Suplementi “Pena shqiptare” i datës 09.02.2015

    531
    Sigal

    1

    Nonda BULKA

    Të dy kumbullat
    (Tregim)

    Në kopshtin e një shtëpie u rritën pranë e pranë dy kumbulla të egra, të cilat shkonin la e më la me degët e tyre të shtrembra dhe të çrregullta. Ndërsa këto dy pemë ishin akoma të njoma, erdhi i zoti i shtëpisë, i cili, duke dashur të rregullonte e të zbukuronte kopshtin, mendoi edhe për të dy kumbullat. Kështu, një ditë, me një grumbull degësh të kumbullave të buta, me gërshërë në dorë, me një fije spango e me dyllë, nisi punën e tij për t’i shartuar. Pri këtej e pri andej, njërës kumbull nuk i mbeti veçse trungu i hollë dhe pak degëza të zhveshura. Mbi atë trung ai bëri disa të çara, duke ngjitur kalemat e duke e lidhur pastaj me spango. Ky lloj operacioni quhet shartim. Pasi mbaroi te kumbulla e parë, u mat që të bënte shartimin tek tjetra. Ajo, që i kishte parë të gjitha ç’kishte hequr motra e saj, me një zë prekës i tha kopshtarit: – Ç’të keqe të kemi bërë që po na mundon kaq shumë me këtë thikë e me këto gërshërë? Ki mëshirë, m’i lër këto zbukurime, se janë të vetmet që kam. Mos më katandis edhe mua si motrën time që duket si e shpëlarë! Mirë, mirë, – i tha kopshtari, – me që dashke të rrish ashtu siç je, ashtu rri! Unë desha që edhe ti të ishe një zbukurim në kopshtin tim dhe të na jepje fruta të ëmbla. Meqenëse s’ke qejf, rri ashtu siç je! Veçse duhet ta dish se do të pendohesh; mbaje mend këtë fjalë: do të pendohesh!
    Dhe vërtet, nuk kaloi shumë kohë, dhe kumbulla e trajtuar keq, e krasitur dhe e shartuar filloi të nxjerrë degë të bukura dhe pas disa vjetësh u bë një pemë e lulëzuar, që jepte kumbulla me bollëk dhe nga më të shijshmet. Kumbulla e egër atëherë iu lut kopshtarit që ta trajtonte si motrën e saj. Shumë vonë, – u përgjigj ai – dhe nuk të siguroj përfundime shumë të mira dhe të shpejta. Megjithatë le ta provojmë edhe mbi ty, por mos shpreso të bëhesh aq e bukur dhe e bëshme si jot motër! Ai që nuk ka dashur të vrasë mendjen dhe të lodhë trupin qysh në vogëli është shumë vështirë në moshën e shkuar të fitojë kohën e humbur, që nuk kthehet më.

    2

    Ali Asllani

    Hakërrim

    Që nga Korça gjer te Shkodra mbretëron një errësirë,
    nëpër fusha, nëpër kodra, vërshëllen një egërsirë!
    Pra, o burra, hani, pini, hani, pini or’ e ças,
    Për çakallin, nat’ e errët, është ras’ e deli ras’!

    Hani, pini dhe rrëmbeni, mbushni xhepe, mbushni arka,
    të pabrek’ ju gjeti dreka, milionier’ ju gjeti darka!
    Hani, pini e rrëmbeni, mbushni arka, mbushni xhepe,
    gjersa populli bujar t’ju përgjigjet: peqe, lepe!

    Ai rron për zotrinë tuaj, pun’ e tija, djers’ e ballit,
    ësht’ kafshit për gojën tuaj. Rroftë goja e çakallit!
    Shyqyr zotit, s’ka më mirë, lumturi dhe bukuri,
    dhe kur vjen e ju qan hallin, varni buz’ edhe turi!

    Hani, pini dhe rrëmbeni, është koha e çakenjvet;
    hani, pini e rrëmbeni, ësht’ bot e maskarenjve;
    Hani, pini, vidhni, mblidhni gjith’ aksione, monopole,
    ekselenca dhe shkëlqesa, tuti quanti come vuole!

    Nënshkrim i zotris suaj nëpër banka vlen milion,
    ju shkëlqen në kraharuar dekorata “Grand Cordon”!
    Dhe kërkoni me ballhapur (!) komb i varfër t’ju thërres’
    gjith me emrin tingëllonjës: Ekselenca e Shkëlqes’
    dhe të quheni përhera luftëtar’ e patriot’,
    në ka zot dhe do duroj’, posht ky zot, ky palo zot!

    Grand Kordon i zotris’sate, që në gji të kan’ vendosur,
    ësht’ pështyma e gjakosur e atdheut të veremosur;
    dhe kolltuku ku ke hipur, duke hequr nderin zvarr’,
    ësht’ trikëmbshi që përdita varet kombi në litar!
    Dhe zotrote kullurdise, diç, u bëre e pandeh,
    kundër burrit të vërtetë zë e vjell e zë e leh!

    E na tunde, na lëkunde, nëpër salla shkon e shkunde,
    mbasi dora e armikut ty me shok’ të heq për hunde.
    Rroftë miku yt i huaj, që për dita los e qesh,
    të gradoi katër shkallë, pse i the dy fjal’ në vesh!

    Koha dridhet e përdridhet, do vij’ dita që do zgjidhet
    dhe nga trasta pem’ e kalbur doemos jasht’ do hidhet!
    Koha dridhet e përdridhet, prej gradimit katër shkallë
    nuk do mbetet gjë në dorë veç se vul’ e zezë në ballë!

    Mirpo ju që s’keni pasur as nevoj’ as gjë të keqe,
    më përpara nga të gjithë, ju i thatë armikut: “Peqe!”
    Që të zinit një kolltuk, aq u ulët u përkulët,
    sa në pragun e armikut vajtët si kopil u ngulët!
    As ju hahet, as ju pihet, vetëm titulli ju kihet…
    Teksa fshat’ i varfër digjet… kryekurva nis e krihet!

    Sidomos ju dredharakë, ju me zemra aq të nxira,
    ju dinakë, ju shushunja, ju gjahtar’ në errësira!
    Ç’na pa syri, ç’na pa syri!… Hunda juaj ku nuk hyri:
    te i miri, te i ligu, te spiuni më i ndyri!

    Dallavera nëpër zyra, dallavera në pazar,
    dallavera me të huaj, dallavera me shqiptar’
    Vetëm, vetëm dallavera, dhe në dëm të këtij vendi
    që ju rriti, që ju ngriti, që ju ngopi, që ju dendi!

    Nëse kombi vete mbarë, nesër ju veproni ndryshe,
    dylli bëhet si të duash, kukuvajk’ dhe dallëndyshe…
    kukuvajka gjith, me lajka, nesër silleni bujar,
    nënë dorë e nënë maska, shkoni jepni një kapar!

    Dhe kujtoni tash e tutje me të tilla dallavera
    kukuvajka do përtypi zog e zoga si përhera…
    Ja, ja grushti do të bjeri përmbi krye të zuzarve,
    koha është e maskarenjve, po Atdheu i shqipëtarve!

    Edhe ju të robëruar, rob në dor’ të metelikut,
    fshini sofrat e kujtdoj’, puthni këmbën e armikut!
    Që ta kesh armikun mik e pandehni mençuri,
    mjafton bërja pasanik, pasanik dhe “bej” i ri,
    dhe u bëtë pasanik, me pallate, me vetura,
    kurse burrat më fisnikë, japin shpirtin në tortura!

    Vendi qenka sofr’ e qorrit, vlen për goj’ e për lëfytë,
    bëni sikur veni vetull’, shoku-shokut kreni sytë…
    Dhe për një kërkoni pesë, po më mir’ njëzet e pesë.
    Le të rrojë batakçiu dhe i miri le të vdesë!

    Po një dit’ që nis e vrëret do mbaroj’ me bubullimë,
    ky i sotmi zër’ i errët, bëhet vetëtimë
    dhe i bije rrufeja pasuris’ dhe, kësi lloj,
    nuk ju mbetet gjë në dorë, vetëm një kafshit’ për goj’!

    A e dini që fitimi brenda katër vjet mizor’
    nuk ësht’ yti, nuk ësht’ imi, është i kombit arbror,
    ësht’ i syrit në lot mëkuar, ësht’ i vendit djegur, pjekur,
    Ju do thoni si të doni… po e drejta dërmon hekur!

    Një vështrim i arratisur

    Një vështrim i arratisur
    Nga qepallat e qëndisur
    Ku është shpirti im skalisur,
    Nga dy syt’ e zez të tu
    Vjen më thotë ashtu-kështu!

    Me thot’ jo edhe më ndez
    Me thot’ po edhe më vdes
    Nata zgjatet edhe zgjatet
    Ah kjo nat’ me or’ nuk matet!

    E un’ mbetem duke lutur
    Lutem yjeve të këputur.
    Dhe un’ lus e kërkoj ty,
    Atë vetull, atë sy!

    Se në syrin tënd të zi
    N’atë sy te zi, mazi
    Shenj’ e buzës sime duket
    Si një prush në re kur muget

    Pyeta valët vogëlushe

    Pyeta valët vogëlushe;
    mu si krahët e një gushe
    përmbi supe nga një shkumë,
    kush më pak e kush më shumë,
    venë e vinë e shkojnë e shkasën
    dhe përhera për ty flasën.

    Valëza, o valëza,
    farë e fis me vashëza,
    ku e keni shoqen tuaj?
    Ruaje zot nga erë e huaj!
    Pyeta zoga, pyeta zogj,
    pyeta zemrën që m’u dogj,
    pyeta lulet nëpër baça,
    nëpër baça, që un’ plaça,
    muaj e vitra po të pres,
    vidi-vidi pëllumbeshë!

    Vidi-vidi zogëza,
    farë e fis me zojëza,
    ku e keni shoqen tuaj?
    Një minutë e gjat’ një muaj!
    Vidi-vidi pëllumbeshë!
    për ty qaj e për ty qeshë,
    për ty qesha; gjithë jeta
    me gjith’ lule, me gjith’ fleta,
    u bë fli për ata sy;
    çdo gëzim ta fala ty!

    E çdo brengë e mbajta vetë.
    Tash afroi e thënë e shkretë,
    dhe un’ s’di ku jam, ku vete,
    rroj për ty e vdes për vete!

    Vetëm jeta s’mund të matet

    Dhe ajo qe m’u duk mua e përhershme shkoj e vate
    Vate jeta ime vate, me la vetëm një kujtim
    S’di, i ziu, ç’është kujtimi: Vetëm shkrep si vetëtimë
    e me ndrit e me tregon gjurmëzat e zotëris’ sate

    Thonë lindi me këmishë, për atë që paske fate’
    meqë unë të dua ty, paskam lindur me këmishë
    s’di, i mjeri ç’është këmisha, vetëm ish ashtu si ish
    midis mishit dhe këmishës futej dor’ e zotëris’ sate

    Thonë paska parajse, gjith’ lulishte e pallate
    tufa, tufa me hyjrira, vargje vargje me humrira
    s’di, i ziu, ç’është hyrija, por hyrirat më të mira
    s’mund të ken’, t’u bëfsha unë, atë zjarr të zemrës sate

    Paska vende gji-ergjënd e pallate me shtatë kate
    ku ka defe, ku ka qefe, ku ka çupa me kaçupa
    s’di, dhe s’di, se ç’është kaçupi, me pëlqen më tepër kupa
    kur ma mbush e kur ma jep, ajo dore pa mëkate

    Dy te tretat e një kohe, të një shekulli që vate
    vate jeta ime vate, me ‘te bashke van’ dhe fatet
    s’di, i ziu, se ku vane, vetëm jeta s’mund te matet
    veç me ditët qe kalova, ne prani te zotëris’ sate

    3

    Agim Shehu

    DITËT E FUNDIT TË ALI TEPELENËS

    Si shkëmb buzë honi heshtur rrinte;
    daulle resh kish në çdo thinjë.
    Nëpër çibuk të gjatë thithte
    një hall të gjatë për Shqipërinë.

    Ré otomane që nxironin –
    mynxyra përmbi jataganë –
    mbi malet tona po vraponin,
    t’u ngjiteshin në ballë si çallmë.

    Ai mblidhte grusht gishtat e ashpra
    si Vilajetet në një derë,
    e përmbi grusht i dilte unaza
    veçuar, si një kokë e prerë.

    Mes hapash prej ariu të rreptë,
    i hynë armiq – bejlerë trutharë,
    dhe nxiu inat i tij i sertë
    si gjëmë shkume në ujvarë.

    Mbi trup t’Europës thonjtë mpleksnin
    sovranët që tërë bujë gjëmonin.
    Te cep i syrit të Tij, ngeci
    dhe Cari, dhe Napoleoni.

    Stuhinë si zë qiellor e ndjeu
    mbi qafë tek i thoshte – “shtriu!”
    Përgjigjen po ashtu ua ktheu,
    me kumbim qiejsh “Unë, Aliu…

    Ikij me vdekje Shqipërie…”
    Nga qafë e prerë ftohur si bora
    nisi t’i rjedhë gjak i kufijve
    që, bëri ç’bëri, i ranë nga dora.

    Bedenat dhanë zë tërmeti:
    “O bir luan, ec fli tek ne!..”
    Atij në fund vështrimi i mbeti
    mbi pabesinë: “Gjiton, ku je?!..”

