Vjollca Braho: Ligji i ri, ja kush përfiton rritje pensioni

    473
    Sigal

    Takimi i Grupit të Punës/ Flet Vjollca Braho, drejtorja e përgjithshme e ISSH-së për problematikat e sistemit aktual “Pay As You Go” dhe domosdoshmërinë e reformës së pensioneve

    Një nga problemet e sistemit aktual të pensioneve, që radhit drejtorja e përgjithshme e ISSH-së, Vjollca Braho, është dalja në pension e grave 5 vjet më shpejt se burrat. “Diskriminimi pozitiv për gratë që dalin në pension pleqërie 5 vjet më shpejt se burrat, megjithëse jetëgjatësia e tyre është më e lartë se e burrave, çon në rritjen e shpenzimeve të skemës dhe ndikon në deficitin e saj”, shprehet znj. Braho në takimin e Grupit të Punës për reformën e sistemit të pensioneve. Si shkak i shumë problematikave që radhiti në fjalën e saj, Braho propozon domosdoshmërinë e reformës së pensioneve. Më poshtë do të japim të plotë fjalën e Brahos për problematikat e shfaqura deri tani në sistemin aktual të pensionit.

    MBI SISTEMIN E SIGURIMEVE SHOQËRORE

     Mbledhja e kontributeve të detyrueshme të të punësuarve dhe të vetëpunësuarve urbanë është deleguar me ligj tek organet tatimore nga viti 2005, ndërsa sigurimi i detyrueshëm i të vetëpunësuarve në fshat dhe sigurimi vullnetar mblidhet nga ISSH. Pagesa e përfitimeve realizohet nga agjentët pagues që janë Posta Shqiptare, e përcaktuar me Vendim të Këshillit të Ministrave, dhe Bankat e nivelit të dytë. Të gjithë kontributet e sigurimeve shoqërore pavarësisht se nga kush mblidhen dhe paguhen, administrohen në Fondin e Sigurimeve Shoqërore (FSSH) nëpërmjet llogarisë së përqendruar të Qeverisë (TSA).

    Sistemi i Përgjithshëm i Sigurimeve Shoqërore përbëhet nga:

    1. A.                       Sigurimi Shoqëror i Detyrueshëm, i cili funksionon sipas parimit Pay As You Go dhe është kontributiv. Sigurimi Shoqëror i Detyrueshëm mbron me të ardhura:
    • personat e punësuar në lidhje me: barrëlindjen, paaftësinë e përkohshme në punë për shkak të sëmundjes, sëmundjet profesionale dhe aksidentet në punë, pleqërinë, invaliditetin, humbjen e mbajtësit të familjes, papunësinë;
    • personat e tjerë ekonomikisht aktivë (punëdhënësit dhe të vetëpunësuarit) në lidhje me: barrëlindjen, pleqërinë, invaliditetin, humbjen e mbajtësit të familjes.

    Kjo skemë financohet nga

    • kontributet e punëdhënësve, punëmarrësve, të vetëpunësuarve nga shteti;
    • në çdo rast, përfitimet garantohen nga Buxheti i Shtetit.

    1. B.                        Sigurimi Shoqëror Vullnetar

    1. C.                       Sigurimi Shoqëror Suplementar. Kjo skemë përfshin personat me funksione kushtetuese, punonjësit e lartë të shtetit, ushtarakët dhe punonjësit e policisë aktivë, si dhe personat me tituj akademikë profesorë dhe profesorë të asociuar.

    1. D.                       Pensionet e Posaçme Shtetërore. Ky lloj pensioni jepet për kategori të caktuara individësh, që kanë arritur rezultate të dallueshme në fushën e shkencës, kulturës, artit, ekonomisë, politikës dhe që kanë merita të veçanta. Kjo skemë financohet tërësisht nga Buxheti i Shtetit.

