Suplementi Pena Shqiptare/ Alma Vjero Dedja: Cikël me poezi

172
Sigal

Gjyshja

Kish sy të butë,
si re që enden qiellit
dhe zë të qetë,
si heshtja..

E kish zemrën
(nga humbja)
me vraga.
S’qeshte dot,
se i hapej plaga.
…………………….

Rrugicat

Rrugicat kanë harmoni këngësh.
Rrugicat kanë mërmërima nate.
Rrugicat kanë grindje fëmijësh,
hakërrima nënash.
Rrugicat kanë kalldrëme shamate.

Rrugicat kanë oborre frutash,
vasiliko e zymbyla, të rejat me naze.
Perde për pajën punuar me dorë:
gjyshe të dhembsura në parvaze.

Rrugicat gjallojnë nga lojërat me top.
Farfurijnë kordelet, ylbere me aromë vashe.
Kanë djem çapkënë, që u bien në qafë.
Rrugicat kanë telashe…
……………………………

Huatë e mia

Borxh i kam
ditës,
sythin e dritës.

I kam borxh natës
me ligje e vaje
një mort kukuvaje.

I kam borxh
ngjyrës së kuqe.
zemrën me huqe.

I kam borxh
lotit litar,
një margaritar.

U kam borxh
kohëve që s’fjetën
jetën.

Atyre që morën arratinë
u kam borxh dashurinë.
…………………….

Rrëfesë

Xheni u rrit në përdhuni.
Xheni ish zog pa krahë.
Xheni nuk kish fëmijëri.
Xheni ish e përdalë.

Xhenit i nxinin sytë e zi
I shqyhej gjoksi plagë
Xheni nuk bënte dashuri
Xheni merrte hakë.

Xheni s’i leu buzët me të kuq:

i ngjeu veç me flakë.
I puthte dhembjet pa bërë zë
që çelnin lule-gjakë.

Xheni është strehë pa çati.
Xheni është portë pa prag.
Xhenin s’e lag më asnjë shi.
Në diell është natë.

Xheni urrejtjes i dha gji,
por Xheni s’është e aftë.
Xheni nuk qan për dashuri:
nuk mori, s’ka ç’të japë.

Xheni pat ëndërr një shtëpi
dhe kukull të ish vetë.
Xheni s’është grua, as fëmi,
një trëndafil pa fletë.

Xheni s’ndërron më fustan,
veson loti në pale.
Xheni nuk qan, Xheni këndon.
Xheni rënkon pa fjalë.

I lutet zotit të ndëshkojë
e vet digjet ngadalë!
Xheni nuk di as të dënojë.
Xheni nuk di të falë.
…………………………..

Femërore

*Punë vVajzash*

I hoqa diellit një re nga vetulla.
Harkova syn’ e tij me puthje.
Stolisa gjoksin ditës në nisje
të jem e bukur edhe në dukje.

*Punë Grash*

Stolisa gjoksin enkas mister
parajsë e ferr
argjend hënor
ta nxis diellin të vërë dor’.

*Punë Nënash*

Zbërthej kraharorin
të zbrazet qielli.
Gjak e qumësht
ta pijë dielli.
………………………………….

Jam e Vogël

Unë jam e vogël
kur ty të fal
zemrën për mal.

Unë jam e vogël
kur hamendësoj
e të kam për loj’.

Unë jam e vogël
kur humbas kuotën
e të dua sa botën.

Unë jam e vogël
se, të bëj dashuri
dua t’më mësosh ti!
……………………

Paketa

Ta nisa sërish pakon me sende delicate
përplot këshilla të pjekura temperaturash të larta.
Biskota përkëdhelish, çokollata urimesh
e akuj heshtjesh për plagët e gjakta.
Fruta.. fruta e lule kundërmimesh
me vitamina mëngjesesh, aroma, ngjyra e shije.

Sapun të lash sytë e dritës me gaz
dhe bukën e ngrohtë, brum shtëpie.

