Xheladin ÇELMETA/Atje ku dhurohet dashuri njerëzore

    520
    Sigal

    Reportazh nga qendra azilante e Sant’ Egidios, Tiranë

    Në mes të Tiranës, vetëm disa metra mbrapa godinës së ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, gjendet një prej mjediseve azilante për të braktisurit, të komunitetit të Sant’ Egidios. Është një godinë dykatëshe, e përshtatur për lëvizjen e “karrocave me rrota”, si dhe për relaksimin e komunitetit të azilantëve të akomoduar aty. Zakonisht, ata janë të moshës së tretë, por ka edhe nga mosha më të reja, të braktisur në rrethana nga më të ndryshmet, të traumatizuar që kanë nevojën e psikologut apo të punonjësit social, të paralizuar që kanë nevojën e mjekut, të sëmurë nga autizmi, etj., etj. Ato që janë gjithnjë në lëvizje, gjithnjë në shërbim; “non stop” 24 orë në 24, janë motrat e Nënë Terezës. “Motrat na lajnë, motrat na ndërrojnë, motrat na ushqejnë; sepse ne… s’vlejmë për asgjë”, thotë dhe shpërthen në lot, Vangjushi, një nga të moshuarit e këtij azili. Në çast atij i afrohen dy-tri studente të mjekësisë, që kanë ardhur këtu për të ndihmuar. E qetësojnë atë, i fërkojnë duart dhe shpatullat. Në këtë qendër azilante të Sant’ Egidios në Tiranë, aktualisht trajtohen 28 vetë, por ky numër ndryshon herë pas here. Pavarësisht nga fati i tanishëm, shumë nga këta persona kanë qenë njerëz me personalitet në fusha të ndryshme dikur. I kanë dhënë jo pak shoqërisë, me punën, talentin dhe angazhimin e tyre. Vangjushi nga Tirana, ka qenë 12 vjet teknik i mesëm në ish kombinatin Metalurgjik të Elbasanit. Ka 4 vjet që ndodhet këtu. Azilant Kola është nga zonat veriore, nga Puka. Thotë se ka punuar gjithmonë në bujqësi. Pali është nga Elbasani. Kujtimi është nga Dibra, dhe ka qenë ndërtues. Ndërtonte pallate në Tiranë dikur. Kurse Zefi është nga Rrësheni dhe thotë se dikur ka qenë mjek pediatër. Iliri është nga Berati. Atij nuk i rron më; as nëna, as babai, as motra. Dhe ka mbetur fillikat. Kjo qendër për Ilirin është shtëpia më e mirë e Botës. Edhe Bernardit nga Shkodra, i kanë ndërruar jetë të dy prindërit. Në fakt, ka një motër dhe dy vëllezër, por ata janë “të mbytur” me hallet e tyre në emigracion, në Itali. Bashkim Abeshi është nga Fieri. Dikur ka qenë punëtor në fabrikën e këpucëve. Humori është e vetmja “pasuri” që i ka mbetur atij…

    Të dhurosh dashuri “pa limit”

    Që prej disa kohësh, ky mjedis azilant ka “ndërruar” ritëm: Dy-tri herë në javë, këtu vijnë dhe shërbejnë studentë e studente të Universitetit të Tiranës, si dhe nga qendra e universitete të tjera. Fizioterapist Pandi nuk e braktis kurrë këtë qendër. Vjen shpesh këtu si vullnetar. Oliverta Mustafai, është studente e fakultetit të fizioterapisë. Lisida Myftari, gjithashtu studion për fizioterapi. Mikela Shurdhi, studion për shkencat sociale. Emi Hatellari është studente e shkencave sociale. Olga Gionfudi është studente e fakultetit të mjekësisë, kurse Klaudia Myftari studion për kimi. Ka dhe shumë e shumë të tjera nga universitete e fakultete të ndryshme që kanë marrë nismën “të dhurojmë dashuri për të braktisurit”. Një grup i madh vullnetarësh “për të dhuruar” dashuri njerëzore. Dy ditë më parë ato kishin “krijuar” një festë të posaçme me muzikë e valle për azilantët. Nuk kishin ardhur “duarbosh”. Dhuratat e tyre për azilantët ishin nga më të ndryshmet: qershi, mollë, lëngje frutash, coca-cola, akullore, etj, etj. “E bëjmë si t’i kishim njerëzit tanë, e bëjmë më zemër këtë gjë”, thotë Amilda, një fizioterapiste. “Sajojmë çdo gjë, që t’i bëjmë këta njerëz të lumtur, të ndjejnë praninë e shërbimit nga dora jonë. Ata preken nga sjellja jonë, na falenderojnë e na urojnë. Qëllimi ynë është që ata “ta prekin” me dorën e tyre këtë dashuri. Që ajo të jetë njerëzore, e vërtetë, reale”, tha studente Lisida. Për azilantët, këto vajza e këta djem, pa asnjë mëdyshje janë mbesat dhe nipërit e tyre të dashur. Përderisa që prej dy vjetësh, vijnë çdo javë dhe iu shërbejnë atyre. Dhe vijnë më dëshirë, me buzën në gaz gjithmonë…

     Italiani Casarelli: “Zemra “më komandoi” të vija këtu”

     “Vetë e preva biletën e avionit, nga Roma për në Tiranë. Nuk ishte porosi e ndokujt. Ishte zemra ime që “më komandoi”. Kështu shprehet Francesco Casarelli, një punonjës social italian, i cili qendrën e tij të punës e ka në Romë. Ai thotë se vjen këtu me shumë dëshirë. Është laureuar në Universitetin e La Sapienza-s, për shkencat sociale dhe që nga viti 1991 shërben si asistent social. Komuniteti i të braktisurve e azilantëve të Sant’ Egidios, vitin e kaluar u mblodh në një konferencë sensibilizuese në Sarajevë të Bosnje-Hercegovinës, kurse këtë vit, kjo konferencë pritet të zhvillohet së afërmi në Romë. Do të ketë pjesëmarrës edhe nga Shqipëria.