    1. E.                        Gjithashtu, ISSH administron dhe paguan edhe disa kategori të tjera përfitimesh, që nuk lidhen me sistemin e sigurimeve shoqërore, por financohen direkt nga Buxheti i Shtetit dhe trajtohen me ligje të veçanta si:

    a) Trajtime të veçanta për pilotët fluturues;

    b)Trajtime të veçanta për punonjësit e nëndetëseve;

    c)  Trajtime të veçanta për ish-punonjësit e nëntokës;

    d)Trajtime të veçanta për ish-punonjësit e industrisë ushtarake;

    e)  Pagesa e veteranëve të Luftës Nacionalçlirimtare;

    f)   Pagesa për invalidët e luftës;

    g) Kompensime të të ardhurave dhe të çmimeve të energjisë dhe bukës;

    h)Shpenzime funerale;

    i)    Pagesa për karburant dhe lubrifikantë për invalidët e punës, që kanë nevojë për mjete lëvizëse.

    Buxheti i ISSH-së është mjaft i madh, afërsisht sa ¼ e buxhetit të përgjithshëm ose rreth 101.8 miliardë lekë (2014). ISSH kontakton çdo muaj dokumentet për mbi 1.2 milionë njerëz, të cilët janë kontribuues ose përfitues të skemës.

    REFORMAT E NDËRMARRA NË VITE

    Zhvillimet ekonomike, demografike dhe sociale herë pas here kanë bërë të domosdoshme ndërmarrjen e një reforme në sistemin e sigurimeve shoqërore me qëllim përgjigjen më të mirë të ndryshimeve që kanë ndodhur. Nga viti 1993 dhe deri sot Ligji i Sigurimeve Shoqërore ka pasur disa ndryshime, ndër të cilat, si më të rëndësishme përcaktohen:

    1. 1.  Reforma e rritjes së moshës së daljes në pension me 5 vjet si për burrat dhe për gratë, viti 2002, ku aktualisht masa ligjore e pensionimit ka arritur në 65 vjet për burrat dhe 60 vjet për gratë;
    2. 2.  Vendosja e një formule të re të llogaritjes së pensioneve të fshatit në vitin 1998;
    3. 3.  Vendosja e sistemit të pensioneve të reduktuara dhe ulja e periudhës së sigurimit për pension të pjesshëm nga 20 në 15 vjet etj..

    Gjithashtu, duke filluar nga viti 2006, megjithëse ende nuk kishte përfunduar reforma e rritjes graduale të moshës së daljes në pension, u identifikua nevoja për ndërmarrjen e reformave të mëtejshme, sidomos në drejtim të modernizimit të sistemit, rritjes së qëndrueshmërisë financiare të tij dhe një reformë e  plotë për ngritjen e kapaciteteve institucionale të sistemit. Nga ana e ekipit të BB, në bashkëpunim dhe me aktorë të tjerë u përcaktua nevoja për një reformë parametrike e sistemike e sistemit të sigurimeve shoqërore dhe krahas saj një reformë administrative, si dhe të ngritjes së një infrastrukture moderne që t’i përgjigjej nevojave të kohës dhe të ardhmes.

    Ndërsa reforma administrative, me mbështetjen teknike e financiare të BB, është në fazën e implementimit të plotë të saj. Kjo reformë konsiston në:

    1. Grumbullimin e dokumentacionit të vjetërsisë në punë dhe ngritjen e Arkivës Qendrore të Sistemit të Sigurimeve Shoqërore;
    2. Informatizimin e të gjithë aktiviteteve të ISSH-së;
    3. Krijimin e Regjistrit qendror të pensioneve dhe modernizimin e sistemit të pagesave;
    4. Ngritjen e arkivës dixhitale dhe krijimin e llogarive individuale dixhitale;
    5. Rehabilitimin e zyrave të sigurimeve shoqërore dhe pajisjen e tyre me rrjete të plota e të sigurta të komunikimit.

    Krahas këtyre:

    1. Pastrimin e skemës nga pensionet e dubluara;
    2. Auditimin e pensioneve, për të zbuluar dhe eliminuar pensionistët me datëlindje të ndryshuar;
    3. Mbylljen e pensioneve të personave të vdekur e të padeklaruar.