Të vura dhe gjyslykët që kërkove
me numrin e së vërtetës.
Ah! Mos harroj, t’i qepa mëngët siç deshe.
Krahë fluturimi i vura manshetës
dhe një komçë tek gusha (më ftohesh).
Të mbërthesh përqafimet, të ngrohesh.
Merakun lënë nëpër qoshe, të të mbroj lagështie.
Të kam thënë mbulohu, tendosu sa jorgani,
kthehu nga qielli me yje, jo nga tavani.
Po të çoj foton e babit që heshtjes për ty i flet!
Harrova gjë? Merrmë në telefon! Eh, të marr vet’!

P.S. Mos ki merak, bir, e lidha fort
Me rripat e dashurisë pa fren’
Bileta kushton sa flladi që e sjell
Po  vjen!
…………………………………………….

Shtëpia e No’së

Kur të rrëzohen muret e shtëpisë së vjetër
do zënë brenda shaminë që mbulonte
gërshetin e brengave, gjyshes.
Do zënë lotët për djemtë që ia rriti lufta,
për ata që s’u kthyen, për të tjerë që i pati larg,
Për nipër e mbesa jetimët
dhe tespiet (numërime rënkimesh) në varg.

Kur të rrëzohen muret e shtëpisë së vjetër,
do zënë brënda zjarret e vatrës që ndizte gjyshja,
bukën e thekur, hirin e duhanit nd’anë.
Do zënë vajet e saj, takëme dhe antikitete.
Fotot ku ngulur kish vështrimin e lagur.
Aromat e dashurisë, gëzimet e mia fëminore
dhe karamelet që ruante në sepete.

Kur të rrëzohen muret e shtëpisë së vjetër,
mbi hapat që hidhte me pahir,
do jenë zgjuar tërmete.
…………………………

Ajër

Ajër, pak ajër
të hap krahët,
të mbush sytë,
të shkund gjoksin,
të nis puthjet,
të përkund qafimet.
Ajër… ajër
të ndërmend asfiksimet!

Ajër
të pastrohen frymët,
të përthahen plagët,
të zbrazen
lumenjt e përgjakët!

Ajër
të piqen dashuritë,
të qetohen
në grop të zemrës mëritë,
të derdhet rëndes’ e qiellit
me drithërim’.
Ajër, më mirë, përpim’ !
……………………………………

Nudo

Të lindi zoti, o zot, të zhveshur
të të shihnin qiejt.
Galaktikat t’i bënin yjet si ty,
si drita, si tingulli, si pafundësia
e ne, të vegjëlit, të vdekshmit
të bëmë si dashuria,
ndaj të veshëm..

Të hodhëm shalle ylberor
rrëshirën e drurëve
shkumën e njelmët të valës
afshin e dheut athëtor.
Me të bronxtën e perëndimeve
përvëluar
balsam me mjalt të ëmbëltuar.
Të kuqen e qershisë, së gjakut
praruar me tylin e mjegullt të agut.
Kristale, loti i shembëlltyrës:
Zot, të veshëm ç’pat mbetur
nga veset e natyrës.

Dhe të futëm në gjoks
që me të pesë shqisat të na marrë malli,
para se të t’i griste me moral, djalli.
…………………………..

Njerëzisht

Dhuroje shpesh një *Të dua*
Fale! Mbrapsht mos e merr.
O Zot!

Mos e flak,
mos e rrëzo,
mos e vrit
ashtu kot..
Fluturoje lirisht
pa sebep,
pragut pa kyç,
llampës së zbeht’…
Pa strehë,
në një cep
klubesh të vonë,
në një fest’..
Një të mërguari,
një hajduti që rend,
po të mbet,
shpërndaje..
Ofertë pa faturë,
pa çmim, pa përqindje,
parqesh ku puthen
pafajësitë e mëkatet,
qytetesh në grindje,
jehonës së detit
në qiell,
se mbrapsht ta sjell.

P:S. Një *Të dua*
mbaje ngrohur për mua !
…………………………………….