Vendimi unanim i ish-ushtarakëve për zgjedhjet

    421
    Të dashurosh, të veshësh rrobën e gjelbër dhe të edukohesh e të kalitesh me të, që në moshën më të bukur dhe të njomë, nuk është një gjë e lehtë dhe kur vjen puna të hidhesh poshtë si një copë letër pa vlerë, nuk është aspak e drejtë. Të mësosh dhe të stërvitesh në kushte tepër të vështira dhe të hidhesh në rrugë me mospërfillje, pa i vlerësuar punën dhe vuajtjet, sakrificat, është papërgjegjshmëri. Të stërvitesh, të kalitesh, në shi, dëborë, male, kodra, të kalosh lumenj e përrenj në akull, të kryesh detyrën luftarake nga të gjitha anët dhe të mos e vlerësosh realitetin është krim, karshi kësaj shtrese të shumëvuajtur, ndoshta stërvitjet ishin imagjinare nga forma, por në përmbajtje ato kishin rëndësinë e tyre thelbësore, mbrojtjen e atdheut. Ato kryheshin si në teori dhe në praktikë, në realitet dhe në terrenin konkret, tamam në situatë luftarake. Kështu e donte detyra, kështu e donte atdheu dhe çdo detyrë kryhej në emër të atdheut, çdo sakrificë bëhej në emër të popullit, qoftë edhe jeta. Por figura e ushtarakut respektohej e nderohej nga populli sepse e meritonte. Ushtaraku ishte figura e shtetit. Por për fat të keq, çdo qeveri që ka ardhur në pushtet, qoftë e majtë ose e djathtë, kanë mbajtur të njëjtin qëndrim kundrejt ushtarakëve. Të gjithë na kanë premtuar e janë angazhuar, por në fakt asgjë nuk është bërë, për këtë shtresë të shumëvuajtur, të cilët janë mashtruar. 
    Premtimet e maxhorancës së majtë
    Në zgjedhjet parlamentare 2013 z. Rama premtoi se do të bënte gjithçka për këtë shtresë dhe ajo që ishte e rëndësishme, heqjen e aktit normativ, të vendosur në Maj 2009 nga qeverisja e PD . Duke u shprehur se me këtë akt normativ, është bërë një padrejtësi nga qeveria demokratike, kundrejt ish-oficerëve duke premtuar se do të na jepnin statusin e ushtarakut. Shpresë dhe vetëm shpresë. Durim, vetëm durim. Deri kur kështu ?! Asgjë nuk po prekim, asgjë nuk po shijojmë. Janë këta ushtarakë, që nuk kanë lënë kodra e male pa kaluar pa pyetur për kohën, për të stërvitur, për të zbatuar betimin e bërë, për ti shpërblyer RSH, deri edhe në vetëmohim. 
    Janë këta ushtarakë që i përgjigjeshin në çdo kohë e moment thirrjes së atdheut. Janë këta ushtarakë që qëndronin larg prindërve dhe familjeve të tyre që nuk u çmallën asnjëherë, sepse e tillë ishte detyra. Gatishmëria luftarake të kërkonte në çdo moment. Vetëm një herë në vit kishe të drejtë të shkoje pranë prindërve, edhe kur ishim pranë familjes mendja të rrinte tek reparti, tek gatishmëria e repartit në tërësi. Kur thoshte populli, gjumin e bënim si lepujt. Eshtë shumë ofenduese thënia e deputetes Vokshi, në parlament kur u vendos akti normativ e cila tha: “Me kë luftuan ata? Me lakuriqtë e natës”? 
    Premtimet e ish – kryeministrit Majko
    Nuk i vëmë faj, aq di dhe aq kupton dhe këto thotë. Aq rëndësi i ve atdheut dhe mbrojtjes së tij. Ajo nuk e ka parasysh betimin ushtarak, atdheun dhe RSH. Asaj i foli karrigia, po mend nuk ka. Ku është deputeti Pandeli Majko, që premtoi duke thënë se ishte djalë oficeri dhe se ka bërë gabim kur ishte kryeministër dhe nuk iu dha statutin, por premtoi se pas fitores do të merren me statusin e ushtarakut?! U mbushën dy vjet, dhe nuk është bërë asgjë, e aq më keq nuk është thënë një fjalë, se çdo të bëhet për ushtarakët. Ky është një mashtrim, një ofendim për këtë shtresë të poshtëruar nga çdo qeveri. Por me këto zgjedhje që ndodhemi të pashpresë, zor se do të marrim pjesë në këto zgjedhje, pasi mendojmë t’i bojkotojmë ato. Vetëm në Tiranë janë 12.000 ish-ushtarakë në rezervë. Po këta kanë nga 3 ose 5 votues, e barabartë kjo me 50-60.000 votues të cilët në çdo zgjedhje kanë votuar majtas. Gjithashtu në mbledhjet e shoqatave të ushtarakëve, si në Tiranë edhe qarqeve është vendosur se nëse nga ana e qeverisë nuk realizohen premtimet e dhëna të cilat janë të drejtat e pamohueshme të kësaj shtrese, ahere do të bëhet, bojkoti i zgjedhjeve. Është e vërtetë që ushtarakët kanë shërbyer në regjimin komunist, por detyrat kryheshin në emër të Shqipërisë! Duke patur parasysh betimin ushtarak, i shërbejmë RSH. Me këtë betim, shkonin në krye të detyrës, sado e vështirë në kohë e në terren, për ta kryer atë me nder dhe me guxim. Ndaj jemi shtresa më e persekutuar dhe kërkojmë të drejtat tona, jo për lëmoshë, as për mëshirë, por sepse na takojnë, ashtu siç i ka gjithë bota.
    Sigal