    ARRITJET E ISSH-së

    Në kuadër të mirëadministrimit të sistemit të sigurimeve shoqërore në vazhdimësi është bërë një punë e madhe në drejtim të:

    • Mirëadministrimit financiar të skemës. Skema është administruar me një kosto prej 1.9% të fondit nga 5% e përcaktuar në ligj;
    • Pastrimit të skemës nga përfitimet e pamerituara. Si rezultat i kontrolleve manualë dhe procesit të informatizimit është bërë e mundur pastrimi i skemës nga pensionet e dubluara, me datëlindje të falsifikuar, vjetërsi pune të falsifikuara, personat e vdekur. Nga auditimi i trajtimeve të veçanta të ish- punonjësve të nëntokës rezultoi se rreth 1 700 persona përfitonin trajtim të padrejtë, si rezultat i falsifikimeve të dokumenteve të vjetërsisë në punë dhe të punës nëntokë. Njëkohësisht, me grupe kontrolli të ngritura në çdo DRSSH, të përbërë nga specialistët më të mirë të përfitimeve, u kontrolluan të gjitha dosjet e pensioneve të lidhura në dhjetë vitet e fundit, për të parë ligjshmërinë e caktimit të tyre. Nga kontrolli manual rezultoi se rreth 1 900 persona kishin paraqitur certifikata me të dhëna të falsifikuara, duke përfituar dalje para kohe nga 1 vit deri 10 vjet. Të gjithë rastet janë kallëzuar në prokurori dhe vazhdojnë proceset penale.
    • Krijimit të regjistrit kombëtar të pensioneve. Deri tani janë hedhur në sistemin informatik rreth 95% e përfitimeve;
    • Informatizimit të sistemit:
    • Dixhitalizimit të periudhave të sigurimit, që nga fillimi i sistemit të sigurimeve shoqërore. Aktualisht ka përfunduar procesi i dixhitalizimit të ditëve të punës të ish-kooperativave bujqësore dhe është në proces dixhitalizimi i regjistrave të punës për ish-ndërmarrjet shtetërore;
    • Ndërtimit të Arkivës qendrore të sistemit dhe fillimit të grumbullimit të dokumentacioneve të vjetërsisë në punë, të shpërndara në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.

    Përfundimi i procesit të informatizimit të gjithë sistemit, si dhe përfundimi i dixhitalizimit të vjetërsisë në punë, krijimi i llogarive personale do të bëjë të mundur rritjen e transparencës ndaj publikut, administrimin më të mirë të fondeve, rritjen e performancës së institucionit, përmirësimin e shërbimit ndaj qytetarëve, uljen e kohës së caktimit të përfitimeve dhe rritjen e saktësisë në llogaritjen e tyre.

    PROBLEMATIKAT

    Problemet që ndesh sistemi i sigurimeve shoqërore janë:

    1. 1.  Skema e sigurimeve shoqërore funksionon sipas parimit Pay As You Go, që do të thotë që pensionet që paguhen në një vit financohen nga kontributet e mbledhura po atë vit. Skema e pensionit në Shqipëri nuk është e balancuar financiarisht, pra kontributet e mbledhura nga personat e siguruar nuk mjaftojnë për të paguar përfitimet që jep skema brenda të njëjtit hark kohor (një vit). Kjo paqëndrueshmëri financiare vjen si rezultat i numrit të ulët të kontribuuesve, evazionit (mosdeklarim të punësimit dhe deklarim jo i saktë i pagave), numrit relativisht të lartë të pensionistëve, krahasuar me moshën e re të popullsisë, moshës së ulët të pensionistëve, si rezultat i daljes së parakohshme në pension në fillim të viteve 90, ndryshimeve demografike, nivelit të papunësisë, nivelit të lartë të emigracionit të personave që janë në moshë pune. Aktualisht deficiti i skemës shkon në 1.5% të GDP-së;

