Veliaj: Do reformojmë pensionet Majko: Skema aktuale në kolaps

    395
    Sigal

    TIRANE- Reformimi i sistemit të pensioneve shihet me prioritet nga ministria e Mirëqenies, pasi skema aktuale shfaq problematike. Gjatë shqyrtimit në Komisionin e ligjeve të projektligjit për “Sigurimet Shoqërore”, ministri Erion Veliaj tha se synohet ripërcaktimi i formulës së pensioneve. Por sipas relatorit Pandeli Majko, skema aktuale e pensioneve ndodhet në kolaps të plotë, duke u shprehur se ligji i ri parashikon që mosha e pensionit për gratë të rritet me dy muaj. “Ne synojmë të ripërcaktojmë formulën e pensioneve. Me ligjin e ri, rrisim pensionet. Pensionistët që dalin pension në 2015 do të kenë një pension më të përshtatshëm”, tha ministri Veliaj.“Sot skema aktuale është në kolaps të plotë. Nga viti 2015 mosha e pensionit për gra do të rritet me dy muaj. Skema do të përshtatët për njerëzit më në nevojë. Nuk mund ta vendosim në një kategori gardistin e burgut me një akademik”, tha deputeti Majko. Ndërsa deputeti Xhafa tha se Komisioni i Ligjeve ka përgjegjësinë e analizimit të përqasjes së ligjit me Kushtetutën. “Ne nuk jemi komision përgjegjës, ndaj ne në radhë të parë shohim qasjen me ligjin dhe Kushtetutën. Duhen mirëkuptuar dhe debatet për këtë projekt pasi është shumë i rëndësishëm. Në vlerësim tim personal ky është nga projektet më të mira”, tha Xhafa. Duke u ndalur tek skema aktuale e pensioneve, deputeti Subashi pyeti ministrin Veliaj lidhur me deficitin e deritanishëm dhe masat për ta reduktuar atë. “Sot që flasim sa është deficiti i skemës së pensioneve dhe kur do reduktohet ky deficit? Sot janë 450 mijë pensionistë me pension pleqërie. Me këtë ligj do ndryshojë masa e pensionit për ta?”, pyeti Subashi. Në përgjigje, ministri Veliaj tha se parashikohet një përmirësim i nivelit të deficitit. “Nga viti 2080 do e marrë veten por vetëm nëse mbajmë të njëjtin subvencion dhe mbajmë pensione të ulëta dhe qesharake. Në çdo vit kemi më shumë subvencion për pensionet, kjo është situata sot. Nga viti i parë ne parashikojmë përmirësim 4 deri 7 milionë dollarë, por në vitin 2045 do kemi përmirësim të deficitit”, tha ministri Veliaj. Sipas ministrit Veliaj, ligji i ri do të hyjë në fuqi me 1 janar. “Si çdo ligj do ketë një datë të hyrjes në fuqi. Ne kemi menduar që kjo datë të jetë 1 janari. Sot pensioni minimal do jetë 140 mijë lekë, sipas formulës së re, do ketë një rritje prej 143 mijë lekë. Pensionet për grupe të veçanta e kemi çuar në qeveri dhe do vijë në vjeshtë ku kemi zbritur moshën e minatorëve në 55 vjeç”, tha ministri Veliaj. Ndërsa deputeti i LSI Petrit Vasili u ndal tek skema e kontributeve shoqërore dhe tek pagesa e lejes së lindjes. “Pagesa e barrës së lindjes nuk është bonus për prindërit, cili është kriteri që na ka çuar në 63 ditë dhe çiles periudhe fëminore? Kam dëgjuar se gratë paguhen më pak, është çështje diskriminuese apo diçka tjetër? Sa i takon 63-ditëshit të barrës, asistohet fëmija jo prindi. Kjo leje është e pamjaftueshme ndaj propozoj rritje”, pyeti deputeti Vasili. Por sipas ministrit Velia, leja e lindjes është rritur nga 42 në 63 ditë. “Do e ndryshojmë në Kodin e Punës, e cila do të vije në vjeshte, ku të adresojmë çështjen e pagave. Ka një keqkuptim, ne nuk e kemi ulur lejen e lindjes pasi ka qene 42 dite ne e kemi rritur 63”, tha ministri Veliaj. Deputeti Vasili tha se kjo periudhë duhet të rritte me shumë, ndërsa ministri Veliaj shtoi se “Leja e lindjes është detyruese 63 ditë pjesa tjetër që do të marrë lejen tjetër të 300 ditëve është opsionale dhe zgjedh nëse do ja kalojë burrit apo do ta mbaje për vete”.