Suplementi “Pena Shqiptare” i datës 23.03.2015

    483
    Dhimitër SHUTERIQI
    NUSJA E VASKUT
    (Tregim)
    Çuni i nuses së Vaskut ishte një burrë mbi të dyzetat. Nusja e Vaskut, një grua nën të gjashtëdhjetat. Ata i njihnin në lagjen tonë, ose të paktën i përmendnin, në këtë mënyrë, ashtu si i kishin përmendur që në fillim, kur Jonin, i ati, Vasku, e la pa e parë, në bark të s’ëmës, dhe kur nusja e tij Saveta, mbeti e ve gjashtëmbëdhjetë vjeçe. Çuni i nuses së Vaskut ishte një burrë diçka i gjatë, thatim e përherë ‘i verdhë. Duhej të ishte më i gjatë nga ç’dukej, sepse vinte pak i kërrusur. Punëtor i kazmës të ishte ai, apo bakraxhi? S’e them dot, nuk kam kujtime të qarta. Vetëm e kam parasysh tek vinte me duart që i zbrisnin gjer te gjunjët. Dhe meqë e kam parë shpesh me një shatë a me një bel mbi sup, them se ishte punëtor i kazmës. Po ndoshta ai kishte edhe ndonjë copë ullishtë, me pesë-gjashtë rrënjë, të cilën herë-herë shkonte e e punonte mbas punës së tij të përditshme. E meqë duart i kishte si të bojatisura e ashtu edhe këmbët, ai ecte shpesh zbathur, kur s’mbante një palë opinga copë, them se punonte tek ndonjë bakraxhi. Nusja e Vaskut ishte një grua e imët në shtat e në fytyrë, po dhe jo e kërrusur. Kishte dy sy të menduar, të zinj e që shndrisnin akoma bukur, një buzëqeshje si prej fëmije, në rrumbullakësinë e napës së bardhë që i mbështillte kokën e gushën, dhe hundën si qiri. Fytyra shumë fisnike, ata dy sy dhe ajo buzëqeshje e plakës më kanë mbetur në kujtesë midis bukurive të fëmijërisë sime, dhe zëri i saj melodioz, kur përcillte dhitë e saj në mbrëmje. Se te Vasku kishin tri-katër dhi, në mos pesë a gjashtë. Në lagjen tonë, shumë ishin ata që mbanin nga një dhi, që u siguronte një bulë qumësht. Po te Vasku mba¬nin më shumë, sigurisht sepse shisnin edhe ndonjë okë qumësht dhe bënin një a dy lekë më shumë, që të shtynin varfërinë. Lagjja pajtonte një bari për dhitë, nusja e Vaskut i kulloste dhitë e saj vetë. Nisej me to në mëngjes herët e kthehej në të ngrysur. E s’di përse, kur ktheheshin në mbrëmje dhitë, ne fëmijët, që gëzoheshim se gjithsecilit i kthehej cika e tij, bënim më shumë gëzim për dhitë që ngiste nusja e Vaskut me një degëz të njomë ulliri, «cik-cik, cik, moj bijat e mia, cik!». Gëzimin tonë për ato dhi, që ngiste me zërin e saj të ëmbël plaka, ne të vegjlit e kishim përmbledhur në këto dy-tri vargje, të cilët i shqiptonim a i këndonim, s’ di si ta përcaktoj, me britma kërthinjsh/ po vin’ dhi-it,/ po vin’ dhi-it,/ po vin’ dhit e Vaskut! Nusja e Vaskut nuk na e merrte për të keq, përkundrazi. Ajo njërit i lëmonte kokën, tjetrit faqen, atij i puthte ballin dhe, atë që puthte në ballë, e gëzonte duke i falur degëzën e ullirit. Degëza e ullirit, që më pas kam mësuar se na qenka simbol i paqes, për nusen e Vaskut ishte shenjë e përgjërimit. Tërë përgjërim i ngiste plaka dhitë e saj, tërë përgjërim i gëzonte ajo fëmijët e lagjes. Nusja e Vaskut kishte në shtëpi një tufë kalamaj nga i biri, Joni, katër a pesë roçomola. Aq fëmijë sa dhi, në mos më shumë. Por unë nënën e tyre s’e mbaj mend fare, s’më përmendet ta kem parë ndonjëherë. Me sa duket, ajo nuk dilte nga shtëpia kurrë. Roçomolat i mbaj mend. Ata dukeshin sikur të kishin lindur në mot mot të shoqi-shoqit. Ata, sapo ngriheshin në këmbë, dilnin te kalldrëmi, ku loznin me gurë e me baltë, midis rosave që trazonin ujin e vijave, «uak-uak, uak-uak». Nga rosat nuk vjen asnjë rrezik, kurse nëpër rrugicat e lagjes sonë kalonte herë e tek ndonjë gomar a ndonjë kalë, prej të cilit fëmijët mësonin të ruheshin, në mos ishin kafshët vetë që i ruanin me kujdes fëmijët. Nëpër rrugicat tona kalonte edhe ndonjë lopë e qetë, po buallicë rrallë. Vetëm një shtëpi kishte buallica dhe ajo ishte pak mënjanë lagjes. Një ditë u mor vesh se çuni i nuses së Vaskut ishte sëmurë për vdekje. Nusja e Vaskut po bënte kohë që buzëqeshjen e kishte të helmuar dhe ledhat shumë të kursyera. Edhe degëzën e ullirit ajo harronte ta falte pa ia kujtuar vetë ndonjë fëmijë. Unë kam qenë atëherë njëmbëdhjetë vjeç dhe nuk bëja tanimë pjesë midis vogëlushëve që gëzonin ardhjen e cikave. Po mbaj mend fare mirë se, kur kam mësuar që çuni i nuses së Vaskut ishte keq për vdekje, me sytë të përvëluar dhe zemrën të vrarë e kam pyetur tim atë: — Ç’ka që s’ka shpëtim çuni i nuses së Vaskut?. Babai tundi kokën dëshpërueshëm e tha një fjalë me një tingëllim të çuditshëm e të padëgjuar ndonjëherë, po që s’e harrova, «hidropizi», duke shpjeguar se nga kjo sëmundje barku mbushej me ujë dhe shpëtim më s’kishe. Nga kjo sëmundje s’kishte shpëtuar Kostandin Kristoforidhi, edhe atij, e dija unë, barku i kishte zënë ujë, si do të shpëtonte çuni i nuses së Vaskut? Ky qe arsyetimi im. Dhe vërtet, Joni nuk shpëtoi. Joni vdiq verës, kur ne kishim vajtur për të kaluar pushimet në Shelcan të Shpatit. Atje na erdhi lajmi që mjeroi lagjen tonë në Elbasan për ata njerëz të mirë të Vaskut ,për atë valle me jetimë që la i mjeri, për nusen e Vaskut, që atë djalë kishte dhe si e kishte rritur! Po ç’llahtarë, kur erdhi lajmi tjetër, që çunin e nuses së Vaskut e paskëshin shtënë të gjallë në dhe, duke kujtuar se ai vërtet kishte vdekur! Se mos kishte kujdes e mjek atë kohë për ato raste? Ai ishte munduar aq fort në varr sa, nuk di se si, po një udhëtar që kaloi aty atë ditë, e dëgjoi e dha alarmin. Hapën varrin dhe Jonin e gjetën përmbys, të plasur. Më përmendet një histori e tmerrshme e këtij lloji, që tregonte ime gjyshe nga koha e rinisë së vet. Kishte pas vdekur një nuse në një derë shumë të pasur. Atë e kishin shtënë në dhe me veshjet e saj të nusërisë, ku qenë më të bukurat e më të shtrenjtat, mëndafsh e ar, lart e poshtë. Në qafë i kishin lënë vargun e madh të florinjve. E morën vesh hajdutët dhe që atë mbrëmje, vajtën të grabitnin varrin. Veçse atë ditë ki¬shte vdekur edhe një nuse shumë e varfër. Hajdutët i gënjeu errësira dhe çelën varrin e së varfrës. Duke dashur të zhvishnin nusen e duke kërkuar vargun e florinjve, njëri prej tyre i vuri asaj këmbën mbi gjoks. Nusja rënkoi rëndë dhe hajdutët morën lemerinë e arratinë. Tregojnë se njëri plasi në vend nga frika, kurse nusja u kthye shëndoshë në shtëpi dhe jetoi gjersa u plak. Kur kujtoja këtë histori të tmerrshme në fëmijërinë time, s’di përse mendoja që ajo nuse kishte qenë pikërisht nusja e Vaskut. Ndoshta sepse kisha nisur të kuptoj që jeta për varfërinë ishte më e rëndë se vdekja.
    2
    KASEM TREBESHINA 
    Mendimi
    Bie mendimi në mendjet e njerëzve dhe duket nuk ndalet,
    s’e merr dot era s’e lag shiu që bie rrëmbimthi.
    N’er’ dhe në shi, as në mendjet e njerëzve nuk mbetet mendimi?
    Ne nuk do vemi më pas, kur vdekja vdekje të bëhet?
    Melankoni
    Ne dritare të dy rrimë
    dhe nga hëna po shikojmë
    s’jemi parë dhe të mërguar
    njëri-tjetrin po kërkojmë.
    Jemi fare pran’në jetë
    dor’ për dore gati zënë,
    Diku rrugët na takojnë,
    po kalojnë nëpër hënë!
    Dy botet
    Dy botë
    një mrekulli?
    Një jet’ me vete tirret ditën
    dhe nata ngre një tjetër mbretëri.
    Të jet’ e ditës
    nxitojmë të harruar,
    të ndjekur nga një frikë e paformë
    te jet’ e natës kthejmë
    për t’ëndërruar.
    Pa Titull
    Mes territ ngjitem kodrës fill i vetëm,
    mundimin shtyj më kot dhe me përtim.
    Po lehin rrotull qentë? U lehin yjeve.
    Unë territ çaj e ngjitem me nxitim.
    Pse të nxitohem kur do kthehem prapë?
    Një yll u dogj diku në gjithësi?
    E ftoht’ kjo mbrëmje vjeshte? …
    Unë po mendoj atë që s’di njeri.
    Po kthehem, prush janë yjt’ te qiell i lartë,
    si vatër e madhe Durrësi tej po ndrin.
    Kam ftohtë, te qielli nuk i ngroh dot duart.
    Të ngrohtit e qytetit s’më arrin.
    Pranverë dhe bardhësi
    Mbi degëzat e qershive ka rën’ borë,
    krejt n’borë lulesh dardhat jan’ mbuluar.
    Në bardh’ e veshur era zbardhon mollët
    dhe shtyn një qiell të zymt’të copëzuar.
    Si nëpër ëndërr çaj mas bardhësisë,
    nga drurët qiellit kënga- bor’jehon!…
    Por zemra ime, ç’ka që dhemb sot keqas?!…
    Gjithçka po çel, pranvera po zgjon!
    Ylli i mëngjezit
    Sa nis agimi qiellin zbardhellon,
    ti i venitur shfaqesh i vetmuar
    dhe lajmëron mëngjezin qe shkurton
    shkelqimin tend ne qiellin e ndricuar.
    Lajmëtar i ditës dritën pasqyron,
    nga errësira lind në të mbaruar.
    N’agimn’ e purpurt përmbi bot’ shikon,
    nga drita vdes pas dritës dashuria.
    3
    Ymer MINXHOZI
    KËNAQËSITË E ERRËSIRËS
    (Tregim)
    Unë nuk e di se si e kaloni dhe çfarë ndjeni ju në netët dimërore pa drita, ndërsa unë, për veten time, netët pa drita i pres me optimizëm e pa ndonjë ankesë. Dhe ja pse: Së pari, në netët pa drita më jepet rasti të kthehem edhe njëherë në fëmijërinë time të largët, e cila, megjithëse ndriçohej vetëm nga pisha e kandilit, gjithmonë më krijon një farë nostalgjie. Jam i bindur se, secili prej nesh, do të kishte dëshirë të kthehej për disa çaste në rininë e hershme. Kjo mundësi mua tani më jepet të paktën tre herë në javë. Dhe kjo s’është pak. Së dyti, netët e errëta janë net të qetësisë solemne, kur të gjithë njerëzit mblidhen në shtëpitë e tyre dhe presin me padurim çastin e gëzueshëm të ndezjes së llambave. Ne kemi fatin e madh të jetojmë në një kohë kur edhe zymtësia që shkakton errësira mund të kthehet në gëzim sa hap e mbyll sytë. Sapo ndizen llambat, shpërthen urraja familjare. Në qilim dhe në mbulesën e divanit kanë mbetur vetëm shenjat e spërkatjeve të qiririt që të kujtojnë parullat e posterave të deputetëve të mbetura nëpër mure, pas fushatës elektorale. Unë nuk jam dakord me ata që thonë se netët pa dritë na sjellin në mendjen alarmet ajrore. Së treti, netët në errësirë më japin mundësi të përqendrohem dhe të mendoj më mirë për të ardhmen. Jam i bindur se koha kur njeriu mundë të kontribuojë për atdheun e tij është errësira. Sepse kështu kursehet energjia elektrike, e cila i’u shitet pastaj shteteve të jashtme, nga shitja marrim valutë ndërtojmë kioska e kështu me radhë. Së katërti, edhe në bisedat familjare, netët me qirinj sjellin tema shumë shumë më të larmishme se netët e zakonshme. Ja, gjykoni vetë: Gruaja- Më mirë që s’kemi as drita as vajguri. Pushim. As gatim, as larje rrobash… Kur vijnë dritat të gjithë bëhemi memecë. Ti (më drejtohet mua) fut kokën në gazetë e s’flet asnjë fjalë. Të tjerët i qepen televizorit e shohin reklama. Më mirë pa drita të gjithë, të barabartë si në demokraci. Nipi katërvjeçar:- Gjyshi, çfarë është demokracia? Gjyshi- Nuk e di. Nipi- Pse nuk e di? Pse s’ke pyetur kur ke qenë i vogël?
