Vojsava Nelo Jakllari/ Mua më merr malli për një ninull…

    393
    Sigal

    Të përkunda bir në mesditë, në mesnatë

    në krah ninulle, ëmbël, lehtë,
    që ti të më rriteshe sa më parë,
    të më rriteshe sa më shpejt!

    Dhe ninulla – mjaltë shtatin ta hodhi,
    fjalën e shqipes ta mëkoi në buzë.
    Udhët t’i zgjati si rreze të shndritshme…,
    që ti nëpër to të ecësh si burrë!

    Që ti nëpër to të ecësh si dritë
    duke prekur agime të reja…,
    …. Këndoja mesnatave ngadalë, me shpirt,
    ndërsa jashtë gjëmonte e zhurmshëm frynte era…

    …Sot unë vështroj hapin tënd të rritur
    udhët e bukura zgjaten pa kufi…,
    po mua më merr malli për një ninullë,
    ta këndoj një mesnatë për ty!..

    Kjo poezi është botuar në librin “Mbretëroj”, poezi, 1995