    Gjumit nënkrejë i vuri shpatë.
    Bota iu nda e kuqëreme.
    E fundit psherëtimë iu zgjat…
    dhe vete e vjen “Erë Tepelenë”..
    1988

    4

    Dritero AGOLLI
    Shuarja e humorit…
    (Tregim)
    Unë kurrë nuk i kam pasur qejf letrat serioze të shokëve, letrat me gjuhë zyrtare. Që kur isha i ri,më pëlqente humori, historirat zbavitëse, shakatë që gjeja në letrat e miqve të mi dhe tek i lexoja, shkrihesha në gaz, duke harruar për disa çaste andrallat e jetës. Edhe unë kur merrja penën për të shkruar, mundohesha të kujtoja ngjarje për të qeshur. Ky zakon më ka mbetur edhe sot e kësaj dite kur flokët më janë thinjur dhe ka filluar të më dalë pak kurrizi. Një mbrëmje, duke pirë duhan në tryezën time, që e kam afër dritares, më vanë sytë tek një njeri që ecte në rrugë vetë. – U, Zalua! Ore, ç’do Zalua këtu? – thashë me vete dhe hapa dritaren për ta vështruar më qartë. Sa kohë kishte që ishim ndarë me të! Sa kohë kishte që nuk kishim këmbyer një letër! Unë e dija se ai jetonte mirë e bukur dhe vinte duke u rritur në përgjegjësira. “Bukur, Zalo, bukur”, thosha me vete kur dëgjoja fjalë të mira të mira për të nga ndonjë shok apo nga ndonjë artikull gazete. Me të vërtetë, më bëhej qejfi. – Tani paska ardhur në Tiranë! – thashë dhe u përkula në dritare. Po isha gabuar. Njeriu që ecte në rrugë nuk ishte ai që kujtoja. Kjo u bë shkak të ulesha e t’i shkruaja një letër mikut tim të vjetër, Zalo Nemërçkës, të birit të mullixhiut të fshatit tonë, atij fytyrë pikaloshit, që i kishte aq qejf mëllenjat dhe lepujt. Dhe kur i shkruan një shokut tënd, duke radhitur germat dhe fjalët, të del përpara gjithë fëminia, të kujtohen gjithë peripecitë, shkolla, mësuesit, vajzat… “Isha aty përpara në fshat,”- i shkruaja unë Zalos- dhe tek shkoja arave, mu kujtua bostani i mulla Elmazit. Të bie në mend, kur na e lëshoi qenin atë natë që u futëm të vjedhim? Sa herë e kujtoj, më qeshet, se ti e pësove më keq se unë. Ty, ai qeni i mallkuar, t’i grisi pantallonat, bile edhe brekët… Po mësuesit kur i futëm në xhep një zhapi të mbështjellë me shami të hundëve? Të kujtohet si u hodh përpjetë në orën e mësimit të natyrës, kur u zgjidh shamia dhe kërceu zhapiu nga xhepi? A të vjen në mend kur të thërrisnim me llagapin “abrash” dhe ti nxeheshe dhe na ndiqje me gurë? Oh, ç’ rrufjanë kemi qenë, more Zalo! E kështu i shkrojta një letër të gjatë sa një tregim, që botohet në “Drita” apo “Hosteni”. Ajo ishte nga ato letrat e mia plot humor që nuk të mërzisin kurrë duke i lexuar, përkundrazi të zbavitin. E mbylla në një zarf dhe ia nisa me postë për në Vlorë, se atje jetonte me gruan dhe fëmijët e tij. Pas nja dhjetë ditëve, erdhi postieri tek unë dhe më dha një zarf me ca pulla të bukura. Ishte Zalo Nëmërçka. E hapa me një frymë. I thirra edhe gruas të vinte ta lexonim bashkë, se asaj i pëlqenin letrat e dikurshme të Zalos, pasi ai dinte të tregonte edhe se si e shoqja i kërkonte fustane të mira, e si vinin të dy në MAPO, e si ziheshin, pasi nuk binin dakord për ngjyrën e materialit, që do të blinin. Dhe tani përsëri, ne kishim në dorë letrën e mikut tonë të dashur. Kokë për kokë me gruan filluam të lexojmë. Po ç’ patëm vallë që pas dy tri radhëve e premë frymën, i hoqëm sytë nga germat dhe shikuam shoku-shokun? Zalua ta ketë shkruar? Nuk është e mundur! Ku vajti gjithë ai humori i tij? Ku fluturoi gjithë ai gaz i tij që buronte nga çdo radhë e letrave? Nuk është e mundur. “Shoku Hysen,- shkruante ai-, duke studiuar me seriozitet letrën tuaj, drejtuar në adresën time me datë 14 maj të vitit në vazhdim, jam i detyruar t’ju përgjigjem sa më poshtë vijon: E para: ne tani jemi njerëz të rritur, kemi punë me përgjegjësira, drejtojmë sektorë të ndryshëm të ekonomisë apo të kulturës sonë popullore dhe nuk është aspak e hijshme të merremi me gjëra, që nuk janë serioze. Ju akoma jetoni me kujtimet e shkuara dhe s’keni sensin e kohës. Nuk është etike të më përmendni në letër në mënyrë banale as bostanet e mulla Elmazit, atij njeriu anadollak që i përket së kaluarës, dhe as të shpifni në mënyrë djallëzore, se gjoja unë, kur isha i vogël, qenkam sjellë keq me mësuesit e mi dhe paskam përdorur mjete dhe metoda rrugaçësh për të ulur autoritetin e tyre, siç janë zhapinjtë, apo lloje të tjera të botës shazore. E dyta: llagapin “abrash” nuk dua të ma përmendni nëpër letra, edhe nëse ky llagap i përket së kaluarës. Ju duhet të dini se unë kam fëmijë. Po ta marrin vesh ata këtë llagap, si do të reagojnë? A nuk do të me vini ju në pozita të vështira para tyre? E treta: në qoftë se letra të tilla diskredituese do të bien në dorë të vartësve të mi, gjq që ju nuk e keni marrë parasysh, dua të them të të punonjësve të sektorit që unë drejtoj, atëherë ç’do të bëhet me autoritetin tim? Shoku Hysen! Ju lutem mos përfitoni nga familjariteti ynë i dikurshëm dhe nga shoqëria jonë e fëminisë. Shikojini gjërat dhe fenomenet në mënyrë dialektike, në zhvillim, në formë spirali. Në qoftë se do të shkruani, mos e teproni me shakara me zarar. Me nderime. Zalo Nemërçka”. Ne qëndruam pa folur një çerek ore. E vërtitem letrën nëpër duar, e lexuam dy tri herë, u munduam të marrim me mend çastet në të cilat mund të jetë ndodhur Zaloja, kur e ka shkruar këtë letër, e ngushëlluam veten, duke thënë se ai ka dashur të bëjë shaka, por më kot. Të dy, unë me gruan, mbetëm të trishtuar.

    5

    Valter Dauti.

    MË SHANI KOT…

    Më shani, nga që dua Djanën,
    Një vajzë me sy pa faj,
    Iu lutem, mos ia ndyni famën,
    Është Ëngjëll zemër e saj.

    Më shani, sepse Djanën dua,
    (Oh, ç’perëndim mbi buzë!)
    Sa botë e tërë, i vlen një thua,
    Kur qesh e kthehet shpuzë.

    Se, Djanën dua,ju më pështyni,
    Më thoni: “I pa cipë…!”
    Ajo të deh veç me cep syri,
    Tek sa pulit veç …sytë…

    Sa sharje… veç se dua Djanën…
    (E dua përsëri…!)
    Ka vite që s’ia gjej dot anën,
    Për ju, s’dua t’ia di!

    Se, Djana është ambrozë hyjnish,
    Dhe… ju, po ta takonit,
    Do thoshit ” Eh,ç’ ëngjëll që ish’,
    Sa unë, do ta donit…

    MODË MODERNE

    Të kesh dy gra që të të duan,
    Një me kurorë e tjetrën fshehur,
    Në skenën-jetë, teatër luan,
    Herë manekin, herë tapë i dehur.

    Dy portofolë të mbash në xhepa,
    Të parin bosh e tjetrin plot,
    I pari hapin hedh te qepa,
    I dyti përgjërohet lot.

    Të bësh dhuratë një parfum fallco,
    Në përvjetor njohje- dikur…,
    Dhe si fisnik, dashnor firmato,
    Të ndizesh shpirt…të bëhesh zhur…

    Të kesh fëmijë që bredhin natën,
    Të mbash dy qenë të racës ‘’klas’’,
    Të kesh pushtet, të pa fund hartën,
    Të jesh mes turmës vetëm as…

    SHTËPIZA IME, ME SHPIRT TË FLIRTË

    U ngri shtëpiza ime e drunjtë,
    Mes drurëve pa një gjeth…
    E,zëri kurrë mos i humbtë,
    Mes dimrit që të ngjeth.

    I ngathët ec miu hirosh,
    Kasolles,cep më cep,
    Sikur më thotë ky bukurosh:
    -‘’Po miu…është poet…?

    Sepse lodron në ngricë-acar,
    Në tapë shishen gërvish,
    Te bota tej dremit e bardhë,
    Një gotë mund ta pish…’’

    Shkreti e bardhë derdh nur të hirtë,
    E shkuara nis vdes…
    Shtëpiza ime me shpirt të flirtë,
    Merr frymë… dhe zjarr më ndez.

    Kështu gjallon gjithçka në botë,
    Plot jetë…përjetësisht.
    …shtëpiza ime, si shpirt i ngrohtë,
    Merr frymë paqshmërisht…

    U vesh me borë shtëpiza ime,
    Si nuset në përralla…
    Tani,dhe vjershat plot mendime,
    Zënë bëhen më të rralla.

    BORËRIMË

    Ti, fsheh qerpikët ndër gjethe pishash,
    Dhe virgjërinë,kristalesh fsheh,
    Kështu ka ndodhur prag disa dimrash,
    Kështu ka qenë…ti… prapë,atje…

    Ky funddhjetor i dimëruar,
    Që fle gjumëbardhë,skaj më skaj,
    Me ty ka mbetur dashuruar,
    Ndaj,shpirtkristaltë,shtrihet pa faj.

    Ti.frymën fsheh,pishash të kaltra,
    Me sytë e kaltër gjithçmenduron…
    Ca drithtërima të kristalta,
    Ҫdo vit më ndez… tek borëron…

    6

    Mimoza Agalliu

    JETA –KY PRIVILEGJ I GUXIMSHËM
    (Esse)

    Dimri ka shtrirë buzëqeshjen e ngrirë mbi maja malesh, ndërsa rrezet e fundit përpëliten me mosdëshirën për t’u larguar. Mes ngricave të dimrit edhe buzëqeshjet e shumë njerëzve fillojnë të veniten ,sepse njeriu, është qënie e lindur të jetojë me diellin. Kush nuk e dëshiron shkëlqimin verbues të rrezeve, çdo ditë të jetës? Njeriu lind pranverë e kërkon të mbetet po pranverë.Në udhën e pafund të dijes mundohemi të gjejmë ndonjë argument, të cilën ia veshim shpirtit për t’u bërë një stinë e lulëzuar. Rend të arrijë castet e lumtura duke i futur si relike në kujtesën e tij. Atëherë do mundë të thotë;jetova bukur. Ka që pëshpërisin- lash një emër të mirë pas – fisnikërinë. Të gjithë e dimë që; ndoshta nuk do mundemi të themi dot asgjë, por do shkojmë në heshtje, si pjesë e kësaj historie të lashtë… Rendim mes qënies e mosqënies të lumtur. Askush nuk e ka prekur thellësinë e tyre, sepse nuk ekzistojnë gjatë në të vërtetë. Pas rrezeve të nxehta që çlirohen nga toka, vjen kondensionimi i ajrit dhe shirat përmbytin gjethet vjeshtore . Ndër kohë jeta rrjedh si ujvarë mes katër stinësh. Aty është bukuria e saj, tek të qënit në opozitë mes të bukurës e të shëmtuarës, mes buzëqeshjes dhe lotit, mes dashurisë dhe urrejtjes. Koha gjatë stinëve është shumë e rëndësishme për seicilin. Në fund të fundit është e kaluara që shkon, të tashmen e jetojmë. Shpesh gabojmë duke u marrë me “asgjënë” dhe shansi për të jetuar kohën kthehet në “asgjë”. Ndodh të harxhojmë vitalitetin për të tjerë, që nuk kanë asnjë rëndësi në jetën tonë. Aty fillon zhgënjimi, pësimi dhe mësimi.Gjatë kohës që harxhojmë kuptojmë vlerën e rëndësinë e saj. Njohim shumë vlera e virtyte ,të cilat na mbushin me dashuri për pjesën më të mirë të njerëzimit. Më pas kuptojmë vërtetë, sa e shtrenjtë dhe e shenjtë është koha e seicilit, dhe si e ku, duhet ta përdorim atë. Koha që shkon është vrasëse e dëshirave, ëndrrave, e qënies, kur nuk jetohet produktivisht. Ajo që shkon, është pasqyra e jetës. Luftojmë me ndjenjat tona duke u marrë me të tjerë. Xhelozia,ah kjo ndjesi negative e inferioritetit. Ndjenja e dobësisë, që na lind për shkak të suksesit të tjetrit. Ndodh kur nuk je i/e lumtur me veten, sepse nuk je realizuar, nuk pranon atë që je në të vërtetë. Besimi tek vetja është zhytur në harresë e nuk lufton ta gjesh për t’u plotësuar ,për t’u përballur me sfidën e radhës. Patjetër që nesër do të duash veten, dhe do të urresh atë që ishe dje, (marrëzinë e xhelozisë) duke përqafuar vetrespektin. Bota është e çuditshme. Njerëzit janë të shumëllojshëm dhe po aq të çuditshëm… Sa më shumë zhytesh në çuditë e tyre, aq më shumë ke dëshirë të jesh në rolin që ke zgjedhur, duke rritur vetvlerësimin. Mësova të njoh durimin, duke prekur skajet më fundore të tij kur zhgënjimi vesh pëlhurën e dhimbjes, derisa kthehet në një mur të lartë, të pakapërcyeshëm midis të shkuarës dhe të tashmes. Në atë kuadrat ku është tretur e tërë qënia jote me djersën që ndrin si smerald, ti shikon se si gojë të stërmëdha me buzëqeshje karizmatike ta shijojnë atë pikë- pikë… Natyrshëm ndjen dhimbje pa mundur të thuash asnjë fjalë, sepse askush nuk mund të dëgjojë rënkimet e tua atë cast! Habitesh me veten, si mbetesh e panjohur për ta! Pas kësaj bie sipari i pendesës . Merr guximin të ecësh mes një udhe të re, ndoshta më të vështirë se kurrë më parë, por plot shpresë e dritë, duke skalitur me kujdes ëndrrat e tua për të ardhmen! Nga larg, ndjen tek zvarriten nëpër terr ,atë kastë që të nëpërkëmbi krenarinë e brishtë, por jo vetëm. ..dikur. Vlera e jetës nuk ka kohë e hapësirë matjeje, ashtu siç shpirti nuk matet. -Lumturia është ai çast që ndodh kur harrojmë brengat dhe jetojmë të bukurën që na dhurohet. Shëtis mes mugëtirës dimërore e buzëqesh me jetën. Janë ato çaste magjike ,kur dialogon me veten spontanisht,është si një dehje trupore nën rreze të padukshme,ku shpirti ndriçohet në çdo stinë, në çdo skutë. Është flladi i detit duke të aromatizuar lëkurën,kaltërsi qiellore depërtuar në çdo qelize. -Qetësia shpirtërore e sinqertë, flet për një jetë me dinjitet. Është memorja e qetuar ardhur nga rruga e gjatë, pastruar me lodhje të mundimshme duke mbjellë lule shumëngjyrëshe ndër hapa. Frymëmarrje e qetë pa pesha faji të rënduara. Është një udhëtim i vështirë, por i bukur. -Jeta ky privilegj i guximshëm, ngjan me anijen drejt molit destin , përballur me dallgët dhe erën. Puthje në agime- perëndime dielli, përkëdhelje faqesh mbi jastëk , qëndisur vetë me talent e përkushtim. Frymëmarrje e qetë ,“fshehur “ frikërat e realitetit plot zhurmë. Tërheqje e kujdesshme për në udhë të gjelbëruar. Forcë mendimi për të sfiduar botën,pastërti shpirti që freskon mjedisin. Buzëqeshje fëminore poshtë një syzeje të errët,shtrëngim dhëmbësh në dhimbje të beftë. Jeta kjo muzikë me ritmin e kohës,lexim sysh i njerëzve me botë të ndryshme. Jeta –Ky privilegj I guximshëm. Është dehje trupash mbi barin e njomë, shtrëngim duarsh dashuruar… deri në diell-perëndimin e vonë. * Mësova në jetë të dua diellin kur krahët qiellit hap. Nëse qëndron pas reve fshehur , portën e zemrës ia kam çelur. * Mësova të ngre shpirtin në univers, kur me gjak të pistë kërkuan ta ushqenin. Ndaj sot, jam në këmbë e sigurtë në vete, para jush përsëri. Pushtuar

    7

    Ilmi QAZIMI

    Mëmëdhé

    …Ëndërra me plumba të bukur rrinë stivosur…
    E ti me baltë egërsie ke ngjyer kostumin
    Varre pa varre e varre të varrosur
    Lumi qan detin, deti qesh lumin.

