Vrasja në ‘Don Bosko’, identifikohet viktima dhe 4 të plagosurit, Policia: U qëllua nga jashtë lokalit

299
Sigal

Policia e Tiranës ka bërë reagimin e parë për mediat pa vrasjes që tronditi Tiranën pasditen e sotme në zonën e Don Boskos. 

I vrarë me armë zjarri ka mbetur Erion Çela 35 vjeç. Ndërsa të plagosur janë Arben Dani 46 vjeç i dëmtuar në këmbë, Azbi Selimaj 19 vjeç i dëmtuar në shpatull, Blerim Çela 28 vjeç i dëmtuar në këmbën e djathtë dhe në fytyrë. Ky i fundit është vëllai i viktimës.

Gjithashtu i plagosur në bark dhe këmbë ka mbetur edhe Edmond Crroj 41 vjeç.

Ata janë qëlluar brenda në tavolinën e një lokali nga persona që kanë hapur zjarr nga jashtë.

Autorët dyshohet se kanë shtënë me armë zjarri kallashnikov dhe janë larguar me një automjet ‘Benz’ ngjyrë e zezë.

Njoftimi

Më datë 04.01.2022, rreth orës 16:15, në “Don Bosko”, në ambientet e një lokali dyshohet se është qëlluar me armë zjarri nga jashtë, në drejtim të një tavoline ku ishin ulur pesë shtetas.

Si pasojë e të shtënave, shtetasi E. Ç., 35 vjeç ka humbur jetën, dhe janë plagosur shtetasit A. D., 46 vjeç, A. S., 19 vjeç, B. Ç., 28 vjeç dhe E. C., 41 vjeç. 

Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli në të gjitha pikat hyrëse-dalëse të Tiranës dhe në brendësi të lagjeve ku dyshohet se janë larguar personat, të cilët pasi kanë qëlluar me armë zjarri, janë larguar me një automjet tip “Mercedes-Benz”.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.