Vargu: Ju tregoj sesi skandali i tenderit të barnave bëhet precedent për atë të mirëmbajtjes së aparaturave mjekësore

    489
    Sigal

    Flet mjeku kardiolog Petrit Vargu për skandalet e fundit që kanë kapluar shëndetësinë: Heqja e autorizimit të prodhuesit lulëzon tregun e zi në shëndetësi

    Edhe tenderi që pritet të bëhet në qershor për mirëmbajtjen e aparaturave parashikon heqjen e autorizimit të prodhuesit. Kështu ndërhyrja në dokumentet e tenderit të barnave, duke hequr autorizimin e prodhuesit dhe vërtetimin e regjistrimit të barit për disa lote, nga ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja, po bëhet precedent për tenderin e radhës. Këtë gjë e ka konfirmuar në një intervistë për “Telegraf” mjeku kardiolog Petrit Vargu. Ai sjell për lexuesin tonë dokumente që vërtetojnë dhe një herë sesi ministri i Shëndetësisë me ndërhyrjet e tij në tendera, po e fut në një kaos të gjithë sistemin tonë shëndetësor. “Ministri Beqja ka nxjerrë në websitin e ministrisë, prej shumë e shumë muajsh, një shpallje interesi të kompanive që të bëjnë mirëmbajtjen e gjithë aparaturave shëndetësore në Shqipëri. E çuditshme, pasi të gjitha firmat serioze kanë përfaqësitë e tyre në Shqipëri. Unë habitem pse z. Beqja nuk kalon në këto firma, të cilat janë të autorizuara dhe blejnë të gjithë pjesët e këmbimit dhe i kanë të gjithë inxhinierët e specializuar në kompanitë përkatëse, por kërkon një kompani që të bëjë të gjithë servisin e aparaturave që çuditërisht ndodhen pranë Tiranës dhe janë më të kushtueshmet, që në Europën Perëndimore quhet “grey market”, ndërsa në Europën Lindore quhet “black market” (tregu i zi)”, shprehet dr. Vargu. Ai tregon se një kompani e vetme nuk mund të bëjë servisin e gjithë këtyre kompanive, pasi ajo është e paautorizuar nga kompanitë prodhuese dhe në këtë mënyrë parashikohet shkatërrimi i gjithë aparaturave mjekësore në Shqipëri. Përsa i përket fituesit të tenderit, kardiologu i Urgjencës së QSUT-së mendon se “do të jetë një kompani e huaj, e paautorizuar, që nuk ka kostot e pjesëve të këmbimit të pjesëve të reja dhe me garanci 1 vjeçare siç vijnë nga kompanitë prestigjioze, por natyrisht mund të ketë kostot më të ulëta, sepse këto pjesë këmbimi merren pothuajse falas nga varrezat biomedikale në perëndim”. Vargu tregon skandalin e kontratës së fundit të ish drejtorit të QSUT-së për mirëmbajtjen e 3 skanerave dhe një rezonance manjetike, ku janë harxhuar vetëm për 8 muaj të vitit 2013, plot 860 000 dollarë dhe mirëmbajtja e skanerëve është bërë duke përdorur një nga skanerat si pjesë këmbimi (i cili s’ka punuar për 160 ditë), pra pa asnjë kosto. Ndërsa sjell për lexuesin e “Telegrafit” një letër të ministrit Beqja i cili “bën për një lek” një firmë serioze nr.1 në vendin e vet, për 200 mijë dollarë që janë harxhuar për mirëmbajtjen e skanerit të Korçës për tre vjet, si një gjë të paprecedent (Mos ministri nuk e di rastin e QSUT-së?).

     Dr. Vargu si e shikoni ju debatin e fundit të kompanive farmaceutike me Ministrin e Shëndetësisë, përsa i përket ndërhyrjes së këtij të fundit në dokumentet e tenderit të barnave duke hequr autorizimin e prodhuesit dhe vërtetimin e regjistrimit të barit?

