Ushtarakët e rretheve: Arsyet përse do shpallet së shpejti Partia e Ushtarakëve dhe ngërçi i Aktit Normativ

    361
    Sigal

    FORUM/Flasin për “Telegraf”, kryetarët e shoqatave të ushtarakëve të Pogradecit, Durrësit dhe Elbasanit

    Krijimi i një partie nga ana e ushtarakë shihet si zgjidhje për fitimin e disa të drejtave nga kjo kategori. Ushtarakët bëjnë të ditur se nuk kanë qenë aspak në vëmendjen e qeverisë për vitin që po lëmë pas dhe për më tepër janë sorollatur nëpër zyra të ndryshme për të përfituar edhe atë masë pensioni që u takon. Sipas ushtarakëve asnjë parti nuk i ka mbrojtur të drejta e tyre, kështu që lindi ideja për krijimin e një partie e cila do të jetë për mbrojtjen e të drejtave dhe do i përfaqësojë në zgjedhjet e ardhshme. Ushtarakët e rretheve e shohin si një nevojë imediate krijimin e partisë dhe shprehen njëzëri që ajo duhet të shpallet sa më parë. Po ashtu edhe Akti Normativ mbetet një pikë kyçe që nuk është zgjedhur. Sipas ushtarakëve të rretheve zbatimi i këtij akti u ka sjellë shumë probleme, pasi ai është në dëm të ushtarakëve. Në lidhje me këto problematika kanë folur për “Telegraf” Kreu i Shoqatës së Ushtarakëve për Durrësin, Petraq Proko, kreu i Shoqatës së Ushtarakëve për Pogradecin, Perikli Dhima, kreu i Shoqatës së Ushtarakëve për Elbasanin, Fatmir Sinani. Ata janë shprehur njëzëri për domosdoshmërinë e krijimit të një partie,për arsye se ata si kategori nuk janë përkrahur as nga një parti që ka qenë në pushtet. Po ashtu ato shprehen të shqetësuar edhe për lënien në fuqi të aktit normativ.

    1-Kur do të shpallet partia e ushtarakëve dhe sa optimist jeni se kjo parti mbrojë të drejtat e këtij grupimi?

    2-Realisht çfarë po bëhet me Aktin Normativ dhe a keni bërë përpjekje për heqjen e tij?

    Kreu i Shoqatës së Ushtarakëve për Durrësin, Petraq Proko

    1-Krijimi i një partie nga ushtarakët e Shqipërisë besoj se do të ishte një gjë mjaft pozitive për këtë kategori, pasi ndër vite na janë shkelur të drejtat tona. Unë mund të them që ne jemi në këtë drejtim dhe nuk kthehemi më mbrapa, për arsyen që sapo thash edhe pak më lart, pasi të drejtat tona asnjë parti dhe asnjë qeveri nuk i ka mbrojtur. Unë personalisht kam qenë dhe jam për mendimin që një parti e tillë do të ishte diçka shumë pozitive për kategorinë tonë që nuk është respektuar sa duhet nga ata që kanë qenë dhe që janë në qeveri.

    2-Unë e kam thënë edhe më parë që të gjitha ato akte normative janë në kundërshtim me vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Problem është që jo vetëm të hiqen, por edhe të zbatojë statusin e vitit 2004, për të cilin u ra dakord në mënyrë konsensuale që statusi të votohet. Statusi është ligj për ne, por qeveria nuk e zbatim. Madje i la oficerët me 12 mijë lekë sot, nga 18 mijë lekë që merrnim më parë. A ka mundësi që një oficer që qenë komandant brigade dhe një oficer që ka qenë komandant divizioni të marrin një pension katërmbëdhjetë mijë lekë në muaj? S’është normale, pasi kryeministri u ka thënë përmbaruesve privatë që mos të zbatojnë vendimet e gjykatave.

    Kreu i Shoqatës së Ushtarakëve për Pogradecin, Perikli Dhima

    1-Po jemi në fazën e bisedimeve dhe kemi folur edhe me asamblenë dhe po përgatitemi për nxjerrjen e saj. Por edhe pse do të krijojmë një parti kjo nuk do të thotë se nuk do të funksionojë Shoqata e Ushtarakëve. Edhe pse do krijohet partia ne do të vazhdojmë që ta mbajmë shoqatën siç është edhe sot.

    2-Antiligjor kur ka një vendim të gjykatës. Por një pjesë e ushtarakeve u janë future rrugëve gjyqësore, një pjesë po i fitojnë gjyqet ndërsa një pjesë nuk po i fitojnë. Por nuk është e drejtë nxjerrja e një Akti Normativ në momentin që ka një status. Për këtë një pjesë e ushtarakëve janë detyruar që të kthejnë para mbrapa me pretendimin se i kanë marrë më tepër nga pensioni i parakohshëm.

    Kreu i Shoqatës së Ushtarakëve për Elbasanin, Fatmir Sinani

    1-Unë jam i mendimit që ideja për krijimin e një partie nga ana e ushtarakëve duhet të ishte vënë në jetë shumë kohë më parë. E them që duhet të ishte vënë në jetë më parë për disa arsye që i ka kjo kategori. Së pari ne kemi qenë shumë ushtarakë më parë dhe kemi qenë edhe më të organizuar se sa jemi tani. Pasi një pjesë janë larguar jashtë, një pjesë janë aktivizuar me parti të tjera. Për këtë mendoj që do të ishte më mirë nëse do të kishim qenë organizuar më parë. Në ditët e sotme unë di që shumë ushtarakë janë organizuar në Partinë Socialiste. Ne do të krijojmë parti për të mbrojtur interesat tona, pasi deri më sot nuk na ka mbrojtur asnjë nga partitë që ka qenë më parë në pushtet.

    2- Akti Normativ mbetet një problem i pazgjidhur për ushtarakët. Qeveria dhe dikasteret përkatëse nuk zbatojnë as ligjet dhe as vendimet e Gjykatës Kushtetuese, ndërkohe që flitet e reklamohet shteti ligjor, shteti i të drejtës, ku ligji duhet të qëndrojë mbi gjithçka. Në mjaft qarqe ushtarakët i gënjejnë duke u thënë se rillogaritja bëhet vetëm në Tiranë, gjë e cila nuk është e vërtetë. Kuptohet që dokumentet përkatëse merren nga dikasteret përkatëse, por rillogaritja përfundimtare bëhet në Drejtoritë rajonale të sigurimeve shoqërore.