Transferimi i pensioneve, Shqipëria arrin marrëveshje me Luksemburgun

    387
    Sigal

    Dy mijë shqiptarë që jetojnë në Luksemburg mund të transferojnë pensionet e tyre në Shqipëri, kjo pas një marrëveshjeje mes dy vendeve. Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj dhe homologu i tij nga Luksemburgu, Romain Schneider, nënshkruan një marrëveshje dypalëshe mbi Mbrojtjen Sociale, e cila mundëson transferimin e pensioneve.

    Luksemburgu bëhet shteti i dytë, pas Belgjikës, që nënshkruan me Shqipërinë marrëveshjen e cila u jep mundësi emigrantëve shqiptarë të tërheqin me vete edhe kontributet e pensioneve që kanë depozituar në shtetin Shqiptar nëse vendosin të qëndrojnë në Luksemburg, ose anasjelltas.

    “Në 1 janar 2015 nis zbatimi i reformës së pensioneve dhe ajo që po përpiqemi të bëjmë me keto marrëveshje dypalëshe është t’u themi shqiptarëve se nuk ka rëndësi se ku punoni, por për sa kohë që i deklaroni vitet tuaja të punës në Shqipëri apo në një vend tjetër të BE-së, ato do t’ju njihen të gjitha. Ky është një apel për qytetarët se që nga 1 janari, çdo muaj apo vit i deklaruar, sjell një pension më të lartë”, tha Veliaj pas nënshkrimit të marrëveshjes.

    Sipas ministrit pasi të bëhen 6-7 marrëveshje të tilla me vende të tjera të BE-së, edhe procesi i fillimit të negociatave me vendet fqinje do të jetë më i lehtë.
    Përveç Belgjikës dhe Luksemburgut, Shqipëria ka nënshkruar marrëveshje të ngjashme edhe me Turqinë, ndërkohë që vijojnë bisedimet me Gjermaninë, Cekinë, Rumaninë dhe Austrinë.

    Gjithashtu shumë shpejt pritet marrëveshje me Kanadanë, Hungarinë dhe Maqedoninë, e ndërsa vazhdojnë bisedimet me Italinë dhe Greqinë, vende ku numri i emigrantëve shqiptarë është më i madh.