    1. 2.  Niveli ende i lartë i evazionit në pagesën e kontributeve, sidomos në biznesin e vogël. Sipas të dhënave nga DPT rezulton që numri i subjekteve biznes i vogël deri në fund të muajit Tetor 2013 ka qenë 57,476, ndërsa numri i të siguruarve në këto biznese – 79,706 persona ose 1.38 persona të siguruar për një biznes. Ky tregues është i ulët, pasi shumica e biznesit të vogël është e pamundur të funksionojë me një person. Gjithashtu, numri i bizneseve të vegjël në gjykimin tonë është më i lartë se 57,476;

    1. 3.  Lidhja e dobët midis kontributeve të paguara dhe pensioneve të paguara sidomos të kontribuuesve me paga mbi pagën mesatare. Personat që paguajnë kontribute të sigurimeve shoqërore mbi paga të larta kanë shkallë të zëvendësimit të ulët (raporti pension me pagë), gjë që dekurajon qytetarët të deklarojnë pagat reale. Kjo sjell mungesën e iniciativave për të deklaruar pagat e vërteta për të punësuarit me pagë të lartë dhe vazhdimin e kontribuimit përtej kushtit për 35 vjet sigurim, pasi nuk ndikon në masën e pensionit;

    1. 4.  Masa e pensionit është e vogël dhe e pamjaftueshme për të përballuar jetesën në moshën e tretë;

    1. 5.  Komprimimi i pensioneve drejt pensionit minimal që nuk motivon për pjesëmarrje. Pensioni mesatar është pothuajse i barabartë me pensionin minimal, ndërsa paga mesatare është dyfishi i pagës minimale në shkallë vendi. Gjithashtu, pensioni mesatar është i barabartë me të ardhurat minimale si rezultat i kompensimeve të ndryshme që financohen nga buxheti i shtetit (kompensimi i të ardhurave për pensionet minimale);

    1. 6.  Për të vetëpunësuarit në bujqësi, në varësi të zonës gjeografike (fushore ose malore) pjesa e kontributit që paguhet nga buxheti i shtetit është nga 50% deri  në 75%  të masës kontributive, krahasuar me të vetëpunësuarit në qytet, të cilët e paguajnë totalisht vetë. Ky subvencion i kontributit për të vetëpunësuarit në bujqësi praktikisht është një subvencion “i fshehur” i skemës së pensioneve nga buxheti i shtetit dhe e kthen pensionin për këtë kategori në një skemë asistenciale;

    1. 7.  Diskriminimi pozitiv për gratë që dalin në pension pleqërie 5 vjet më shpejt se burrat, megjithëse jetëgjatësia e tyre është më e lartë se e burrave, çon në rritjen e shpenzimeve të skemës dhe ndikon në deficitin e saj;

    1. 8.  Projeksionet e skemës për 50 – 75 vitet e ardhshme tregojnë një plakje të popullsisë, si rezultat i rritjes së jetëgjatësisë dhe uljes së numrit të lindjeve. Këto projeksione tregojnë që në dekadat e ardhshme deficiti i skemës do të thellohet dhe do të krijojë vështirësi serioze në pagimin e pensioneve për qytetarët që sot janë kontribuues ose do të rrisë subvencionin e skemës nga buxheti i shtetit;

    1. 9.  Pjesëmarrja e ulët e forcave të punës në sistemin e sigurimeve shoqërore, 65%, tregues i cili sjell probleme në financimin e pagesave aktuale dhe rrit barrën sociale në të ardhmen. Kjo shkallë e ulët e mbulimit me elementë të sigurimit shoqëror në të ardhmen do të kthehet në një barrë sociale për shoqërinë dhe Buxhetin e Shtetit. Mospjesëmarrja në skemë nëpërmjet pagimit të kontributeve do të përjashtojë individët në marrjen e përfitimeve nga skema, dhe ata do t’i drejtohen skemave të tjera të financuara nga buxheti si ndihma ekonomike, asistenca të tjera sociale;

