Tafaj: Duhet reformë për përcaktimin e paaftësisë, që të dalim nga ngërçi

    368
    Sigal

    Draft-raporti/Analiza në sektorin e aftësisë së kufizuar në Shqipëri

    Të drejtat e personave me aftësi të kufizuar kanë mbledhur dje në një tryezë, përfaqësuesit e shoqatave të ndryshme në mbrojtje të personave me aftësi të kufizuar (PAK), përfaqësues nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë si dhe përfaqësues të PNUD-it (Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim). Objekt i kësaj tryeze ishte draft-raporti në sektorin e aftësisë të kufizuar në Shqipëri, me konsulentë z.Sinan Tafaj, kreu i shoqatës së të verbërve dhe znj. Mirsa Titka. Raporti është hartuar në kuadër të programit të zhvillimit PNUD, në mbështetje të zbatimit të Konventës së OKB-së për të drejtat e PAK. Ky studim ofron një analizë të situatës së PAK në Shqipëri, me synimin për të identifikuar fushat dhe nevojat prioritare për veprim. Ky studim vjen pas miratimit dhe ratifikimit nga Parlamenti shqiptar i Konventës së OKB-së për të drejtat e PAK, draft-planit të veprimit, ku përcaktohen veprime prioritare në terma afat-shkurtër dhe afat-mesëm si dhe planifikimi i kostove bazuar në të dhënat buxhetore të ministrive të linjës. Konventa përbën traktatin e parë në fushën e të drejtave të njeriut për PAK të miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, në shekullin e 21, është e para e miratuar me pjesëmarrjen e drejtëpërdrejtë të përfituesve PAK dhe parimi themelor i saj është “asgjë për ne, pa ne”. Shqipëria si shtet palë i kësaj konvente ka detyrimin për të shmangur diskriminimin dhe për të nxitur përfshirjen dhe krijimin e kushteve të barabarta për personat me aftësi të kufizuar, si për të gjithë qytetarët e tjerë. Ky raport, pas analizës në sektorin e aftësive të kufizuar, ka vlerësuar 7 prioritete dhe masat për realizimin e tyre: 1)Integrimi në Legjislacionin e vendit të parimeve dhe normave të Konventës së OKB-së për të drejtat e PAK; 2) të respektohet parimi themelor i Konventës së OKB-së: “Asgjë për ne, pa ne”; 3)Arsimi gjithëpërfshirës dhe afrimi i mundësive reale për edukimin e nxënësve me aftësi të kufizuara; 4)Ofrimi i mundësive reale për punësimin e PAK dhe integrimin e tyre në tregun e punës; 5) Zhvillimi i një reforme të thellë në sistemin e përfitimeve për shkak të aftësisë së kufizuar; 6) Zgjerimi i gamës dhe cilësisë së shërbimeve; 7)Sigurimi i mundësive për akses dhe për përfshirje shoqërore të PAK.

    Tryeza

    Për draft-raportin në sektorin e aftësisë së kufizuar folën konsulentët për hartimin e tij, z.Sinan Tafaj dhe znj. Mirsa Titka, të cilët shprehën dhe prioritetet për personat me aftësi të kufizuar si dhe masat për realizimin e tyre. Më pas u vijua me pyetje nga ana e përfaqësuesve të shoqatave të ndryshme me aftësi të kufizuar për t’u qartësuar më shumë rreth këtij draft-raporti, i cili do t’i paraqitet Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë për ta patur parasysh në hartimin e një Ligji Integral për PAK, në kuadër të Konventës për PAK. Përfaqësimi, përfitimet financiare, shërbimet, aksesi, arsimi, punësimi, reformat në legjislacion, por dhe përmirësimi i terminologjisë ishin disa nga shqetësimet e të pranishmëve. Bajram Tirana, përfaqësuesi i para-tetraplegjikëve kërkoi që të ndërhyhet në Kodin Rrugor, për shkak të veçantisë që ka grupi që ai përfaqëson. Afërdita Seiti drejtorja e qendrës “Ndihmoni jetën” u shpreh se ka një diskriminim në ndarje, ndaj rishikimi i ndarjes është prioritet. Ndërsa u shpreh se “buxheti t’i nënshtrohet një reforme dhe te shërbimet të ngrihet sistemi i komunikimit dhe i referimit”. Ndërsa përfaqësuesja e fëmijëve me sindromën “daun”, njëkohësisht dhe nënë me një fëmijë me këtë sindromë, foli për diskriminimin që pësojnë PAK, për shkak të terminologjisë së papërshtatshme. Gjithashtu ajo u shpreh se “intervenimi i hershëm sjell gjithëpërfshirje”. Të gjithë grupet e interesit duhet të paraqesin brenda 10 ditëve vërejtjet dhe sugjerimet e tyre për këtë raport, që të përfshihen në të.