    Gjyshi- Kam pyetur, si jo. Po s’ kishte demokraci atëherë. Për demokraci pyet televizorin. Nipi- Po televizori është fikur. Gjyshi, pse s’ka drita? Gjyshi- Nuk e di . Atë e di qeveria.
    Nipi- Kush është qeveria? Gjyshi- Qeveria është një burrë me mustaqe dhe që i kanë rënë qimet e kokës duke menduar për neve.
    Nipi matet të bëjë edhe pyetje të tjera, por dialogun e ndërpret Neta, vajza e madhe që sapo është kthyer nga dasma e shoqes së saj. Ajo ndërhyn e thotë: -Sa bukur që në dasmën e Lolës! Veç ta shihnit. Nuk e merrni dot me mend sa romantike Gjithandej qirinj, si në kishë. Avujt e qirinjve formonin një mjegull të lehtë mbi kokën e nuses dhe të dukej se po sheh një skenë teatrale nga ato me tym. Fustani bardhë i Lolës dhe teminat në ballë dhe faqe vezullonin zbehtë si xixëllonjat në mjegull. Vdiqëm gazit. Një plakë që kishte ardhur për vizitë, i tha Lolës: Mos u dëshpëro moj bijë se dasma po bëhet në errësirë, se kjo është ogur i mbarë për çiftin e ri. Tek ne thuhet se ëndrra e frikshme del e hajrit. Sakaq, plakës i sollën tabakanë me ëmbëlsirë dhe liker. Për shkak të errësirës, në gotën e likerit kishin hedhur laneo. Plakës i’u zu fryma me një herë dhe filloi të nxjerrë tullumbace nga goja. Ne na plasi gazi, po të zotët e dasmës patën frikë se mos ndodhë ndonjë tragjedi dhe të gjithë u vërsulën në ndihmë të mysafires. Mirëpo plaka e mori shumë shpejt veten dhe çdo gjë mbaroi mirë. – Me të vërtetë në këto net pa drita ndodhin shumë gjëra zbavitëse- u hodh dhe tha komshiu që sapo kishte ardhur për të marrë një qiri hua. Ai tregoi se në një natë pa drita në maternitet kishin ndërruar dy fëmijë, me njeri tjetrin. Nënat e kishin kuptuar ngatërresën vetëm të nesërmen në mëngjes. Fëmija me ngjyrë të errët i shkon nënës së bardhë dhe e anasjella. Mirëpo edhe në këtë rast, çdo gjë qe zgjidhur me një konsensus shpejt e shpejt. Ç’ është e vërteta ajo me ngjyrë të errët nuk deshi të dorëzonte fëmijën me ngjyrë të bardhë, mirëpo pastaj e kuptoi se një fëmijë e racës tjetër do të vinte në dyshim besnikërinë bashkëshortore, gjë që, në sojin e tyre, konsiderohej si tradhtia më e lartë. Komshiu që tregoi këtë ndodhi të vogël, pas disa minutave u bë vetë shkaktar i një incidenti edhe tragjik edhe komik. Sapo doli në krye të shkallëve ai shkeli mbi një qen që kishte ardhur e ish shtrirë në prag të derës sime, se , siç duket, kishte të ftohtë. Qeni, për vetëmbrojtje, e kafshoi komshiun në kofshë. Për fat të mirë ky incident tashmë duket se është mbyllur tashmë me një seri injeksionesh kundër tërbimit. Ndërsa autori i krimit është zhdukur në drejtim të paditur. Ja pra, sa edhe netët pa drita kanë larminë e romantikën e tyre dhe nuk janë aq të mërzitshme, siç duan të thonë disa. Kur them të gjitha këto, unë kam parasysh që edhe vetë njeriu, në errësirë gatuhet!
    4
    NIKOLLA SPATHARI ME LIRIKAT ‘TI ISHE E LUMTUR’
    Ku kryqëzoheshin rrezet
    Dhe rrëzohej një katarakt,
    U ulëm së bashku
    Te një hije.
    Nuk di si ndodhi, por ne po putheshim,
    Ti lëshoje ca klithma lumturie…
    Fytyra të kishte marrë 
    Ngjyrën e trëndafilave,
    Sytë e bukur 
    Diellin nën qerpikë mbanin
    Ti ishe e lumtur, por për lumturinë
    S’e besova kurrë, as Uollt Uitmanin .
    MARRËZI NATE
    Në kontinentet e netëve
    Mërgon gjumi
    Dhe vjen një orë e vonë që thur marrëzi,
    Kështu mendova dhe unë 
    Për sytë e së dashurës time:
    Përse të mos bëjnë histori?
    E ç’kishin më shumë 
    Sytë e Helenës,
    Që çmenden patricë
    Dhe akej me mburoja?
    Vendosa të shkruhet sërishmi Iliada
    Dhe të digjet për së dyti Troja?!
    PUTHJET 
    Puthjet na qenkan
    Të ndryshme si njerëzit.
    Kam puthur një brune, 
    Një bionde,
    Një cigane.
    Një turkeshë pranë detit Marmara,
    Një italiankë dhe një gjermane.
    Kam puthur një adoloshente,
    Një studente
    E një grua,
    Por s’di pse kam mall 
    Vetëm për një puthje,
    Për atë që lashë mbi buzët e tua.
    POR TI JE LARG
    Të kërkoj këtu pranë
    Çdo mëngjes kur zgjohem nga gjumi,
    Por ti je larg,
    Pas katarakteve ku rrëzohet lumi.
    Maleve, fushave
    Retë se nga e sjellin shiun 
    Në krahë erërash të veriut,
    Portreti yt më përthyhet mes pikave
    Dhe zhduket diku përtej shiut.
    Në muzg, mes reve,
    Një cope qiell i kaltër 
    Hapet mbi horizontin e pyjeve,
    Me vizionin e syve të tu
    Në vend të yjeve…
    VENDIM I MARRË NË SHI
    Dola nga parku
    Dhe i lashë shirat të bien 
    Mbi zhveshjen e drurëve,
    Mjegullat vërtiteshin e brohorisnin në Dajt,
    Me çadrën e anuar paksa mbi supin e djathtë,
    Mes njerëzve,të dalloja nga larg…
    Nën një re 
    Të mbetur në një degë pishe,
    Vendosëm ta lesh auditorin
    Dhe ikëm nëpër shi,
    Ja vlente një leksion më pak
    Për një ditë të tërë dashuri…
    DOLI NJË YLL
    I ikëm hënës
    E u fshehëm mirë
    Nën një kryqëzim degësh,
    Por doli një yll
    Dhe na kapi të përqafuar,
    E largët 
    Sa të gjitha mitologjitë
    Ajo natë me atë hënën e pa perënduar.
    KUJDES VAJZAT
    Të bukura vajzat,
    Si trëndafilat 
    Me nga një flutur mbi petale,
    Të ëmbla, 
    Të brishta, 
    Tringëlluese si kristale.
    Ka kohë
    Që s’i këndoj më bukurisë së tyre,
    Sepse vitet
    Çmendurisht shtyhen,
    Kjo s’do të thotë të mos merakosem për to
    Se mos bien gjëkundi dhe thyhen…
    MESAZHI I MBRËMJES
    Ti mund të flesh
    Para se të iki hëna,
    Apo para se të dalë ylli i mëngjesit,
    Por mos harro, të jem unë
    Mendimi i parë 
    Në momentin e zgjimit!
    Natën e mirë,
    Nimfa ime në ujëvarën e kujtimit!
    PAS IKJES 
    Në platenë e errësirës
    Zambakët janë tharë,
    Ca gjysma folesh
    Trishtojnë me erën në strehë të çatisë,
    Pelikanët dalin nga një mjegull folklorike
    Dhe qëndrojnë në cepat e vetmisë.
    Mendimet i nisi nëpër erë 
    T’i bien pas ikjes tende,
    Dhe rri,me pikëllimin,
    Në dërrasat e ngrëna 
    Të një stoli të vetmuar,
    Nuk e dua më as yllin e mëngjesit,
    Që del si një budalla i hutuar.
    HUMBJE 
    Ato që kam humbur janë shumë:
    Humba vitet
    Pa shpresë kthimi,
    Humba edhe ca poezi të shkruara 
    Në një lirikë gjelbërimi.
    Mbi të gjitha humba një syqeshur…
    S’di se si ika 
    Nga ajo lumturi pranvere,
    Ku dielli vinte deri te ledhatimet tona 
    Nëpër degët e një ferre.
    5
    ‘KUR SHOH ME SYTË E GRUAS…’ nga Duro Mustafai
    Më jepni sytë e gruas në këmbim të syve të mi
    Dhe do shihni se tek unë çdo gjë ka ndryshuar,
    Unë, i ashpri, brutali, bëhem tjetër njeri,
    Me bukurinë e shpirtit njerëzor, më shumë i dashuruar.
    Kur shoh me sytë e gruas, nuk bëhem dot grua
    Por botën e shoh më mirë se sa një burrë
    Se sytë e saj shikojnë përtej asaj që dua,
    Të bardhën në të zezë, nuk e bëjnë kurrë..
    I shenjtë është njeriu me emrin e bukur: Grua
    Mbi të nuk ka të tjerë, as mbretër e shenjtorë
    Nga ajo ka lindur jeta, e jeta me të u zbukurua
    Prandaj në gjunjë i ulen mbretër e perandorë.
    Kur shoh me sytë e gruas, mbi kokë më rri dielli,
    Dhe skutat e errëta të jetës ndritin, zbardhëllojnë, 
    Të mirat nuk i kërkoj dot te “hyjnitë që zbresin nga qielli” 
    Por te mëndë e duart e mia, që duhet të punojnë.
    Kur shoh me sytë e gruas, shpesh bëhem edhe grua,
    Se ndjeshmëri e saj gjithë trupim më pushton, 
    Më të afërt, më të dashur bëhen fëmijët për mua,
    Dhe rri me ta, si me engjëjt në Panteon
    Ju lutem jepini sytë e një gruaje, burrit me sedër,
    Që të mos i duket vetja si mali me borë në maj, 
    Po të mos ndodh me të, edhe ai fenomeni tjetër…
    Që ti thotë gruas : “të dua”, vetëm te krevati i saj…
    Më jepni sytë e një gruaje, ju lutem shumë,
    Që të shoh ato gjëra që i duhen njeriut të lirë,
    Se për ju do ta derdhja dashurinë si lum,
    Se për të gjithë do bëhesha njeri më i mirë.
    Shkruar më 8 mars, ditën e gruas
    6

    ‘REBELIM DASHURIE’ nga Valter Dauti
    Ti, ke pushtuar territore,
    Në kohë paqesh, në armëpushim,
    Dhe sigurisht, s’je amatore,
    -E di se ç’është një dyluftim!
    Dhe…sigurisht,je e kujdesshme,
    Kur bri i luftës fryn alarm.
    ti kthehesh veç në buzëqeshje,
    shkëlqen e gjitha, mbushur sharm…
    Ti, zonjëron plot territore,
    Me ekspansion dinak fituar.
    Veç, mos harro, një kryengritje,
    Të bën… fitore të dështuar…
    ATDHEU IM !
    Atdheu im, me supet grisur,
    Atdhe bohem dhe eremit.
    Se ç’paskërke ca bij të krisur,
    Që s’pyesin kohë, që s’njohin mit.
    Atdheu im i handakosur,
    Ti morën zhelet, i bënë stoli,
    Ti rend ndër kohë,tej…i leckosur,
    Dhe s’di ku je. Kush je s’e di.
    Atdheu im, i vrarë, i prerë…
    Veç në rënkime të kam dëgjuar,
    U bëra burrë dhe asnjëherë,
    Me ty s’kam qenë i mrekulluar…
    Kam qenë ushtari jot në vdekje,
    Betim kam bërë që të të mbroj,
    Po ti… se ç’ke ca djem prej njerkë,
    Si deputetë… si kauboj…
    …që zhvatin ç’mbeti prej lëveresh,
    Që shqyejnë veten, çirren, hahen…
    Tek ti, vazhdon, veç thahesh,tretesh,
    Dhe tallet bota e fqinjët…tallen…
    Atdheu im…më bën të vuaj
    Çudi, dhe… s’di,…ndihem jetim…
    Në tokën time jam i huaj,
    Jam skllav i shkretë në dheun tim.
    S’di për këtë kush e ka fajin-
    -Ata që ranë në luftë të rreptë?
    -Ata që dekoratat mbajnë?
    -Ata që zërin bëjnë të heshtë?
    -Ata që t’u lëpinë të ndrojtur?
    me sytë dinakë për të të zhveshur?
