Sigal

Siguria ushqimore/ Zbulohet rruga se si hyjnë në vendin tonë nga pikat e kalimit kufitar, viçat e pakontrolluar, me dokumente të falsifikuara dhe matrikullim të rremë, kundrejt pagesës prej 15 eurosh për çdo krerë bagëtie

Emisioni televiziv “Fiks fare” tregon mënyrën sesi viçat kontrabandë e të pa vaksinuar hyjnë nga Maqedonia në Shqipëri. Këto viça futen në pikat e kalimit kufitar me dokumente false. Bëhet fjalë për një skandal në tregun e bagëtive Tashmë viçat kontrabandë kalojnë me furgona dhe hyjnë kryesisht nga Prespa dhe shiten në Shqipëri si mish BIO. Këto fakte u zbuluan në “Fiks fare”. Gazetarët e “Fiks fare” udhëtuan për në Tetovë të Maqedonisë, ku kërkuan të gjenin formën se si tregtarët maqedonas të lidhur me shqiptarë, sillnin në vendin tonë kafshë të pakontrolluara. Gjatë bisedës me dy tregtarët që drejtonin punën në tregun e gjësë të gjallë në Tetovë, mësuam se si përgatiten dokumentet dhe matrikullin falso për viçat që hyjnë nga Maqedonia të pa vaksinuar.

Sipas njërit prej pronarëve të këtij tregu “Për futjen e bagëtive në mënyrë jo ligjore, kontrabandistët kanë zgjedhur t’i kalojnë nga Struga, dhe Prespa me furgona, pak nga pak.” Ndërkohë, që të siguron për dokumentet e çdo bagëtie që do marrësh, rregullimin e tyre sipas procedurave që kërkohen, dhe e gjitha kjo, kundrejt pagesës prej 15 euro për çdo krerë bagëti.”

“ Unë kam 16 vite që merrem me këtë punë dhe punoj me Shqipërinë. Nëse e vendos të punosh me mua, çdo dokument e mbyll unë” i drejtohet ai gazetarit të “Fiks Fare”. Mënyra ishte e thjeshtë, në treg blihen viça të pa matrikulluar dhe tregtari maqedonas i matrikullon, i pajis me certifikatë nga veterineri dhe me anë të mashtrimit plotëson edhe dokumentet për doganë. “Me të gjitha këto, s’ka kush të ndalon ty” – shprehet tregtari maqedonas gazetarit të “Fiksit”. “Çdo gjë hyn në sistem” – vazhdon ai. Gazetarët i kanë kërkuar tregtarit maqedonas që të kalojnë të paktën 20 viça, ku një pesë prej tyre ishin të pa matrikulluar dhe pa raportin e veterinerit.

“Të thashë një herë për atë mos u mërzit. I bëj unë të gjitha punët. Unë të thashë, çdo gjë që hyn tek unë edhe jo legale, del legale këtë ta dish dhe jam i vetmi në Maqedoni që e ushtroj këtë aktivitet me Shqipërinë.”, – tregon tregtari i bagëtive në Tetovë, duke shtuar se ka marrëdhënie të tilla tregtie me të gjithë tregtarët shqiptarë të mishit