    Netët pa yje po ta brejnë kurmin
    Mëkati e drama strehën gjejnë tek ti
    Themel e çati tok i ke me kulmin,
    Fije vdekjeje e lumturie – Shqipëri

    Vitet dhe çastet
    (Atij iu fik qiriri 96 vjeçar)

    Ç’i duheshin më vitet
    Kur i mungonin çastet?
    *
    Këndezi
    Këndezi
    Këndon në krye të karvanit
    Mbi majë të plehut.
    Po karvani ku është?
    *
    Heshtja dhe fjala
    Heshtja
    Kjo merimangë byzylyk artë
    Herët në lashtësi
    I mbylli sytë vezullues e verbues
    Të fjalës…
    Dhe të dyja bashkë, hakmarrëse
    Çapiten çasteve të përjetësisë.
    *
    Jemi…
    Ajo qan sepse po qesh unë
    Ajo s’është me ajo.
    Edhe unë s’jam më unë.
    Kjo ditë si duket, s’është më ditë
    Jemi të tërë…emra të pa emërtuar
    Çfarë duhet të jemi bërë ?
    *

    Njeriu, ky vrasës i rëndomtë
    Kundruall meje një palë sy
    Të ndezur, sulmues, skifter.
    Dhe një miniujëvarë ndjenjash…
    Kotësirë kamele si një pasdite e vranët.

    Një zog gojë-harkuar mendon
    Me sqep, me muskul e tru e zgjidh enigmën.
    Merr pastaj shpërblim të majmë –ushqim.
    Njeriu e vret zogun me ligje e armë.

    8

    Astrit Balliu

    MË PUTH PA BËRË ZË…

    Nuk do të më presësh më cepeve, si dikur
    As do fleshë duke u lutur-o zot edhe një herë !
    Tashmë erdhi momenti ta kapërcejmë atë mur
    Të sjellim në dashurinë tonë pranverë.

    Vërtet humbëm ca miq të shtrenjtë shumë
    Bëmë kaq bujë për hiç gjë, po ja !
    Po kujt për dashurinë s’i rrodhën lotët lumë?
    E kush me veten-nuk dashuroj më !-S’tha ?

    Dhe ja,tashmë bashkë,gji më gji shtrënguar
    Ëndrra veç e veç nuk do të thurim më.
    Ç’ke që dridhesh pra,ç’frikë të ka pushtuar?
    Veç më përqafo,më puth pa bërë zë .

    9

    Besiko Demaj

    Jeta ime…
    (Skicë)

    Jeta ime! Mikja ime! E shtrenjta ime! Së bashku dorë për dorë, arritëm në 16-vjetor. Të palodhura si dy mike të mira, kemi skalitur fytyrën e njëra–tjetrës. Kam ecur rrugës edhe pse në vesh më frynte një erë tinzare, një erë gjumëndjellëse që me duar në xhepa fërshëllente pas veshit tim për të më ndalur. Kam ecur edhe pse bota e kredhur në hije, indiferente kalonte para meje pa i hedhur sytë fare nga unë. Duhej të ecja… Nuk dua që akrepat e orës të thyhen si krahët e një zogu dhe unë të marrë pikëllimin prej dore e të kthehem në të kaluarën time. Jo!
    Nuk dua kthim prapa. Dua të të shoh në sy. Nuk e di pse sa herë e bej këtë, ti më kujton një ditë maji që e gdhimë me një copë mjegull, e cila e vëren blerimin për pak kohë për ta hapur pastaj me një pafundësi ngjyrash. Një ditë, me një erë jargavani, dua ta thith pafundësisht. Ky është një nga ato çaste kur më shpëton një pasthirmë mbrekullimi, që më thotë se jeta qënka vërtet e bukur. Ajo më ngjeshet në buzë duke më lënë shijen e saj të këndshme. E përfshirë në vorbullën tënde, kam kaluar çastet e mia më të lumtura, e mbështetur te familja ime, te njerëzit e mi të afërt që më kanë dashur e ndihmuar gjithmonë. Jeta ime, sa shumë më pëlqen! Herë më përkëdhel me zë të ëmbël. Herë më sheh me sy tinzarë. Ndoshta kam qenë me fat, për sa doja të të nisja prapë. Herë më rrëzon. Më ngre. Më bën të lotoj.
    Herë më bën të fluturoj me krahë. Të dashuroj me zemër. Kam vendosur të mos ndalem. Dua t’i jetoj ditët. Çastet me pasionet e mia, librat dhe muzikën. Për mua jeta është një dhuratë hyjnore. Stina më e bukur.
    Fundvjeshta, që si pelë e kuqe tund krifën virgjine. Çasti më i bukur është perëndimi, që, si një mjelmë, noton në sipërfaqe ujore. Kurse nëna ime është drita e vetme që më pret në jetë. E vetmja gjë që nuk ndalet, është koha. Ajo më tërheq gjithmonë vëmendjen, duke më thënë se ke shumë për të bërë dhe duhet të ecësh një me ritmin tim. Dua të udhëtoj shumë. Të fitoj shumë. Të dhuroj gjithçka, që, në fund të jetës sime, të mos më vij keq për asgjë. Jeta është hyjnore. Është ëndërr, të cilën e shohim çdo ditë.

    10

    Vjollca Pasku
    HARTA E MALLIT..
    (Prozë poetike)

    Jetoj në faqen tjetër të diellit djegës…Brigjet e detit , malet, qytetin tim i shoh përtej kapakëve të mbyllur të syve të mi .Dridhma ime vibron në mallin e zemrës.Bebezat e syve lëvizin si varkë diellore,të kërkojnë folenë atërore.Frymarrja ime urdhëron erën! – Erë moj,sillmë një degë ajri nga Atdheu im, fletëz të shtrihet në pëllëmbën time ta mbështjellë me mall, dredhur si cigare, e ta ndez menjë yll. Antenat e tymit, t’më fluturojnë largë…largë në qiellin e heshtur të vendit tim. Oh…Vetëm para teje gjunjëzohem Atdheu im. Lotët e mi, bien në thithkat e zhuritura të tokës. Buzët i njom me puthjen e baltës së ëmbël. Ndiej kundërmimin e bukës së varfër, pjekur në saçin e prushit të vuajtjeve të ashklave të ditëve të kaluara.Pragu i vjetër më buzëqesh me kolovitjen e kores së dalë boje prej viteve.Muret e shtëpisë, ndrijnë nga shpresa se do lirohen nga myku, parazit i ajrit të burgosur. Nga dritarja hyjnë copëza kaltërsie, shkëputur nga fizarmonika e qiellit.Vesa e ngrirë nëpër lulet e fshehura, shkrihet nga rrezja e gëzimit, dhe në kopësht lind hyjnesha pranver.Lotët e ullirit që kishte mbjellë babai derdhin vajin buburues nga shtrydhja e psherëtimave nëpër kanistrat e pritjes.Pas ngashërimit të përbaltur, pusi rjedhë gjithë gaz, kristalinën e retinës së tokës.Pëllumbat mbi çati gugasin niseshtenë e dritës dhe krahët e tyre gëzueshëm vizatojnë vetullat e bardha ditës. Vetëm orët e tanishme po më mërdhijnë..Harta e yjeve digjet dhe tymi i agimit hapet në qiellin bosh..Kundërmimi i plagës së mallit ngjitet në re, dhe sytë e mi kërkojnë një copëz nga plaçenta e diellit tim.Shpirti im shtegëtar kalëron me flokët e erës udhëtare në yllin e mëngjesit. Perlat e shpresës lundrojnë si elementet e kuq në dejet e mia, në drejtimin e Atdheut tim.

    11

    Nase Jani

    XHELOZIA E QENIT XHIK
    (Tregim)

    Avioni la pistën në një fluturim ikjeje, drejt një kontinenti tjetër. I shoqi i zonjës Valentinë, linte ngazëllimet me gruan, për ngazëllimet e biznesit. Nga një çlodhje- shpirti, në një lodhje-truri, apo e kundërta? Ai kish çelur një portë jete. Ishte martuar me një zonjushë të bukur e të ëmbël, siç e kish përcaktuar ai gjatë atij muaji bashkëjetese, në vilën e qytetit bregdetar. Por pasioni i biznesit, që kishte njëzetë vjet që e mundonte, bashkë me rininë i kish rrëmbyer edhe të ardhmen. Valentina, në atë muaj mjalti, dukej më tepër si një kalimtare, ku rastësisht kish trokitur në portën e tij dhe pastaj. Pastaj avioni ish ngritur nga pista, ish zvogëluar në shikimin e zonjës Valentinë e të qenit Xhik, që ai ia kish blerë dhuratë martese dhe kish humbur në hapësirën e pafund të qiellit…
    * * *
    Qeni Xhik shumë shpejt u mësua me zonjën. Ajo e ushqente me dietë të zgjedhur, të mësuar tek libri i qenve, por kujdesin më të madh e tregonte gjatë larjes. E fuste qenin në vaskën me ujë të ngrohtë dhe shkumonte shampo erëmirë “Mela”… Qeni i bindej gjer në kënaqësi. Shtrihej në shpinë dhe lëshonte trupin nën pushtetin e gishtave ledhatarë të saj, që tërë pasion, rrëshqisnin mbi gjithë sipërfaqen leshtore… Një kënaqësi e përbashkët lëvizte nën lëkurë sa qenin Xhik e bënte të mblidhte muskujt e barkut dhe zonjën Valentinë të lëshonte gjinjtë e rrumbullakët, te lëvizja ritmike e gjuhës së tij ngjyrëkuqe.
    Pastaj ajo e mbështillte me një peshqir ngjyrë-mente, me xhufka anash dhe, aty para pasqyrës, e krihte lehtë-lehtë, duke harkuar pak trupin djathtas, në çdo lëvizje krehri e, herë pas here, lëshonte sytë nga pasqyra në një kënaqësi të pa provuar… Sa herë që zonja ndjehej e mërzitur, qetësohej, disi, duke larë qenin. Dhe qeni Xhik, që kish hyrë brenda ndjenjave të zonjës, zhytej vetë në vaskë, mbyllte sytë, hapte përgjysmë gojën, sa lëshonte gjuhën e kuqe jashtë dhe priste që ajo të niste lojën e vaskës… Qeni Xhik kishte dhe orët e gjimnastikës e orët e shëtitjeve nga parku, nga liqeni, apo nga diskot, të cilat i frekuentonin rrallë. Por, e veçanta për zonjën Valentinë e qenin Xhik, ishin orët e pasmbremjeve. Pasmbrëmjet në dhomën e gjumit, nën ritmin e muzikës, nën gjysmëdritën ngjyrëkaltër, që lëshonte abazhuri i murit, mbi tapetin e zixhadejtë, ku këmbët e zonjës e të qenit, krijonin në kërcim, figura disi të çuditshme si hieroglife kineze…
    Zonja Valentinë, gjatë vallëzimit, e kulpëronte trupin, në ngjitje dallgësh, nga gjunjët tek beli i hollë, deri tek gjinjtë e mbi supe. Krahët, që ngriheshin si në fluturim, lëshoheshin, herë-herë, e diç kapnin, apo kërkonin të kapnin, me duf, tek trupi i saj… Buzët e ndezura i lëshonin disa zanore të zgjatura pa formuar fjalë, por të kuptueshme për qenin Xhik, që rritmonte rreth zonjës, herë lehtë mbi dy putra e herë rëndë mbi katër putrat, duke tundur bishtin e shkurtër e duke llapashitur veshë¬t e mëdhenj si gjethe fiku. Ashtu, në vrulle-kërcimi, zonja Valentinë, merrte shishen e ëiskit, e mbështillte me buzët e ndezura dhe ndjente lëngëzim të brendshëm, si dhe në luginën e gjinjve. Pastaj ia derdhte ëiskin qenit mbi gjuhë¬n e kuqe e ai, symbyllur, kënaqej në kënaqësi-qeni… Pastaj zonja, duke kërcyer, thoshte ca fjalë pa kuptim… Dhe qeni Xhik, duke kërcyer, lëshonte ca ulërima, që zonjës i vinin në vesh si fjal¬ë përkëdhelëse… Vetëm kur dritën e kaltër të abazhurit, e treste drita e diellit, që mund të hynte në dhomën e gjumit pas orës dhjetë, zonja çelte sytë, duke ngritur me zor grilat e qerpikëve dhe shihte trupin e saj të lakuriqtë dhe, aty pranë, Xhikun leshtor…
    * * *
    Kalonin ditët e muajt me të përbashkëtat e të veçantat e tyre. Zonja Valentinë e qeni Xhik bëheshin më shumë të njëri-tjetrit. Zonja e shtynte përkujdesjen deri në xhelozi. Vetëm ajo kishte të drejtë të luante e ta përkëdhelte qenin. As shërbëtorja nuk guxonte ta prekte. Miqtë e vizitorët mund t’i bënin vetëm koplimenta, por me dorë nuk guxonin ta ledhatonin, apo ta preknin sadopak. Huqet e zonjës i njihte mirë qeni dhe i bindej pushtetit të saj. Por xhelozia e qeni ishte më e egër, jo vetëm se nuk kishte etiketë njeriu, por nuk kishte as servilizëm qeni. Kur zonja qeshte me miqtë e saj, ose përqafohej, Xhiku nxirrte një mërmërimë zemërimi, që shpesh përfundonte në ulërimë. Në fillim, zonja Valentinë ndjente bezdi nga xhelozia e Xhikut por, ngadalë, nisi t’i bindej xhelozisë së tij, bile diç ndjente brenda vetes, që e kënaqte …
    * * *
    Ishte fillim vjeshte… Burri i Valentinës po përgatitej për kthim.
    Dhuratat për të shoqen i vendosi me kujdes në çanta, me mendimin e bukur se do ta befasonte. Për qenin as e kish vrarë mendjen, bile e kish fshirë nga kujtesa. Telefonatë nuk i beri së shoqes. Heshtjen e mbi-nj¬ëviti nuk donte ta prishte as në këtë ditë-kthimi… Kur avioni lëshoi rrotat dhe rrëshqiti në pistë, me atë zhurmën karakteristike, ai ndjeu një boshësi brenda gjoksit, që s’e kish ndjerë kurrë… Zonja Valentinë, po lante Xhikun në vaskë dhe shërbëtorja e kish të ndaluar ta lajmëronte për ardhjen e të shoqit. Bile nuk guxonte as të trokiste, kur zonja merrej me Xhikun. Pas larjes, ose më mirë, pas lojës së vaskës, vinte mbështjellja me peshqirin e madh me xhufka, pastaj vazhdonte krehja, aty para pasqyrës, deri në avujt parfumonjës.
    * * *
    Mbrëmja kaloi bukur. Dhuratat e të shoqit e gëzuan. Ndenji disa minuta para pasqyrës, duke joshur trupin e saj të bukur. Dhuratat, që nga fustanet e bluzat, bizhuteritë e këmishët e natës, ishin befasuese. Ajo, e kënaqur, i harkoi krahët rreth qafës së burrit, e puthi në buzë e në faqe, pastaj i mbushi gotat me shampanjë, në një darkë të pasur…
    Po Xhiku?! Vetëm Xhiku kish mbetur te kolltuku i tij në formë shporte. Ai ish i harruar në atë mbrëmje… Zonja Valentinë me të shoqin, e lanë Xhikun në vetminë e tij, për të kaluar nga dhoma e gjumit pasdreken e mezipritur… Të lodhur nga dashuria, apo për t’i bërë qejfin njëri-tjetrit, i kish mbërthyer gjumi, ashtu, të pambuluar me jastëkët nën bel e diku nën shpatulla, me dritën e abazhurit të pa fikur e me derën e dhomës gjysmëçelur, në një parregullsi të plotë… Xhikun nuk po e zinte gjumi. Ndenji, i heshtur, në kolltukun e tij me orë të tëra, pastaj, befas, u lëshua me vrull në dhomën ku shtriheshin dy trupat e lakuriqtë. U hodh mbi krevat, lëshoi thonjtë e putrave mbi gjoksin e mashkullit dhe i nguli fort dhëmbët në fyt, me egërsi ujku… Mashkulli nuk mundi më të dilte nga gjumi e të hynte në jetë. Gjoksi s’i jepte e merrte më frymë. Gërhitja iu këput midis buzëve të trasha e hundës së shtypur. Vetëm sytë iu hapën me një zgurdullimë tmerri. Iu hapën për të mos parë më… E gjithë kjo pamje, i ngjante një filmi me xhirim të shpejtë, pa muzikë e pa zë… Zonja Valentinë buzëqeshte e fjetur, e mbetur në ndonjë kënaqësi-ëndrre. Pastaj përplasi disa herë buzët në fjalë pa kuptim… Xhiku zbriti nga krevati, me gojën gjysmë të çelur e gjuhën e kuqe të nxjerrë mes dhëmbëve shpues, rëndë-rëndë, mbi katër putrat, doli nga dera …
    * * *
    Binte shi i imët… Makinat po ktheheshin nga varrezat… Zonja Valentinë e veshur me të zeza… Pranë zonjës, me një fjongo të zezë në qafë, ishte qeni Xhik. Gojën e mbante gjysmë të çelur dhe, mes dhëmbëve, dilte gjuha në ngjyrën e trëndafilit, që zonja kish hedhur mbi varrin e të shoqit…

