrugëtim krizash, konfliktesh dhe luftërash, a ka ngjashmëri sjellje të udhëheqësve diktatorë në situatat e zhvilluara apo të sajuara dhe përse?

    Nëse hedhim një vështrim në historinë e diktatorëve të botës, ajo paraqitet si një e tërë e përbashkët. Diktatorët i janë përshtatur më shpejt se pjesa tjetër e shoqërisë, modernizimit duke poseduar inteligjencë njerëzore dhe mjete të jashtëzakonshme për të realizuar qëllimin. Kësisoj, duke pasur parasysh shkallën e intensitetit të veprimit të tyre dhe padukshmërinë, ata edukohen dhe paraqiten të pashkatërrueshëm.

    Ajo që të intrigon në këtë njohje është fakti se diktatorët kanë pothuajse identike të njëjtën histori jete dhe sjellje: prejardhja e tyre (geni i lindjes), fëmijëria në përgjithësi tepër e vështirë, marrëdhëniet në shoqëri, dashuritë, perversiteti dhe aktiviteti i tyre vrasës, këto janë të lexueshme për të gjithë.

    Ata janë të shkëputur nga shoqëria, të vetmuar, skizofren dhe të pavarur për marrje vendimi. Ata kanë gjithashtu të përbashkët sjelljet e tyre në lëvizjet, artikulimet, gjestet (gjuha e trupit) dhe qëndrimet me njerëzit që i rrethojnë. Janë të vendosur për atë që mendojnë edhe pse gabojnë. Ata nuk njohin vlerat e diplomacisë, aq më pak demokracinë. Vetëm forca i detyron ata të heqin dorë nga ajo që janë duke bërë. Si të tillë ata kanë pasur të përbashkët edhe fatet tragjikë të jetëve të tyre si, diktatori libian Muamar Gadaf është ekzekutuar dhe tërhequr zvarrë, Adolf Hitler vrau veten dhe trupin ja dogjën, Sadam Hysein u var, Caushesku u ekzekutua së bashku me të shoqen, diktatori i Kamboxhias, Pol Pot, e shumë histori të ngjashme diktatorësh si këto, pa vlerësuar, pothuajse për të gjithë, burgimet dhe internimet që kanë shoqëruar jetën e diktatorëve në vite. Johann Benos, profesor psikiatër dhe autor librash ka studiuar biografitë e sundimtarëve në librin “20 diktatorë evropianë”. Sipas studiuesit vula vihet në familje. “Rolin më të rëndësishëm e luan sjellja e babait”. Si rregull diktatorët “janë ndëshkuar, rrahur dhe keqtrajtuar. Ata kanë përjetuar brutalitetin e babait, të cilin nga njëra anë ata e kanë urryer dhe nga ana tjetër e kanë imituar”. Një arsimim humanist nuk mund të korrigjojë asgjë në këtë problematikë. Ajo që plotëson më tepër subjektin e këtij shkrimi është fakti se, ….as trëndafilat në Goetingen dhe bukuritë e Lumit Seine, nga ku Monik Serf (Barbara) thuri vargjet që bënë historinë në vitet 50-të (frymëzuan traktatin e Champs Elysees), nuk zbutën diktatorin e Kamboxhias Pol Pot, i cili studioi në universitetin Panthéon-Sorbonne të Parisit.; as “La maison d’Einstein à Berne” e Bern_it  zviceran nuk formoi koreano-veriorin Kim Jong Un-un; as edhe Londra e qytetërimit evropian nuk ishte e mjaftueshme për të civilizuar studentin sirian Bashar Al-Asad; e të tjera histori të ngjashme diktatorësh, formuar në perëndim që nuk kanë, sadopak, përmirësuar agresivitetin ndaj popujve të shteteve të tyre. Diku kam lexuar se, kur e pyetën Hitlerin në përfundim të tragjedisë botërore, se cilin ke urryer më shumë në jetën tende, ai u përgjigj: “Ata që më kanë përkrahur për të pushtuar vendin e tyre”, që kupton një botë e gjymtuar nga diktatorët (të sëmurët mendorë) dhe mbështetësit e tyre. Kjo të lë, të reflektosh për kujdesin e përzgjedhjes të udhëheqësve nga populli edhe pse të gjithë janë të kamufluar me  entuziazmin e vendosur për ndryshim që i karakterizon këta tipa njerëzish; ata janë diplomatë hileqarë të popullit të tyre. Diktatorët e periudhave historike i kanë atribuuar vetvetes mençuri dhe, e kanë quajtur veten “të shenjtëruar” etj. Bëmat e tyre kanë rënë ndesh me dëshirat dhe interesat e popujve, prandaj në historinë e shoqërisë njerëzore kanë mbetur demonë, vrasës duke lënë pas shijen e tyre të hidhur. Studimet e fundit të bëra nga neuroshkenca japin disa fakte intriguese në lidhje me atë që truri i disa lloj kriminelëve është i ndryshëm nga ai i njerëzve të zakonshëm.

