Suplementi Pena Shqiptare/ Profesor  Agron Fico – studiues i etnokulturës dhe  folklorit   

273
Sigal

Nga Nesip Kaci

Më 1 qershor 2021 bëhet një vit që u nda nga jeta albanologu, gjuhëtari, studiuesi i  etnokulturës, specialist i shqipes për të huaj, publicist, autor botimesh të shumta, figurë e njohur publike në Diasporë e më gjerë, që i kushtoi jetën edukimit të brezit të ri, gjuhës dhe kulturës folklorike.

Lindi në qytetin e Gjirokastrës  ku kaloi fëmijërinë dhe vitet e para të rinisë. Mbaroi shkollën e mesme “Asim Zeneli” me medalje ari në qytetin e lindjes dhe  vazhdoi në Tiranë universitetin shtetëror, Fakulteti Histori – Filologji, në degën Gjuhë dhe Letërsi shqipe me diplomën “ Shkëlqyeshëm”. Pasi mbaroi universitetin punoi dy vjet në liceun “Asim Zeneli” të Gjirokastrës pedagog i gjuhës dhe letërsisë shqipe, ndërkohë e emërojnë në Tiranë punonjës shkencor në Institutin e Gjuhësisë dhe të Historisë në sektorin e Folklorit. Për rezultate të mira në punën shkencore e zgjodhën Sekretar Shkencor në Institutin e Gjuhës dhe Historisë 1958-1962, ndërkohë që jepte edhe lëndën e folklorit në fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Tiranës dhe në Akademinë e Arteve, si dhe jepte gjuhën angleze në Institutin e Lartë “Vojo Kushi”. Profesor Agron Fico është autor i teksteve të folklorit për shkollat e mesme dhe të larta. Në revistat më të njohura shqiptare ka botuar me dhjetra artikuj dhe studime shkencore. Ka marrë pjesë me kumtesa në mjaft konferenca shkencore kombëtare e nderkombëtare: në Athinë, Bukuresht, SHBA, Turqi, Kinë, ku ka përfaqësuar kulturën shqiptare në këto  aktivitete dhe në vitin 2000 mori pjesë në Kongresin e Gjashtë Botëror në Finlandë për çështje të post-komunizmit. Profesor Fico ka qenë anëtar jurish ndërkombëtare të folklorit si në Minsk, Moldavi, etj. Profesor Agron Fico ngriti dy katedra të gjuhës shqipe jashtë vendit, të parën në Pekin në vitet 1961-1966 dhe të dytën në Miçigan të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai ishte ekspert, krijues dhe hartues metodash, që mbi 40 vjet u mësoi gjuhën shqip dhjetra të huajve, studiues, diplomatë, pedagogë, qeveritarë etj. Nëpërmjet kësaj pune ai u bë specialist i shquar i mësimdhënies së gjuhës shqipe  dhe i hartimit e aplikimit të metodave të suksesshme të gjuhës shqipe për të huajt. Gjatë punës në Miçigan Profesor Agron Fico mori pjesë aktive në jetën e komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në 1995 kur hapi në Miçigan katedrën e gjuhës dhe kulturës shqipe, e cila u bë mjaft tërheqëse dhe për bashkësinë shqiptare në Amerikë, profesor Peter Prifti, bashkëpunëtor i Nolit të madh, në një studim për gjuhën shqipe në Amerikë, e përshkruan plot entuziazëm këtë ngjarje. Ai shkruan: “Një qendër e re për studimin e gjuhës dhe kulturës së shqiptarëve u themelua kohët e fundit në shtetin e Miçiganit. Themeluesi dhe drejtori i qendrës është Prof.Dr.Agron Fico, i njohur si gjuhëtar dhe folklorist. Prof.Dr. Fico ka një biografi profesionale të pasur. Ai është duke ngritur një qendër Albanologjike në Orçërd Leik, e cila synon të bëhet një magnet i fuqishëm për shqiptarët në Amerikë, si dhe një model për lokalitetet e tjera në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Një ngjarje e papritur dhe e gëzuar, -shkruan Profesor Fico,- është përfshirja ime në botimin e njohur të vitit 2000 “WHO’S  WHO  AMONG  AMERICA’S  TEACHERS” (Ndër mësuesit e Amerikës, 2000). Drejtori i “World English Institute”, Riçhard N. Ady, me këtë rast më shkruante: Urime për përfshirjen në “Who’s Who të Mësuesve të Amerikës për vitin 2000”. Ky është një nder që nuk arrijnë ta marrin ndonjëherë as shumica e profesorëve amerikanë, që japin mësim në universitete një jetë të tërë. Kënaqem që ke merituar këtë nder”.

Ndër arritjet më të shquara të Profesor Ficos përbën fakti se, ai është i pari studiues që zbuloi në Bibliotekën e Harvardit në mars 1996, dhe bëri të njohur fondin e Epikës Heroike shqiptare, mbledhur në 1937 në Shqipërinë e Veriut, nga shkencëtari amerikan Albert B.Lordi, themelues i Teorisë moderne të Letërsisë Gojore.

Profesor Agron Fico ka fituar shumë tituj nderi, nga Çmimi i Republikës në Shqipëri gjer te çmimi më i lartë universitar kinez për arritje akademike, si dhe përfshihet mes profesorëve universitarë amerikanë më të shquar me “Who’s  Who  Among  American’s Teachers, 2000”. Ai ka qenë anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, anëtar dhe kryeredaktor redaksish në revista studimore-akademike, si “Studime Filologjike”, “Pedagogu i ri”, “Dituria”, etj. Ai u nderua “Qytetar Nderi” i Gjirokastrës dhe ishte gjithashtu nënkryetar i Akademisë Shqiptaro-Amerikane të Shkencave dhe Arteve Nju Jork, nga viti  2004.

Prof. Fico ndezi dritën jeshile të programit, që në vitet ’90  i mundësoi të rinjve shqiptarë të studiojnë në universitete në Amerikë. Ai lektoroi gjuhën angleze në auditorët universitarë të Mjekësisë në Universitetin e Tiranës, ka qenë gjithashtu  Anëtar i Bordit për Folklorin në Ministrinë e Kulturës. Botimet e tij më të vlerësuara janë: “Profesor në tre kontinente“, “Diaspora e Rilindur”, “Rilindja e Shqipërisë Etnike”, “Beautiful Amerika – Mozaik shkrimesh”.