    12

    Skender Laze Trebeshina

    NË SYTË E SAJ

    N’atë detin blu të syve
    çfar misteri përshtillej vallë ?
    me shikime thell m’shtyje
    q’andej s’dola më i “gjallë” !

    Atje zgjidha gjith enigmat
    syve t’Saj, kur lotojnë
    i mblodha tè gjitha pikat
    i piva, po më helmojnë .

    Syve t’mi ua kursej shikimet
    qè sy tè tjerè mos tè lèndojnè
    jo se nuk i duroj dhimbjet
    por syrtè shpirtin pasqyrojn !

    ZONJA X

    Ti m’thua si atëher -të kam xhan –
    më thuaj – t’kam shpirt- si dikur
    por zemra është qelq, a si një xham
    atje ku mer krisje, nuk ngjtet kurr!

    Ndaj mos provoko, me fjalë të tilla
    kam kohë që si dëgjoj kto shprehje
    zemrën, sytë dhe shpirtin, të tria
    i humba në një natë, nën’ dehje!

    Se mohoj, se dehja Jote ishte joshëse
    ndoshta, më e bukura që kam njohur
    por ajo ishte dehje gati vdekje-prurëse
    e vetmja vdekje ndoshta, që më ka joshur!

    13

    MUARREM SHARKA

    Më duhet një Zot…
    (Tregim)
    Bindja, duam apo nuk duam ne, shumë herë kushtëzon mbijetesën tonë, duke mbetur e vetmja rrugë. Ajo më shumë lidhet me arsyen sesa me ndjenjën. Ditën e diel pasdite, aty rreth orës tre, një kamion ndaloi në anë te rrugës. U pa të zbriste shoferi, një burrë i shëndoshë, i djersitur i tëri kokë e këmbë. Peshqiri që mbante në zverk ia tregonte dhe më të shkurtër qafën. Lëvizjet e tij ishin të ngadalta, por të sigurta. Shkoi në pjesën e pasme të kamionit dhe u fut brenda. Doli që andej pas disa çastesh, akoma më i djersitur dhe pas tërhiqte një kalë duke zbritur ngadalë mbi derën që shërbente si urë. Ajo kafshë kishte një pamje shumë krenare, ndërsa qimet e tij të zeza dhe të djersitura shkëlqenin nën diellin e nxehtë të korrikut. Shoferi u drejtua bashkë me kalin për nga porta e hekurt e një fushe me bar,e rrethuar me një rrjetë të lartë. -Tungjatjeta! Ja dhe porosinë ua sollëm se na hëngrët,-foli shoferi. -E mbajtët fjalën megjithëse me vonesë,-u përgjigj tjetri ,pamja e të cilit nuk e fshihte kënaqësinë, duke parë me admirim dhuratën. Shoferi e la të lirë kalin brenda fushës duke i hequr frerin. -Veterineri do të vijë nga fundi i javës, por më porositi që frerin ta marr përsëri. -Si kështu, po ne na duhet? Mirë që s’po i heq dhe patkonjtë,- i foli ai shoferit. Nuk e zgjati shumë. Tek e fundit i kishte kërkuar njeriut të tij një kalë, mirëpo kjo puna e frenit e habiti. Me veterinerin ishin kushërinj, por në fakt midis tyre marrëdhëniet ishin më të drejtpërdrejta se me të afërmit e tjerë. Ideja për të sjellë një kalë race kishte lindur gjatë bisedave kur kushëriri i tregonte se vinte një kohë kur kuajt që nuk mund të garonin më, i largonin. Ata dhuroheshin nëpër miq, ose i vendosnin diku për të marrë ndonjë pasardhës. Shoferi pasi la një dosje ku ishin të dhënat e kalit, u largua. Kali me gjak të pastër, tashmë gjysmë i lirë, dukej pak nervoz. Pranë fushës ishin mbledhur njerëz që shihnin me kureshtje. Ndoshta prania jonë e ngacmonte atë gjallesë të lëvizte fillimisht qetë-qetë, e më pas duke e shtuar egërsinë. Kjo liri e gjysmuar, apo gjysmë robëri, i jepte mundësinë këtij ish-garuesi që të lëvizte i lirë, pa praninë e ferrit, po jo ku të dëshironte. Liria e tij hë për hë ishte e përcaktuar nga rrjeta e lartë rreth fushës.
    Dukej sikur kali e kishte kuptuar cili ishte shkaku i kësaj forme të re të jetës së tij. Qëndrimi i tij në hipodrom kishte dy forma të tjera kushtëzimi; ai jetonte një pjesë të mirë të kohës i mbyllur kur ushqehej, pastrohej dhe mjekohej, por pa praninë e frerëve; pjesa tjetër ishte pista ku ai stërvitej apo garonte me praninë e frerëve, por kjo pistë për të ishte e pakufizuar deri në momentin që ai nuk arrinte të kuptonte që thjesht po përsëriste të njëjtën rrugë. Kur gara përfundonte, kishte përfunduar më parë dhe energjia e tij kështu që pranonte i bindur formën tjetër të lirisë së përgjysmuar. Por këtë here dukej i vendosur. Duke shkuar në njërën anë të fushës ai nisej me një vrull të jashtëzakonshëm, thua se do të fluturonte. Disa metra pranë rrethimit të lartë ai ngulte fort në tokë këmbët e tij që krijonin vija të gjata e te thella në sipërfaqen e fushës. E përsëriste gjithmonë këtë veprim. Nisjet ishin shumë të vrullshme dhe përfundonin shumë më pranë rrethimit. Në lëkurën e djersitur që shkëlqente, dukeshin muskujt që mblidheshin e lëshoheshin herë pas here. Dinamizmi i lëvizjeve të tij të jepte përshtypjen e një dëshire për vetësakrifikim, ndryshe nuk mund të kuptohej ky tërbim nga ana e një gjallese që për shtatë vite radhazi kishte zbatuar me përpikmëri urdhrat e te zotit. Atëherë tri mund të ishin arsyet që shpjegonin lëvizjet e tërbuara të këtij kali: ai nuk mund të pranonte këtë realitet të ri i cili ishte ndryshe nga përditshmëria e tij; i mungonte prania e të zotit apo të një shenjë që tregonte lidhjen me të shkuarën ndoshta freri; apo ai kishte kuptuar që ishte shkëputur përfundimisht nga pista dhe këtu arsyeja e ekzistencës së tij kishte marrë fund. Po ju rrëfej me besnikëri se si rrodhën ngjarjet më tej, për të gjykuar se cila ishte arsyeja e ndryshimit të sjelljes së këtij kali. Sa herë që kali afrohej pranë nesh, në lartësinë e gjurit në pjesën e pasme, dukej një pjesë e lëkurës pa qime. Sipas fjalëve që dëgjoheshin nga njerëzit që ishin pranë meje, ai kalë duhet të kishte pësuar ndonjë gjë gjatë garave, ndoshta një ndalim zemre. Këto gjëra ndodhnin jo rrallë neper hipodrome. Por problemi i kësaj gjallese dukej sikur qëndronte në kokën e tij. Midis spektatorëve kishte lindur ideja që në pjesën e brendshme të rrethimit të vendosej një shirit letre për ta frenuar kalin të përplasej aty. Problemi ishte kush do të futej brenda terrenit që parashikohej i rrezikshëm. Në kohën kur askush nuk po merrte guximin për të kryer këtë mision që dukej i pamundur, kali goditet në këmbën e pasme në një nga shtyllat e mbetura të fushës. Gjaku rridhte mbi trupin e tij dhe binte pikë-pikë mbi tokë. Mbase nuk isha njeriu i duhur ose i përzgjedhur për të kryer atë veprim, por një zë i brendshëm më detyroj që të marr shiritin e letrës dhe të futem brenda fushës. Pas pak çastesh dëgjoj të thirrurat e njerëzve që qëndronin jashtë rrethimit: Kujdes! Ik që aty! Do të vrasë. Kali po vjen drejt teje! Të gjithë ishin të zellshëm për këshilla, por asnjeri nuk futej që të tërhiqte vëmendjen e kalit apo të më ndihmonte. Ndokush që njeh kuajt mund të qeshë me këtë histori, por pamja e tmerrshme ishte shume afër meje. Nuk bëra asnjë lëvizje. Ai u afrua pranë meje. Kishte një frymëmarrje të shpeshtë dhe të fortë. Po prisja të merrja ndëshkimin për atë që kisha bërë. Kali afroi kokën shumë pranë supit tim të majtë dhe puliti sytë, “duke më thënë”: …

    14

    SHPENDI TOPOLLAJ

    Dallaveraxhiu
    (Tregim)

