Xheladin ÇELMETA/ Hetimi i Sigurimeve Shoqërore për pensionet e ushtarakëve

    424
    Komenti i vijuar më pas edhe me një pyetje të deputetit Pandeli Majko, ndaj përfaqësuesit të ISSh, në Komisionin e Ligjeve pak kohë më parë; lidhur me gabimin e bërë para vitit 2013 nga ky institut, i cili ka kthyer në debitorë (pa qenë të tillë) rreth 15 mijë ushtarakë; se “a mban kush përgjegjësi për këtë situatë të rënduar të pensioneve të parakohshme të ushtarakëve”, nuk mori një përgjigje bindëse. Përfaqësuesi i ISSH-së u mjaftua vetëm në “sqarimin” se; “fajtorë janë vetë ushtarakët që i kanë sjellë me vonesë dokumentet(!)”. Ndërkohë, në shtypin e ditës, thuajse në mënyrë të pandërprerë, po jepen reagime të shpeshta të vetë ushtarakëve, të cilët nuk janë aspak të kënaqur nga ky sqarim i institucionit në fjalë. Madje, ata shkojnë më tej: Kërkojnë që të hetohet sa më parë ISSH-ja, nga organet kompetente të këtij shteti, për të nxjerrë të vërtetën, si dhe përgjegjësitë përkatëse. Personalisht, edhe unë i bashkohem kësaj mase ushtarakësh, që kërkojnë një gjë të tillë, për të zbardhur të vërtetën. Shkurtimisht, po sqaroj se përse duhet ky hetim ndaj ISSH-së. E para: Ngulet këmbë se “rillogaritja si procedurë, ka kapur të gjithë ushtarakët pa përjashtim, që nga 1 korriku 2009, moment kur doli Akti Normativ”. Pyes; po si mund të bëhet kjo “rillogaritje”, kur një pjesë e ushtarakëve në rezervë në atë kohë ishin me pagesë kalimtare? E dyta; kam bredhur pafundësisht nëpër zyrat e ISSH-së Rajonale, Tiranë, në vitin 2010-2011, për të sqaruar veten time, se si do zbatohej tek unë Akti Normativ. Si do të më hidhej në librezë pensioni që duhet të marr në vijimësi me Akt Normativ (edhe pse, me thënë të drejtën, brenda vetes kam ndrydhur pafundësisht pakënaqësinë që po trajtohesha në mënyrë kaq mjerane nga shteti). Dhe mu tha tekstualisht nga një punonjëse e nderuar e ISSH-së, me emrin Shkurta, se “akti normativ do zbatohet ekzaktësisht, sipas formulës: 1,5% x “Pagë Mujore Mesatare referuese Neto x “Vjetërsi shërbimi”. Unë, pra, jam një nga ata, që QPR, më 9. 02. 2011, i ka dërguar ISSH-së për mua masën e caktuar të pagës mesatare mujore neto për vjetërsi shërbimi. Po si ka mundësi, që pas 4 vjetësh, më 17.6.2014, ISSH të imponojë QPR-në (ose QPR ka imponuar ISSH-në, këtë nuk mund ta di) të më caktojë mua një tjetër pagë mujore mesatare neto? Si ka mundësi që paga ime mesatare neto për vjetërsi shërbimi, në vitin 2011 të jetë 44.554 lekë; kurse në vitin 2014, të jetë më e vogël: 43. 517 lekë? E treta; pse në dy sqarime publike që kanë bërë titullarët e ISSH-së, ka dy sqarime të ndryshme; një herë thuhet se “rillogaritja ka filluar që nga 1 korriku 2009”, një herë tjetër thuhet se “rillogaritja ka filluar më 2011-ën, pasi Gjykata Kushtetuese dha “ok” për lënien në fuqi të Aktit Normativ. Cila është e vërteta? 
    Kush “e krijoi” vonesën?
