Suplementi Pena Shqiptare/ Eli Kanina: Asgjë e bukur e rrëfyer bukur

424
Sigal

Reflektimet e mia pas leximit të librit “Dielli im perëndon në lindje” të autores Eralda Baze

Asgjë të bukur nuk ka ndarja nga i dashuri, pas katër vitesh bashkëjetese. Asgjë të bukur nuk ka të jesh ende singëll, edhe pas pesë vjetësh, nga dashuria e parë dhe e vetme. Asgjë të bukur nuk ka të jetosh e punosh, pa dashuri e pa partner, e stresuar nga qiraja, pasiguria e punës dhe andrrallat e beqarisë, në një shtëpi-strofkë me lagështirë, që duket sikur shton edhe më ingrasinë e shpirtit. Asgjë të bukur nuk ka një udhëtim, ëndërruar gjithë kohën drejt Parisit, dhe përfunduar në shkretëtirën e Egjiptit, sidomos për një bjonde të lezeçme që ndihet e udhëton vetëm…Asgjë të bukur nuk ka një vend oriental, ta vizitosh në kulmin e një destabiliteti total, ku të përndjek gjithandej khamseen (stuhia tipike e rërës). Asgjë të bukur nuk ka një aventurë dashurie, nisur e shoqëruar gjithë kohën nga paniku i keqkuptimeve dhe incidenteve të njëpasnjëshme, me surpriza të këndshme e të pakëndshme…Misioni i një shkrimtari nuk është të rrëfejë ngjarje të mëdha, por ti bëjë të jashtëzakonshme, edhe ndodhitë më të thjeshta të jetës së përditshme. Kjo është mënyra magjike e rrëfimit të Eraldës, që na mahnit faqe pas faqe në romanin e saj, me fatin e personazheve, me fenomenet e trajtuara, dhe gjithçka tjetër, që e plotëson si një garniturë e servirur me finesë. Ky stil rrëfimi mjeshtëror që na e bën të dashur librin dhe e mban në kurth lexuesin, karakterizohet nga dy tipare, shumë cilësore:
AUTOIRONIA, që duket si një shprehje revolte ndaj shkaqeve që e kanë vënë përposhtë autoren në gjithë rrethanat, por në fakt vjen si një gjuhë e inteligjencës dhe vetëvlerësimit të Erës, përballë realitetit.
INFORMACIONI, përmes një gjuhe të pasur jo vetëm si pasqyrë profesionale e Erës përkthyese, me njohje të disa gjuhëve të huaja dhe studimeve në Turqi, por edhe si një bagazh kulturor që autorja zgjedh për të plotësuar realitetin, situatat, vendet. Psh duke na prezantuar udhëtimin e Erës, njëkohësisht na shoqëron me informacione për Egjiptin, që nga historia, luftrat, besimet fetare, traditat dhe qëndrimet, ushqimet e veshjet, deri edhe tek gjykimet e paragjykimet e popullatës.
Struktura e romanit:
Është ndërtuar mbi disa linja që ne si lexues na përcillen tek marrëdhëniet e Erës në disa raporte:
– Raporti me veten, përmes punës, udhëtimit, (mos)besimit fetar, dashurisë dhe pasioneve, të reflektuara këto tek personazhet që e rrethojnë, me të cilët jep e merr, për të na e konturuar si personazh sa më të veçantë, të pranuar dhe pëlqyer nga lexuesi. Qëndrimet e Erës vijnë edhe si eksperienca e bindje të autores për çështje të caktuara. Psh në lidhje me talentin “gjeni, nuk lind as nuk bëhesh, por të bëjnë të tjerët aksidentalisht, duke të keqkuptuar, në vendin dhe kohën e duhur”. Interesante edhe arsyeja e ekzistencës së besimit fetar “sepse arsimi dhe shkenca nuk e mbulon dot si duhet gjithë globin, por edhe për të trashëguar ca mitologji tek brezat e ardhshëm.” Po kështu përshkrimi i emigrimit “si një hemoragji për vendin që zbrazet, dhe si tumor për vendin që mbushet”- Raporti me të shkuarën, përmes Klajdit dhe dashurisë së hedhur pas krahëve, që vazhdon të shfaqet si një pësim/mësim nga e shkuara, përcaktues në qëndrimet e mëvonshme të Erës, në lidhje me dashurinë. Sipas shkrimtarit  Z.Çela “Çfarë le pas, të del përpara”. Kështu edhe Klajdi, në jetën e Erës, zëvendësministri i jashtëm i korruptuar, rikthehet fillimisht me një telefonatë mbrëmjeje në hotelin e Kajros, dhe më pas përmes të shoqes, shefes që paradite quhej Nora dhe mbasdite Nurie… – Raporti me realitetin, përmes shoqes së ngushtë Violës flokëkuqe( bulkthi që i fryn në vesh Erës, për çdo rast), por që një moment cek fundin, me largimin nga puna, suicidi e depresioni nga ashpërsia e realitetit, por shpejt arrin të integrohet përsëri dhe të shohë dritë në fund të tunelit  – Raporti me binjaken Eva, që nuk ngjan me Erën, por në çdo situatë autorja nuk harron të na e përshkruajë, se si do të reflektohej prej saj, edhe pse asnjëherë nuk i gjendet pranë. “Edhe një prift i ngrysur mesjetar do të ishte më i gjendur se binjakja ime, në ato pak raste kur i qeshë hapur Ndërthurja e këtyre raporteve, plot ndryshime dinamike gjithë kohën, duke sjellë në fund të romanit, një fund të paparashikueshëm, edhe disi të paqartë. Ndoshta për lexuesit me imagjinatë, kjo është si dhuratë nga autorja, për të vendosur ata vetë fatin e personazheve. Ndërsa për lexuesit optimistë, duket si një premtim për një roman të dytë, ku fati i personazheve të mund të saktësohet në ngjarjet e ardhshme. Në roman ceken edhe probleme sociale shumë të spikatura, por që nuk shtjellohen më tej. “Nuk ka biznes më fitimprurës sesa tregëtimi i varësive njerëzore.” Po kështu nënkuptohen edhe përgjigjet për pyetje të mbetur pezull, në një rrethanë të Erës: Ç’është ky ngut i njerëzve për ta shkëmbyer kërshërinë ndaj të ardhmes me paranojën?!
Dhe konkluzioni pas gjithë koklavitjeve dhe përpjekjeve për t’ia dalë, vjen natyrshëm.
“Gjithë kjo jetë idiote nuk qenka veçse një dhimbje koke kronike…!”