Tomorr Aliko: “Emri i Haxhi Dede Reshat Bardhit, është i gdhendur në historinë e Bektashizmit”

    595
    Sigal

    INTERVISTË/Flet Tomorr Aliko, “Dervish Nderi”, me rastin e dy vjetorit të kalimit nga jeta e Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve Haxhi Dede Reshat Bardhi

    Janë mbushur dy vjet nga kalimi nga jeta e Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve e shenjtërisë së tij Haxhi Dede Reshat Bardhi. Por puna dhe përkushtimi i tij për komunitetin bektashian në Shqipëri do të mbahet mend edhe nga brezat e ardhshëm. Në lidhje me punën dhe përkushtimin e tij ka folur në një intervistë për “Telegraf”, Tomorr Aliko, i cili ka qenë ndër të parët që ka përqafuar bektashizmin në Shqipëri.

     -Zoti Aliko, ju ishit një nga të parët që përqafuat bektashizmin që në ditët e para të demokracisë. A mund të na thoni diçka nga aktivitetet fillestare?

    -Kanë kaluar shumë vite, do të mundohem të rikujtoj vështirësitë që kemi përballuar në Kryegjyshat me baba Reshatin, baba Bajramin. Së pari, hapëm teqetë bektashiane atje ku ekzistonin. Në 21 Qershor 1992 u thirr Konferenca e parë e Komunitetit Bektashian, u krijua Këshilli i Përgjithshëm i Komitetit Bektashian me 24 anëtarë. Baba Reshati zgjidhet Kryetar i Komitetit dhe Tomas Aliko sekretar i Përgjithshëm. Pas një viti Korrik 1993 u thirr Kongresi i 6-të Bektashian. Kongresi zgjodhi unanimisht Kryegjysh Botëror Haxhi Dede, Reshat Bardhin.

     -Janë mbushur dy vjet nga kalimi nga jeta i Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve e shenjtërisë së tij Haxhi Dede Reshat Bardhi, si e keni përjetuar atë moment?

     -Dede Reshati kishte vite që vuante nga disa sëmundje, por me kurajo i përballonte, shqetësohej kur punët nuk realizoheshin si mbas dëshirës së tij sidomos kthimi i pronave, mungesa e kuadrit klerikal, dhe probleme të tjera. Kalimi nga jeta është humbje e madhe për bektashizmin. Ai gëzonte respekt nga personalitete të larta shtetërore, nga diplomatë, komunitetet fetare, Parti Politike dhe mbarë populli, kjo u konstatua me ngritjen e flamurit Kombëtar gjysmë shtizë, si dhe shpalljen ditë zie kombëtare, mesazhet, në pallatin e kongreseve dhe përcjelljen e fundit në t’yrben e Dedelereve. Që ditën e parë që ne prisnim dhe përcillnim ne Kryegjyshatë ngushëllime nga besimtarë e dashamirës, nuk munguan as gazetarët, meraku i të cilëve ishte se kush do të zëvendësojë postin e kryegjyshit. i largova duke ju thënë: Kryegjyshata ka statutin e vet për zgjedhjen e Kryegjyshit. Çfarë mund t’ju thosha më tepër kur trupi i tij i pajetë ndodhej përpara mijëra besimtarëve.

     -Ju jeni angazhuar në disa shërbime, si kanë qenë ato periudha për ju?

    -Unë që në vitin 1996 kam qenë këshilltar i parë i tij dhe kam shkuar në shërbim në Teqenë e Baba Rexhebit, në Maqedoni me mision të posaçëm. Ishte gusht i 2008 më thirri në Kryegjyshatë. Kam menduar të punojmë së bashku më tha. Kërkesa jote është ligj për mua i thashë. Të nesërmen shkova në Kryegjyshatë dhe i premtova se do t’i plotësoja dëshirën, por pa rrogë ashtu siç kam punuar gjithmonë. Më përqafoi dhe më tha: Zoti të dhëntë shëndet e jetë. Më vuri në dispozicion një zyrë, sekretaren dhe kompjuterin etj..

     -A mund të na thoni cilat kanë qenë shqetësimet më të theksuara të shenjtërisë së tij Haxhi Dede Reshat Bardhi?