    -Që fjalën dhanë për të të mbrojtur,
    edhe pasi të kishin vdekur?
    …atdheu im me supet shqyer…
    Si varfanjak në skaj udhëkryqesh,
    Ti paske lindur për t’u gënjyer,
    Me këngë korbash e iso qyqesh.
    …se ç’ ke ca bij që s’janë të tutë,
    Që s’dinë ç’ke hequr në histori,
    Unë-si gjithmonë-ushtar për luftë,
    Mjafton që TI- të mbetesh TI !
    7
    Vullnet Mato
    NJË SHAKA E LLAHTARSHME
    (Tregim)
    Tri dhomat e apartamentit të përbashkët, kishin diktuar edhe afrimin miqësor të tre beqarëve të staxhionuar. Stefani, Joti dhe Bardhi banonin prej mëse dy vjetësh me qira në katin e tretë të kësaj ngrehine të re, ku jetët e tyre pa gra, gërshetoheshin si tri familje paralele. Ndonëse me profesione të ndryshme, moshat e përafërta i kishin bashkuar ata aq ngushtë shpirtërisht, sa mund të ndjeheshin jo vetëm shokë, por edhe pjesëtarë të një familje, me të gjitha orenditë e siguruara bashkërisht. Shpesh ushqeheshin nëpër restorante, por ndodhte që përgatisnin edhe ndonjë tryezë të përbashkët në njërën nga dhomat e tyre. Ndodhi që Stefani për ditëlindjen e tij, vendosi të shtrojë një tryezë tejet të bollshme me ushqime dhe variacione pijesh cilësore. Ai kishte mbushur atë ditë plot tridhjetepesë vjeç dhe as vetë nuk po e kuptonte pse duhej festuar me aq bujari e gaz, dita që shënonte plakjen e shkallëzuar të njeriut. Por gjithsesi zakoni i lashtë duhej respektuar. Aq më tepër, në raportet e krijuara më parë, kur edhe dy shokët e tjerë i kishin kremtuar këto ceremoni bashkërisht. Për të përgatitur festën e shokut, ata punuan së bashku gjithë pasditen e mërkurë. Vet Stefani lau pjatat, gotat, zbukuroi tortën me qirinj dhe bëri gati gjithçka tjetër që kishte të bënte me estetikën e tryezës. Bardhi me Jotin përgatitën sallatat e ndryshme, poqën bërxollat dhe ngrohën picat e sallamet. -Për nderin tënd, të humbur me shumë femra, gjatë një çerek shekulli jetë beqari, unë sonte do të bëhem tapë shisheje! -iu drejtua Joti, duke shpërthyer në dhomë një gaz bubullues.
    Stefani qeshi dhe ia ktheu në çast: -Sidoqoftë, ty s’ta kam kaluar, po të kemi parasysh, se nderin tënd e ke humbur me një plakushe që vazhdon të të telefonojë pareshtur… -Aaaa, ta hodhi dhe ka të drejtë, – reagoi Bardhi nga cepi tjetër. -Stefani e ka dorëzuar beqarinë vetëm te ndonjë zoçkë që fluturon në qiellin e rinisë, jo te ndonjë klloçkë që kakaris në celular… -Unë kam një parim human, – u rrek të mbrohet Joti. –Preferoj rrugët e shtruara. Sepse shtigjet e pashkelura paraqesin kurdoherë rreziqe të paparashikuara. E dini çka thënë poeti i madh Uitman? “Të bukura janë vajzat, të bukura gratë, po plakat janë më të bukura…” Kot nuk e ka thënë. Ai duhet t’ua ketë provuar lezetin plakave. Në fund të fundit, bukurinë e ka shpirti, jo faqja. Me budallaçkat e reja mund të bisedosh vetëm budallallëqe. Të moshuarat janë galeri ndjenjash dhe përvojash pafund. -Duke të dëgjuar ty, m’u kujtua befas barcaleta e asaj plakës që i tha djaloshit: “Rrofsh more bir, që i vure shtëpisë së vjetër një tra të ri!” -tha Stefani duke fshirë duart me një pecetë te lavapjati dhe qeshi vetë i pari. – Ah, kur s’më bëri zoti një rrospi, nga ato që e shtyjnë jetën me kërthizë përjashta, pa ta shihnit ju, sa namusqar është ky njeri, do vinte të lëpihej pas meje apo s’vinte… – ia ktheu Joti. Qeshën të tre dhe njëri pas tjetrit zunë vendet në tryezë. I pari Bardhi ngriti gotën e verës dhe uroi: -U bëfsh njëqind vjeç dhe përvjetorin tjetër me një nuse, siç je vetë! -U bëfsh njëqindepesëdhjetë vjeç e më pas vdeksh nga gripi i derrave! -bëri humor Joti dhe gotën plot e ktheu me fund qysh në fillim. Gazi i përfshiu të tërë njëherësh. Stefanit i kaloi vera në hundë dhe u detyrua të shkojë te lavamani. Kështu, me gaz e batuta shakaje të lezetshme kaluan dy orët e para, gjatë të cilave Joti lakmoi te pijet, aq sa i përzjeu ato për dreq. Shokët e vunë re, që ai e teproi mjaft, por menduan se ishte mbrëmje e shënuar dhe nuk duhej penguar. Aq më tepër në kushtet kur ndodheshin në shtëpi dhe gjithsesi më pas ai do të binte të flinte. Por krejt ndryshe nga ç’medonin dy të tjerët, Jotit i ra pija në tru dhe filloi të bëjë marrëzira të padurueshme të atilla, sa ua prishi krejt mbrëmjen. Ai kthente pjatat përmbys, i përziente si llaç dhe gajasej kur i përplaste duke i copëtuar në dysheme. Kapte shishet dhe merrte në shenjë çdo objekt të dhomës, derisa e shkërmoqi me një shpërthim prej bombe ekranin e televizorit. Tashmë u duk sheshit, se pija kishte shkatërruar tërësisht të gjithë strukturën e tij mendore. Në rrethanat të tilla, kur ai u bë i padurueshëm, Stefani me Bardhin e kapën për krahësh, e shtrinë në krevat me forcë dhe e mbuluan me çarçaf. Por ai kërceu përpjetë si sustë dhe zuri t’i shante, duke përdorur një fjalor të ndyrë, të cilin nuk ia kishin dëgjuar ndonjëherë: -Ua lëroftë nënat Kina dhe baballarët ua dërgofshin ushtarë në Iran! – jehonte me gjëmim, u binte me shkelma dhe shkumëzonte gjithë inat. – O mutër, o bajga gomerësh, o shkërdhata, o by..q… që u është tharë k… e u ka mbetur vetëm vrima prapa. Kujtoni ju, se unë kam palluar vetëm plaka… Po s’e dini ju, se unë kam një alamet palloshi, që i ka marrë me radhë nga plakat deri tek ca të njoma që ju s’i shihni dot as në ëndrra… Kupa u mbush plot, kur ai rrëmbeu tortën nga tryeza dhe ia ngjeshi Stefanit në fytyrë, duke i thirrur fort: – Hë de, shuaji qirinjtë tani, o karuc, se na çave trapin dhe pirdhu në dhomën tënde! Dihej që ai kishte pije të keqe, po sharje kaq banale e marrëzi si kësaj here, s’pati bërë kurrë. Sepse me këto sharjet të hedhura në mënyrë parabolike, doli jashtë të gjithë kufijve të pranueshëm. Kishte shkuar vonë dhe nga frika, se mos britmat e tij shqetësonin tërë pallatin, shokët e shtrinë edhe një herë me forcë në shtrat. Ata provuan një shaka paksa të rrallë, duke ia mbyllur gojën me një shirit të gjerë natribandi. Mandej, duke mos e mbajtur dot më gjatë në zotërim, ia fashuan edhe duart me natriband pas tubit të shtratit metalik. Pas kësaj mbeteshin problem vetëm këmbët, që i përplaste me forcë, sikur të ishte duke vozitur me not shpine. Natribandi i fashuar trashë e fashoi edhe mënyrën e fundit të tërbimit të tij. Pas një lidhjeje edhe me çarçaf për mesi, ai u bë krejt zap. Dhe sado të mundohej të shkëputej nga fashimi i tmerrshëm i natribandit, nuk mund të bënte dot asgjë tjetër, veçse të binte në gjumë të thellë deri sa të qetësohej. Stefani dhe Bardhi hodhën nga një sy të menduar mbi të. Dhe pasi u siguruan, se gjithçka ishte në siguri të plotë, biseduan se s’kishin ç’bënin më tej në atë mjedis të shkatërruar, pa asgjë të përdorshme për të vijuar festën. – Eja dalim. Shkojmë me benzin tim të vazhdojmë darkën në ndonjë lokal këtu s’kemi ç’të hamë se u bënë të gjitha për në kazanin e plehrave! – tha Stefani me sy të ndriçuar. Bardhi ishte në një mendje me të. Dhe pasi mbyllën mirë derën e blinduar të hyrjes me të dy çelësat, dolën në rrugë. Ata nxorën makinën nga parkimi dhe u nisën krejt të shkujdesur, duke menduar, se tani Joti, nuk kishte asnjë mundësi të zgjidhej, të hidhej nga dritaret, apo të thërriste për ndihmë komshinjtë. Gjumi ishte e vetmja alternativë për të dhe patjetër do ta qetësonte tërësisht. Nata e nxehtë e korrikut kishte filluar të freskohej dhe dritat vezullonin në të gjithë gjatësinë e bulevardit kryesor. -A vemi te lokali me pisha matanë urës së Farkës? –pyeti Stefani befas. -Shkojmë !- u tregua i gatshëm Bardhi, duke e shprehur kënaqësinë e vet edhe në fytyrë, për atë vend, ku të qetë mund të vazhdonin të festonin më tej ditëlindjen e shokut. Dhe paskëtaj benzi zuri të shushurijë me shpejtësi nëpër asfaltin me qarkullim të rralluar të orës dhjetë të natës. Kilometrat e rrugës po merreshin njëri pas tjetrit me një nxitim të pazakonshëm, të diktuar edhe nga tronditja që u kishte shkaktuar sjellja shijekeqe e Jotit të çmendur pa lezet atë natë gëzimi. Mes fluturimit të vetëtimshëm të objekteve në të dy anët e rrugës, dukej sikur ata vraponin për të arritur sa më parë në fundin e botës. Duheshin edhe pesë minuta për tu ngjitur te lokali piktoresk që vezullonte mes dritave dhe pishave të dendura. Por pikërisht në këtë kohë ndodhi gjëja më e pabesueshme. Krejt papritmas, duart e verbërisë së fatit ishin zgjatur drejt tyre, sikur ata t’i kishte mallkuar vet zoti. Në hyrje të Urës së Farkës, gjatë ndërrimit me një kamion të madh, që mbante dritat ndezur, vetura e Stefanit fluturoi befas jashtë cepit të urës. Dhe sa hap e mbyll sytë, përroi i thellë i përpiu me një frymë të dy shokët, duke i plandosur në kthetrat e vdekjes. Natë e zezë, përrua i heshtur dhe vdekje pa asnjë dëshmitar. Ky ishte fundi i tmerrshëm i asaj ditëlindjeje të pafestuar plotësisht, për faj të mendjeshkrepjes pa fre të shokut të tretë. Të nesërmen paradite, dikush nga udhëtarët kishte diktuar shenjat e rrëshqitjes dhe kishte parë hekurishte e makinës së shkërmoqur në fund të përroit. Ai kishte lajmëruar policinë dhe kufomat e copëtuara të dy personave të panjohur përfunduan në morgun e spitalit të kryeqytetit. Duhej të kalonin edhe tri ditë të tjera, derisa të zbulohej identiteti i personave që mungonin në qendrat e tyre të punës dhe të njiheshin kufomat prej familjarëve të thirrur nga rrethet. Në krye të gjashtë ditëve, policia hetimore mori në dorëzim çelësat e gjetur në xhepat e viktimave dhe bashkë me familjarët e tyre kontrolluan apartamentin e banimit. Dhe kjo u bë me synimin për të zbuluar diçka nga shkaqet, që i çuan ata në atë vdekje aksidentale të llahtarshme, duke u ndarë nga bota bashkë me ëndrrat e tyre për të krijuar familje. Sakaq, Joti, i bërë njësh me krevatin, ishte katandisur, si ai derri i mbyllur në tharkun e vet, i mbështjellë me kutërbimin e urinës së një jave dhe me të fekalet e gjakosura. Ngaqë ishte munduar më kot të duronte për të mos qelbur shtëpinë. Dhe sërish qëlloi me fat, që marrëzia vdekjendjellëse e pijes së tij dhe shakaja e llahtarshme e shokëve fatkeq, u zbulua para se të vdiste edhe ai, në një tmerr tjetër, të një natyre të fëlliqur…
    8

    Harmonia na ka braktisur, lirika nga Ilmi Qazimi 
    B
    Burgu,
    Bre sa i mirë: as punë, as prona, as pará
    Branë heq ditët gjoksçjerra
    Buzëvrarë qafon ëndërrat për liri…
    *
    H
    Harmonia na ka braktisur
    Hipur mbi kalin e hipokrizisë
    Hepuar sa në të djathtë e në të majtë
    Hamendjeve tona vulëhumbur
    Harrojeni harresën e harruar!