    E di se nuk duhet thënë qysh në fillim fjala e keqe për Rako Delenxhiun. Mendimin për të ose duhet ta lë për në fund ose duhet ta nxjerrë vetë lexuesi. Por ai është aq i lik dhe i poshtër, sa nuk më durohet pa e deklaruar qysh në krye të tregimit tim.
    Kur e sheh, nuk të lë atë përshtypje, madje duket një tip babaxhani, që nuk di t`i bëjë keq askujt. Ka vënë ca bark vërtetë, ama është mjaft i shkathët. Sytë e vegjël dhe të qeshur sikur thonë se ke të bësh me një njeri të pafajshëm dhe të gatshëm të ndihmojë këdo. Ka një dyqan ku riparon televizorë, ku mes asaj rrëmuje, sa herë të shkosh, do e gjesh me një shishe birre mbi tavolinën e punës. Jep e merr me ca tela e pinca, por nuk mërzitet fare. Të pyet se mos do edhe ti ndonjë birrë që ta porosisë te klubi aty pranë. Mos ma prish – këmbëngul, po i the se nuk të pihet. Edhe kur flet me ty, vazhdon të heqë e të verë ca pjesë në televizorin e zbërthyer. Më fal, – thotë gjithë edukatë, – por nuk nxirret kollaj leku sot. Ti je i detyruar t`i thuash me respekt: – Vazhdo se po të pengoj, dhe i tregon përse ke shkuar. Sille, sille – përgjigjet ai – Se këtu janë veglat dhe aparatet.
    Por mos paç punë me të, se i merr vesh ato veglat dhe aparatet e tij. Televizori im për një zëvendësim llambe PC – 700 kishte nevojë, por meqë më tha ta çoja atje, mora Noken me makinë dhe e zbritëm. – Mos ki fare merak. – më tha Rakua – Nuk do vonohet shumë, sa të heq këto urgjentet që kam në dorë. Se ti e sheh që jam i ngarkuar. – Po, po. – i thashë dhe unë nga ana ime – Veç dije se kush e dëgjon time shoqe kur s`ka televizor. Vetëm ai ja mbyll gojën – dhe qesha. Qeshi dhe ai. Madje dhe shtoi: – Jo mor se është grua e urtë ajo. – Po, po. – e mbylla unë dhe ika me shokun që më priste. Kur po pinim kafen me Noken, mësova se edhe ai kishte shpënë te Rako Delenxhiu magnetofonin e tij, por edhe pse kishin kaluar nja dy muaj, nuk po e merrte. – Ndofta nuk ka pjesë. – vërejta. – Jo mor, po më duket se s`para e çan kokën ky. Mua më vjen zor ta pyes, se më duket që bëhem i bezdisshëm, por edhe Rakua sikur nuk është aq korrekt. Unë nuk fola, se s`kisha ç`thoja. Si kaluan nja dy ditë, u duka te dyqani i Rakos. Ai prapë aty mbi tavolinë me shishen e birrës përpara. – Do presim dhe ca, mos u mërzit. – Ç`ne o Rako, po sidoqoftë… – Duku nga e shtuna, se patjetër do e marrësh. Jo të shtunën, por as pas një viti nuk e mora atë televizor. Mesa e mori dhe shoku im Nokja, atë magnetofonin që kishte çuar para meje. Hajde sot e hajde nesër, sa u harrua ai muhabet. – Nuk e di se ku e kam vënë. Ose ja kam dhënë gabimisht ndonjë tjetri. – më thoshte Rakua pa i ngritur sytë. Kishte të drejtë ime shoqe kur thoshte se është turp të të bëjë budalla Rako Pijaneci. Delenxhiu, e ndreqa unë. Akoma më keq. – m`u përgjigj ajo. Ku e gjete atë njeri? Ai shihet që në fytyrë. Me ata sytë si Xhinghis Khani. – Na lër rehat edhe ti tani, me gjithë Xhinghis Khanin. – ngrita zërin unë. – S`ke për të marrë televizor nga ai rrugaç. – tha dhe me kaq e lamë këtë bisedë. Dhe ashtu ngjau me të vërtetë. Dikush mund të thotë se vetë e kisha fajin që nuk u tregova më i rreptë. Pra, të bëhesha edhe unë delenxhi. Ngushëllohesha se nuk isha vetëm, se edhe Nokja kështu e kishte pësuar. Bëra si bëra dhe bleva një televizor tjetër. Ama inati me Rakon nuk më dilte. E ndeshja në rrugë dhe vetëm sa i tundja kokën. Por dhe ai, shpesh bënte sikur s`më vinte re. Nga ana ime, edhe pse kjo histori nuk më bënte shumë nder, nuk më rrihej pa ua thënë të tjerëve. Nxirrja dufin kështu, dhe sikur lehtësohesha. Por dhe më vinte sikur po e diskreditoja atë maskara që duke e mësuar të tjerët se sa ngjante Rakua me mbiemrin e tij, t`i largoheshin klientët. Takova një ditë Kiun që e gjeja shpesh te dyqani i Rakos. Dhe mendova t`ia tregoja fill e për pe atë që më kishte punuar Rakua, si mua ashtu dhe Nokes, me bindjen se ai patjetër që do ja shpinte llafet të ngrohta vetë Rakos. Por Kiu, pasi qeshi sa mundi, më tha se ai kishte kohë që qe prishur me të. Dhe ja arsyeja: – Edhe unë, ashtu si ju, e kam quajtur Rakon njeri normal. Por ai ishte një hileqar i pa shoq. Hiqte një llambë, vinte po atë dhe i thoshte klientit se vura llambë të re. Ai i shkreti paguante llambën e tij, që kuptohet kushtonte shumë. Rakua mburrej me këto që bënte, gjersa një ditë në prezencën time, shihni se ç`i punoi një fshatari nga Shijaku. Ky me njëmijë halle, kishte blerë një televizor të ri, por ai kishte një defekt. Erdhi te Rakua dhe i tha se dy muaj kishte që e kishte marrë televizorin dhe ja tani… – Mos ki merak, – i tha Rakua – që i dha dhe një shishe birrë me arsyetimin se qenke lodhur e djersitur. E falënderoi i ziu fshatar dhe pasi pyeti se kur mund të vi, iku gjithë qejf. Rakua, aty për aty, nxitoi t`i pikonte një kondensator që i qe shkëputur fija dhe si e ndezi e vuri në provë. Televizori punonte për bukuri. Figura dilte xham. Por Rakua e hapi sërish dhe i ndërroi ekranin me një tjetër, nga ata që i kishte stoqe. Pas ca ditësh, unë ndodhesha përsëri në dyqan, kur erdhi ai fshatari i Shijakut. I kishte sjellë Rakos edhe një kaçile me fiq që ta bënin me sy. – Ky ka gjë tjetër mor vëlla; – i tha Rakua: veç kondensatorit, ky ka dhe ekranin fare të rënë. Ti prapë do kesh probleme me të. E ndezi, duke thënë se tani punon, por s`më kënaq figura. Dhe vërtetë, figura dilte për ibret. – Eu! – u çudit fshatari – Si ka mundësi? – Po ja, mall për Shqipëri sjellin italianët këtu. U ka ndodhur dhe dy të tjerëve kjo. – sajoi Rakua. Fshatari u turbullua, por e gjeti mendjen të pyeste: – Po si i bëhet? Ku gjendet ekran dhe a bën shumë? – Mos pyet sa bën se këta mezi gjenden, pasi kështu vinë, pa pjesë rezervë. Nuk merret bota me pjesë televizori. Më mirë e blejnë të ri. Por ti meqë je larg dhe je munduar me këtë kaçilen, duku pas nja dy ditësh, të shoh unë një herë në Tiranë se mos gjej.
    U gëzua fshatari dhe iku përsëri me shpresë. Unë po plasja nga inati se e kuptova rrengun që po i punonte. Kur e takova Rakon pas ca ditësh e pyeta, si për ta vërtetuar deri në fund atë poshtërsinë e tij e pyeta në i mbaroi punë atij të fiqve. Mbeti shumë i kënaqur kur i shita ekranin e tij, m`u përgjigj me mburrje. Kështu e duan këta njerëz. Katundarët na e kanë hedhur gjithë jetën me fiq mufka e ne tani prapë të na bëjnë budallenj. Jemi a s`jemi në kapitalizëm. M`u neverit jo vetëm Rakua, por dhe vetja ime. Nuk dija si ta nxirrja dufin, veç e pyeta: – Kush ua ka vënë këtë mbiemër kaq të bukur Rako? Dhe që atëherë nuk ja kam parë sytë më atij qafiri.

    15

    Qerim Skenderaj

    BISEDË E HERSHME ME BUZON

    Kokëqethur me gërshërë,
    tullac, shkallë – shkallë,
    i brishtë, si syth i pabërë,
    rrëshqita në hall.

    Sapo dalë nga mituria,
    supet m’u rrëzuan.
    Sytë ndezur si shkëndija,
    shpejt u gropëzuan.

    Nëpër rripa e përrenj
    pas dhive të serta,
    fluturoja si mëllënjë,
    zhurmoja si bleta.

    Zhurmoja, po kush dëgjonte
    veç honit pa fund.
    Një nga një i numëronte
    kur shkurtoja drutë.

    Dora si putrëz me ashkla
    mbërthehej në lisa.
    Një nga një degët e tyre
    nisja të krasisja.

    Kur befas shfaqej një bishë
    bërtisja si burrë
    Ndjeja rrëqethje në mish,
    dorën në ushkur.

    Buzon kisha mik për kokë,
    nuk ma ndante gjurmën.
    Sokëllinim të dy tokë
    për të mbledhur tufën.

    Ndonjëherë pët t’u qetuar
    hijes së një plepi,
    bisedën fillonim shtruar
    si përkundje djepi:

    Eh, or Buzo këmbëgjati,
    Buzo turihollë.
    Si do të bëjë unë i ngrati,
    do të mbetem pa shkollë!

    Vdekja më la pa baba,
    si dhe ty pa nënë.
    Befas e mori në krahë
    një natë me hënë.

    Iku për të zezën time
    të mbetem në shkrepa,
    plotë trishtim edhe mundime
    prapa dhive shterpa.

    Naimi për bagëtinë
    shkroi një poemë.
    S’do t’u kish dhënë bekim
    pa bërë Zosimenë*.

    Po ti Buzo, s’e kupton
    çdo të thotë shkollë?!
    Sytë, pse i rrotullon
    Buzo turihollë?!

    Ja, në çantë kam një poet,
    rus, e thonë Pushkin.
    Hokatar dhe nëpër stepë
    e qanë poezinë.

    Dhe një tjetër më të ri
    që s’i ndahem dot,
    se është Zot për dashuri
    dhe për vdekjen, Zot!

    Unë, o Buzo, nën hije
    shpesh i kam lexuar.
    Po kështu, i çalë, pa dije,
    mirë s’i kam kuptuar!

    Ka ndër ta mjaftë figura
    dhe finesë të hollë.
    Sinonime, metafora,
    që kërkojnë shkollë.

    Mirë, këngën e mësoj
    nga zogjtë në pemë,
    se me mendje fluturoj
    ku ngrejnë folenë.

    Më ke parë kur i dëgjoj
    se si cicërojnë?
    Sytë më çelen tek vështroj
    nga malli lotojnë.

    Po më thuaj, o i uruar,
    më shkon ligjërimi?
    Është ujë i turbulluar,
    a rrjedhë burimi?!

    Në se zëri del i çjerrë
    për të sokëllirë,
    le të bëhem si të tjerë
    një çoban i mirë!

    Për këtë nuk duhet shkollë,
    o Buzo, aman.
    Mjafton një kërrabë e hollë
    dhe një shtrungë në stan.

    Po qe se fati e sjellë
    të shtrihem atje,
    unë yjet do percjellë
    buzë ditës së re.

    Zilet do t’më gjejnë zgjuar
    pa zbardhur agimi,
    ëmbël duke biseduar
    me vargje Naimi.

    Do të zgjoj lulet të çelin,
    do të sodis një flutur,
    bletët kur nektarin vjelin,
    thëllëzën e bukur.

    Pa më thuaj Buzo trimi,
    më thuaj vërtetë.
    Për çoban rrjedh ligjërimi,
    apo për poet?

    Unë e ndjej, se nëna ime
    diçka më ka dhënë,
    të bie në ëndërrime
    netëve me hënë.

    Shpirtit tim pak të trazuar
    i ka hedhur dritë,
    që do të vijë duke u shuar
    nga viti në vit.

    Nga ky vend tepër i mbyllur
    s’di si do të dal.
    Do doja botën ta shihja,
    jo si provincial.

    Shkolla, Buzo, vetëm shkolla
    mund të bëjë njeri.
    Ndryshe të gërryen mola,
    s’je për poezi…

    Mars 1991

    16

    Agim Bajrami

    Narracioni ndjesor i një gruaje
    (Kritikë)

    Një grua më shfaqet mbas shfletimit të çdo poezie të këtij libri, herë me vargun e saj të përshkruar nga një filozofi aristoteliane e herë të tjera me një ndjeshmëri dhe rebelim prej Ahmatove. Është një portret që duke qëndruar në dy skaje brigjesh, mes Shqipërisë dhe Italisë, më duket se më shumë se prej materie njerëzore është i krijuar nga një materie malli dhe dinjiteti. Kam pasur fatin të lexoj disa nga librat poetikë të poeteshës Gjenovefa Myrtaj dhe shpesh më është dukur se kam qenë duke biseduar gojarisht me këtë poeteshë, duke këmbyer me njëri-tjetrin mesazhe dhe mendime të ndryshme si për realitetin bashkëkohor në të cilin jetojnë, ashtu dhe për njerëzit, bashkëkohësit tanë që na rrethojnë dhe janë protagonistë aktivë të poezive të kësaj poeteshe lirike. Sinqeriteti i ndjerë poetik që i përshkon këto krijime i ndërthurur më së miri me spontanitetin dhe një frymë e thellë polemizuese i bëjnë këto poezi të tilla që do të të mbesin në mendje për shumë kohë. Janë poezi të cilat lindin dhe zhvillohen mbi gjurmë ëndrrash dhe zhgjëndrrash, mbi vise shprese dhe zhgënjimi, në situata pritjesh dhe ndarjesh, mbi ankthe psherëtimash dhe lotësh gëzimi dhe mbi të gjitha janë rrëfime të drejtpërdrejta të një njeriu që unin e saj shpirtëror të pastër e të shndritshëm tenton ta vërë në shërbim të kohës dhe komunitetit të saj më të dashur shpirtëror. Ajo duket se jeton në këtë kënd të kësaj bote për të përhapur mirësi dhe këngë zemre. Është një poezi që nuk di të shfryjë dhe të shajë, nuk di të mohojë dhe të denigrojë, por vetëm të pohojë mesazhe bukurish, që ndonëse ne i kemi përpara nuk arrijmë dot t’i evidentojmë. Rrëfimi i saj lakonik në trajtë vargjesh të bukura dhe metaforash të gjetura dhe jetësore është i aftë të zhvendosë ajrin e mykur të cilin ne jemi mësuar ta thithim pa bërë zë, të na zgjojë nga përditshmëria e përgjumur dhe të na vërë vetvetiu në lëvizje. Sepse misioni i poezisë i tillë është, ka qenë e do të mbetet. Duke lëvizur nga një ambient në tjetrin si pa ndjerë kjo poezi arrin të vizatojë para nesh peisazhe dhe ndjesi shpirtërore që nuk i ndesh tek poetë të tjerë. E vendosur për ta pikturuar portretin e saj deri në fund pa njolla smogu dhe kaosi kjo poezi lëviz vetëm me shpejtësinë e erës dhe rrezeve të diellit të mëngjesit, me elegancën e valëve të kaltra por edhe të një rrebeshi shiu të papritur. Kjo gjë ia largon monotoninë stresante aktit të të lexuarit dhe e bën atë më të drejtpërdrejtë dhe më të dashur. Le të lexojmë poezitë kushtuar mallit dhe nostalgjive të dashurisë, le t’i vëmë paksa duart mbi pulsin e shqetësuar të pritjeve të saj të pafundme dhe vetvetiu do të ndihemi të elektrizuar. Sepse çdo varg i kësaj poezie është shkruar prej ankthit ekzistencialist dhe shpresës për të dalë nga tuneli i errët i pritjeve pa përgjigje, i dashurive të plagosura, por edhe i shpresave që ende rrinë të fshehta në mugëtirë. Janë poezi që ngjajnë të shkruara në momente të ndjera dëshpërimi dhe gëzimi të cilat kur shpalosen në ajër marrin shpeshherë trajtën e fjongove të pranverës mbajtur në sqepa dallëndyshesh por edhe në trajtë gjethesh të verdha vjeshte. Gjendje të shpeshta emocionale që krijohen në poezinë e Gjenovefës e shtyjnë lexuesin drejt një gjendjeje pezulli dhe shpeshherë e trondisin atë. Figura e gruas përballë korrenteve të erërave gjithmonë është parë me simpati dhe adhurim nga autorja sepse në fund të fundit ato përbëjnë një alterego të saj. “Drithërohet shpirti veç për ty.”- thotë autorja në poezinë “Shpirt i marrosur” dhe ky drithërim i jep të kuptojë lexuesit për brishtësinë dhe sinqeritetin e shpirtit të saj si një poeteshë me ndjenja të holla dhe shumë ëndërrimtare. Udhëtimi i saj metaforik në vise dhe realitete virtuale, s’është gjë tjetër veç pohim i një uni të veçantë dhe të fuqishëm. Poezia e saj nuk lodhet së pohuari vlera dhe mesazhe. Interpretimi i dukurive dhe sjelljeve njerëzore që e rrethojnë atë, ka qenë dhe mbetet karakteristikë e autores. Ç’është dashuria?- është pyetja që ngrihet herë mbas here në poezitë e saj, duke ia lënë në dorë vetë lexuesit ta zgjidhë këtë pyetje. Autorja është një njeri që ka shumë dashuri dhe mirësi për të falur, por vendos edhe kushte për ta falur atë, sepse të meritosh dashurinë e një poeteshe është pothuajse e barazvlefshme si të meritosh dashurinë e një engjëlli apo profeti. Libri të emocionon me plotësinë e koncepteve dhe ideve që shtron, por mbi të gjitha të fut në mendime. Ashtu si dhe në librat e saj të mëparshëm të bën për vete spontaniteti dhe natyrshmëria e rrëfimit, pa shtirje dhe pa tonalitete që të vrasin veshin. Në të kundërt, kalimi i autores nga një situatë në tjetrën mundohet të ndjekë logjikën e lëvizjes së akrepave të sahatit me një ritmikë të njëtrajtshme por të sigurtë dhe kumbuese. Të dëgjosh zërin e një gruaje tek tenton të shpërfaqë ndjenjat dhe përvojat e saj është gjë e bukur, por të dëgjosh këto përvoja në një rrëfim dhe gjuhë poetike është më shumë se e bukur. Emocionuese.