    -Kohët e fundit shëndeti keqësohej nga dita në ditë. Vendosi kalimin e administrimit ekonomiko-financiar të Kryegjyshatës dhe Gjyshatave drejtorit të poligrafikut z. Jetmir Bodini, të cilit i dorëzoi vulën e selisë së shenjtë. Një nga shqetësimet kryesore ishte ngecja e punëve në “ODEON” për mungesa financiare. Mundohesha ta qetësoja duke i thënë: “mos u mërzit baba se do t’ja presësh shiritin dhe do të mbajnë kongresin e IX”. Ai duke më shtrënguar dorën me tha: “mua nuk do të më keni, por ju të keni dashurinë me njëri-tjetrin” Unë jam 11 vjet më i madh i thashë. Nuk më la të vazhdoja, më tha: Ti ke uratën e Dede Kamberit. Do të rrosh t’i shërbesh bektashizmit. Shërbeva 4 vjet si punonjës i përditshëm në Kryegjyshatë duke pasqyruar me anë të ekspozitave aktivitetin figurativ me postera si në aktivitete përkujtimore dhe ceremonive siç ishte festa e Abaz Aliut në Tomorr etj.. Më thirri një ditë në dhomën e gjumit e gjeta ndenjur në kolltuk ngjitur me dritaren karshi Odeonit. Ulu më tha: “Të bisedojmë me Kreshnikun të na gjejë një regjisor specialist dhe ti bashkë me të, të bëni një film, ku të pasqyrohen gjithçka kemi bërë gjatë 20 viteve, të kujtojmë klerikët bektashianë, përpjekjet e tyre për Fe, atdhe, bilbilin e bektashizmit Naimin, apo ata klerikët që vuajtën e hoqën gjatë regjimit komunist”. Thirri Kreshnikun ish drejtor i kinostudios, pastaj jurist në Komunitetin Shtetëror të feve i cili na solli një shokun e tij Petrit Rukën. Filluam së bashku dokumentarin unë si skenarist ai si regjisor. “Do të kemi 5 milionë lekë”,- tha Dedë Reshati janë nga dhuratat dhe kursimet e mija. Mbasi punova me Petritin një muaj, ai u tërhoq për probleme familjare. Atëherë ju drejtuam T.V.SH zyrtarisht. Së bashku me Kreshnikun i çuam drejtoreshës Mirela skenarin, e cila e aprovoi duke na rekomanduar shfaqjen e filmit dokumentar me rastin e 100 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë.

     -Çfarë kujtoni nga momentet e fundit të jetës së Haxhi Dede Reshat Bardhi dhe ç’mund të na thoni për filmin dokumentar që keni realizuar?

    -Dy ditë para se të kalonte nga jeta shkova në spitalin Gjerman, më pyeti si shkojnë punët në Maqedoni. Po me filmin? Çdo gjë është në rregull i thashë dhe kur të vish në Kryegjyshatë do të mbetesh i kënaqur sidomos me përgatitjen e filmit! Ishte me kurajo dhe i çelur në fytyrë dhe askush nuk mendonte se do kalonte nga jeta. Meqenëse kisha marrë angazhimin të realizoja dokumentarin e filmit “Bektashizmi dhe Shqipëria” si dhe dëmshpërblimi për klerikët bektashianë të pushkatuar dhe burgosur, ku depozitova dosjet në Ministrinë e Drejtësisë. Bisedova fillimisht me të plot fuqishmin Jetmirin më garantoi përballimin financiar të filmit duke hartuar dhe projekt buxhetin. Kështu që së bashku me regjisoren dhe operativin e T.V.SH bëmë 6 muaj xhirime të lodhshme Shqipëri- Maqedoni- Kosovë me 15. 11. 2012 u miratua nga T.V.SH, nga grupi i punës dhe më datën 22.11.2012, ishim ftuar në studion e T.V.SH ora19:00. Në mungesën time për arsye familjare, Kryegjyshata dërgoj Dervish Mikelin i cili së bashku me regjisoren znj. Eli Bici komentuan përmbajtjen e dokumentarit. Të nesërmen 23.11.2012 në orën 19:00 deri 20:00 u shfaq nga T.V.SH. Gjithashtu edhe të nesërmen dt. 24.11.2012 paradite. Pak fjalë mbi përmbajtjen e dokumentarit “Bektashizmi dhe Shqipëria”. Dokumentari trajton patriotizmin e Klerikëve Bektashianë, të cilët me penë dhe armë ju gjendën vatanit. Ishte Abdyl Frashëri që në vitin 1878 mblodhi baballarët e Teqeve në Frashër me Baba Aluzmin në krye. Apo Bilbili bektashizmit Naim Frashëri, ku  Pasqyrohet edhe Kongresi i I-rë i 1921-it, II-të 1924-ës dhe i III-të 1929-ës. Po ashtu pasqyrohet edhe Kongresi i Lushnjës në vitin 1920 ku ligjëruan katër komunitetet fetare. Në vitin 1930 vendoset  kryegjyshata Botërore bektashiane me Heroin Kombëtar kryegjyshin Sali Mazi Dede. Rindërtimi dhe ndërtimi i Teqeve 1992- 2010, Dede Reshat Bardhi dhe veprimtarinë e tij etj. Nga specialistët është vlerësuar si film dokumentar me merita të larta patriotike të bektashinjve Shqiptare. Pra filmi dokumentar “Bektashizmi dhe Shqipëria kushtuar Haxhi Dede Reshat Bardhit pasqyron vetëmohimin me moton Komb, Fe, atdhe” besnikërinë ndaj udhërrëfyesit shpirtëror shenjtërisë së tij HAXHI BEKTASH VELIUT.

    Box

    Këshillat e Haxhi Bektash Veliut

    Ja ç’na këshillon Haxhi Bektash Veliu

    Një këshillë do më dëgjosh

    Në dëshiron të jesh gjithmonë i qetë

    Llogari ti, ti kërkosh

    Vet vetes sot e për jetë

    Mbaje zemrën, mos vemitet

    Mos të shtertë sedra kurrë

    Burri kurrë nuk mërzitet

    Di ti thotë vetes burrë.