    *
    P
    Poeti portretizon veten dhe vitet
    Pjesë e marrëzive dashurore dhe vdekjesore
    Për të ngjizur ringjalljen,
    Pará s’ka ndaj vuan si gjithkushi.
    Peshqit ndërkohë notojnë lirshëm pa kostum banje.
    *
    Q
    Qentë e qilimave
    Qeshin pranë kockave te gardhi
    Qajnë nën zinxhirin e anktheve të qelbëta
    Q….n pa pezëm zgëqeve a në bulevard
    Qielli i mërzitur evropian u bën roje.
    *
    S
    Sorrat surrat cmirnake
    Sqepojnë krimba bri pellgjeve të qeta
    Sqollave të haleve të hapura plapuriten
    Sipër sofatit qiellor
    Skifteri amerikan sikletohet me hundëqeshje.
    *
    U
    “Unë jam kryeministër i bukur
    Unë këtë e kam zbuluar vetë”,
    Urtësia mbetet shpatë e ndryshkur për mua
    Ujërave të thashethemnajës,
    Ushtar që i servilosem spiunit.
    8
    Ruzhdi Gurra
    Këngë malli
    Shumë e kam qejf, shiun e beharit
    kur ai puth tokën, vlagë butë-butë.
    Piklat e tij faqeve, si këngë e beqarit
    thurur në mesnatë për një vajzë të urtë.
    Nga brenda dritares, dëgjoj atë jashtë
    si muzikë korale, Zotin dirigjent.
    Një ndjenjë shigjetë që ngjiz zemrat bashkë
    magnet i fuqishëm për të shtrenjtin vend.
    Mokrarja..
    Çupkë e bukur moj mokrare
    bilbileshë, bletëz nd’ hoje
    Kur më shkoje nd’ ugare
    lule më lule fluturoje.
    Qysh me natë ti moj symadhe
    ndizje zjarrët tymi fjollë.
    Kujtova se m’ishe sorkadhe
    që kish fjetur nd’ oborr.
    Çupkë e vogël moj mokrare
    sa bukur të ndrin myhyri.
    Ai bandill të rrëmbeu për fare
    ty në zemër shumë të hyri.
    Kur ju pashë ju në valle
    lotin fshiva unë nga sytë.
    Me ato motive rrajcare
    dhe në qiell vallzonin yjtë.
    Çupkë e bukur moj mokrare
    shtoja vetes bukurinë 
    Je ashtu tepër krenare,
    një baladë në këtë krahinë.
    Elegji për nënën
    Ajo kishte kohë që vdiste
    pa u ndjerë, ashtu dalëngadalë.
    Si s’na the gjë moj nusja ime
    hapi ata sy e na fol një fjalë.
    Për pak ditë ti more shtratin,
    njëherë goja ‘of ‘ nuk të tha.
    Fol njëherë na e bëj qefin.
    -më qafsh mua, e dashur mama!
    Ne nuk duam, që ti të ikësh
    larë me lotët tanë si lumë.
    Lërë shtratin moj e bukura dheut
    nënë moj xhan, se të duam shumë.
    Ti je burrneshë, e nuk dorëzohesh 
    ç’u ngjaje shumë zanave të malit.
    Nëpër burgje dhe internime
    na sillje bukë me trastën e mallit.
    Kur vinte shkurti i datës dhjetë
    rrinim përqark teje nga malli të djegur.
    Ditëlindja juaj e tetëdhjetë
    qe kulaç i grunjtë në hi i pjekur.
    Nëna jonë, sot ti nusëron
    në stoli të bardha ti rri e shtrirë.
    Plot dasmorë është mbushur oborri
    për të thënë ty, me lot lamtumirë!
    PENDIM
    Kërkoj të vish prapë, tani që ke ikur
    Këtë zemrën time asgjë s’e përmbush
    Bëj të ndez qiririn e zemrës së fikur
    Që të shkruaj një strofë se po digjem prush.
    Nuk mundem të them sa të dashuroja
    një siklet i brendshëm keq më turbullonte
    Si të isha bletë, nektar grumbulloja
    fare pa menduar, thumbin që të shponte.
    Tani këtë dhimbje, e heq dora juaj
    Atë thumbin daltë të zemrës fajtore
    Mos e lër te varfin që kështu të vuaj.
    Hajde dalin bashkë, shtrënguar për dore.
    9
    TI MBETE NJË KËNGË E PAKËNDUAR NGA UKSHIN MORINA
    Ti mbete një këngë e pakënduar, 
    Në krahët e një shpendi të vrarë.
    Ç’ta bën me dhembje zemrën më thuaj,
    Atje së largu në të qarë?
    Imazhi i çdo dite me je ti,
    Tek rri natën me ëndrrat e tua.
    Një piano e vjetër në sallon me fton,
    Një simfoni me të ta luaj.
    Se di se me ç’nota ta filloj më parë, 
    Në më bindet ajo si dikur për ty?
    Dhe ja zëri i saj si në vaj,
    Shpirtin ma mbushë me shkreti.
    O muzë e trishtë e dhembjes sime, 
    Qe trishtimin e ke përzemër!
    Ah dhe vesa mbi gjeth loton, 
    Bashkë më të dhe hënë e vjeshtës!
    Mos vallë unë të jem i mallkuar, 
    Që prej lotëve të tua në vazhdim?
    Dhe prej udhës sime t’shkretë,
    Ike larg për jetë harruar!
    Sa e ftohtë kjo nata pa drit’hënë, 
    Që terrin ma sjell pa pushim.
    Në zjarr vetën po e ndez, 
    Dritë për ty shpirti im. (!)
    DASHURIA IME E PALIGJSHME 
    Fort i dua buzët e tua me aromë trëndafili 
    t’i puth në natën 
    e mbushur me drit’hënë, 
    duart e tua t’më prekin dua si muzgjet 
    kodrat e zhveshura larg.
    Që brenda teje të futem 
    në lirinë tënde të shpirtit, 
    thellë në zemrën tënde të fshihem dua, 
    si dritë e yllit në këtë natë të pazëshme 
    të ndizem si pishtarë për shpirtin e bardhë.
    Dhembjes sime do i jap krahë 
    të ma shpie zemrën atje tek je ti 
    e përfshirë në vetminë tënde 
    dhe mbanë qenien time të gjallë.
    Oh ti moj e shtrenjta ime e paligjshme,
    i huaj s’jam, shiko, ti ke ngjyrën e syve 
    të mi dhe trupi ka formën time, 
    Unë jam buzëqeshja jote përmbi natë,
    që s’të le të flesh, 
    mister ëndërrimesh e kënaqësish jam!
    Ti je këtu nëpër çdo stinë të vitit 
    çel si pranvera në natën e ngrohtë 
    dhe gjethet e tua mbajnë 
    dëborën e ftohtë të dimrit.
    Ti shkëlqen si një premtim 
    dhe vesh errësirën me dritë, 
    këtu tek mbushem me frymë dhe marr 
    dhembjen tënde si shërim për shpirtin e vrarë.
    Shiko duart e mia rrëshqasin mbi lëkurën tënde 
    të butë dhe ti shtrihesh 
    mbi krahët e mia si flladi diellor i mbrëmjes.
    Gishtat e mi prekin gjokset e tua, 
    si një harlisje e shpenguar,
    ndërsa më shpresë lundroj në këtë gji të mbushur 
    me këngën e ëmbël të zogjve!
    A s’është kjo një botë magjike, 
    të jetosh me atë që do dhe të bën 
    të dridhesh përtej çdo përvoje të re 
    e cila përsëritet prap e prap?!
    Kjo është një jetë e fshehur 
    si një plagë që lëngon në fluturimin 
    e një shpendi me krah të vrarë në shtërngatë.
    E gatshme është kjo zemra ime për ty, 
    që në çdo udhë rri e pres 
    gjithë qiellin mbi mua të shembet 
    me një buzëqeshje të vetme.
    10
    Musa I. Ahmetaj
    Mushka dhe Pelushka
    (Fabula)
    (D.M, e K.P)
    Nuk lindën për një ditë
    Por ju thonë binjakë
    Fat i keq për të dy
    Ne logjikë janë varfanjakë
    Njëri është i pagëzuar
    Me nofkën mushkë
    Kurse tjetrës i thonë
    Plaka e thinjur pelushkë
    Mushka dhe pelushka
    Si langoj janë kaherë
    Nuk ndalen se lehuri
    As dimër e as verë
    Njëri vërtet lazdran
    Tjetra më lazdravicë
    Janë bërë sikur rriçrat
    Kur rrinë në prapanicë
    GEZUAR O POPULL!
    Përvjetori i pavarësisë
    U shënua pa ndonjë bujë
    Disa nuk patën rrymë
    E të tjerët, pa bukë e ujë.
    Të shtrirët në spital
    Kërkonin vetëm ilaçe
    Kasta politike kamerierit:
    Edhe një raki se na kënaqe!
    Të privilegjuarit kërkonin
    “Sallata” vetëm me mish
    Ata në krye të vendit kërkonin
    Pijet dhe ushqimin dyfish.
    I nderuari populli im
    Mos rrini fare ne siklet
    Shkoni në shtëpitë tuaja
    Shtini nga një dru në shporet!
    17.02.2015
    Garë profesionesh
    Avokati dhe këngëtari
    Kaherë kanë hyrë në garë
    Shtyhen në mes vete
    Cili është në vend të parë.
    Unë ua ndez atmosferën
    Me kënge i fus të gjithë në valle
    E bashkoj madje çiftin e ri
    Tërë natën e kalojnë pa halle.
    I nderuari zotëri këngëtar
    Nuk ka vend për lëvdata
    Të nesërmen vrapojnë pas meje
    Tu bëj divorcin nëpër gjykata.
    Njëri të rinjtë i bashkon
    Tjetri pas dy javë i ndanë
    Karakteristike e tyre është
    dashurinë vetëm në lekë e kanë!
    13.02.15
    11
    Josif Gegprifti me ciklin poetik ‘Kujtimet…’
    Kujtimet…
    Mbështetur
    Në parvazin e dritares,
    Kujtime të shumta të një kohe të largët
    Ngacmojnë pa mbarim.
    Nata si një shpirt i zbrazur,
    E plakur,
    Tërhiqet zvarrë nëpër qytet.
    Buzë lumit
    Lëkundet një shelg.
    Lëndina e blertë…. 
    Më çojnë larg mendimet,
    Mes një pylli në një lendinë.
    Atje ku unë e mikja ime,
    dashuroheshim me dashurinë!
    U drodhën gjethet e pemëve,
    U dëgjua një oshëtimë,
    U mblodhën gjithë zogjtë e pyllit,
    Lulëzuan lulet në lëndinë.
    E vogël lëndina, e blertë,
    Rrethuar me pemë të larta,
    E madhe dashuria, e sinqertë,
    Të magjishme puthjet e zjarrta!.
    Psherëtima e shpirtit 
    Psherëtima e Shpirtit, përtej detit u shtri,
    kapërceu valë të gjata pa fund,
    sytë m’i vrau një e forte vetëtime,
    trupin ma lagu një shi me furtunë.
    I kërrusur ecja në bregun e detit,
    në rërën e lagur mbetën ca gjurmë,
    shkëmbinjtë e detit vështrimin ma rrëmbyen,
    nga malli, Shpirti psherëtiu më shumë.
    Tinguj kitare dhe vargje dashurie 
    Eh sa çudi…!
    Kujtoj se dikur,
    Ajo shkruante vargje
    Për kitaristin me sytë e zi,
    Por nuk e kishte menduar
    Dhe as i kishte shkuar mendja,
    Se do vinte një ditë
    Qe kitaristi,
    Tingujt e kitarës
    Do i kthente në vargje dashurie.
    Oh sa shumë vargje u shkruan për atë,
    Për sytë e saj larush
    Dhe për të ëmblin zë.
    Edhe pse ftohtë
    Mimoza kishte çelur.
    Kitara për dashurinë kumbon 
    S’di pse shkruaj vargje për ty,
    Një plagë të vjetër s’di pse ngacmoj,
    Dikur qëndronim bashkë të dy,
    Tani i vetëm buzëgjolit shkoj.
    Më thuaj moj mike veç një fjalë,
    E heshtur ti s’ke pse qëndron,
    Mëso se atje buzëgjolit me valë,
    Si dikur një kitarë për dashurinë kumbon.
    U mundova,por s’arrita dot,
    Fytyrën tënde të bukur ta harroja,
    U përpoqa, por ah më kot.
    As nga mendja s’munda ta largoja.
    Flokët e borës po zbardhin buzëgjolin.