     Të them të drejtën, për këtë problem, nuk jam shumë i informuar, pasi nuk është se jam shumë i interesuar në këtë fushë. Por unë mendoj se duhet t’u jepet më shumë frymëmarrje këtyre firmave farmaceutike, të cilët punësojnë 100-200 persona në firmat e tyre. Unë jam totalisht kundër ligjeve që ka nxjerrë z. Beqja për uljen e marzhit të fitimit për firmat farmaceutike, pasi mendoj se do të ishte më tepër  e nevojshme që ne të hiqnim 4 %-shin e Ligjit të Sponsorizimeve që përdoret nga mjekët e tjerë për të bredhur nëpër Europë, edhe me familjet e tyre, me sebepe kongresesh dhe konferencash si dhe 8 %-shin, që kompanitë apo fabrikat japin për sponsorizime të ndryshme për mjekët shqiptarë. Pra, përpara se të shkojmë në uljen e marzhit të fitimit të farmaceutikës, ose të TVSH-së që është një sukses i Ramës dhe jo e Beqjes, unë do të isha për heqjen e Ligjit të Sponsorizimeve, ashtu siç ka bërë Italia në vitin 1992. Mbaj mend që në atë kohë unë shkova për specializim të gjatë 4-vjeçar, ku mora pjesë në Konferencën vjetore të Kardiologjisë së Piemontes dhe në pushimet ndërmjet seancave ne pinim vetëm ujë. Unë u interesova se pse na jepnin vetëm ujë dhe më thanë se është hequr Ligji i Sponsorizimeve, sepse pati abuzime të mëdha nga mjekët të cilët përdornin firmat farmaceutike dhe jo vetëm, për të bërë pushime, për të dalë jashtë shtetit me familjet, etj.. Nuk është e largët koha, kur edhe në Shqipëri, me këtë ligj ekzistues, bëheshin konferenca në Korfuz dhe në vendet e tjera pikante të Mesdheut dhe këto nuk bëheshin me paratë e xhepit  të ministrave apo profesorëve, por bëhen me paratë e njerëzve të këputur që u duhet të blejnë ilaçe dhe që nuk i mbyllin dot shpenzimet mujore. Pra, i rekomandoj ministrit Beqja që të shohë Ligjin e Sponsorizimeve që prek shumë në incidencën e çmimit të ilaçeve që shiten sot në treg. Unë di një ngjarje analoge me këtë që sapo më thatë.

     Për çfarë bëhet fjalë?

    Ministri Beqja ka nxjerrë në websiten e ministrisë prej shumë e shumë muajsh një shpallje interesi të kompanive që të bëjnë mirëmbajtjen e një pjese të madhe të aparaturave mjekësore në Shqipëri. E çuditshme, pasi të gjitha firmat serioze kanë përfaqësitë e tyre në Shqipëri. Siemens, General Electric, Toshiba, Philips etj. Unë habitem pse z. Beqja nuk kontakton këto firma, të cilat janë të autorizuara dhe blejnë të gjithë pjesët e këmbimit dhe i kanë të gjithë inxhinierët e specializuar në kompanitë përkatëse, por kërkon një kompani që të bëjë të gjithë servisin e aparaturave që çuditërisht ndodhen pranë Tiranës dhe janë më të kushtueshmet. Këto kompani në Europën Perëndimore quhen “grey market”, ndërsa në Europën Lindore nga shumë inxhinierë quhen “black market” (tregu i zi). Nuk mund të ketë vetëm një kompani që të bëjë servisin e gjithë këtyre fabrikave dhe ky është një shembull i keq që Beqja do të promovojë në vendin tonë, pasi këto kompani janë të paautorizuara nga kompanitë prodhuese dhe kështu pjesët e këmbimit që do të vinë nga aparaturat e hedhura në varreza aparaturash do të shkatërrojnë të gjitha aparaturat që janë në Shqipëri. Nëse do të bëhet ky lloj servili, z. Ministër do të heqë autorizimin e prodhuesit, pra një procedurë e ngjashme me tenderin farmaceutik për të cilin po protestohet këto ditë.

     Pra tenderin e barnave ju e shikoni si precedent për atë të mirëmbajtjes së aparaturave mjekësore?

