Tepelena-Kur t’u marrë malli për atje…

    1057
    Sigal

    Rrëzë malit të Gribës, në lartësinë 614 m mbi nivelin e detit, shtrihet fshati Dhëmblan, një ndër më të mëdhenjtë e gjashtë fshatrave, që përbëjnë krahinën e Lopsit. Është i vendosur në të djathtë të rrugës automobilistike Vlorë-Tepelenë dhe në një largësi prej tyre, respektivisht, 40 dhe 30 km. Që nga koha, kur banorët e parë u vendosën aty, Dhëmblani dhe dhëmblaniotët mbijetuan, ata erdhën deri në ditët tona, falë punës e përpjekjeve të tyre, në atë vend të ashpër, ku siç thuhet në ato anë, “kanë qenë njerëzit, që e kanë mbajtur”. Banorët e asaj krahine janë shquar e dallohen për ndjenja të larta atdhetare, punëdashëse, arsimore e kulturore etj..
    Pak “Labëri në Tiranë”
    Jemi të bindur që secili nga banorët e kryeqytetit, ka dëshirë e mall ta vizitojë vendlindjen ose prejardhjen e prindërve të tij. Sigurisht, ajo krahinë e tyre ndodhet larg metropolit tonë dhe nuk u takon shpesh të shkojmë atje për vizitë ose për të qëndruar disa ditë. Se është fakt i njohur që, drejt Tiranës, kanë vërshuar qindra familje e mijëra banorë, të cilët më parë kanë jetuar në rrethe të ndryshme të vendit. Megjithatë, sado kushte të mira jetese të kenë krijuar ata këtu, përsëri ndiejnë kënaqësi, jo vetëm kur shkojnë atje, por edhe kur lexojnë ose shohin në stacione të ndryshme televizive pamje nga natyra e bukur e malësive tona. Po, për të gjetur një rrugëzgjidhje “të mesme” në këtë drejtim, një bir i fshatit Dhëmblan, nga krahina e njohur e Lopsit, në rrethin e Tepelenës, djaloshi Fejzo Meçaj mendoi gjatë, deri sa mori një vendim interesant. Kishte punuar disa vjet emigrant, në Greqi e në Itali dhe pastaj u kthye në Shqipëri. Me paratë e kursyera e të mbledhura, u paraqit në zyrat përkatëse të Tiranës dhe kërkoi licencën për çeljen e një lokali. Ndoshta, në ato çaste, pëshpëriti me vete: “Pse të mos e sjell një “copë” të Tepelenës ose “pak Labëri”, në kryeqytet?” Nga mendimi, Fejzo kaloi menjëherë në veprime konkrete. Ata, që e kanë kaluar këtë praktikë pune, e dinë mirë se sa mund e djersë duhet për ta nisur veprimtarinë në një lokal të tillë dhe për ta vazhduar normalisht e për të patur arritje. Ndër të tjera, vendosi që lokalin ta emërtojë Bar-Restorant “Tepelena”. Kështu, miq e të njohur dhe sidomos bashkëkrahinas, do të kishin një “vatër”, ku të shkonin e të sillnin ndërmend fëmijërinë e tyre ose të prindërve a të gjyshërve të tyre.
    Një muze i vërtetë etnografik
    Këto, që shkruam më lart, i përkasin të kaluarës jo të largët. Ndërsa këto ditë ne të dy bëmë një vizitë të paralajmëruar në këtë lokal. Aty na priti me dashamirësi përgjegjësi, Fejzo Meçaj, si dhe punonjës të tjerë. Bar-Restorant “Tepelena” ndodhet në Bulevardin “Bajram Curri”, në afërsi të Ekspozitës “Shqipëria Sot”. Nuk është e vështirë ta gjesh atë, pasi për vend-ndodhjen nuk të tregojnë vetëm tepelenasit ose “lebërit”, por dhe banorë të krahinave të tjera. Ndër të tjera, nga ky lokal kanë gjetur përkrahje e mbështetje veprimtari të ndryshme të krahinës dhe sidomos anëtarët e Shoqatës ”Griba”. Po kështu, ai ka bërë emër të mirë edhe sepse aty përgatiten gatime tradicionale të krahinës, emrin e të cilës mban. Ky lokal njihet, veçanërisht, për mishin e pjekur, që shoqërohet me djathëra, salcëra, zarzavate e fruta, të ardhura sidomos nga ajo krahinë e Tepelenës. Por bukurinë, hijeshinë dhe inversin e klientëve të lokalit Bar-Restorant “Tepelena” e shtojnë në mënyrë shumë te veçantë objektet dhe zbukurimet e brendshme të tij. Ndër të tjera, aty të bien në sy fotografia e fshatit Dhëmblan, piktura me portretin e Ali Pashë Tepelenës, objekte të lashta nga jeta baritore dhe pajisje të rralla të shtëpive malësore të asaj krahine. Në një kënd ndodhet Flamuri ynë, si për t’i kujtuar klientët, se sivjet jemi në vitin jubilar të 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Gjithashtu, janë vendosur objekte druri, metalike e bakri: çengela, hekura, ibrikë e shtamba, llamba vajguri e fenerë; zile, këmborë e byqe të mëdha; e improvizuar realisht edhe koka e cjapit ose dashit etj.; veshje të ndryshme, si shark dhe lëkurët e disa kafshëve, si delja, dhelpra etj.. Thënë shkurt, është një muze i vogël etnografik, me objekte të shumëllojshme. Ato vështrohen me kënaqësi e kureshtje nga klientët, të cilët gjejnë aty dhe një shërbim korrekt.
    Kënaqësi, çlodhje dhe çmallje
    Për kënaqësinë e lexuesve, ne menduam që, me këtë shkrim të shkurtër, të bashkëngjisim edhe pak fotografi, nga ky lokal i bukur e me domethënie, që funksionon në kryeqytet. Kërkojmë mirëkuptimin e tyre, pasi janë disa foto tonat, por këtë gjë, unë e Qatipi, e bëmë jo “për t’u dukur”, por vetëm sa për të treguar veshje e objekte, që ndodhen të ekspozuara aty. Pra, “kur t’u marrë malli për Tepelenën” ose kur doni të shihni “një copë Labëri”, siç e shënuam në titullin e këtij shkrimi modest, shkoni në Bar-Restorantin “Tepelena” të kryeqytetit tonë. Dhe, këtë gjë, nuk e themi për “reklamë biznesi”, por sepse aty klienti a vizitori ndjen kënaqësi e çmallet, mëson e çlodhet, krahas një ushqimi të zgjedhur, tradicional e cilësor.
    Tiranë, 26 korrik 2012

    Murat GECAJ, Qatip MARA