    12
    Xhavit Gasa
    E MORËN ENGJËJT
    (Rrëfim për motrën time)
    Nëna erdhi në shtëpi aty afër kohë së drekës. Shtroi shpejt një dyshek të vjetër me kashtë, në mes të dhomës dhe vendosi vajzën 3 vjeçare që e solli nga spitali. E mbuloi me një jorgan, ndërsa fytyrën ja mbuloi me një shami të hollë. Mos e zgjoni, ju tha fëmijëve të tjerë, se e ka zënë gjumi. Pastaj filloi të fshinte shtëpinë, të sistemonte nëpër vendet e veta ato pak gjëra që ishin hallakatur nëpër shtëpi gjatë kohës që ajo kishte qenë në spital me vajzën e sajë që ishte djegur aksidentalisht me ujë të nxehtë dhe kishte ndërruar jetë në spital. Nëna kishte qëndruar tërë natën në spital atë natë me vajzën e vdekur, e vetme pa asnjë të afërm të saj, vetëm disa gra nga fshatra të tjera, të cilat i kishin qëndruar pranë, tërë natën. Njëra nga gratë i kishte dhënë të pinte disa cigare duhan, për të kaluar mërzinë, megjithëse nëna nuk e pinte duhanin, atë natë duhani ishte bërë miku më i mirë i sajë. Baba nuk ishte në shtëpi, ai punonte në mal, punonte në prerje dhe transport drush. Fshatarët kishin frikë të vinin sepse kjo familje ishte cilësuar kulak. Pasi sistemoi shtëpinë, nëna mori buljerin e ujit dhe shkoj të mbushte ujë. Përsëri i porositi fëmijët mos e zgjoni vajzën se po fle gjumë. Dërgoi fjalë te dajat se çfarë i kishte ndodhur me një djalë të lagjes, të cilin e kishte rritur vetë dhe kishte besim se ishte djalë i zgjuar dhe nuk fliste lart e poshtë. Pas rreth dy orësh erdhën dajallarët me gratë e tyre. Nënës ju çelën sytë kur i pa, sikur ju ngjall vajza. Natën erdhën edhe gratë dhe burrat e fisit tonë, erdhën dhe dajat. Të nesërmen sipas zakonit e nxorën trupin e vajzës në oborr. Gratë e dajave dhe të fisit filluan ta qanin. Aty nga dreka erdhi edhe hoxha. Përpara i dolën këshilltarët e fshatit për ta ndaluar, por ai nuk u ndal. -Unë po bëj detyrën e zotit, zotin nuk mund ta ndalojë askush-tha hoxha. Babai, dajat dhe xhaxhallarët qëndronin brenda shtëpisë. Pasi ju bënë ritet fetare, kufomën e nisën për në varreza të shoqëruar vetëm nga dajat, xhaxhallarët dhe djali që kishte dërguar nëna te dajat për t’i njoftuar vdekjen e vajzës. Fëmijët pyetën nënën ku shkoi motra… -Do të vijë, do të vijë mos u mërzitni-u tha nëna. Pas kësaj ngjarje tragjike, që nëna e kaloi e vetme, sepse me përjashtim të të afërmve që vinin natën dhe iknin natën, pasi askush nuk vinte në shtëpinë tonë, nëna filloi të pinte më shpesh duhanin. E pinte fshehurazi babait, sepse i vinte turp ta pinte para burrit. Pas rreth një muaj, baba i dha kutinë e duhanit nënës dhe i tha ndize një cigare. Nëna u befasua, duke menduar mos vallë e kishte diktuar dhe po e provokonte? -Ndize….ndize e kam seriozisht i tha baba, unë e di që ti e pi duhanin. Mbrëmë kam parë nënën tënde në ëndërr dhe më kërkoi besën që bijës sime do t’i lejosh të pijë duhanin, ajo e pi fshehurazi nga mërzia, dhe unë ja dhashë besën, prandaj që sot e sa të jemi gjallë, kafen dhe duhanin do t’i pimë bashkë. -O nënë e pyetën një ditë përsëri fëmijët, -kur do të kthehet motra, ajo nuk po vjen!? Atë e kanë marrë engjëjt-u tha nëna. Dhe ashtu ishte, ajo ngeli engjëll në përjetësi. Ndoshta po të jetonte midis nesh, do të ishte edhe ajo nënë e mirë, siç janë të gjitha nënat……
    13

    HAMDI HYSUKA
    POEZI, JE JETA!
    Njeri-tjetrin ndoqën vitet,
    ecjen nisa prapa tyre,
    çunak isha dhe nuk dihet
    brenda meje pse shpejt hyre…
    Kokën ul dhe them me vete:
    -Nga më erdhe pa më njohur?
    Më rinove dhe… më trete,
    por më bëre më të bukur.
    Do të rrotullohet toka
    mbi kurriz me të vërteta,
    jeta ime për ty folka
    pa përmend se ti je jeta.
    S’I DËGJOJ VITET Ç’MË THONË
    Nuk harrohet dita e fundit
    kur s’u pamë më me sy,
    s’kam se si t’i them katundit
    ma ka borxh ndarjen me ty.
    Jo se ishe bijë qyteti
    të rinj sythe zemrat çelën,
    ç’më godite si tërmeti
    aq sa fort pasojat ngelën.
    S’rrinim dot pa njeri-tjetrin,
    sërish ëndrra shoh për ty,
    nuk e di pse bëj të sertin,
    foto shkolle mbaj në sy.
    Rrij pa gjumë deri vonë,
    e harroj zemrën te ti,
    s’i dëgjoj vitet ç’më thonë,
    jam i prirë për rini.
    KËRKESË
    Për një çast nga pas u ktheva
    kur ndërtoja shoqëri,
    s’kisha emër ndër beteja
    as më parë, as tani.
    Por mësova kuptim jete,
    “Mirupafshim!” dhe kam thënë,
    përmendore jo, për vete
    kur kam ikur, nuk kam lënë.
    Lart më mbajnë ato vite,
    të rikthehem, kam kërkesë
    shoqëri, ti që më rrite
    po s’më deshe, kërkom ndjesë!
    VALLJA E TROPOJËS
    E ka emrin popullore,
    quhet valle e Tropojës,
    mbushur me orteqe bore,
    kristal ujin e Valbonës.
    Tunden bjeshkët nga kërcimet,
    kërcimtari qiellin tund,
    nga ky ritëm toka dridhet
    sikur shok s’ka tjetërkund.
    U bë valle historike,
    trashëgim për gjenerata,
    legjendare dhe lirike,
    mrekulli ku nuk hyn shpata.
    14
    Petraq FLOKU
    (Fabula)
    Zgjuarsi gomari
    Ecte një gomar rrugës së kalasë,
    Ngarkuar me gurë, rënduar me thasë.
    Ecte me zigzage, se ishte malore,
    S’kish nevojë për kavo, as për frena dore.
    -“Pse rrugën me dredha bën more gomar, 
    Harxhon karburant, do dhe më shumë bar!”
    Dhe i hyri kau rrugës së përpjetë,
    Që t’na mbushte mendjen se kishte të drejtë
    Po në gjysmë të udhës u shtri në kurriz,
    Dhe pse më të fortin e mbanin në fis,
    “Zgjuarsi gomari kurrë nuk kisha parë, 
    Gomar është ai që të shan: gomar!” 
    Keqardhje
    Ujku i tha dhelprës ”Mos ma ngacmo delen, 
    Shiko sa të bukur e ka kaçurrelen!”
    “Kujt i ardhka keq e kush po na flet?!
    Po e mbron nga unë për ta ngrënë ti vetë”.
    Talenti i laraskës
    Nis mburret laraska me një të çjerrë:
    “Unë jam më e mira në këtë premierë”.
    Sa doli në skenë sterra pendë zezë,
    Breshëri domatesh, kokës mijëra vezë.
    Gjel për vezë
    Gjela, pula në qymez,
    Prisnin shefin ulur n’bisht,
    Tregu kish nevojë për vezë,
    Do provoheshin me gisht.
    -“Ki, ki, ki!-ja thërret gjeli,
    Unë me gishtin nuk kam punë!”
    -“Zhvishu shpejt dhe nazet leri,
    Se tutor këtu jam unë!” 
    Njësoj 
    -“Qenke hundë rrjedhur, 
    ose thjesht qurrash…” 
    -“Ma ke me të hedhur, 
    mos u ngut, avash!
    E kam veç nga dimri, 
    s’më ka ngjarë më parë”
    -“Të kam parë lum miku, 
    edhe në behar…”
    Majmuni plak
    Një majmun plak përballë një kanali,
    Matet ta kalojë, ç’e ka zënë halli,
    Merr vrull e hidhet, por dot s’e kalon,
    -“Ah kur jesh i ri”-veten ngushëllon. 
    Ashtu vjedhur, vëngër shikon gjoja kot:
    “Mender, ashtu isha siç jam edhe sot”
    Miu trimosh
    Një miush kromash, dehet bëhet tapë,
    Çirret: “Dil maçok po s’të bëra zap!”
    Kur i doli pija belbëzoi trashë: 
    “Po ti me kë merresh, me një mi lyrash?!”
    15
    Hortensia Saliu
    Breshka që donte të fluturonte
    (Fabul)
    Një breshkë me samar,
    në një lëndinë ecte ngadalë.
    Ngriti kokën, edhe pa,
    një sorrë që bënte krra-krra.
    E pa, me shumë vëmendje e pa…
    një mendim i mbrapshtë në mend i ra:
    Sa rehat është kjo sorra,
    gjithë ditën fluturon
    e hiç gjë s’pëson.
    Pa hiç lodhje e djersitje,
    kudo shkon e fluturon.
    Me ca pupla e ca krahë,
    ku t’i dojë qejfi shkon.
    Ah, sikur dhe unë të kisha krahë,
    s’do të kishte asgjë të më mbajë.
    Dhe ndërsa mendonte kështu,
    mori ca pupla, që se ku i gjeti diku,
    bashkë i ngjiti e i ngeci në trup.
    I kërkoi sorrës një nder:
    Ngrimë gjer në qiell
    dhe në majën më të lartë,
    lëshomë pa merak!
    Sorra, gjer në qiell e shpuri
    dhe siç u porosit,
    në majën më të lartë e çoi.
    Pasi mori sinjalin,
    e lëshoi…
    Se ç’ndodhi pastaj,
    e merrni vetë me mend.
    Veç diç do ju them:
    Breshkave të fluturojnë,
    S’do u shkojë kurrë ndër mend.
    4 Mars 2015 
    Hortensia Saliu
    16
    ARBEN GJEKA
    DETI 
    Dallgët e zemërimit tënd 
    mbrëmë gjithë natën 
    u përplasën pas brigjeve 
    të zemrës time … 
    Në mëngjes 
    kështjella e dashurisë 
    e parrëzuar!
    SKICË NË VJESHTË
    Devetë e reve 
    po shfaqen së largu 
    ngarkuar me shi. 
    Orkestra e erës 
    ka filluar të luaj 
    uverturën e vjeshtës. 
    Mbrëmja po fle 
    mbi krahët e trumcakut 
    të trembur nga një vetëtime. 
    Gjethja e hënës e rrëzuar 
    atje ku dikur pellgu me ujë 
    vizatonte portretet tanë. 
    Puthjet në buzë 
    më të nxehta se vera e sivjetshme 
    djegin akoma … 
    Qielli përgatitet
    që të lajë mëkatet tona !
    MESAZH 
    Në pamundësi që të vij tek ty, 
    po të dërgoj erën e prillit. 
    Ti ngrihu hap dritaren. 
    Unë do të hyj brenda 
    dhe do të puth gushën e bardhë. 
    Këngën e bukur 
    që s’e kam kënduar ende 
    dëgjoje sot mbi degën e lulëzuar të qershisë,
    interpretuar nga zogu i kaltër i dashurisë ..
    . Dhe ky shi i ëmbël që po bie,
    është malli im, që loton për ty !
    UNË 
    Mes dy lumenjve të kulluar 
    të dashurisë Tuaj, 
    shtrihet fusha e gjelbër 
    e jetës sime
    BABAI 
    Mbi varrin tënd të thjeshtë 
    bëjnë roje dy selvi. 
    Njëra si Shën Koll 
    tjetra si Shën Mëri!
    SONTE 
    Sonte ëndrrat 
    kanë aromën tënde 
    dhe yjet dritën 
    e syve të tu kanë. 
    Më lini të fle i kryqëzuar 
    mes ëndrrash, 
    pastaj kjo natë 
    kurrë mos u zgjoftë
    me diellin gënjeshtar 
    për një dite të re!
    17
    Spiro SKËNDERI 
    Poezi
    MISTERI FEMEROR
    Më dhemb shpirti për një mike,
    për një mike lozonjare,
    vjen e ulet pranë si hije
    duke mos më folur fare.
    Ndoshta pret t’i flas i pari,
    Mua që më dridhet zemra,
    Dhe pse kam guxim të marri,
    thellë seç më trondit femra.
    Ndoshta jam i vetmi unë,
    Ndoshta ka edhe të tjerë,
    Që i duan femrat shumë 
    E tronditen po aq thellë.
    Pastaj zë e flet pa shkak,
    -Të më falni se s’ju pashë!
    -S’ka përse- si një torollak,
    Ia kthej me zë të trashë.
    S’jam unë po dikush tjetër,
    që përbrenda meje flet,
    sikur t’mos isha në metër,
    fjalët m’i nxjerr me marifet.
    Dhe vazhdon kështu biseda,
    Ëmbël- ëmbël pa kuptuar,
    Tek unë shoh ëndrra të blerta,
    Ndjej që mikja është larguar…
    PA TITULL
    S’tu lodh dora i Madhi Duka,
    mendja, po jo e jo, 
    i merr fjalët dhe nga rruga,
    edhe në shpirt i ngroh.
    I qan hallet Shqipërisë,
    Çdo ditë e çdo natë,
    Me zjarr’ e dashurisë,
    I shëron çdo plagë.