    Sinan Tafaj

    Në këtë takim, Tafaj u shpreh se në realitetin që ne jetojmë ka grupe të personave me aftësi të kufizuar që kanë status, por ka dhe grupe që nuk kanë. Dhe në këtë studim ne kemi kërkuar që të rregullohen me status edhe personat që nuk dëgjojnë, apo personat me aftësi të kufizuar mendore. Ndërsa “është e rëndësishme të bëhet reforma, përsa i përket përfitimit. Edhe pse nga buxheti i shtetit thithen 13,6 miliard lekë për PAK, pra një shifër shumë e lartë, mbështetja nuk është gjë në raport me pagën minimale. Duhet një reformë përsa i përket konceptit të paaftësisë, pasi janë përfshirë në të shumë njerëz. Për të dalë nga ky ngërç, duhet bërë një reformë ku të përcaktohen kriteret e atyre që duhet të përfitojnë, ndërsa për ata që nuk i plotësojnë kriteret, por janë të paaftë për punë, atëherë të mendohet pensioni jokontributiv” thekson Tafaj. Ai mendon se duhet të trajtohen në mënyrë efektive ata që janë më emergjentë, madje edhe vetë brenda grupeve të ketë diferencime. Përsa i përket arsimit ai u shpreh se “ka disa probleme shumë të mëdha për gjithëpërfshirjen. Duhet vazhduar edhe me arsimin e posaçëm. Ministria e Arsimit duhet të punojë edhe për punësimin në arsim, të njerëzve me aftësi të kufizuar. Punësimi është thelbësor në integrimin e tyre”. gjithashtu e një rëndësie të veçantë për Tafaj është dhe aksesi. “Jemi vendi më i paaksesueshëm në të gjithë botën. Aksesi në lëvizje, aksesi në informacion, sidomos për njerëzit që nuk dëgjojnë. Gjuha e shenjave apo gjuha brail të përdoret dhe nga institucionet shtetërore”, u shpreh Tafaj. Pyetjeve të grupeve të interesit për përfaqësimin e tyre nga persona të tjerë, Tafaj u shpreh se “jam dakord të kemi mbështetje, përsa i takon të drejtave tona, por kur bëhet fjalë për vendimmarrje duhet të bëhet “asgjë për ne, pa ne”. Ndërsa për personat me aftësi të kufizuar mendore duhet të kenë përfaqësues natyror (prindi), apo ligjor, por prapë në ta duhet të ushtrohet kontroll”.

    Mirsa Titka

    Znj. Mirsa Titka, konsulente në këtë raport, tha se në realitetin shqiptar,përsa i përket të drejtave të PAK ka disa avantazhe siç janë: bazë ligjore e mirë; ratifikimi i Konventës është mirë; donatorët i mbështesin PAK. Znj Titka sheh si kërcënim mbështetjen e pamjaftueshme në fonde për eksesin e personave me aftësi të kufizuar. Ndërsa përsa i përket përfaqësimit ajo shprehet se pjesëmarrja e PAK në politikë është e dobët. Por prioritare, sipas saj, është statusi i grupeve PAK, por edhe pagesa, e cila edhe pse është rritur nga 4 mijë që ka qenë në fillimet e veta në 8 mijë lekë, prapë nuk është ajo e duhura.

    Ilda Bozo

    Znj. Ilda Bozo, përfaqësuese e Ministrisë së Punës u shpreh në këtë takim se gjëja më e mirë e qeverisë është që të vendosë prioritete në buxhet. “Prandaj dhe është kërkuar nga PNUD kjo analizë. Është bërë një plan veprimi 10 vjeçar për të parë emergjencat dhe pastaj të shtrihet dhe në nevojat e tjera. Drafti është i lexueshëm dhe janë vendosur prioritet, por unë nuk jam dakord në disa gjëra”,u shpreh ajo. Për të, tre janë fushat kryesore, ku duhet të fokusohej kjo analizë: Shërbimi, Arsimi dhe Punësimi. “Unë nuk jam dakord që personat me aftësi të kufizuar të marrin një pagesë dhe të ngelen aty. Një nga kërkesat emergjente është ngritja e një qendre rehabilitimi. Prandaj janë shërbimet, ta aftësojmë një herë, pastaj ta arsimojmë dhe ta punësojmë” u shpreh ajo. Për Bozon, nevojë emergjente është vlerësimi i aftësisë së kufizuar që “do të thotë një rikonceptim në bazë individuale dhe të Konventës”. Bozo u shpreh se “buxheti për PAK në 12, 3 miliard është në rritje, por është e pamjaftueshme për shkak të defekteve në vlerësimin e aftësive të kufizuar. Parazitizmi në përcaktimin e nevojave dhe aftësive është i gabuar”. Gjithashtu ajo tha se “grafiku i fushave prioritare në programin buxhetor është drastik. Ndryshimi i pagesave me shërbimet është një diferencë e jashtëzakonshme, ndërsa unë jam për rritjen e fondeve të shërbimit.

    Abdulla Omuri

    Abdullah Omuri përfaqësuesi i invalidëve të punës u shpreh se “problemet tona nuk zgjidhen në një tryezë. Të gjitha rekomandimet që janë bërë në raport të shihen me prioritet sepse janë bërë nga ne. Askush s’e ka shansin të na përjashtojë. Në asnjë vend nuk hiqen beneficet e fituara me ligj, siç ndodh tek ne. Asnjë s’mund ta kruajë kokën time më mirë se unë”.