    17

    Luan Xhuli

    Të duash dashurinë

    Të jem vlagë tek reja,
    gjethe tek shikimi yt,
    frut tek shija e buzës
    puthje tek filxhan’ i zgjimit…
    Syth tek ndjeshmëria jote,
    ngrohje që nxit çeljen,
    mal tek rezja e çlodhjes,
    gjëmb tek zili e frymës…
    Mos më akuzo për kohë të vjetër
    kur them se dashuria ,
    rifillon jetën tek tharja…!
    2015

    18

    Astrit Balliu

    VEÇ TË TË KEM…!

    Veç një të puthur
    Po të më japësh
    Për mua është shumë

    Dhe një shikim
    Mjafton të jetë i ëmbël
    Mua më lë pa gjumë

    Edhe në ëndërr
    Ty të të shoh
    Më mjafton mua

    Në çdo mënyrë
    Veç të të kem
    Se shumë të dua !

    Unë djersën tënde
    Sikur ti ta mbledhësh
    E mbaj për aromë

    Mbaj çdo gjë tënden
    Mjafton të jetë
    Për të mirën tonë

    Rrobat e tua
    Kur të fle gjumë
    Veshur i mbaj

    Le të jem skllavi yt
    Ja të ta them
    Unë kurrë ty s’të shaj !
    14/05/06
    Kapshticë

    19

    QAZIM D.SHEHU

    FLORI I HUMBUR

    Si fatgjetësi një flori.
    Mendova për ty, dashuri,
    Sa shpejt u ktheve në thikë,
    Çastet e gjetura duke shpuar,
    Dashuri në vlim të vluar,
    Kur erdh tjetra dhe më rrëmbeu,
    Tani vajtoj dashurinë e parë
    Si florinë e humbur një kusar…

    NJË VAJZE

    Një kat më lart u ngjite,
    Një kat më poshtë mbeta.
    Katit tim s`iu hap dera.
    Mbeta zog në guackë veze,
    Nga zemra jote e errët
    Lëshomë një rreze…

    VAN GOGH

    Në pikturë të Van Gogut,
    Ngrohin grunjërat diellin e jetës.
    Asnjë kacidhe me to,
    S`ia dha vetes.
    Tani një pikturë miliona kushton,
    Po varkëtari Karont ato s`ia pranon,
    Niset për parajsë një vend të gjejë
    E verdha e grunjërave shkon para tij
    Drejt grunjërave ta kthejë….

    LUMI…

    Në gojë shpellash e thith heshtjen,
    gjarpër mitik.
    Nga refuzimi përdredh veten
    Nën këmbë malesh ik.
    Ecjen njerëzve u mëson,
    Me valë ëndrrat lart u ngre,
    Mushkëri shpellash drithërojnë,
    Heshtjen e tyre tek përkthe…
    NJË LULE
    Pse s`të mbrojta nga stuhia
    Nga dhunuesi pse s`të mbrojta
    Të kërkoj ndjesë.
    Brishtësinë time ngaherë hodha
    Tek petalet me vesë.
    Dhe tani të vështroj e të vështroj
    Si i humbur bashkë me ty,
    Egërsia dyndet
    Dhe unë s`mbetem më aty…

    20

    Hamdi Hysuka

    ZHDREJTËSI
    Rruga që nisëm
    e drejtë,
    fjalët që folëm
    të drejta,
    dhe përqafimi
    qe i drejtë.

    Të nesërmen ti ishe
    hilacake,
    e zhdrejtë.

    Zhdrejtësi pse të ketë?!

    NXËNËS DHE SHOKË
    Po më ndiqnin nxënësit e mi,
    pas meje ecnin si të ngrefosur,
    ndaloj një moment, bëhem i ri
    djalosh si këta, i pa përsosur.

    Kthehem pas kur nxënës isha vetë,
    te njeri-tjetri shoh shumë pika,
    ndahemi diku me e pa të drejtë,
    kur teori duhet e kur praktika.

    Klasë mbi klasë mbaruan shkollën,
    nxënës, studentë, shumë çapkënë
    fëmijë erdhën, diploma morën
    nxënës i kisha, shokë mu bënë.

    LEGJENDË E GJALLË
    Ajo ditë e zezë prilli
    në Verboc pranverën ndali,
    Antigona*, trëndafili
    për liri jetën e fali.

    Bëri luftë me trimëri,
    gjatë betejës qe në ballë,
    për Kosovë në histori
    mbetet një legjendë e gjallë.

    Ra në lulen e rinisë
    çlirimtarja kosovare,
    në altar të shqiptarisë
    jo nuk do të plaket fare.

    Si një shqipe e vërtetë
    mpreh shikimin nëpër breza,
    me kët’ yll në këtë jetë
    mbi të bardhën s’nxin e zeza.
    *Antigona Fazliu, dëshmore

    JETËSHKURTËR
    Kur kam shemb muret e frikës
    trim mbi trima dhe jam ndjerë,
    por i trembem politikës
    se nuk kam veshë të tjerë.

    Ia dëgjoj të rëndat fjalë
    që përhapin plot antena,
    s’më ka në të njejtën valë
    me arritje të pa qena.

    Kur për vete i ndërron veshët,
    teknikisht s’më bën të lumtur,
    ulërin kur nuk i qeshet
    kjo “mistrece” jetëshkurtër.

    MONOLOG
    Nga një adresë anonime
    çdo vit të ri marr urime,
    fjalë, fjalë si më parë
    ndjesi e faj të pandarë.

    Monolog, asgjë më tepër
    s’është i ri dhe as i vjetër,
    sërish heshta, s’kam përgjigje
    s’bëhem urë që lidh brigje.

    21

    Nazmi Seitaj

    MARESHALI SANÇO
    -Tregim –

    Në pavionin e kardiologjisë Elbasan sapo erdhi një i sëmurë nga Cërriku. Ishte Rushit Malaseni, një burrë si nja dyzet e pesë vjeç, me një uniformë blu të policisë që mbante mbi supe nja dy spaleta të pluhurosura kapteri. Streha e kapelës i qe përthyer, kur u rrëzua në rrugë nga marramendjet. Ballin e gjerë dhe tulak e kishte të gërvishtur, të mavijosur dhe me blana gjaku të mpiksura. Mbi vetulla e qerpikë kishte ende pluhur. Fytyra e tij e ngjallur e si e buhavitur, sytë e kuqërremtë të ndezur nga afshi i rakisë i jepnin pamjen e një sarhoshi të zymtë e ngërdheshës. Në Cërrik kapter Rushitin e thërrasin me nofkën “Mareshali Sanço”, ngaqë vjen i shkurtër e rrondokop si Sanço Pança. I shtrirë në shtrat, Mareshali Sanço priste mjekun që ta vizitonte. Ndjente dhembje në gjoks dhe merrte frymë me vështirësi. Te koka i qëndronte gruaja. Ajo i mbante sytë nga dera tërë ankth. – Ja, tani vjen mjeku, – u mundua t’i qetësonte infermjerja. Dhe mjeku nuk vonoi të vinte. Ai ishte një djalë i gjatë i bëshëm, me ca flokë të verdhë të krehur e pa shteg. Gruaja e pa dhe iu duk i njohur.- Është ai, – i tha polici gruas, – kardiologu Ibaj, ai që donte të na merrte bashkinë. Të kujtohet?
    Asaj iu kujtua por nuk foli. I sëmuri u shqetësua. Ju bë se një rrymë e ftohtë ajri e përshkoi të tërin. Ngriti pak kokën me mundim dhe me një zë të dobët e tërë mllef i tha: Doktor, ju thoni “Nano* ik!”, por ne themi “Nano rri!” Oh! Oh! – rënkoi dhe vuri dorën në zemër nga dhimbja. Kriza iu rëndua në çast. Iu kujtua dita e votimit kur kardiologu humbi ndaj rivalit të tij, por atëherë nuk kishte mundur t’i mburrej atij. -Ju thoni “Nano ik!”, por ne themi “Nano rri!” Më dëgjon, doktor? Mjeku iu afrua i heshtur, i vuri në krah aparatin e tensionit dhe si ia mati vështroi në sy gruan, që shoqëronte të sëmurin për t’i treguar në heshtje se ai e kishte tensionin shumë të lartë. Kur pa gjendjen e tij aq të rënduar, urdhëroi infermieren t’i bënte inxheksionet. – Aman, doktor, bëji derman se kemi fëmijë, – iu lut gruaja me lotë në sy. – Lutjuni më mirë burrit tuaj, zonjë, të heshtë e të qetësohet. Por Mareshali Sanço nuk donte t’ia dinte, ndaj sërish me shpirt ndër dhëmbë pllaquriti: -Ju thoooniii “Naaanooo iiik!”, por ne themi “Naaaaanooo…” Dhe heshti e u këput. Infarkti sapo e goditi.
    *Ish kryeministi Fatos Nano.
    24 Shkurt 2004

    22

    Ago Nezha T

    DIMËRI I DEMOKRACISË ‘97

    Gjethet të vyshkura ranë për tokë
    E fluturuan në qiell nga era,
    Të shpurpurisura si flokë
    E egërsuar sivjet pranvera
    Më pak shkëlqen nga vitet e tjera
    Lulet rrethuar me gjemba e ferra,
    Livadhet luten për pak luleshqerra,
    Zjarret nuk ndizen më se i fik era,
    Shqipëria një cung, me gjymtyrë të prera
    Varfëria troket me dorën te dera
    Demokracia arenë cirku pa vlera,
    Na shpëto, o zot, nga politikanët pantera!

    DUKATI

    Dukati me mal e det,
    Trëndafilat ka gërshetë,
    Si vello mbi kokë, retë
    Natë e ditë muzikë rrufetë,
    Me zile e këmborë “të vret,”
    Fshat i bukur si poet…

    HIMARA

    Himara e mbirë mbi gurë,
    S’vdes dhe nuk fundoset kurrë,
    Është vullkan edhe gurrë
    Heronj kombit i ka prurë.
    Ma ka shpirti ma ka ënda
    Në Himarë kur të shkel këmba
    Nuk të iket, ngelesh brenda
    Mbi bukuri të argjendta.
    Të pret Perëndia vetë,
    Fluturon ngjitesh te retë,
    Si me avion zbret në det,
    Kockë e fortë trup i sertë.
    Himarë e mbirë mbi gurë
    Nuk është dorëzuar kurrë
    Për liri e për flamur…

    LULJA

    Pres si nusja nën velë*
    Bukuroshja të më shkelë,
    Le të vdes nga këmba e saj,
    Këmbë e saj s’do më thajë,
    Do të mbijë më e bukur,
    Në çdo petale një flutur…
    Se jam lulja që kur çel,
    Lulëzoj edhe në hije,
    Edhe kur dielli nuk del
    Manushaqja në korije.

    LYPSAT E RRUGËS

    Thërrime kërkojnë, thërrime,
    S’kërkojnë pasuri si shtetar,
    Me jetën mbytur në mjerime,
    Një varfëri që s’ka kandar.
    Fëmijë të leckosur e të nxirë
    Që lypin për bukën e gojës,
    Të majmurit s’kanë mëshirë,
    Ata shah-mat në fushë e lojës.

    MES LUMTURISË PA LUMTURI

    Dëshirë do kisha të jem me ju pranë,
    Unë nesër s’do jem e mendoj për sot,
    Trungjet e pemëve pa degë u thanë,
    Edhe pse vaditen çdo ditë me lotë.
    Kjo tokë e shenjtë pse është e mallkuar?
    Pjellorinë bujare kush vallë ja vodhi?
    Ne rrimë ulokë pa këmbë e pa duar,
    Dje thonim vdiq, sot themi ngordhi.
    Gjymtyrët e jetës janë paralizuar,
    Rinia si zogjtë fluturuan kaq larg,
    Në rrugë e dritare sheh veç të moshuar
    Dhe dyer që s’hapen, kanë vënë bark
    Lëngojnë pleqtë në krevat të vetmuar
    As ujë nuk kanë të pinë ilaçet,
    Macja mjamullis përreth e shqetësuar
    Dhe me thonjtë e mprehtë, u gërvish faqet,
    Shtëpia nuk ka më as lopë e as dhen,
    Mbuluar me tjegulla që janë nxirë,
    Ka brenda një plak, një mace, një qen
    Dhe një zë që vajton, kërkon mëshirë.
    Një plakë që ti e takove gjer mbrëmë
    Se more dot vesh nga jeta si u nda,
    Vajtoi qeni që ngeli pa ngrënë,
    U gjet e vdekur dhe e vetme u qa…
    Nuk dimë kujt t’i lutemi, se dhe perëndinë,
    Siç thoshte Çajupi, tani se besojmë,
    Shohim humnerë e presim greminë
    Jemi të vdekur dhe bëjmë sikur rrojmë.
    Na i vodhën jetën hienat e politikës,
    S’u ngopen kurrë me pushtet e pasuri,
    Mbollën në popull terrin e frikës,
    Shurdhuan veshë, e qorruan dhe sy.
    Lumturinë e fshatit e mori kurbeti
    Na i vodhën ëndrrat, vranë çdo dëshirë
    Asgjë nga kujtimet e fëmijërisë s’na mbeti
    Veç brenga, një mall në shkretëtirë….

    PLEQËRIA

    Pleqërinë kurkush se deshi,
    E kërrusur mbi një shkop,
    Kush e qau e kush e qeshi
    Por me jetën nuk u ngop.