    Meriton një përmendore,
    I vetmi Ti për së gjalli,
    Që të shkojnë të falën prore,
    i vogli edhe i madhi..
    ATDHEU DHE VARFERIA
    Pas luksit të shtirur të atdheut tim,
    Prej kohësh tinëzisht fshihet varfëria,
    Tek valëvitet zhele-zhele pa pushim,
    Si flamur i çnderuar paq nga babëzia…!
    AMANETI I LASGUSHIT
    Për dashurinë ndër yje,
    i pari shkroi Lasgushi
    ndaj mbeti ende prej tyre,
    dhe sot i ndezur prushi.
    `Ta mbajm’ ndezur`-amaneti-
    `Flakëzën e dashurisë’
    Sikur bëri dhe poeti,
    vargjeve të poezisë.
    Vargjeve të poezisë,
    buzë liqerit perçeshkumë,
    ndezur flaka dashurisë,
    ku më pak e ku më shumë.
    Ku më pak e ku më shumë,
    anë e mban‘ Shqipërisë,
    `Në bunac e në furtunë’,
    Perlave të bukurisë.
    DJE E SOT
    Dje pas buzëqeshjes sate
    Seç renda pafundësisht,
    lëndinave nëpër shpate,
    ku më ndolle tinëzisht.
    Ku më ndolle tinëzisht,
    Më grishe si askush tjetër,
    Të ndoqa un’ sigurisht,
    Porsi dashnor i etur.
    Me ëndrrën e topitur,
    Për jetë për të të pasur,
    udhëve nga pata ikur,
    po kthehem sot buzëplasur.
    Po kthehem sot buzëplasur,
    me shpresën e pashuar,
    dhe pse për jet’ pa të pasur,
    për jetë i dashuruar…(!)
    18
    Ferit FIXHA me ciklin poetik ‘Amanetet’
    AMANET
    Lermëni në delir,
    ndër shtjellat e varkës sime,
    t’më përpijë gjeratorja e jetës;
    s’dua të gremisem,
    honeve a guvave,
    se më copëzohen
    mirësi dhe mëkate.
    Krisjeve të shpirtit
    ngulmini grremçat e mllefit;
    hove dhe brenga
    m’i varni në vjegëz të motit,
    t’mos më zvargen
    si këngë e vrarë,
    bishtalecit të përjetësisë 
    t’i kacavjerren
    si hir, o fir në dielltësi.
    DIMËR
    Pemët lakuriqe
    Varin vëthë të akullt
    Era sherrete
    N’shtërzime të ciknës.
    Kërcëllimë furtunash
    Nën qiell të vranët.
    Nën dëborë gjallesat
    Me etjen e dritës.
    Gjen i përtëritjes
    I mpirë, i vakët.
    Pranvera zë ngjizet
    Në mitrën e ngricës.
    LOZONJARES
    E fsheh, s’e fsheh dot
    shkëndijën e syrit të zi,
    në gufim të gjinjve,
    thithkat më tregojnë si gishti,
    shkelës kurore.
    Ti strukesh si urna
    djegur nën hi
    a si manaferra
    nën gjethe xhumblore.
    PRAGLINDJE PRANVERE
    Re e ngafatur
    Ujton perçen e mjegullës.
    Lahen therjet e shkëmbit
    Pas dufit të rrufesë.
    Çel floknaja verdhane
    Ndër vramjet e kreshtës.
    Luginës rrokullisen
    Tubime rrëkeshë.
    Oshëtin pylli
    Mbarsur gjelbërim.
    Pranvera në praglindje 
    Rreh flatrën e kohës.
    SHTERPËSI
    Shterpësi pemësh pas luleve
    të shkundura,
    Zymti tavolinash pa fruta,
    Sarkofag dashurish të firuara.
    GJARPËR NËN GUR
    Gjarpri në gojë
    e fsheh helmin,
    Bishti mrekullisht
    gjurmët ia fshin.
    Turma në krye
    fsheh kriminelin,
    Servilët në bisht
    lëvrijnë.
    Varganë- varganë
    mjeranët qyshkur,
    Mbështillu, çpështillu
    Gjarpër nën gur.
    VENDLINDJA
    Ditën me diell, shpesh u rrëzova
    Shkarë mbi myshqe, çjerrë n’dushkajë,
    Po nuk u dhashë, prapë u çova,
    Zhgënjim e lëndim i shtera pa vaj.
    Diku dhe pezull mbeta mbi hone,
    Por ma dha dorën një zanë mali;
    Fjeta në guva, nën rreze hëne,
    E shtrat m’u bënë ca gurë zalli.
    Frymë më dha pëllumb’ i egër,
    Një zog shqiponje me sqep ushqim,
    Buzën ma njomi me pikla t’syrit,
    Një dre i dhembshur i pyllit tim.
    Jeta më rrodhi me mall e brenga,
    Po ngazëllimi s’m’u mek, s’m’u zbeh;
    S’braktisa djepin ku m’tundi nëna,
    Dhe ku u linda çdo plis më njohu.
    19

    Luan Meta
    SYTË E PARË
    (Tregim)
    Nuk e kuptova si ndodhi kështu. Ishim takuar një ditë më parë, së bashku me një mikun tonë, dhe ai më ftoi për një kafe të nesërmen, rreth orës dymbëdhjetë. Ti e di mirë, se vetë e ke provuar, ç’do të thotë një orë takimi. Para tij, orët ecin mbi breshkë. Mbylla derën e dhomës dhe provova të vishesha bukur, para pasqyrës. Ndërrova disa herë të brendshmet, bëja dhe plane. Nuk durova më dhe shkova, jashtë rregullit femëror, njëzet minuta Ai dukej se e kishte harruar takimin, megjithëse reagoi menjëherë dhe u duk i kënaqur. Duhet të mos ketë qenë dita e përshtatshme, kishte shumë punë dhe më kërkonte të falur, sa herë detyrohej të dilte nga zyra, të fliste me shefin e tij ose me kolegët. U ula në kolltukun e madh, te tavolina e punës dhe nuk lëvizja fare, e teksa kërkonte ndonjë shkresë, detyrohej të më prekte trupin ose flokët. Kisha vendosur dhe nuk shmangesha, as formalisht. E ndieja si ai vonohej, duke kërkuar nëpër sirtarë. Më pëlqenin prekjet e tij, ndieja magjinë që po ngjitej nga thellësia. Pas një dendësi lëvizjesh, qëndroi para meje dhe më pa në sy. Si në fillim, disa muaj më parë në një seminar. Atë javë u bëmë miq, por unë e dëshiroja. Ndaj e ftova dhe për kafe, pasi isha takuar me mikun tonë të përbashkët. Heshtja që zgjati, më beso, më goditi në zemër, ndaj vendosa një këngë ritmike, më saktë një këngë vallëzimi nga celulari, ja kjo. Ai ra pre, sepse menjëherë më ftoi të kërcenim. Mendova se fitova. E mbylli derën dhe ne ishim vetëm të dy, shumë afër. Mjaftonte një gjest, por duke menduar se ka kohë, nuk po e bëja vetë. Në vallëzim e sipër, m’i mori duart, një e nga një, ëmbëlsisht, e i hodhi në qafën e tij, më kapi lehtë te beli dhe u afruam shumë. Mezi duroja, isha gati ta puthja, sidomos tani që gjoksi im, i zbutur, ishte shkrirë në gjoksin e tij. Nuk më shikonte në sy, ndoshta kishte frikë vështrimin tim. Një çast më pa në sy. Nuk kisha parë sy të tillë, pa asnjë re, natyralë, të lirë. Oh, ata ishin sytë tanë të parë, plot et, sulmues, dhe në çastin që mbështeti kokën tek unë, hapa drejt nesh u ndjenë. Sytë u veshën menjëherë, krijuan një rreth të errët, si unazë. Dikur ky rreth ka qenë i artë. Vetë e lindi dashuria, për të ruajtur atë që pëlqen, dhe vetëm ajo e hap. Unaza e murrmë nuk e mbulonte dot gjithë syrin, duke lënë jashtë saj periferitë e pandriçuara. Ne kaluam në vendet e mëparshme, tepër të trishtuar. E merr me mend, çfarë çmendurie, një shoku i tij nisi të kërkonte një dokument dhe pasi e gjetën nisën ta diskutonin. Mua më hipën nervat dhe isha gati ta dëboja atë kafshë, që nuk lëvizte nga vendi. O Zot, kurrë nuk kam urryer njeri sa ai, atë ditë. U ngrita dhe shkova te dritarja. Jashtë nuk shihja asgjë. E kisha mendjen te bisedat e tyre pa kuptim. Më në fund ai doli dhe teksa unë po kthehesha në pistën e dashurisë, ku më priste ai, u ndjenë sërish hapat e tij të pashpirta, dhe e ftoi atë te shefi. Mbledhje urgjente. Dita më ters e jetës sime. E vështrova gjithë mllef, më thuaj, po të ishe ti, çfarë do të bëje më shumë! Pasi u largua, miku im erdhi pranë, më ndreqi shiritat e gjimbajtëseve, që i kisha nxjerrë vetë dhe më tha se mund të më priste po të doja, por mbledhja mund të ishte e gjatë, ndaj është mirë të largohesh. Nuk e doja veten. Isha gati t’i thosha do të pres këtu, deri në mesnatë, por ai nuk ishte këmbëngulës. Më përcolli deri te shkallët, ku u takuam, më puthi në faqe, nuk më tha gjë. Shefi vlen më shumë se unë, e ironizova e mërzitur. S’dija ç’t’i thosha tjetër. Më la aty dhe hyri në zyrën e shefit. Ndenja pak, pastaj nisa të zbrisja në Ferr.
    Në shtëpi qaja pafatësinë time. Lotët më dilnin vetiu. Ashtu më zuri gjumi, deri afër mbrëmjes. Atë natë nuk fjeta. Kujtoja gjithçka dhe atje ku duhej, ajo pak, e shtoja nga vetja, herë sikur ai guxonte, herë rastësisht, herë. Sa gjëra të bukura kisha humbur, aty ndihesha e plotë. Nuk e di ku kisha gabuar? Cili ishte mëkati im? Po i tij? Kam qenë femra më e mjerë e asaj nate, në gjithë botën. E rrënuar, e përjashtuar nga dhuratat e kësaj jete, e zvogëluar, e mplakur. Të nesërmen ai nuk u bë i gjallë, madje, më pa me një shoqen time e nuk më foli. Edhe sot e kësaj dite, më beso, nuk më flet. Nuk di me ç’emër ta quaj, ndaj e dashur, më beso dhe një herë, dashuritë kanë orën e tyre të rritjes, që zor se përsëriten
    20
    ‘Gjithnjë ka një të nesërme!’ nga Mite Tabaku
    (Skicë)
    …Me këtë mendim trokita ditëve të këtij viti. Fjalët e mia i dëgjoi qielli, i dëgjoi toka, i dëgjuan rrugët e vetmuara, i dëgjoi gjithësia. Ti? Nuk e di, shpirt. Ndaj nisa të fishkëllej melodi të vjetra, ato melodi që na mbushën jetën ne të dyve. Fillova t’i këndoja këto melodi vrastare edhe për inat të erërave që harruan të miat fjalë t’i sillnin tek ti. Tashmë shihemi rrallë ndonëse jetojmë në të njëjtin vend e thithim të njëjtin ajër. Ç’janë këto erëra të tërbuara që s’duan të përcjellin fjalën time tek ti? Ah! S’i kam harruar ato shikime të zjarrta pranverore… e si mundem t’i harrojë? Minutave të asaj pranvere, në shtratin e ëndrrave, isha mbretëreshë dhe ti, mbret i ëndrrave të mia. Ditët e festave sivjet i zbukurova me shikimet e tua të mëndafshta. Me ëmbëlsi të atij shikimi u dehën të gjitha sekondat deri në mesnatën e ditëve të nesërme. Sa shumë shpresoja secilën nga ato netë! Mijëra mesazhe më vinim por jo nga ti. I njëmijë e një-ti nuk erdhi që nuk më erdhi. Nuk mbërriti kurrë. Kryqi i thyer gdhendur mbi fatin tim, ditët e këtij marsi. Tanimë rri e pëshpëris me këto fletë të bardha nën tingujt torturues të kambanës së mërzitjes… Dashuria ime rri fshehur në zemrën e mbytur nga psherëtimat. Ç’të bëj tani? Të tjerët më harruan, unë për vete s’braktisa asnjë. Ndjej dhimbje në shpirt, diçka kërcet e thyhet përgjithmonë. I ngjan asaj degës së minares shpirti im tani, i gëzohet rrezeve të diellit të sapodalë, por thahet dalëngadalë nga zjarri i tij. Nuk do të jetë e largët dita kur do të të shoh, por do të jetë e largët ndjenja jonë kur të jemi aq pranë. Gjithnjë respektoja vendim-zgjedhjet e tua edhe tani. Unë e respektoj ndarjen, paçka se ajo erdhi me çmimin llahtari. Motoja ime në jetë ka qenë: Shpresë! Tashmë që krahët e saj m’i theve ku ta gjej një degë të fortë që të mundem të shpëtoj prej kësaj që vlon në gji? Dhemb. Nëse kam dashur, shumë pak më kanë dashur. Me ty isha e lumtur, dashuroja dhe më dashuronin. Tani vetëm dashuroj. Ç’trishtim! Krahët i kam të prerë prej dhimbjes. Edhe shpirtin. Disa thonë se kur njerëzit e njohin mirë njeri-tjetrin dashuria vritet. E fshehta është e domosdoshme për dashurinë, ashtu si shiu i qiellit për tokën. Mos vallë këtu gabuam ne të dy? Ti ishe lidhja ime më e bukur me jetën. Ti më njohe mua me të bukurën e jetës. Ne i besuam aq shumë njeri-tjetrit. I besojmë edhe këto çaste që nuk shihemi e s’takohemi. Tani, sërishmi, ne e gjejmë njëri-tjetrin, por pa emocion të dukshëm, të sigurt se nuk ngjajmë të tronditur, pa e ditur se sytë na tradhtojnë. Më pëlqen kjo distancë që krenarisht respektojmë por… Tashmë netët e pagjuma tështijnë në prag të kohës të ftohura nga ikja e dashurisë (Vallë vërtet të ketë ikur?). Më e dhimbshmja vjen më pas, tashmë gjithë jeta ime do të ecë vetëm në këto shina me binarë të kalbura nga vuajtjet e dashurisë. Ej, shpirti i shpirtit tim, vërtet ke vendosur të më lësh në vetmi? Ke harruar ç’më thoshe gjithmonë?! “Të bashkuara dy zemra s’tremben, gjithë të këqijat i largojnë.” Unë atëherë për dreq s’e kuptoja dhe tallesha me ty. Të kujtohet sa qeshja? Qeshja si e marrë, ndërsa tani në këto rreshta kam gjetur ngushëllim. Nostalgjia për ato kohë të dashurisë sonë tani rri varur mbi kokën time tamam si këto shira tekanjoz. Mjafton që ti të duash dhe rrezet e diellit pushtojnë tokën. Veç vendos: merr frymë të dashurisë tënde e lermë të jetoj,mjerisht, pa ty ose kthehu. Unë dhe zemra ime dergjen në lutje për tëndin kthim. Mjafton pak, tepër pak, për t’i dhënë kuptim thënies tënde të preferuar. Oh! Sikur, për një çast të vetëm, të mund të lexoje zemrën time do të shihje në ç’vend të kam vënë. Imazhi yt është ushqimi që mendimet e mia gllabërojnë, çdo çast, pa u ngopur. E kudo ti, kurdo ti, ti, ti… Tani mjaft! Stonon kumbueshëm thirrja ime në këtë errësirë. Çdo gjë humb kuptimin, trajtën, vlerën para teje. Unë, eh!… Ndjenjat e mia vërtet njohin veçse ty, por ti… Si mundesh ti të jesh pa një mua, të mbijetosh pa një mua? Si mundesh të më qëndrosh kaq larg? Mendoj se një ditë të gjithë do të dalim në pension, jo për të filluar plakjen tonë, por për të rinisur një jetë të re. Në qoftë se do, eja!Eja, kape trenin e kësaj jete!. Fshija lotët zemrës sonë me penelin e shpresës, se një ditë do të lind edhe dielli ynë. Ti vetëm eja!… 
    Trëndafile Visha
    E ÇMENDUR (E KUJT I PLASI!)