    1. 10.       Norma e ulët e varësisë së sistemit (raporti kontribuues/përfitues), i cili është shumë i ulët krahasuar me vendet e tjera. Ky tregues aktualisht është 1.2 kontribuues për një pensionist, por në numrin e kontribuuesve futen edhe të vetëpunësuarit në bujqësi që paguajnë një shumë fikse, si dhe kategori të cilave me ligje të veçanta kontributet iu paguhen nga buxheti i shtetit, si pensionet e parakohshme të ish-ushtarakëve, vitet e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, vitet e shkollës së lartë për gratë, trajtimeve të veçanta etj;

    1. 11.       Niveli mjaft i lartë i mbulimit me subvencione shtetërore të skemës suplementare dhe trajtimeve të veçanta. Rreth 80% e shpenzimeve të skemës suplementare financohet direkt nga Buxheti i Shtetit;

    1. 12.       Niveli i lartë i debitorëve të kontributeve shoqërore. Numri i subjekteve që janë debitorë pas vitit 2005, vit kur mbledhja e kontributeve kaloi në organet tatimore është 45,380 subjekte, me një borxh prej 9.7 miliardë lekësh. Përveç problemeve të financimit të skemës, këta debitorë krijojnë edhe probleme sociale për personat që kanë qenë dhe janë të punësuar, pasi ata nuk marrin përfitime nga skema, deri në pagimin e  kontributeve.

    Diktohet dhe është imediate nevoja për një reformë në parametrat e sistemit, si dhe për vazhdimin e punës për përmirësimin e infrastrukturës së sistemit.

    Veliaj: “Nuk do të kemi rritje të moshës së pensionit”

     “Reforma e pensioneve  nuk do të synojë rritjen e moshës së pensionit, por luftën kundër informalitetit”, ka deklaruar dje në mbledhjen e grupit ndërministror Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj. “Nuk do të ketë reformë nëse nuk ka pastrim nga abuzimet. Edhe procesi i reformës së pensioneve do të shkojë në këta dy binarë, do të ketë disiplinim dhe mbyllje të të gjithë boshllëqeve që skema ka dhe abuzimet që kanë ndodhur”, nënvizoi Veliaj. Duke folur për qëllimet e reformës së pensioneve, Veliaj tha se, “me skemën e re çdo i moshuar do të ketë mundësinë që të ketë një pension dinjitoz kur të mbushë moshën e përcaktuar dhe së dyti, duhet të forcohet me doemos lidhja mes kontributeve dhe pensioneve”. Sipas ministrit Veliaj, është e arsyeshme që të hiqet pensioni tavan dhe t’i jepet kujtdo mundësia për të kontribuar më shumë, në rast se dëshiron t’i reflektohet një pension më i lartë. Gjithashtu, Veliaj u shpreh se kjo reformë nuk do të prekë qytetarët që janë afër moshës së pensionit. Si ministri përgjegjës i kësaj reforme, Veliaj ndau detyrat për çdo institucion, duke i lënë afat 15 shkurtin ISSH-së dhe Ministrisë së Financave të dorëzojnë draftin me ndryshimet ligjore dhe formulën e re të llogaritjes së pensioneve. Deri në muajin mars do të ketë disa variante të cilat do të shkojnë për votim në Parlament, deri kur të marrin konsensusin e grupeve të interesit.

    Reforma

    -Nuk do të ndryshojë mosha

    -Nuk do të preken ata që janë në prag pensioni

    -Do të përfitohet pensioni minimal, pavarësisht kontributit

    -Do të hiqet kufiri i sigurimit

    -Do të hiqet pensioni tavan

    -Shteti do të bashkëpunojë me fondet private për sigurimin e detyrueshëm

    -Skemat alternative për pension

    Pensioni social pjesë e reformës

    Përsa i përket pensionit social, nisur nga praktika italiane, pensioni social lidhet direkt me pagesën e kontributeve. Sipas kësaj praktike pension social, marrin ata persona (vendas apo anëtarë të BE-së, rezident brenda vendit), që kanë paguar kontribute për sigurime shoqërore, por me plotësimin e moshës, nuk plotësojnë kushtin e vjetërsisë kontributive të domosdoshme për të përfituar pension pleqërie.