    SHOQËRIA E PLAZHIT

    Deti ndihet i mërzitur,
    Dallgët fryhen nga inati,
    Dy banorë na kanë ikur
    Ne urojmë që t’ju prijë fati,
    Gurua, gur i rëndë nga Fterra,
    Kanua nga shesh i flamurit,
    Mbajnë dy nipa si dy shqerra,
    Mbirë si lule, sipër gjurit.
    Gurua rënë thellë në mendime,
    Lëshoi fjalët breshëri,
    Bota rrotull rreth Kanos time,
    Kanua- zot e perëndi.
    Është për mua gjithësia,
    Përmbi Kanon s’ka njeri,
    Para saj dhe perëndia
    Shumë e vogël, s’hyn në sy…

    S’KE ÇE DO POETIN

    Çamarrok janë poetët,
    Gjumin seç ta tretin,
    Punojnë porsi si bletët,
    S’ke çe do poetin…
    Se të prishin gjumin,
    Duan të thajë detin,
    Të ndalojë lumin,
    S’ke çe do poetin…
    Natën thurin vargje,
    Imitojnë tërmetin,
    Kurrë s’kanë paqe,
    S’ke çe do poetin
    Thurin poezi,
    Fjalën, kanë pushtetin,
    Këngën pasuri,
    S’ke çe do poetin….
    Le të vjershëroj
    Mos e nga të shkretin,
    Le të meditojë,
    S’ke çe do poetin.
    Shkojnë degë më degë,
    Dhe prishin shëndetin
    Shkruajnë për mollë e shegë,
    S’ke çe do poetin.
    Shkruan për dashurinë,
    Flet për të vërtetën,
    S’ke çe do poetin
    Bosh e ka kuletën,
    Po rri në kujtesë
    Pasuron një botë,
    Me lavdi dhe shpresë,
    Dhe një pikëz lot…

    22

    BISEDË ME NAIMIN
    (Prozë nga Kujtim Skënderaj)
    (Skicë)

    Dikur, më dhanë një temë hartimi, ta zhvilloja me këto vargje të bukura, dhuruar nga Ti, i madhi Naim. Donin t’më provonin sa e vlerësoja unë këtë vënd, sa patriot e i denjë isha për të, sa të lulëzuar e të zbukuruar e shihja! A e doja dhe unë, ashtu, si Ti? Më fal që të drejtohem në njëjës, por shfrytëzoj thjeshësine tënde në bisedë me të “vegjlit”. Në atë kohë, shpresë e jetë kishim porositë e tua, o Naim i Madh, skalitur nga malli i largët për Atdhe: “…dhe dritë e diturisë përpara do na shpierë!” Me notën më të lartë më vlerësuan këtë herë. E krahasuan me shumë hartime të tjerë, por përsëri, ai, mbeti më i miri. Edhe unë, i pari pas teje, njësoj besoja, si Ti: “…se të pres…nuk vdes!” Tani që jam pranë fundit, çudi, shpresa iku, u shua, nuk e shoh gjëkundi, më la keq e mos më keq. Mjeran i vërtetë…, gjithçka që mund të them për të, pak është, shumë pak. Idhulli im, sa mirë që ke qënë larg! Me pak parafinë e bëre dhe e ndeze qiririn. Ndriçove natën, e mbajte të ndezur flakën e zemrës për mëmëdhen, për vete dhe për të tjerë. Kurse tani, këtu, nuk e ndez dot se edhe po e ndeze, ia rrëmbejnë dritën disa të ashtu quajtur “pishtarë”, në të kundërt e fikin në çast. Nuk e shohin dot në dritë fytyrën e tjetrit. Tani dua t’më dëgjosh pak me vëmendje, të lutem! Qiririn tënd të ndezur, e zëvëndësuan Miku im, me një llampë elektrike, e cila furnizohet nga një “superfuqi” energjetike. Megjithatë, jo vetëm nuk e zbardhën dot natën, por e nxinë edhe ditën, nga babëzia për t’u bërë pasanik brënda njëzetë e katër orëve, të konkurojnë dhe fitojnë me ata, të cilët, jetojnë tek dita e bardhë, “që lind ku perëndon!” Edhe “manushaqe bukuroshes” ja ndërruan aromën, madje e shkulën me rrënjë, duke e zëvenësuar me një tjetër bimë që “lulëzon” në çdo stinë. Canabisi e zbukuron tashmë natyrën e bukur të vendit tënd dhe tim, skaj më skaj. “Çukat, kodrat, brinjat, gërxhet” janë akoma, Naim i dashur, nuk kanë luajtur vendit, veç pa “pyjet e gjelbëruar”. I kanë prerë e masakruar në mënyrë të pariparueshme, që Ti, nuk do t’i njihje më, e nuk do të orientoheshe dot, për të shkuar në Frashrin tënd, e të vëllezërve të tu të dashur. Drurët ua kanë nxirë e stërrosur, që të varfërit e Migjenit, të dalin nga skamja me shprehjen e famshme të poetit jetëshkurtër e famëmadh: “A don qymyr zotni?” (Më fal, harrova, ti nuk e njeh atë. Erdhi pas ikjes tënde dhe i këndoi mjerimit). Atdheu yt, i tij dhe imi, paçka se ka “arritjet më të mëdha në Europë”, jeton pak më keq se në epokën e mizerjes së Migjenit, por vetëm pakëz, shumë pak, aq sa mezi e dallon. Mos u habit që do të tregoj dhe një sekret të vogël. Nga zhveshja e pyjeve, kanë filluar të lëvizin (shkasin) kodra të tëra të banuara, për të zënë vënd diku, ku mund të mos i trazojë më prapësia e kudondodhur. Sepse, pas çdo furtune me shi, që frynë “lumenjtë e kulluar” e mbyt sipërfaqe të tëra, ku kullot bagëtia e bleron bujqësia, kurban bëhet i vobekti, i pamunduri. Arritje e madhe kjo, apo jo? Gjuha jonë, i ëmbli Naim, nuk është më e ëmbël. “Ferra, gjëmba, driza,/ përsipë i kanë rënë,/
    me fletë shumë të gjera.” Me “fjalën e lirë” grykën ja kanë zënë .
    Vrerë e helm vjellë për ditë, o Naim i gjuhës së ëmbël!
    Më i miri mik i jetës sime,/ e di që kur është kështu?/ Që atëhere,
    që atëhere kur ikët Ju!/ “Naimi, ‘Bagëti e bujqësi’” ,sarkazmojnë injorantët. Ndërsa një mësues i kohës së sotme, i zgjedhur ama, shkolluar ne një universitet modern privat, të ka bërë vëlla me Skenderbeun. Jo keq, apo jo? Dhe e di pse? Nga që Ti shkrove historinë e tij në vargje. Mos të lëndova pak me këto që të thashë? Po ç’të them? Të ishte shkulur a kalbur fare ai dreq “gardh” dhe “dita e bardhë”, t’më kishte gjetur gjallë edhe mua! Prandaj po të pyes përsëri: do të vijë apo jo ajo ditë?… Këta që janë në krye të vendit, paçka se ndërrohen periodikisht, i bien me një avaz “fyellit të bariut”: “ejani pas meje, se do të vij ‘ditë e bardhë’”, na thonë! Ne rendim në turmë pas tyre, si dhelpra pas boleve të dashit, se mos i këputeshin nga tundja gjatë vrapit. Mirpo atyre, ashtu si dashit, nuk u bie asgjë! Kthehen nga turma e mburren: “shikoni sa të mëdha i kam!” Fabulën e dashit e kanë bërë të tyren… Naim i dritës, të lutem, më jep një këshillë. Ç’të bëjë para se të vij tek Ti! Si mund ta prek pak, vetëm sa ta cek, atë ditë – ëndërr? Do ta shtyj edhe ca vdekjen duke kënduar këngën “e burgosor” sojit tim “Ende ka shpresë”.
    Por një fjalë nga mençuria jote, e dua. Mezi e pres.
    Faleminderit për mirkuptimin.

    23

    Haxhi Dikolli

    BLEDI TREBICKA ME LIBRIN “FLLADE TË MËRGUARA”
    (Kritikë)

    Duke shfletuar librin më të fundit me poezi, të poetit Bledi Trebicka, ju propozoj të percjellim disa mendime dhe vlerësime mbi këto krijime, të cilat realisht të tërheqin me morinë e tematikës dhe cilësinë e tyre. Qysh në zgjedhjen e titulit të librit të tij, poeti na ҫfaqet intrigues, duke na paraprirë dhe ftuar që ta ndjekim në:
    – ”Mërgatë flladesh”. Ai, jo e jo, po as unë e ndoshta edhe të tjerë, nuk mendojmë se kjo është një zgjedhje e rastësishme, apo tërheqëse dhe lajkatuse për publikun. Ka më shumë se kaq, sepse ka brënda mërgim, ka ikje, ka dhimbje, ka mall shqiptarësh në fatet e tyre, kudo që ndodhen. Por ka edhe poet, që na ofron fllad, madje një fllad të spikatur poetik tërë freski dhe ky është Bledi. Na propozohet kështu një lidhje e fortë kovalente midis materialit dhe esencës në titullin e librit. /Flladet nisin një tjetër mërgatë/. Aq sa duken të ngrira nga larg…/. “Fllad” është lejtmotivi që përshkruan librin në pjesën më të madhe të poezive, le të udhëtojme edhe ne në këto fllade.
    Vihet re dhe është po ashtu për tu theksuar, se poezia e Bledi Trebickës është një poezi e gjallë që jeton e mer frymë, aspak e imagjinuar apo e stisur nga frymëzime të ҫastit apo prej fantazisë, sepse ai vazhdon të përjetojë ende jetën e emigrantit. Një arsye më shumë që e bën poezinë edhe më të fuqishme, më të prekshme më natyrale, ku shumë prej lexuesve të tij gjejnë veten… Poezia e Bledit në tërësinë e saj, përfshin një gamë të gjërë tematikash, rrjedhojë e aftësisë dhe talentit të tij, për të parë më gjërë e më larg, duke e zhbiruar realitetin që herë- herë fshihet ose na ҫfaqet i tjetërsuar.
    -“Mendimet mbledhin eshtrat e ëndrrave “, thotë poeti në poezinë “Mëngjes”. Një andikap i fortë, që i jep ëndrrës natyrë kockore dhe që dikur ka qënë e gjallë por që s’jeton më! Jeta e njerzve, hallet, dhimbjet, malli dhe dashuria e bëjnë Bledin poet mjaft tërheqes.
    Në poezinë “UNE NDERTUESI”, shprehet qartë shqetësimi por edhe dëshira. Poezia e tij është inteligjente, në kuptimin nuk është edhe aq e thjeshtë për ti marë mesazhin, duhet ta “përtypësh” mirë ҫdo varg e fjalë dhe rrjedhimisht është poezi (dhe kjo duhet evidentuar) për një kastë lexuesish të zgjedhur. Identiteti krijues i poetit falë pervojës së fituar, por edhe me këtë botim të ri që na vjen, tashmë ka krijuar profilin e vet, ai ka natyrën e tij te krijimit sa origjinale po aq edhe trashëguese të vlerave më të mira të poezisë sonë. Dashuria ze një vënd mjaft të rëndësishëm në poezinë e tij, temë kjo sa e pëlqyer e lëvruar gjerësisht po aq edhe e fshehur mjeshtërisht, nëpërmjet figuracionit mjaft të pasur dhe fineses, që unë miqesisht do ta quaja “Finesa Trebicka”, të cilën poeti e përdor në nivelin profesionist. Një cilësi tjetër mjaft e spikatur është edhe kujdesi dhe disiplina artistike e shprehur nëpërmjet rolit dhe qëndrimit që ai mban në konstruksionin e poezisë, tamam si të ishte një ndërtues veprash të larta. Kat pas kati ngrehina e tij na ҫfaqet sa harmonike, po aq edhe estetike, në një raport propocional dhe të pëlqyer mes njëra tjetrës. – Eksod i madh kujtimesh po ndodh/. Vetja strehohet në shije kujtimesh- thotë poeti në poezinë “Tranzicioni”, duke na shpërfaqur edhe një herë plot art ne poezite e tij. Dëshiroj ta mbyll me këto rrjeshta të denjë për tu skalitur thellë ne kujtesë: – Një fund maji, gëzonin që vija në jetë/ Gjith jetën ju kam hua dashurinë.

    25

    LAMTUMIRË BIRI I BABIT

    Agim Gashi

    Lamtumirë o bir´ i babit
    Të qoftë Ty rruga e mbarë,
    Ndal ti puthi ato faqe
    Po na lë ti tanë t´u qa.

    Ndal ta puthi atë lotë malli
    Të kamë rritë me pak thërrime,
    Sot atdheu po na ndanë,
    Flakë po digjet zemra ime.

    N´kohë robnimi lshuem atdheun
    U kthyem shpejt ne në liri,
    Pas shumë vitesh vetërobnimi,
    Prap po ikim n´kurbet të zi.

    Po na ndjek edhe policia
    Kjo e jona që shqip na flet,
    Na plaçkisin e na rrahin,
    Na poshtnojnë si është ma keq.

    Lamtumirë o babe e nanë
    Lamtumirë o i lumi atdhe,
    Me zemra t´thyeme i marrim rrugët
    Atje ku ka bukë për ne.

    Mallkue qofshin kush e bani
    Përsëri me shkue n´mërgim,
    Mos ia paftë hajrin plaçkitjes
    Kurr n´oxhak mos i daltë tym.

    Ata i zëntë mallkimi atdheut,
    Edhe ai i fëmijëve tanë,
    Që na ndajnë sot nga dashunia
    Po na ndajnë nga babe e nanë.

    Prap me çantat plot me halle
    Të mbushuna më kangë kurbeti,
    Dashunia për atdheun
    Se ku humbi e se ku treti?

    25

    Liliana Shkodrani

    BILETE VETEM VAJTE

    Për të ardhur tek ti
    Ecja s’diskuton
    pasionet që s’shpërndajnë
    re pritjeje.
    Ti nuk i sheh…

    Gjithmonë fillim i ri
    në ndjeshmëri gruaje, e
    në harmoni,
    mendimet kryeneçe
    Më euforite .
    Unë kam tjetër ç’rregull…

    Pak të njohur,
    e njësoj me të tjerë
    Po kur vij tek ti,
    e gjejë përballë
    Mohim të heshtur
    Dua të ç’ngjyros,
    peisazhin feminor.

    DESHA MAJA TE PA ARRIRA
    Desha maja të paarrira
    ku shekujt e të mijëve
    S’kishin sjellë
    krenari të panjollosur.
    Mundësitë e puthjeve, qenë
    Hetuar deri në arterie.

    Krahë engjëlli shoh
    tek kullosin freski bukurie
    mbi zjarr që djeg copa
    të anulluara shpirtrash,
    e dorëzojnë ne zinë
    e pangopur që të përmbushin
    ekstreme iluzionesh.

    Ca palë sy,
    deri në shterimin e forcave
    operojnë hijet
    belbëzuese të faljeve
    Para se të grumbullohet
    hiri i ta paarritshmes, e
    Këshillojnë
    bluarjen e ngërçit
    që virtyt të djersitur
    mos të refuzojnë.

    KRIHEN FANTAZITE

    Krihen fantazitë
    në mistere ëndërrash
    të ngopura
    me shtime mungesash
    e s’shqiten lehtë prej mohimit
    që triumfon në formë loti.