    Mos më prit sonte. Dera nuk do të kërcasë në mesnatë. Hapat nuk do m’i puthësh nëpër terr. Dritat mos i ndiz. Krevati, në një cep i vetmuar. Të brendshmet, të palosura në gardërobë. Dhe jastëku pa buzët e mia, të bëjë si të bëjë. Lulet në ballkon, të marrin frymë thellë. Dhe fqinji kurioz, dritares matanë, të mos e hapë perden. As djali i droguar i katit të parë. As lypësi i përgjumur mbi trotuar. Mos më prit sonte, shtëpiza ime. Ta dish. Si e çmendur po endem rrugëve. Qytetit ku pakkush më njeh dhe të shumtët nuk më njohin. (E kujt i plasi!). Me ëndrrat që i shoh tek mbarsen në pavetëdijen time. Ç’aromë zgjimi ndihet ngado! Dhe zjarret ndezur me krandet e së tashmes. Shpuzat vërviten firi-fiu. Po kallet gjoksi. Po flakëron shpirti. Mbi ftohmën e vjetër po çelin lulet. Në kapërcjellthin e stinëve, dashuri e re. Dhe unë po kaq e re udhës pa cak. Trazuar ndjesish dhe vegimesh.
    “MIMOZËS”
    E verdha jote më pëlqen pa masë, e dashur. Nuk mund të gjesh rrezatim më të fortë kur koha është gri. Ti je një sy magjik, mes përplasjes së stinëve. Mes angështisë së motit dhe dëshirës së gjithçkaje për të shpërthyer. Ti je aq e dëlirë. Dhe dalldis gjokset si pa të keq. Kundërmon gjithandej aromë shtrati. Dhe nuk ke turp. Të paturp janë ata që të thonë shpesh “budallaçkë”. Ty, që thyen tabutë në një tokë krejt të zhveshur. Ti nuk di të fshihesh. Nuk di. Nëse të vjen të puthësh, puth me gjithë shpirt. Askush si ti nuk mundet të dashurojë në dimër. Çdo gjë rreth teje është kaq e përciptë. E shtirshme, të përmbajturit. Njëlloj sikur prushin ta mbulosh nën hi. Ti nuk je thëngjill i përhimtë. Je vetja mes së rrejshmes. Ndaj, më pëlqen pa masë e verdha jote, e dashur.
    “TAKIMI” NË KOHË
    Askush nuk mund ta zgjedhë kohën për të jetuar. Por, në çdo kohë, të ëndërruarit, të ndjerit dhe përjetimet vërviten në të njëjtin cikël. Brenda këtij cikli ndryshon mënyra e komunikimit. Po të mundja, do të zgjidhja në shumës atë të “takimit” përmes letrave. Dhe në njëjës, dy gisht pusullë dërguar nga një zotëri një zonjushe të fisme dhe anasjelltas. Në kohën e tashme, kur njerëzit janë “nudo”, komunikimi që trazon më shumë vorbullën e ndjesive, është ai i kodeve.
    NËSE…
    Nëse nuk ke ikur i gjithi. Dhe je në mëdyshje me hapat. Nëse ke kohë që je nisur. Dhe malit të ndjesive e kundërshtive zemra të tërheq prapa. Nëse je duke ecur dhe rrugës së largët sërish më shikon mua. Nëse ke mbërritur në skajin tjetër të botës dhe mallin ta gërvisht një gjysmëthua. Nëse ndihesh ashtu bosh edhe me të afërt e miq rrethuar. Nëse udhës ende nuk ke humbur. Dhe një sekondë të vetme je penduar. Kthehu! Do më gjesh njësoj të thjeshtë. Njësoj të ëmbël. Njësoj të çmendur. Njësoj të dashuruar. Prej meje asgjë nuk ka ikur. Jam aty ku më le. Në një rrip toke. Në një valë deti. Diellit pa perënduar.

    22
    “Dy jetë”, një roman i mirë
    Nga Vangjush Saro
    Pas romanit të parë me titull “Një njeri”, shkrimtari Pandi Papando i rikthehet prozës së gjatë me romanin tjetër “Dy jetë”; një prurje interesante që përplas kohërat përmes një subjekti që arrin të prodhojë suspansë dhe një strukture që mbart dukshëm tipare bashkëkohore. Romani vjen si përpjekje për të përcjellë në publik një dramë të rrethanave, një rrëfim që i zbulon protagonistët e vet dhe e kumton informacionin jetësor duke kombinuar aksionin apo ndodhitë e vogla që bëjnë romanin, me zhbirimet psikologjike. Romani fillon me një gong të fortë; jemi shumë pranë një gjetjeje që jep dorë për një tregim tërheqës: Gjatë një udhëtimi nëpër Itali, falë një specializimi, pedagogu i ri shqiptar Gjergj Linotopi do të gjejë për pak çaste shoqërinë e këndshme të një balerine amerikane, Dajanës. Gjithçka (në roman) nis e frymëzon nga ky takim romantik, për të vazhduar në aktet e tjera të jetës së personazheve, akte ku ka aq shumë rastësi, por edhe një vijë subjekti që paraqitet mjaft bindëse. 
    Drama, gjithsesi, e ka çelur siparin. Edhe pse bota përjeton ndarjen në kampe kundërshtare, edhe pse Shqipëria veçmas përndjek me fanatizëm çdo shenjë afrimi me “armikun”, intelektuali i ri jepet tërësisht pas shoqes së vet të përkohshme. Ata janë të dy të bukur, ëndërrimtarë dhe pasionantë. Në një sens, duket sikur në mënyrë simbolike ata ngrihen mbi botët në luftë, për të kompozuar një himn dashurie, sado jetëshkurtër. Por trilli do t’i kushtojë jo pak Gjergjit, i cili shumë shpejt humbet punën dhe kryeqytetin, për të gjetur përndjekjen dhe (pothuaj) internimin. Kohë më pas, trazimi naiv i dy të rinjve do të prodhojë brenga të tjera. Pas vdekjes së Dajanës, vajza e saj, Beti, bën të gjitha përpjekjet për t’u njohur me Linotopin dhe për të zhbiruar nëse është ai babai i saj natyral. Duke i shpalosur ngjarjet hap pas hapi dhe përmes digresionesh që e mbajnë ndezur kureshtjen e lexuesit, Papando na thërret në një histori që në pamje të parë duket “rozë”, por bëhet gjithnjë më e rëndë, si aktet e pafund të një drame që na çon në disa rafshe, në thellësi të kohës dhe në sipërfaqe të fakteve. Tensioni i shtrirë në krejt brengën – e rrëfyer në mënyrë të përmbajtur – e bën romanin tërheqës dhe të këndshëm në lexim, pa iu dorëzuar sentimentalizmit, edhe pse herë-herë ngjarjet pikojnë mjaft trishtim. “Dy jetë” përcjell në shoqërinë e sotme shqiptare – pse jo edhe në atë perëndimore në tërësi – mesazhe sinqeriteti e dashurie pa kushte. Përmes titullit, vijnë te lexuesi pyetje të shumta, të cilat çlirojnë pikërisht tensionin që mbart teksti; (i vendosur mirë në një rrëfim plot ngjyra e të pamërzitshëm dhe në një strukturë që ndihmon, krijon pse jo, edhe dimensionin filmik të romanit). “Dy jetë” nënkupton se njëra aso është konsumuar në diktaturë dhe tjetra në demokraci; njëra në të shkuarën dhe tjetra në kohët kur Shqipëria kërkon një pozicion më komod në Europë, ndërsa përpiqet të përzgjedhë modelin e duhur perëndimor. “Dy jetë” nënkupton jo thjesht ditët e vështira të dy personazheve kryesore, Gjergjit dhe Dajanës, por jetën reale dhe atë të supozuar; ata gjenden dhe mbeten përherë në kërkim të asaj se çfarë kishin prodhuar e sendërtuar në ato pak çaste magjie, që janë brumi i krejt lëndës letrare që ofron romani. Në zotërim të teknikave më të pëlqyera letrare, me shumë reagime në kohë dhe duke kërkuar në thellësi të karaktereve, Pandi Papando, mes të tjerave, na e sjell librin e tij interesant edhe si njëlloj romance që lexohet me dëshirë; autori e grish lexuesin të ndjekë ngjarjet hap pas hapi; edhe pse ato janë të ndërthurura e të “fshehura” në digresione të shumta, (por asnjëherë të lodhshme). Autori e trajton lëndën letrare në mënyrë të tillë, që atij i jepet luksi të zbulojë aq sa i duhet për momentin; që ngjarjet të prodhojnë dramaticitetin e duhur dhe që ato, më në fund, të shkojnë natyrshëm drejt shtjellimit të pyetjes themelore, që organizon krejt ngjarjen dhe që ka të bëjë me etjen e njeriut për dashuri, por edhe për sfida. E ndërsa rreh të përgjigjet për këto çudira, autori hyn thellë e më thellë në rrëfim, interesi artistik rritet, vrapi i çmendur pas dy të dashuruarve bëhet një vlerë; (në sensin e përballjes me jetën ashtu si ajo vjen, asnjëherë e qetë dhe rozë). Edhe pse i gjithë libri vjen si një “proces” gjatë të cilit investigohet dhe mandej zbardhet e vërteta, hapësira e përjetimeve dhe vizatimet psikologjike kanë diktuar një ritëm të kënaqshëm, ngjarja procedon në mënyrë të hapur, por duke e mbajtur gjithnjë një të fshehtë për çastin tjetër, për aktin pasardhës të dramës. “Dy jetë” është një ndërthurje e përvojave jetësore me një histori të vërtetë e të ritreguar në disa variante, në mënyra të ndryshme; është historia e një gjysmë shekulli të vështirë dhe të zhytur në zhgënjime, që ndërkohë apo më pas, ka prodhuar aq shumë nën okelion “Lindje-Perëndim”. Mund të sillen ende detaje dhe argumente vlerësuese e inkurajuese, terma që “zbardhin” më tej mesazhet e veprës së Pandi Papandos. Por ndoshta edhe një urim për librin e tij më të ri “Dy jetë” dhe shpresa për proza të tjera të bukura, do të ishin gjithsesi një finale e mirë për këto radhë. 