     Si precedent për atë që ai ka deklaruar ne Websitin e Ministrisë dhe që do ta bëjë në Qershor. Si fakt janë edhe kontratat e mirëmbajtjes që janë firmosur deri në qershor, pra në qershor është planifikuar nga ministri një procedurë e re. Kjo tregon se z. Beqja mendon në mënyrë të gabuar dhe në vend që të forcojë diagnostikën nëpër spitalet shtetërore, do ta shkatërroje atë. Unë e siguroj z. Beqja që nëse do të vejë këtë plan në zbatim, që nëpërmjet kontrollit të doganave do të vërejë që asnjë nga pjesët nuk faturohet nga kompanitë prodhuese, por do të vinë nga anonimate ëe do t’ia kenë shitur gjoja firmave që duan të bëjnë këtë servis. Është gjynah dhe mëkat që këto aparatura që janë 2-3 vjeçare, të blera me kredi nga vendet perëndimore që ndihmojnë Shqipërinë me kredi politike, të rregullohen me pjesë këmbimi dhe me inxhinierë të paspecializuar, të cilët do të sjellin pasoja shumë të rënda në fushën biomedikale. Për të thënë një gjë më tepër, edhe drejtori i fundit i QSUT-së ka bërë një kontratë bixare (të çuditshme) për 3 skanerat dhe një rezonancë magnetike të QSUT-së dhe kjo eksperiencë tregoi që kur prishej një skaner merrej pjesa e një skaneri tjetër, i cili dhe ai ishte i prishur. Punohej me moton “të paktën të rregullojmë një skaner”. Për këtë është dëshmitar gjithë spitali, si dhe janë dëshmitarë edhe të faktit që për të rregulluar skanerin vinin inxhiniere turq, pasi firma lokale nuk kishte inxhinierë të specializuar dhe subkontraktonte kompani Turke. Gjithsej u akumuluan 180 ditë OFF. Pra, këto kompani që janë pa autorizimin e kompanive prodhuese kanë vështirësi të gjejnë pjesë këmbimi dhe këto pjesë këmbimi kur i gjejnë janë shumë të vjetra. E kanë shumë të vështirë të gjejnë edhe pjesë funksionale si pjesë këmbimi. E pra, rreziku është shumë i madh që te prishim të gjithë bazën e aparaturave biomedikale, rrezik ky që nuk zhbëhet me vonë. Me çudit fakti, pse z. Beqja do të ndërrojë modelin e punës që është instaluar prej 20 vitesh, kur praktikisht Biomedikali shqiptar ka databazën dhe historinë e vet dhe kjo funksionon shkëlqyeshëm. Nëse nuk është bërë servisi në aparatura, kjo ka qenë për arsye se Ministria e Shëndetësisë dhe spitalet nuk kanë pasur fonde, por jo se ka munguar servisi dhe ky servis ka qenë konform direktivave të biomedikalit botëror dhe me kosto të ulura. Është një rrezik shumë i madh, sepse kemi eksperiencën se çfarë ka ndodhur me 3 skanerat dhe një rezonancë.

    Rastësisht, disponoj edhe një letër që Ministri i Shëndetësisë i ka çuar një kompanie në nivelin më të lartë botëror, ku ai thotë që kemi harxhuar 200 mijë dollarë në tre vjet për skanerin e Korçës. Z. Ministër duhet gjithashtu të paraqesë edhe si është situata edhe në qytete të tjera, ku nuk ka harxhuar asnjë lek për skanerin e Lezhës, asnjë lek për skanerin e Shkodrës, Elbasanit, Fierit dhe kështu me radhë me skanerat e së njëjtës firmë. Pra z, ministër duhet të bëjë një pasqyrë totale. Historia e Korçës është një histori e dhimbshme që në kohën e Maks Cikulit, ku kompania që i është drejtuar pas shumë e shumë defekteve, jashtë garancie, në vitin 2008 e ndërroi këtë skaner, tërhoqi atë të vjetrin e shkatërruar në mënyrë të çuditshme dhe i fali Korçës një skaner totalisht të ri dhe është dëshmitar gjithë spitali i Korçës. A ka pasur 100 m metra larg spitalit të Korçës një skaner privat? Tani ky skaner ka përsëri defektet e veta dhe z. Ministër përpara se t’i drejtohet kompanive bën mirë të hulumtojë dhe të shohë se pse pikërisht ky skaner ka defekte kaq të shpeshta. Kjo është puna e një ministri, por jo të shkruajë letër kompanive më në zë të shtetit të tyre, duke deformuar realititen, edhe duke thënë që në tre vjet janë harxhuar 200 mijë dollarë. Z. Ministër, po ju them unë që me këto kompani jo të autorizuara ke eksperiencën e QSUT-së, që me 160 ditë s’ ka punuar skaneri, megjithëse ka qenë i financuar nga spitali dhe kontrata ka qenë në shumën 860 mijë dollarë për tetë muaj. Atëherë pse thoni në letrën tuaj që rasti juaj është pa precedent në spitalet tona z. Ministër? Pra, unë shoh tentativa të ministrit për të errësuar realitetin e aparaturave spitalore në vendin tonë. Le te shohim se çfarë do të ndodhe dhe ky do të jetë një rast, ku duhet të ndërhyjë Prokuroria. Le të shohim!