    E gjithë e keqja, paska qenë “vonesa e dorëzimit të dokumentave nga ana e vetë ushtarakëve në ISSH(!)”. Ky paska qenë shkaku kryesor, që ktheu në debitorë mijëra ushtarakë… Unë nuk arrij ta kuptoj se ç’punë kanë ushtarakët në rezervë me lëvizjen e dokumentave të tyre; nga QPR në ISSH dhe anasjelltas. Në një shtet normal, kjo e ka emrin paligjshmëri totale. Ne paguajmë me taksat tona qindra sekretarë e sekretare, magazinierë e magaziniere, arkivistë e arkiviste, protokollistë e protokolliste, që të bëjnë mirë detyrën e tyre: të menaxhojnë dokumentacionin tonë arkivor, që normalisht, nuk do ta ketë vendin në shtëpitë tona, por në arkivat e shtetit shqiptar. Pse, pas Aktit Normativ, u përmbys kështu, kaq keq, situata e pensioneve të ushtarakëve? Pse duhej krijuar vonesa me çdo kusht? Mos është kjo një vonesë e qëllimshme, që më pas të krijohej me çdo kusht armata e debitorëve të përjetshëm, si puna jonë? Unë nuk dua ta besoj këtë gjë, por një hetim, ama, duhet bërë në ISSH. Unë nuk besoj, e aq më pak nuk dëshiroj, që pas një hetimi të kujdesshëm në ISSH, të dalin “fullanra” apo “bitra”, të tjerë, si në rastin e Bankës së Shtetit Shqiptar pak kohë më parë. Nuk do ta dëshiroja kurrë një gjë të tillë, se e di që ISSH-ja është aseti ynë kombëtar që, më së pari, unë i pari, do të dëshiroja të ishte i fortë e pa problematika të këtij lloji. Se është institucioni im, ku kam derdhur kursimet e mia të jetës, në 28 e ca vite shërbim ushtarak ndaj Atdheut. Shohim të përndjekurit politikë, që po marrin pagesat e burgjeve. Mirë bëjnë, ti marrin dhe ti gëzojnë ato, dhe nuk bëhem aspak xheloz. Ata patën zinxhira nëpër duar dhe mbylleshin në dhoma izolimi dikur. Të jemi të ndërgjegjshëm. Kush 4 vjet, kush 8 vjet e kush 10 vjet burg… Po ne ushtarakët? Unë dhe kolegët e mi oficerë, për dekada e dekada të tëra, mbetëm të izoluar nëpër repartet e zonave malore me detyrat aspak të lehta të mbrojtjes, me helmetën prej çeliku në kokë, me këpucët e rënda me kambale veshur, që për 24 orë rresht nuk duhej t’i hiqnim kursesi, me net të tëra duke u rrëgjuar nëpër vendkomandat e nëndheshme, gjithë ujë e egrasi. Mua dhe kolegëve të mi sot, po na “mbijnë” në trup sëmundjet tipike të kësaj jete të vështirë që kemi bërë dikur; në rininë tonë që na u tret majave të maleve; si atriti reumatoid, astma bronkiale, tensoni i gjakut, etj, etj. Dhe nuk u ankuam kurrë… 
    Edhe pensionistë, edhe debitorë!?
    Kjo që ka ngjarë me pensionet e parakohshme të ushtarakëve, pas daljes së Aktit Normativ, nuk ka ndodhur asnjëherë në historinë e sistemit të pensioneve shqiptare. Në asnjë kohë. As në kohën e Ismail Qemalit, as në kohën e Mbretërisë, as në kohën e Enver Hoxhës. Në gjithë historinë e instituteve shtetërore të kursimeve, nuk është parë që të shpallësh “borxhli” qytetarin që ka akumuluar në to paranë e tij, që ta ketë në një ditë të keqe. E ne ushtarakët me penione të parakohshme jemi në një ditë të tillë të keqe sot. Nuk është e mundur që vetëm ndaj kësaj kategorie të ketë “debitorë”. A s’është e vërtetë kjo? A ka kategori tjetër pensionistësh, që të jenë debitorë si ne. Jo, vetëm ne ushtarakët. E dhimbshme. Nuk ka sjellje më poshtëruese, si ky që mban shteti ynë ndaj nesh. Se ka ngjarë pak a shumë kështu: Medemek; “jo vetëm që do të ta ul pensionin, por edhe do të të bëj debitor; ndaj mos fol, se edhe ta heq fare…(!). Shoqatat e ushtarakëve me të drejtë këmbëngulin që qeveria të bëjë hapin e parë sot: të nxjerrë si të paligjshme gjithë praktikën që ka kthyer dhe vazhdon të kthejë në debitorë qindra e qindra ushtarakë. Dy ditë më parë AKUSh me president z. Kujtim Çako, u mblodh me urgjencë për të përshpejtuar hapat drejt bashkimit të shoqatave të ushtarakëve në një të vetme. Në këtë takim, si në fjalën e mbajtur nga z. Novruz Sako, ashtu dhe në atë të z. Bajram Mane, u fol qartë për kryetemën e debatit: Kërkesën ndaj Qeverisë për pezullimin e Aktit Normativ. Nga ana tjetër edhe shoqata e SHKURSH, me president z. Thoma Konduri, sipas informacioneve konfidendiale, ka bërë të njëjtën gjë: Ka precizuar detajet e platformës për bashkimin e shoqatave të ushtarakëve në një të vetme, në rang kombëtar. 
    Sigal