    23
    -Refleksione për librin “Unë jam unë” të Sazan Golikut-
    Zejnepe Alili – REXHEPI
    Nën plazmimin e begatshëm të imazheve të historive kombëtare përvijohet portretizimi intelektual dhe krijues i Pandeli Koçit, që e ka nismën në qytetin e Vlorës, nën edukimin e një familjeje me tradita atdhetare nga Tepelena. Ky edukim, gjithsesi ka ndikuar në formimin e veçantë të personalitetit të tij, si dhe prirjen drejt njohjeve të aktualitetit. Përmes një bote të ndjeshme, edhe në krijimtari kërkon ide që t’i hedh në një shtrat realizimi, të absorbuara si mbresa, përjetime a ndjesi, që vijnë e shpërthejnë vrullshëm me hovet e mjeshtrit të fjalës, plot dell artistik. Sot, Pandeli Koçi është kryetar i Shoqatës së Letërsisë për Fëmijë e të Rinj… Në vëllimin poetik “Unë jam Unë”, botuar në Tiranë (2012), Pandeli Koçi bëhet udhërrëfyes i trajektores kombëtare. Në letërsinë shqipe, prej kohësh, njihet si Sazan Goliku. Me këtë pseudonim, ai dëshmohet si autor i një morie veprash letrare: “Pasqyra e thyer” (1972), “Lule drite” (1977), “Grusht” (1981), “Intimitet” (1987), “Aventurat e lirisë” (1995), “Epidemi kozmike” (1996), “Ëndërr dashurie” (1996), “Komitët e Malit të Bardhë” (1999, 2011), “Petalet e rëna” (2001), “Trekëndëshi i qiellit të zi” (2006), “Turbull” (2007), “Shpirtdehje” (2011), “Unë jam unë” (2012) dhe antologjia e sapo botuar “Antologji e letërsisë për fëmijë” (2014). Pra, ky shkrimtar, pa trumbetime të mëdha, mjeshtërisht sjell ngjarje të mëdha. Si një udhëtar i përhershëm mbi brengat e Atdheut, shtron telajon e artit të fjalës për të pikturuar me fjalët më goditëse pamje nga më të bukurat e më të dhembshurat. Me leximin e vëllimit “Unë jam unë”, e kupton përkushtimin shpirtëror të poetit, si synim për të përmbushur një botë të tërë me mrekulli fjalësh e ndjesish, ndonëse poezia jonë atdhetare, seç ka një frymëzim epiko – tragjik, gjë që jo vetëm ndihet në frymën krijuese, por është dhe mbizotëruese në tërë veprën. Poezitë janë shpërthim ndjesor, në të cilin ndihet ndërhyrja mjeshtërore e poetit, tok me arsyen si argument i rëndësishëm i aktit krijues. Frymëzimi i poetit, i shprehur në formë mbresash vetanake, është edhe përcaktues i natyrës së poezisë, ku atdhetarizmi nuk vjen si perëndim i vagëlluar ndjesor, por si himn krenarie për rëndësinë e historive kombëtare, të përshkruara me nota kumbuese artistike, ku vihet në pah sa dëshpërimi, po aq edhe ngazëllimi i poetit. Poezitë, përmbajnë kthjelltësi përçuese, mbi shtresime kuptimësish të plota, pothuajse duke skalitur çaste dramatike të jetës dhe heronj shqiptarë, të cilët bëhen kredoja e penës së Golikut. Kur nisma e vargëzimit është përshkrimi drejt “Rrënjëve të gjalla”, aty ku me shekuj është derdhur “Gjaku ynë… o gjaku ynë” së cilës i paraprin shënimi përkushtues: “Baba Koços, për shpirtin atdhetar që më dhuroi”, mund të flasim për lidhjen e pashkëputur, jo vetëm të brezave të afërt, por edhe në kapërcime të gjata gjakimesh shekullore për shpirtin atdhetar, sepse “Gjaku, jo nuk bëhet ujë;/ shekujve s’u shkri në kujë”. Këtë padrejtësi nuk e rregullon dot as Hyjnesha e Drejtësisë, sado që kërkon pareshtur të vë në peshore emra dhe vlera, por vlerat atdhetare, sipas poezisë, njohin vetëm dy emra që barazohen edhe në peshoren e Hyjneshës: Adem Jashari = Liria. Janë emra me barasvlerë të plotë… Pa pasur nevojë për ngritje altaresh a mitizime emrash, poeti e mban të zgjuar kërshërinë e brezit të ri, duke përshkuar në vargje heroizmin, atdhetarizmin përmes vargjesh që transmetojnë emra, si: Vëllezërve Gërvalla, Ukshin Hotit, Vëllezërve Jasharaj, Mustafa Matohitit, Sali Nivicës, Mehmet Shpendit, Isa Boletinit, Hasan Prishtinës, Idriz Seferit, Said Najden Dibranit, Gjin Bua Shpatës, e sa e sa emra që s’guxon t’i shlyejë ndonjëherë historia. Ata do të qëndrojnë edhe kur “Të përplasen erërat,/ dielli le të ndizet…/ Lulet do të çelin,/ koha s’mund të vritet” (23), pasi janë heronj që i përshkon qëndresa dhe flijimi Prometheik. Poeti këndon me zërin e njëjtë të krenarisë e dhembjes edhe për heroinën shqiptare, si: Qeriba Derajn, Shote Galicën, Zylë komiten, Mbretëreshën Teutë, e të tjera që u flijuan për të njëjtin Atdhe…, Atdheun e bukur, megjithëse të vrara i ka pranverat, kur: “Shpirtrat tanë fluturojnë mbi plumba,/ nga plumbat kalben trupat tanë./ O plagë e kombit të pafat/ kullon e rrjedh veç vrer e gjak”… Poeti vëmendshëm e përmbush aktin krijues duke njohur mirë sfondin e hartës së Atdheut, edhe aty ku ndihet zhurma e mbytur e dhembjes: “U thye shpata e fundit labe në kështjellë./ U var lulja e përgjakur e diellit tej maleve,/ ndërsa osmanët prenë kokat/ e të gjallëve/ e të vrarëve” (Legjenda e qytetit tim,), si dhe aty ku ngrihet jehona e fitores: “Ndaj gëzoj, gëzoj, gëzoj…/ larg me ëndrrën fluturoj…”. Ai frymëzohet në burime të padiferencuara të shpirtit, për të gjithë shqiptarët njësoj, edhe ata të tokës Mëmë, edhe për Kosovën e tij të dashur, edhe ata që padrejtësisht i degdisën hartave të huaja…, si frymëzime paralele që e trazojnë shpirtin e poetit. Me këtë, aludon te “Shqipëri e Skënderbeut” (70), aty më së bukuri e gjen ngjashmërinë dhe përshtatshmërinë e idesë së një ideali të vetëm kombëtar. Frymëzimi zotërues është pikërisht kjo formë vargëzimi, që e homogjenizon tërë trajtesën tematike. Të bëhet prioritet i analizës, ai çast kur vargjet flasin me gjuhën e transparencës: “Dielli lind nga Shqipëria -/ gjysh stërgjyshi është thënë,/ ndaj dhe në grahmat më të fundme/ do shqiptojmë: Nënë… o Nënë!…” (71). Poezitë e këtij motivi, në fakt krijojnë një poemë që të degdisin larg te “Këngë për sot e për nesër” (83). Në vëllimin “Unë jam unë”, poeti sikur kërkon të çmitizojë ca histori dhe poezinë atdhetare ta ngrejë në një univers tjetër kuptimesh, duke dashur që lexuesit t’i hapë një tjetër mënyrë studimi. Pa dyshim, lexuesit ia ofron pikat lidhëse, deshifrimet simbolike, përmes të cilave dalin në pah edhe ëndrrat e disa brezave…“Unë jam unë”, mjeshtërisht përçon impulse universale të jetës, të historisë kombëtare, ku e reflekton tërë botën e brendshme të poetit. E shfaq shpirtëroren aq bukur me origjinalitetin e ngjarjeve, e forca shpërthyese e tyre bëhet kredoja e pashtershme poetike, jo vetëm pas njëqind vjetësh Pavarësi të Shqipërisë, por edhe mijëra vjet më pas ajo do të përçojë po ato impulse të atdhedashurisë, pavarësisht çasteve të ndonjë dualiteti të mundshëm jetësor.
    24
    Duke jetuar çastin
    Mimoza Agalliu
    Jetojmë në një zinxhir zakonesh të vendosura vetë.
    Çdo hallkë ka madhësi të ndryshme. Disa i hapim lehtë, të tjerat i lemë pas për t’u rikthyer. Mbi malin e dëshirave zgjedhim më të thjeshtat, të vështirat kapen nga fitimtarët besues në beteja të pista, a dyshuese. Të dy palët më pas takohen në arenën e fitores dhe dështimit, analizojnë prognozën-dështim a fitore?! Dikush rrëmben ëndrra të reja, dikush fillon me të vjetrat nga e para.
    Ecin të gjithë qetësisht, distancave dhe udhëve të ndryshme e rikthehen përsëri. Dikush ka veshur një buzëqeshje,dikush prek një lot, e kjo odise jete e veshur më shumë me iluzione, se me të vërteta, rrokulliset si një ‘circle’ (rrethore),në arenën e syve që përcjellin shpresë. – A do ia dalim mbanë?… ulërasin turmat optimiste, ndërsa nën këmbët e tyre pesimistët tradicionalë të ulur heshtin. – E kështu rrjedhin impulset e ndjenjave, që rinisin ditët nga e para me një klithmë vajtuese e herë ngazëllyese. – Kape çastin… por cilin çast? – Ai çast që shkon, apo që vjen? -Të gjitha çastet janë njëlloj, kanë ngjyrën e kohës, ndërsa sytë kanë ngjyra të ndryshme. – Dikush me ngjyrë zhgënjimi, tjetri me aromë puthje e një tjetër vetmie.
    – Në udhët e çastit ecin fytyra të gjallësh dhe të ikurish.
    – Të parët nderojnë të dytët me një buzëqeshje therëse plot dhimbje, por krenarë për ekzistencën … ende të qenies së tyre. Me shpirtin mbushur plot shpresë vazhdojnë udhën drejt çastit tjetër. -Fillojnë të imagjinojnë ëndrrat e reja ,duke zbritur dëshirat prej ekzistencës që buron prej fatlumit çast.
    – Dikush ëndërron të bëhet strateg dhe nën këmbët e tij të shtypë turma ëndërrvrarësh të dështuar. – Dikush dëshiron paqe, shpresë për një jetë “luksoze” në botën e përtejme. – Dikush planifikon orgjitë e pushtetit për të ngritur “grataçiela”. – Dikush me fëmijën në duar luan me një lodër duke i folur për iluzionet e humbura, dhe shpresat e gjetura, që trokasin pas çastit.
    – Dikush pret një ‘fustanbardhë’ me valsin e Shtrausit të verë kurorë. – Dikush këndon ‘wonderful life’ ( jetë e mrekullueshme), me shishen e rakisë në buzë. – Dikush pret një mall të kthehet.
    – Dikush me pllakatë në dorë, dënon dhe mallkon projektorët e fatit të mjerë. – Unë me një libër në dorë kthej faqen e re, ku shkruan; kape çastin si të vijë, por në fund të fundit, jeto pa ngjyrën e mërzisë së shkuar. Jeto me ngjyrën e zemrës që dashuron dhe ritmon, për të thënë në fund të udhës;jetova çastet pa i fyer, por duke i dashuruar.
    Tirane Janar 2015
    25
    Josif DOJA
    Krujës
    Sa shume ujëra ke nën ato troje, Të pishë në ta vërtet malli të merr, Prej tyre të rrjedh emri, Kruje, nga kroje Dhe porsi krojet lavdia s’të shter.
    Kështjellës tënde që s’ia gjen te dytën, Me akinxhinj e gjyle për ta marr’, Ju sulën, por dy sulltanë u zbythen Se njësh u bënë dhe mur’ dhe kështjellar.
    Gjergj Kastrioti me shpatën të zhveshur, Në bronz i derdhur, kërcyer mbi kalë, Ngjan si dikur teksa printe ushtritë,
    Tek teh i saj s’pati kurrë të reshtur Dhe tek ti Krujë me hordhitë përballë, Gjithë një Europë i kish drejtuar sytë.
    Datë 29.01.2013
    Beratit
    Berati ynë, dritaret një mbi një, Me lumin Osum që të shkon përmes Dhe harqe – harqe, urën e Goricës, Aq shumë të hirshme, tek shtrihet përmbi të.
    Ata që të skalitën kënd më kënd Fillim e fund prej guri të bënë ty, (Një simfoni prej guri? S’është çudi!) , Fatlumët ne dhe fatlum ky vend! 
    Ndërsa nder t’tuat rrugë duke shëtitur Kisha përhumbur, prej teje i çmeritur, Të denjë për ç’ndjeja , s’gjeja asnjë fjalë.
    “Këtu tek ne kanë ardhur prej çdo ane – Me tha një zë i ngrohtë, i ëmbël nëne, – Ndaj ti s’ke pse të mos shtangësh, mor djalë!” 
    Date 1 shkurt 2013
    Sigal