Të sekuestrohen të gjitha pasuritë e nëpunësve hajdutë!

    401
    Sigal

    TURPI/Shteti mjaftohet me  largimin nga puna, hajdutët ikin të lumturuar dhe me miliardat me vete që siguruan nga pasuria kombëtare

    Dje gazeta “Telegraf” ka bërë publike faktet tronditëse që zbardhën ekspertët e Grupit të Auditimit të KLSH-së, në drejtim të  dhënies së pronës publike me koncesion në fushën e bakrit dhe në hidroenergjetikë, ku  ka konstatuar gjithsej një efekt negativ financiar në të ardhurat e Buxhetit të Shtetit në shumën 1,838,534,798 lekë, ( ose 18 miliardë lekë të vjetra) dhe konkretisht: Nga moszbatimi i kushteve të kontratave koncesionare, mosllogaritje dhe mosarkëtim të penaliteteve me pasojë dëm ekonomik  nga mosarkëtimi i Fee Koncesionare nga koncesionerët që kanë shitur në KESH sh.a. prodhimin e energjisë  nga mosarkëtimi i sigurimit të ofertës, nga mossigurimi i aseteve.    Nga mosimplementimi i VKM nr. 150, datë 22.03.2007 “Për organizimin dhe funksionimin e Agjencisë së Trajtimit të Koncesioneve” (mospagesë e tarifës ATRAKO-s). Pra në total dëmi që i është shkaktuar shtetit është rreth 30 miliardë lekë .

    Bazuar në nenet 9 dhe 16 të ligjit nr. 8270, datë 23.12.1997 “Për Kontrollin e Lartë të Shtetit”, ndryshuar me ligjin nr. 8599, datë 01.06.2000, për përmirësimin e gjendjes, KLSH ka rekomanduar një sërë masash të karakterit të ndryshimit apo përputhjes së dispozitave ligjore në fuqi, të shpërblimit të dëmit të shkaktuar, masa organizative, administrative dhe disiplinore. Inspektorët kanë kërkuar që në bashkëpunim me strukturat përkatëse në METE të përgatitën amendimet përkatëse  gjithmonë, duke ruajtur raportin e partneritetit dhe mosushtrimin e detyrimeve të tepërta e të pa argumentuara ndaj biznesit të interesuar për pjesëmarrje në këto procedura konkurrimi.

    Por KLSH  ka rekomanduar për zbatim 23 masa organizative, ku ndër to përmendim:
    1. Ngritjen e një grupi pune me qëllim hartimin e një Udhëzimi të veçantë mbi procedurën e transferimit të kuotave (shitje aksione) dhe dokumentacionin e nevojshëm që duhet të paraqesë një subjekt.
    2. Në bashkëpunim me Ministrinë e Financës, Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, ngritjen e një grupi pune për përgatitjen e  akteve nënligjore dhe udhëzimeve tekniko-ekonomike mbi llogaritjen dhe pagesën e detyrimeve ndaj shtetit për elementët shoqërues të koncentratit dhe mineraleve të tjera, duke i trajtuar si pasuri kombëtare.
    3. Në përllogaritjet e rentës minerare të koncentratit të bakrit (sipas faturës së shitjes), të merret për bazë përfshirja në të e vlerës së metaleve të çmuara dhe zbritja e çmimit për shkak të përmbajtjes së elementëve të dëmshëm.
    4. Të rishikohet Rregullorja e ATRAKO për  vënien në eficiencë të plotë të kësaj strukture.
    5. Në përputhshmëri të plotë me ligjin “Për koncesionet”  të përcaktohet qartë dhe saktë përdorimi në llogaritje të “Tarifës koncesionare” dhe termit “Vlera e pagave (royalities)” në momentin e marrjes së koncesionit.

