Tomorr Shasho/ Një bisedë me Ali Hysin

    349
    Sigal

    ( Ish-shoferi i linjës Skrapar –Lushnje)

    Një pasdite ishim ulur te dyqani i tim vëllai, Fejziut. Disa luanin domino, ndërsa unë e Aliu po bisedonim për ndodhi të ndryshme të jetës. Në një moment, bisedën na i ndërpreu boria e autobusit që vinte nga Berati, apo Tirana.

    Të ka marrë malli për autobusin? – i them duke e parë, po ai ende shikonte nga rruga. Ktheu kokën e me atë qeshje karakteristike, të ëmbël m’u drejtua: “Po ju, ju ka marrë malli të jepni mësim? Përgjigja u mor.

    -Kam patur shumë raste, po njëri më ka mbetur në kujtesë, – nisi rrëfimin Aliu, duke shkundur tymin e cigares. Atëherë autobusi nisej nga Lushnja ne orën 4 pasdite. Ishin festat e 28-29 Nëntorit. Binte një shi, ashtu si bie ndonjëherë në Lushnje me rrëmbim e pa pushim. Ftohtë ishte. Nejse… Autobusët e Beratit u mbushën e ikën. Pasagjerët me bileta në dorë, hynin e zinin vendet. Në shesh, shumë vajza e djem, sigurisht pa biletë, sytë i kishin drejtuar nga unë. Kontrolloja biletat te dera, e nuk guxoja të hidhja sytë në shesh pranë autobusit, ku sytë e vajzave ishin drejtuar nga unë. Hodha sytë brenda autobusit. Plot e përplot. Po tani, i thash vetes, ç’do të bësh, o Ali Hysi? Vajzat filluan edhe të qajnë… Shiu binte. Të bëhet ç’të bëhet, thashë. Mirë djemtë, se bëjnë si bëjnë, po vajzat, po meraku i prindërve që i prisnin? Vajzat të futen brenda, u thashë. Eh, të shikoje se si fluturuan drejt e brenda. Hedh sytë e shoh që djemtë s’po lëviznin. I numërova. Nuk ishin më shumë se 10-12 djem. E shkela që e shkela, i mora edhe djemtë.

    Unë e ndiqja bisedën me shumë kureshtje, jo vetëm për bisedën e ëmbël që bënte, por vërtetoja se Aliu nuk shtonte asgjë, pasi në këtë ndodhi ishte edhe djali im, i cili më foli sapo erdhi.

    -U ula në sedilie, kapa timonin, mbylla derën dhe, me thënë të drejtën, aty u bëra edhe fetar e iu drejtova Zotit. U nisa. Edhe pse ishte fushore në rrugën Lushnje -Berat, autobusi lëkundej sa majtas e djathtas, pasi të gjithë studentët ishin në këmbë. Kujdes Ali, i thashë vetes, mos u turpëro tani në prag pensioni. Autobusi ecte, e unë mendoja: Po në rrugën Berat -Çorovodë, te kthesa, ç’të bëja? Kur mbërritëm në kombinat, kishte dalë kontrolli rrugor. Qëndrova.

    – Hë… Ali, ç’ke bërë kështu?

    -Shiko e shkruaj, i thashë, nuk kisha ku t’i lija.

    -Udhë të mbarë!- më tha, – po kujdes, si e di vetë.

    Në Uznovë u thashë që të ndahen në mënyrë të barabartë e të mbahen te vendi i valixheve. Dua të them, se pati edhe shumë pasagjerë që u ngushtuan e u ulën vajzat, apo edhe ndërroheshin gjatë rrugës. Për të parën herë në jetën time, nuk kam folur e kthyer kokën, po mendja ishte vetëm te drejtimi i autobusit.

    Po, sa orë e bëre?- e pyeta. Vuri buzën në gaz e tha: Orën e pashë vetëm kur qëndrova te agjencia. Ishte 11 e mbrëmjes. 7 orë. Dihet që prindërit kishin mbushur sheshin, pasi prisnin fëmijët. U larguan duke thënë fjalët më të mira, po mua ende nuk më ishin shpirë krahët. Në shtëpi sapo u ula, ra telefoni. U interesuan nga Dega e Brendshme se si arrita me atë ngarkesë e me atë kohë të keqe. Mbërrita shumë mirë,- thashë. Natën e mirë!

    Kjo ishte një bisedë e thjeshtë, por kush është shofer ia di vështirësinë. E, Ali Hysi vazhdoi edhe për pak kohë punën e doli në pension, ashtu si themi ne “Me faqe të bardhë”. Nderime për këtë njeri!