     Dhe cila është kjo kompani, keni dijeni?

    Jo, por mendoj se do të jetë një kompani e huaj, e paautorizuar, që nuk ka kostot e pjesëve të këmbimit të pjesëve të reja dhe me garanci 1 vjeçare siç vijnë nga kompanitë prestigjioze, por natyrisht mund të ketë kostot më të ulëta, sepse këto pjesë këmbimi merren pothuajse falas nga varrezat biomedikale. Ju kujtoj ligjet perëndimore, që çdo spital për të çuar pajisjet në një varrezë biomedikale duhet të paguajë dhe jo të paguhet për aparaturat që futen në varreza. Ne nuk bëjmë dot tenderime për mallra të përdoruara dhe asnjëherë nuk ka ndodhur pasi e pengon edhe Ligji i Prokurimit. Gjithashtu, mua më bën përshtypje dhe një deklaratë e ministrisë së shëndetësisë dhënë Gazetës Shqiptare, kur thotë se radiologjia e Gramshit nuk do të rregullohet, pasi ka kosto të lartë. Sa për dijeni kostoja është vetëm 6 mijë euro dhe gjithashtu deklarata tjetër që radiologjia e Tepelenës ka ardhur e përdorur me grantin japonez. Z. Beqja dhe ministria e tij duhet të dijë që asnjë shtet nuk turpërohet duke sjellë aparatura të përdorura. Ajo nuk ka ardhur me grantin japonez, por ka ardhur me grantin e KFV gjermane dhe ashtu si radiologjia e Lushnjës, e Sarandës, e Krujës, e Pogradecit, Delvine ashtu dhe ajo e Tepelenës ka ardhur akull e re dhe nuk ka mbaruar afati kohor për t’u bërë servis nga kompania, pra është brenda të gjithë parametrave botërore për t’iu bërë servisi. Ndërsa sot që ne flasim, i gjithë populli i Tepelenës për një grafi të thjeshtë shkon në Gjirokastër, pasi z. Beqja nuk do ta rregullojë këtë radiografi.

     Që kushton?

    Kjo mund të kushtojë rreth 9 500-10 mijë euro. E ftoj z. Beqja që të forcojë punën në spitale, pasi aparatet diagnostike janë gjithmonë me fitim, të mbledhë të gjithë ato pagesat që duhet të japin pacientët, sepse nëse do të organizohet një punë korrekte nëpër spitale, atëherë do të shohë se edhe spitalet do të dalin suficit me diagnostikën, do të marrin lekë nga këto grafi e skopi, edhe populli do të paguajë më pak sesa paguan te privati dhe aparatet diagnostike jo vetëm që shlyejnë veten, por janë dhe burim buxheti për spitalet shtetërore. Nuk është rastësi që entitetet private që duan të hapin një aktivitet e fillojnë nga një laborator dhe një qendër diagnostike, eko, radiologji, radiografi etj., pasi këto janë shumë fitimprurëse.

     Ju më lart prekët problemet me skanerat, sidomos në spitalet rajonale të cilat duke u përballur me probleme të tilla dhe duke pasur të nevojshëm ekzaminimet do dynden në QSUT?

    Jo vetëm për diagnostiko, por edhe për shumë probleme të tjera ka dalë si modë që pacientët dërgohen në QSUT.  Ajo që ve re në këtë Website të ministrisë që z. Ministër do të tenderojë vetëm aparaturat e mëdha dhe pranë Tiranës, ndërsa ato që janë në Tepelenë, Delvinë, Sarandë, Tropojë, Pukë nuk janë vënë në fokusin e Ministrisë së Shëndetësisë, pra nuk do të futen në këtë objekt dhe do riparohen nga kompani lokale, ose nuk do riparohen fare. Këto fakte të lenë totalisht të çuditur dhe të bëjnë të mendohesh gjatë për shkakun. Siç shikohet për fakte të ndryshme kemi një emërues, “mall turk”. Është e çuditshme që dy muaj para se të hyjmë në BE dëgjojmë mënjanim të firmave të Europës Perëndimore. Nëse flasim për Siemens, është kompani që ka themeluar Gjermaninë moderne, nëse flasim për Philips, flasim për një industri që është lider në industrinë holandeze dhe kështu me radhë. Edhe në farmaceutikë nëpërmjet lojërave me autorizime u nxorën nga loja kompani nga Europa Perëndimore dhe u zëvendësuan me kompani Turke, jo se Shqipëria është një merkato e madhe, por duhet ruajtur një lloj partneriteti.