    Por përveç këtyre rekomandimeve KLSH ka  dërguar pranë organeve të hetimit paditë përkatëse dhe i ka kërkuar Shërbimit të Administratës Civile që të marrë masën e largimit për të gjithë shkaktarët që kanë shkaktuar një dëm të jashtëzakonshëm ekonomiko-financiar shtetit dhe që kanë abuzuar me pasurinë kombëtare. Gjithashtu, i është kërkuar METE-s të nxjerrë përgjegjësitë dhe të marrë masa për të gjitha koncesionet me qëllim evitimin e shkeljeve të marrëveshjeve dhe legjislacionit shqiptar, duke detyruar koncesionarët të paguajnë sigurimet në shoqëritë e sigurimit të licencuara nga AMF dhe subjekte që kanë juridiksion tregtar e ligjor në Shqipëri. Duke parë mungesën e bilanceve është kërkuar që menjëherë  që shoqëritë koncesionare të paraqesin bilancet ekonomiko-financiar në METE dhe në AKBN (sipas autorizimit). Të vlerësohen investimet me dokumentacion ekonomik shoqërues si: situacione të konfirmuara nga DPT për punimet e kryera, faturat e zhdoganimit për pajisjet dhe makineritë e marra nga importi, faturat tatimore të blerjeve të makinerive brenda vendit dhe për punimet e kryera nga të tretët. Për të eliminuar vjedhjen e pasurisë shtetërore që vazhdon është kërkuar që të ngrihet një grup pune për hartimin e një Udhëzimi të veçantë të ministrit, në të cilin krahas detyrave dhe detyrimeve të AKBN, të përcaktohet qartë detyrimi ligjor i koncesionarëve për bashkëpunimin dhe dorëzimin e dokumenteve në AKBN, duke vënë theksin në dokumentimin e investimeve dhe vlerësimin tekniko ekonomik të koncesionit. METE, në bashkëpunim me Avokaturën e Shtetit dhe me koncesionarin të kryejnë rivlerësimin e marrëveshjes koncesionare për dhënien me koncesion të Minierës Kalimash, Kukës e Has, ku të argumentohet domosdoshmëria e ndryshimit të atyre neneve të marrëveshjes koncesionare,të cilët cenojnë interesat e shtetit dhe dëmtojnë pasurinë kombëtare. Është e pafalshme mungesa e të dhënave nga institucionet ndaj është kërkuar që AKBN dhe METE, të krijojnë një bazë të dhënash elektronike (data base) për koncesionet, gjithashtu, të përcaktohen: afatet e detyruara për monitorim; lloji i dokumenteve të  konstatimeve në terren gjatë monitorimit dhe pasqyrimin e saktë të situatës së  koncesioneve. Pranë AKBN-së mungon bordi i vlerësimit duke krijuar subjektivizëm të titullarit ndaj është domosdoshmëri që të ngrihet brenda strukturës së AKBN një bord vlerësimi i koncesioneve i cili duhet të nxjerrë vlerësime për gjendjen e tyre dhe të japë rekomandime për koncesionarët mbi përmbushjen sa më mirë të detyrimeve kontraktuale. Për të eliminuar favorizimet është e domosdoshme që  në dokumentet standard të koncesioneve të hartuara nga AK, të vendoset dhe të vlerësohet me pikë, si kusht kualifikimi, lloji dhe vlera e makinerive e pajisjeve, si tregues që ndikon në vlerësimin përfundimtar të ofertës dhe në realizimin në afat sa më të shkurtër të veprave hidroenergjetike, në përputhje me programin strategjik të METE. Për të mbledhur të ardhurat e munguara duhet që  drejtoria Energjetike në METE në bashkëpunim me KESH sh.a., të marrë masa për evidentimin dhe llogaritjen e “Fee Koncesionare” për kontrata të cilat kanë filluar prodhimin, të kërkojnë arkëtimin menjëherë të detyrimeve të rezultuara dhe kryerjen e pagesës në buxhet nga KESH sh.a. Pra, të ndërmerren hapat ligjorë për ta vendosur KESH sh.a. në rolin e agjentit të mbledhjes së fee koncesionare (para=energji) dhe derdhjen e tij në buxhet.
    Kërkohet që titullari i institucionit të ndërpres miratimet e shtesave të afatit apo ndërhyrjeve të tjera në kontratat koncesionare, pa zbatuar procedurën juridike të caktuar (kontrata ndryshohet me kontratë shtesë). Të përgatiten e nënshkruhen nga të dy palët kontrata shtesë dhe të miratohen nga Ministri, Këshilli i Ministrave ose Kuvendi, sipas kompetencave ligjore që kanë kontratat fillestare të  koncesioneve të cilave ju është miratuar shtesë afati kontrate me shkresë nga titullari i AK etj. Për shpërblimin e dëmit ekonomik të shkaktuar, kemi rekomanduar që METE të saktësojë llogaritjet e penaliteteve dhe të zbatojë të gjitha procedurat ligjore për të kërkuar kthimin e parave në arkën e shtetit.
    Për punonjësit shkaktarë përgjegjës për mangësitë, parregullsitë dhe shkeljet ligjore të konstatuara dhe pasqyruara në Raportin Përfundimtar të Auditimit, KLSH i ka rekomanduar METE të merren masat disiplinore si më poshtë:
    1. “Largim nga shërbimi civil” për 6 punonjës, nga të cilët dy janë punonjës aktualë.
    2. “Ulje në detyrë për 1 vit” për 3 punonjës, nga të cilët njëri Drejtor Drejtorie.
    3. “Vërejtje me shkrim” për 14 punonjës, nga të cilët 5 me detyrë Drejtor.
    4. Gjithashtu, KLSH ka kërkuar nga METE të njoftojë Departamentin e Administratës Publike që 4 punonjës shkaktarë përgjegjës, të cilët aktualisht rezultojnë të larguar nga puna, nga të cilët 2 ish Drejtorë përkatësisht për Projektet dhe Bashkëpunimin Ekonomik, si dhe për Menaxhimin e Projekteve), meritojnë masë disiplinore “Largim nga shërbimi civil”.
    5. Për shkeljet financiare  me  pasojë dëm ekonomik për buxhetin e shtetit, për personat shkaktarë përgjegjës të niveleve të ndryshme drejtuese, kemi përgatitur dhe dërguar dy kallëzime penale në organet e prokurorisë për 5 punonjës për një vlerë dëmi prej 595,146,011 lekë, respektivisht 1 Drejtor i Përgjithshëm, 1 Drejtor Drejtorie, 2 përgjegjës sektori dhe 1 specialist