    Lulëzon serish
    rivierë e bëmave
    po unë s’dua më lotët
    pa shije të vazhdojë
    po gjasat e meparshme
    s’arnojne dot ajrin e trishtë
    që më thith e tëra,
    e rrudhos mendimet
    për ëndërra të ndera.

    rrrrrrrrrrrrrrrrrrrrrrrr

    SDHËN VALENTINI

    Albert Z. Zholi me ‘Puthje dashurie’ për Shën Valentinin

    Etimologji
    Valentin tingëllon si “valorem tenens”,”që mban vlera”, domethënë “që duron në shenjtëri”, ose do të thotë “valens tyro, “ushtar me vlera”, domethënë “ushtar i Krishtit”. Thuhet se një ushtar është me vlera kur nuk prapset kurrë, kur plagos me forcë, mbrohet me rreptësi dhe fiton me pushtet. Në të njëjtën kohë, Valentini nuk u zmbraps kundrejt martirizimit, e goditi duke e shkatërruar idhujtarinë, u mbrojt duke përforcuar besimin.
    Lutja e të dashuruarve
    Në zemrën time, Zot, është ndezur dashuria për një krijesë që ti e njeh dhe e do. Bëj që unë të mos e humb këtë pasuri që ti më ke futur në zemër. Mësomë se dashuria është një dhuratë dhe nuk mund të përzihet me asnjë egoizëm, që dashuria është e pastër dhe nuk mund të rrijë pranë asnjë poshtërsie; që dashuria është pjellore dhe që duhet, duke filluar nga sot, të prodhojë një mënyrë të re të jetuari tek unë dhe tek ai që më ka zgjedhur. Të lutem Zot, për atë që më pret dhe më mendon, për kë më ka dhënë gjithë besimin e të ardhmes së vet, për kë më ec përkrah në shëtitjet tona, duke i dhënë njëri-tjetrit ndihmë dhe model. Dhe me ndërhyrjen e Shën Valentinit na ndihmo dhe na përgatit për martesën, për madhështinë e saj, për përgjegjësinë që të jep ajo, kështu që duke filluar nga sot, shpirtrat tona të pushtojnë trupat tanë dhe të mbretërojnë në dashuri.
    Mesazhe
    **** Oh, sa herë më ndodh të dehem tek ty dhe çdo shkronjë që të nis është një kupë plot mall e puthje dhe një këngë e thellë! E dehur nata, ëndrra, i dehur çasti, dita, pritja prej trëndafili të kuq, aromë në buzët e tua.
    **** Sytë e mi të ylberizuar, vështrimi im i mëndafshtë, që pambarimisht ngazëllehet në trazime malli të kulluara për ty.
    *** Të të kisha afër do të bëja të dëgjonit këtë drithërimë bari të duarve të mia në ujërat e zymta të trishtimit ndanë brigjeve të fatit tim, me ndjesinë e një përqafimi të fortë plot mall të dëshiruar.
    *** Kam mall në mes fjalësh në një varg. Nuk e di çfarë energjie të bukur, çfarë force të padukshme, mi çon mendimet tek ty…
    **** Nëse të mungoj, vendose dorën në zemër dhe unë jam aty brenda zemrës tënde si një karafil dashurie.
    **** Dantella ndrin në këtë mbrëmje të gjelbër prej shigjetave prej mjalti të pranverës se syve. Duket sikur fjalët e mia rrjedhin nën akull dhe tek kjo rrëke butësie kanë vlerë vetëm disa pika shiu të kthjellët si loti. Sa herë të ëndërroj qielli im psherëtin. Sa herë mbyll sytë shoh një fill rozë të padukshëm që më çon tek ty si me magji.
    **** Unë ndjehem një botë me vete, një botë plot trëndafila të lulëzuar dhe çdo fjalë që të shkruaj çdo buzëqeshje e syve kur të mendoj më kthehet në një këngë dashurie që e këngëzoj midis buzëve të mia..

    Sime shoqe
    Mitrush Kuteli

    Kaq afër jemi, por kaqë larg
    Të lutem mos më prit-
    Na ndajnë terre rreth e qark
    Dhe yll për mua s’ndrit.

    Përse ta lidhësh fatin tënd
    Me një pafat si unë,
    Kur di se emri im u shëmb
    Me dhunë e me përdhunë?

    Pra hidhe hapin guximtar
    Ndaj jetës së gëzuar.
    Dhe më harro këtu, në varr,
    Të vdekur pa mbuluar.

    Se unë pres, përças po pres
    Një udhë fort të gjatë
    Dhe një të martë, në mëngjes,
    Do hidhem nëpër natë.

    Nëpër një natë që s’ka mbarim
    Po qetësi për jetë:
    Pushim…harrim…pushim…pushim…
    Në prehjen e vërtetë.

    Ti ishe për mua
    Ismail Kadare

    Ti ishe për mua e pamposhtur si Troja
    Troja që unë dot s’e pushtoja.
    Ti ishe për mua e pakuptueshme,
    Më e pakuptueshme se mbishkrimet etruske

    Vetëm në ëndrra, ah, në ëndrra
    T’i përqafoja flokët e dendura.
    Gaz më shumë ndjeja tek të pushtoja
    Se gjithë grekët kur ra Troja.

    Vetëm në ëndrra m’ishe e kuptueshme,
    Ti, e shtrenjta ime etruske.

    Këtu s’do jem
    Dritero Agolli

    Këtu s’do jem do jem larguar
    Ne toke i tretur si të tjerët
    Në kafenenë e preferuar
    Nuk do më shohin kamerierët

    Dhe nëpër udhët ku kam ecur
    S’do ndihet kolla ime e thatë
    Mbi varrin tim do te rrijë i heshtur
    Një qipariz si murg i ngratë

    Ti do trishtohesh atëherë
    Se s’do më kesh në dhome të gjallë
    Dhe kur në xham të fryjë erë
    Do qash me erën dalëngadalë

    Por kur të jesh mërzitur shumë
    Në raft të librave kërkomë
    Aty do jem i fshehur unë
    Në ndonjë fjalë a ndonjë shkronjë

    Mjafton që librin pak ta heqësh
    Dhe un do të zbres do t’vi pranë teje
    Ti si dikur me mall do qeshesh
    Si një blerim pas një rrëkeje.

    E dashura ime

    E dashura ime zbukurohet çdo dit,
    në çdo stinë aromon si manushaqe.
    Unë e puth 365 ditë në vit,
    në buzë,në gushë ,në faqe.

    E dashura ime nuk do plaket kurrë,
    ajo do ngelet e re siç e njoha unë.
    Ajo m’i ngre vlerat,ajo më quan burrë,
    aty dhe ndjenjat e kanë rrjedhën lumë.

    E dashura ime ka shpirt perëndie,
    ajo dhuron veç mirësi.
    Mbi zemrën time shëtit si një hije,
    si shpend fluturues të kërkon liri.

    E dashura ime është gruaja ime,
    më shikon dhe e shikoj në dritë të syrit.
    Pa e zmadhuar,rregullatore klime,
    ngrohtësia ime në mes të gjirit.

    E dashura ime zbukurohet çdo dit,
    i xhelozon mrekullitë e botës.
    E lindi njëra nga perënditë,
    Dhuratë,për të mos i vënë rreth kokës.

    Vajzë e bukur
    Xhevahir Spahiu

    Bora e bardhë, e bardhë pas xhamave,
    në kafe “Tirana” hyre,
    ti e rralla si dëbora
    që në Tirane bie.

    Vajzë e bukur, si vajzë e dashuruar,
    qofsh e dashuruar dhe prej meje,
    prej syrit tënd
    lulëzojnë dhe sendet.

    Ekspresi gjallërohet
    e gjithçka bëhet sy.

    Në tavolinën e fundit
    dy pleqve kafja po u ftohet.
    Të shikojnë ty.

    Lasgush Poradeci
    Dëgjimi i Zemrës

    Kur të më kujtosh,
    Kur të vish të shkosh,
    Kur të shkosh këtejza pranë
    Që të çmallërosh

    Ç’po dëgjon kur shkon?
    Kur vjen e përgjon?
    Ç’përgjon zemra në kët’anë
    Fund në këtë hon?

    Zemra jote sot,
    Zemra jote mot,
    sot e mot në ç’mallërime
    Zemra që s’fle dot

    Seç të ndjen këtaj,
    Seç të ndjen pastaj,
    Seç dëgjon ndaj vetes s’ime
    (Si ndaj vet’e saj):

    Mall e vrer që mbaj
    Qaj, moj zemër, qaj.
    Vrer e mall që flas
    Plas, moj zemër, plas.

    Timo Flloko

    Shën Valentini i fundshekullit

    Ta kushtoj Ty
    këtë Natë të Shën Valentinit
    Të gjallët,
    prej ankthit të vetmisë
    ngërthehen fort,
    tek njeri-tjetri shpresat varin…
    Këtë natë të fundit të dashurisë,
    në fundin e mijëvjeçarit!

    Thanas Jani

    SHËN VALENTINI ËSHTË TEK UNË

    Shën Valentini është tek unë,
    më sheh çuditshëm dhe e shoh,
    mendon: për të jam i papunë,
    mendoj për të, se më mashtron…

    Mendon, se thinjat më kanë plakur
    dhe zemra s’di të dashurojë,
    se deti, nuk mban në gji-dallgë,
    se era, nuk di nga të shkojë…

    Mendoj, se shenjti-Valentin,
    ka mbetur i padashuruar,
    kërkon një datë në kalendar
    të mos harrohet-i harruar…

    Shën Valentini është tek unë,
    më thotë, t’i shkruaj ndonjë varg,
    I them: O shenjt, je plakur shumë,
    në dashuri s’ka kalendar!….

    Riza Çato
    E dashura ime

    E dashura ime zbukurohet çdo dit,
    në çdo stinë aromon si manushaqe.
    Unë e puth 365 ditë në vit,
    në buzë,në gushë ,në faqe.

    E dashura ime nuk do plaket kurrë,
    ajo do ngelet e re siç e njoha unë.
    Ajo m’i ngre vlerat,ajo më quan burrë,
    aty dhe ndjenjat e kanë rrjedhën lumë.

    E dashura ime ka shpirt perëndie,
    ajo dhuron veç mirësi.
    Mbi zemrën time shëtit si një hije,
    si shpend fluturues të kërkon liri.

    E dashura ime është gruaja ime,
    më shikon dhe e shikoj në dritë të syrit.
    Pa e zmadhuar,rregullatore klime,
    ngrohtësia ime në mes të gjirit.

    E dashura ime zbukurohet çdo dit,
    i xhelozon mrekullitë e botës.
    E lindi njëra nga perënditë,
    Dhuratë,për të mos i vënë rreth kokës.

    Zzzzzzzzzzzzzzzzzzzzzzzzzzzzzzzzzzzzzzzzzzzzzzzzzzzz

    PENA SHTESË – NR 6

    PËR KOLANËN “BRIGJEVE TË DRINIT, MORAÇËS E LIMIT”

    Ramiz LUSHAJ

    Sot po merr udhë për botim kjo vepër kolanë: “Brigjeve të Drinit, Moraçës e Limit”, e cila përfshin shkrime të ndryshme të mijat për treva etnike shqiptare në disa shtete ballkanike që rrjedhat e tyre ujore derdhen në këta tre lumenj degëshumtë, të mëdhenj e të gjatë. Ky botim, në çdo vëllim, në vazhdimësi, ndahet në katër ble (kapituj). I pari: “Brigjeve të Drinit”. I dyti: “Brigjeve të Moraçes”. I treti: “Brigjeve të Limit”. I katërti: “Dosje”. Bleu i fundit nuk mund të zenë vend ma shumë se një të katërten e çdo libri apo të krejt kësaj vepre disa vëllimshe. Çdo botim do ketë deri në mbi dyqind faqe dhe, në brendi të secilit, dhe nga një bllok tetëfletësh dyanësh me ngjyra. Vepra pajiset me aparatin e vet shkencor – treguesi i emrave të njerëzve e ai gjeografik e tematik, burimet bibliografike, etj. Shkrimet e këtij botimi serial, si gazetari, publicistikë e letërsi, janë përzgjedhur nga rreth tridhjetë mijë faqe të shkruara prej meje e të botuara në media shqiptare e të huaja, në librat e mij e të tjerëve, etj. Pjesa ma e madhe e tyne, publikohen për herë të parë apo ato ma të hershmet do të jenë të ripunuara e të plotësuara me trajtesa e fakte të reja. Shumë sish, nga këto shkrime, janë shkruar enkas për kit’ vargni botimi udhënisun. Ky botim, për arsye fondesh të pamjaftueshme, fillanis me një tirazh të ulët (rreth 300 kopje), ndaj shpërndarja gjeografike e tij dhe blerja e tij nga ente të interesuara e lexues në vise etnike shqiptare në Ballkan e në diasporat shqiptare në botë si dhe me porosi paraprake (abonim para botimit të vëllimit të dytë, të tretë…) do të krijojnë mundësira e hapësira për botimin e vëllimeve të tjerë në një kohë më të shpejtë, të afërt, e me një tirazh më të lartë e me tipografi më cilësore, etj. Së fundit, për secilin lexues të këtij botimi disavëllimsh kisha një kërkesë: në se gjen kohë e mundësi reale të ketë mirësinë për të përcjellë mendime, vrejtje, sugjerime për kit’ vëllim të parë e të tjerët në vargavijë. Në përmbyllje po them diçka për miradije: ky botim serial mund të kishte dhe titullin “Brigjeve të Drinit e të Vjosës…” apo ndryshe, po jam ndalë me shkrue për disa pjesë etnike të kombit shqiptar përgjatë rrjedhave të Drinit, Moraçës e Limit pasi në historitë e jetët e tyre të derisotme në Malin e Zi, Maqedoni, Sanxhak (Serbi), etj. po vazhdon rreziku i asimilimit, shpërnguljeve, tjetërsimit etno-historik të tyre edhe në kit’ shek. XXI, në kit’ Rend të Ri Botëror, pasi Koha me faktorët e saj po punon e fryton për Shqipërinë në kufijtë e vet etnik të mundshëm, për Shqiptarinë në lartësime të reja epokale.

    FOLËM ME GJUHËN E ZOTIT
    (Skicë)
    Albert Zholi

    Trageti u nis nga Pireu për ishullin Selamina. Mund të thuash se Salamina është një hark ylberi larg Athinës.
    Trageti rrëshkiste si i përgjumur ose ashtu na dukej ne, që rrinim përballë njëri-tjetrit bisedë për ishullin e afërt … Udhën e bëja së bashku me një shok …Fliste ai për historinë e ishullit. Flisja edhe unë për ato q ë dija, sidomos për luftërat që ishin zhvilluar në ishull. Pranë nesh zuri vend një mesoburrë, në dukje, por që mund t’i kishte kaluar të gjashtëdhjetat. “ Shumica e grekërve nuk e tregojnë moshën, e fshehin nën lëkurë”… Prania e të ardhurit bëri që ne ta ndërprisnim bisedën. Ai e vuri re shqetësimin tonë dhe na foli në shqip: -Flisni, flisni…Unë kënaqem kur dëgjoj gjuhën shqipe! – dhe buzëqeshi. Ne u pamë sy më sy, sikur donim të thoshnim dicka, por nuk folëm. -Jam arvanitas – foli i treti, duke parë hutimin tonë, banoj në Salamina. Jemi mbi katër shekuj të ardhur, por në iushull një shekull kemi … Në shtëpi e flasim gjuhën tonë, ndaj e kemi mbajtur gjallë brez pas brezi …Salamina ka shumë arvanitas, por disave u ka vdekur gjuha …Unë nuk e lash të më vdesë …Kur të parët tanë e sollën të gjallë deri këtu, si mund ta lë unë? !…Edhe fëmijtë e mi s’do e lënë …Njeriu vdes nga Perëndia, por fjala jo… Gjuhën e kemi nga Zoti …Sa mirë që e flisni! Flisni se dua t’ju dëgjij …Unë do ju them një këngë për gjuhën tonë, që e këndojmë ne në ishull: “ Gjuha arvanitshe, /Është trimërishte./ E fliste bukur i pari,/ Trimi Marko Bocari…” . Të tre qeshëm, kënduam e folëm në gjuhën e Zotit…