Suplementi Pena Shqiptare/ Elpiola Lluka: “Kur Akulli Thyhet”

590
Sigal

Gjithçka që ajo mbarte ishte shndërruar në një dhomë të zbrazët akulli…

E si mund ta shohësh zbrazëtinë, kur muret e bardhë vishen me ngjyrë hiri?!

Ai hi i cili merr edhe ngjyrën e syve të tu, duke u bërë një me sipërfaqen e lëmuar të mureve të ftohta… Të hirta…

Si një pluhur që përhapet me fryrjen e puhisë së erës;

E më pas puhia kthehet në stuhi, forca e së cilës merr me vete gjithçka që del përpara…

Gjithçka përveç lotëve… Ata janë të vetmit që e stepin çdo stuhi, sepse forca e tyre përmbyt çdo shpirt sublim…

E zhyt në një det ndienjash, e tret në një vorbull mendimesh, dhe e nxjerr në egoizëm dallgësh…

Dhe ato dallgë marrin me vete gjithë uraganet e botës, e i përplasin fort në zemër, me ritmin e heshtjes…

Ajo heshtje i ka rrënjët pikërisht atje, në zemër! Deti, vorbulla, dallgët shpërbëhen në çdo molekulë të gjakut,

dhe pompohen duke u përhapur nëpër vena… Në ato vena të hekurta!

Por ai hekur që dikur veshi forcën e tyre, fillon të ndërrojë formë nga nxehtësia…

Nxehtësia e shpirtit të mbytur; Të mbytur në ndienja,

mendime dhe ego e cila vlon me shpejtësi për të copëtuar ngurtësinë e hekurt,

e për ta kthyer në brishtësi… Brishtësinë e një frymëmarrjeje të thellë,

tingulli i së cilës kumbon ngado në membranat e jetës;

Për të lënë gjurmët e ekzistencës së një qënieje të gjallë:

Një qënieje që ka provuar fortësinë e një zemre të vrarë dhe brishtësinë e një shpirti të fortë.

Ai shpirt i cili do të depërtojë në akullin përtej të hirtës, mbi lëmimin e ngjyrës së bardhë…

Në muret tashmë të kalueshme… Dikur viganë të pakapërcyeshëm në një horizont të mbyllur,

sot të kërrusur në panoramiken hapësinore të vullnetit… Të atij vullneti që mori formën e hekurit!

Sytë e saj filluan të zhveshin hirin e së shkuarës, dhe të mbulohen me buzëqeshjen e së tashmes.

E gjithë qenia mori plotësisht aurën e bardhësisë së mureve, dikur të lara në zymtësinë e vetmisë…

Akulli u thye…  Tani zbrazëtia e dhomës, si era, është shuar me plogështinë e pluhurit…

Të pluhurit të harresës, humbur në largësinë e kontureve qiellore tej mureve të bardhë…