    Volumi i trurit të kriminelit është me madhësi më të vogël se ai normal; bartësit e kësaj kategorie, (psikopatët) nuk kanë emocione;  atyre u mungon ndjeshmëria, keqardhja dhe ndjenja e fajit thuhej në këtë studim.

    Prej kohësh njerëzit kanë hamendësuar rreth burimit të keqes të shkaktuar nga faktorët njerëzorë edhe pse janë ndërgjegjësuar se mekanizmi i të keqes është në një pjesë të vogël nervash që funksionojnë në mënyrë të shtrembëruar dhe se,  është ky rrjet që vë në lëvizje mekanizmin “keqbërës” dhe e bën atë të funksionojë ashtu siç ne e vlerësojmë të shtrembëruar.

    E plotësojnë këtë mosfunksionim normal të trurit të qenieve njerëzore dhe studimet e bëra mbi raste të tjera vrasësish apo në njerëz të dhunshëm të cilët janë diagnostikuar dhe janë gjetur probleme traumash në tru, madje shkohet se, është e mundshme parandalimi i krimit (teknologjia e matjes së imazheve të trurit), në se pacienti i nënshtrohet kurimit të sëmundjes të diagnostikuar nga teknika e matjes së imazheve të trurit.

    Më tej, doktorët kanë skanuar trurin e një vrasësi dhe kanë zbuluar një tumor në madhësinë e një veze në një pjesë të trurit që përpunon marrjen e vendimeve dhe të tjera funksione të ashtuquajtura ekzekutive. Shkenca ka avancuar me shpikjen e një skaneri me rezonancë magnetike për pamjet dhe për të lexuar mendimet, kjo është bërë e mundur pasi gjatë studimit në tru janë gjetur gjurmë të kujtesës që mund të shihen dhe maten. Studime të tilla shtrojnë pyetjen, a do të bëhet e mundur mbajtja nën kontroll, ose pse jo eliminimi fizik i këtij kontingjenti që në lindje të fëmijës?

    Sa më shumë studimet thellojnë njohjen e trurit si bartës të dhunës, aq në mënyrë të efektshme do të arrijmë ta kontrollojmë mbartësin e këtij devijimi për parandalimin, dhe koha ka ardhur, në rastin e këtij shkrimi për gjerësi zhvillimi dhe në rastin më të mirë, në mosmarrjen e drejtimit të çfarëdolloj nivel pushteti nga ky kontingjent njerëzish të sëmurë.

    Njerëzimi do të shpëtojë nga kërcënimi vetëm atëherë kur ky zbulim do të gjejë zbatim në botën tonë kaq të koklavitur, nëse do të funksionojë midis njerëzve të të rënit dakord në një përzgjedhje të kthyer në normë, të mirëkontrolluar të kandidatit për lider duke iu nënshtruar një testi mjekësor siç ndodh dhe për profesionet e tjerë (rasti pilot).  Do të shmangen katastrofat në se vërtet shoqëria njerëzore do të vlerësojë, do të kuptojë dhe do të eliminojë ata diktatorët që vijnë në pushtet nga  kategoria e kontingjenteve–me zhvillim të trurit si bartës të dhunës (të sëmur kronik).

    Përballë këtyre specieve antinjerëzore shkenca do të vrapojë për të zbuluar efektet e këtij fenomeni të ri, prirjet e sjelljes të trurit: një diktator rritet në “inkubator” dhe të tjerë si ai, për të fituar luftën e ardhshme. … diplomacia dhe ata të “psikoanalitikës” prapë do të heshtin ….Jetojmë në makthin e luftës…në formë dhe sjellje ndryshe. Pyetjes, nëse globalizmi do të mënjanojë më së fundmi termin luftë, do të këtë një përgjigje: atëherë kur popujt, organizmat dhe shtetet do preferojnë për drejtim urtësinë e njerëzve të ditur, shkencërisht të mirëkontrolluar, të cilët ofrojnë armë që sjellin paqen.

    Zgjidhja e vetme për të shmangur makthin e luftës, që sipas meje, të stimuluar nga diktatorët është futja në lojë e psikoanalistëve dhe kontrolli fizik i trurit të tyre, sigurisht duke afruar bashkëlidhur konsolidimin e demokracisë dhe diplomacisë, arma më e fuqishme dhe shumë herë e pakushtueshme e shoqërisë ku ne jetojmë. Kjo formulë duhet të funksionojë para se diktatorët të kërcënojnë dhe të vrasin të koduarin me emër “popull ”, ata duhen të largohen herët…. edhe në mënyra dhe forma të tjera, kjo është e domosdoshme për t’u bërë, kështu shpëtojmë jetë njerëzish.

    …Por duket se shekulli ku jemi futur nuk mund të bëjë përjashtim nga ato që kemi kaluar, megjithatë le të shpresojmë. “Do të këtë lufta, do të ketë varfëri, do të ketë triumfe dhe shpartallime. Do të ketë tragjedi dhe fat të mbarë….ka një gjë që nuk është ciklike. Kjo është gjendja e përhershme njerëzore”. Do të shkruante Friedman në librin “100 vitet e ardhshme”.