    Kur interesat klanore bëhen pjesë e ligjit për arsimin e lartë, në shkelje të Kartës së Bolonjës dhe Lisbonës

     Pikë së pari unë nuk jam pedagog dhe mund të flas vetëm si një njeri që i përkas këtij ambienti, sepse flasim midis kolegësh. Por kuptohet që kjo po ndodh vetëm dhe vetëm që fuqia të jetë në dorën e një grupi personash. Mban erë, për faktin se po përgatitet ligji për arsimin e lartë dhe pse këto ndryshime për dy muaj ndërkohë që pritet të dalë ligji i ri. Mos këto njerëz po përgatiten të fusin njerëzit e vet ose të ndërrojnë strukturat, në mënyrë që pastaj të fitojnë dhe zgjedhjet? Kjo është një nga pikëpyetjet. Mban erë pastaj edhe fakti që të gjithë personat që po protestojnë janë të gjithë të provuar; kanë qenë shefa departamentesh, shefa shërbimesh, zv/dekanë etj., pra nuk është se kemi një grup me  mjekë të rinj që do të sjellin një frymë të re dhe do të thoja që hajde të bëjmë disa rregulla dhe ligje për t’i hapur rrugën këtyre. Pra, këtu është thjesht ndryshimi i një grupi njerëzish me një grup tjetër, duke shkelur ligjin. Ajo që mua më bie në sy është se nga 7 nenet e projektligjit, 3 nene nuk kanë lidhje me strukturat dhe në 4 nenet e tjera përdoret fjala VKM, gjë që është kundër Kartës së Bolonjës dhe  Lisbonës, marrëveshje që i ka firmosur dhe vendi ynë. Dhe unë e marr edhe si një hap prapa në demokracinë universitare, se mos të harrojmë që gjëja e parë që bëri Ramiz Alia para lëvizjes demokratike, ka futur për herë të parë në ‘89 zgjedhjen e shefave me konkurs. Pra, po kthehemi rreth 25 vjet mbrapa. Këta njerëz kanë të drejtë,sepse nuk kanë asnjë konto të hapur me Partinë Socialiste, s’kanë asnjë detyrim ndaj Partisë Socialiste dhe megjithëse janë ftuar në mënyrë insistente nuk kanë pranuar dhe tani kanë ardhur vetëm për ta shfrytëzuar PS-në. Këta njerëz, 3 javë para 23 qershorit, inauguruan Hermodinamikën që kishte një vit që punonte për t’i bërë qejfin Sali Berishës dhe këta njerëz i gjejmë sot në institucionet kryesore paralele që ka krijuar Ministri i Shëndetësisë, si për shembull; kryetar i Komisionit të Rimbursimeve ose Këshilli i të Urtëve. Unë mendoj se vetë Partia Socialiste, në radhë të parë, duhet të bëjë një analizë të situatës në shëndetësi dhe ta detyrojë ministrin që të mbështetet te oqeani i madh i PS-së. Unë këtu e shoh të keqen e madhe të këtyre reformave të shtrembëruara, që kërkon të bëjë z. Beqja, por që në fakt s’janë reforma fare. Kësaj do t’i shtoja edhe një pyetje që e ftoj z. Beqja ta bëjë publike: A është e vërtetë ashtu siç edhe  e ka deklaruar në media që ai do të krijojë një autonomi për menaxhimin e shërbimeve? Se nëse kjo realizohet në të ardhmen e afërt, atëherë kjo ka një faturë financiare të lartë dhe nënkuptohet pse po kërkohet me insistim lëvizja e shefave me emërim, dy muaj para ligjit te arsimit te larte. Këtu  ka një konflikt shumë të madh interesi dhe kjo mund të shpjegojë egërsinë që do të marrë në dorë çelësat e spitalit me emërime. Dhe nëse z. Beqja do ta aprovojë që është akoma i këtij mendimi, atëherë për mua çështja bëhet e qartë kjo luftë kaq e madhe e njerëzve që duan të zëvendësojnë strukturat me emërime. Dhe do të paralajmëroja Kryeministrit Rama, të cilit i jam besnik, pavarësisht mosmbarëvajtjeve që po shoh në shëndetësi, që ta shohë me shumë seriozitet problemin e emërimeve. Unë personalisht jam për forcimin e zgjedhjes me kurrikula,  të ngrihet ky në një stad më të lartë, se këta njerëz kanë luksin të drejtojnë një qendër që ka nxjerrë profesorë të nivelit europian dhe jo vetëm.