Suplementi Pena/ Katër vjet me Presidentit Moisiu dhe gjashtë muaj me Presidentin Topi.

308
Sigal

Gëzim Zilja

… Aty nga mesdita më thërret në telefon sekretarja e presidentit.

– Gëzim aty je?- më pyet jo si zakonisht.

– Këtu jam në zyrë, si nënpunës i vjetër, i bindur dhe i përulur i perandorisë. E ku do të jem tjetër?- iu përgjigja me shaka.

– Leri llafet po hajde shpejt se të kërkon shefi,- më “urdhëroi” miqësisht. Më bëri përshtypje ajo lloj urgjence. Unë takohesha rrallë me Presidentin në raste tepër të veçanta. Puna më lidhte me Sekretarin e Përgjithshëm, Filip Rrumbullakun, një nëpunës korrekt, që njihte mirë punën administrative. Me të kuptoheshin gjithmonë dhe urdhërat e detyrat i merrja prej tij. U pashë në pasqyrë, rregullova kollaren, fshiva këpucët dhe u gjenda sakaq te dera e sekretares. I bëra shenjë me sy dhe ajo po me sy më dha të kuptojë se “të thërret për mirë, nuk është i nxehur.” Më pëlqente të hyja në zyrën e tij, ku  mbretëronte atmosfera e punës, rregulli e disiplina por edhe për të biseduar.

– Ulu!,- më tha miqësisht. Më dha dorën, dhe më pyeti si ke qenë, si i ke nga shtëpia, a po shkruan gjë etj. E dija që Moisiu kishte respekt të madh për njerëzit e letrave, gati një dobësi.

– Dëgjo Gëzim!- mu drejtua pasi kruajti zërin, zakon ky, që e kishte sa herë filllonte të fliste ose mbante fjalime. – Ti ke qenë kryetar i Bashkisë së Vlorës për pak kohë dhe ke shkruajtur një libër për ato ngjarje. Unë e kam lexuar atë libër por dua të dëgjoj nga goja jote sesi u vranë të dy oficerët e SHIK-ut në vitin 1997 dhe ç’mendim ke? Kam ndërmend t’i dekorojë të dy por dua të jem sa më i drejtë dhe të bëjë atë që duhet. Koha ime si kryetar bashkie kishte qenë nga data 14.11.1996 deri në datën 5 janar 1997 kur filluan revoltat. Katër muaj të tjerë ishin kaos, luftë dhe gjendja ishte tërësisht jashtë kontrollit. Në fund të muajit prill, paraqita me shkrim dorëheqjen e pakthyeshme te Lush Përpali, ministri që mbulonte pushtetin lokal.

– Gjithsej një muaj e gjysmë kam qenë kryetar bashkie se katër muaj u shpalla i papërshtashëm nga Komitetet e Shëtimit Publik dhe ishte gjendje lufte. Madje dhe bashkisë i vunë flakën,-  i thashë gjysmë me humor. Ai buzëqeshi dhe me sy më dha të kuptoj që të hyja në temë. E bëra me dije për atë ngjarje dhe gjithçka tjetër që kisha dëgjuar pas atyre viteve. Natyrisht që dija dhe di shumë për atë ngjarje dhe të tjera të ndodhura në atë kohë. Fjalët e fundit që i thashë ishin: – Mendimi im është që ata të dekorohen. Mendoj gjithashtu nëse e shihni të arsyeshme, që para se të merrni vendimin të takoheni, me Arben Malajn dhe Zabit Brokën. Ata janë në dijeni të ngjarjes se ato kohë kanë qenë në Vlorë. Them që do të keni mirëkuptimin e tyre për këtë problem. Më dha dorën, më falënderoi dhe më tha: “Të fala nga shtëpia.” Natyrisht që nuk isha unë ai që e bindi të dekoronte oficerët e shtetit, të vrarë barbarisht në marsin e vitit 1997. Moisiu ashtu si e njoha, ishte një burrë i qetë, i zgjuar, trim, i ndershëm dhe mjaft punëtor. Ndoshta nuk ishte politikan i klasit të parë, por natyrisht ishte një nga shqiptarët më të mëdhenj që kam njohur pas viteve ’90-të andej dhe këndej kufirit. E dija metodën e punës së tij. Ai do të mblidhte këshilltarët me të cilët këshillohej kurdoherë, kur merrte një vendim. Do të diskutonte hollësisht me ta dhe vula dmth vendimi si përherë do të merrej nga ai vetë. Më 14 mars 2004 ai dekoroi të  dy oficerët rënë në krye të detyrës, Besnik Hidri dhe Lekë Qoku. Nuk di si mori “erë” takimi, por një javë rresht, bashkë me mikun tim, këshilltarin Afrim Krasniqi, u bëmë objekt sulmi nga gazeta “Zëri i Popullit.” Çfarë nuk na thanë e nuk na hodhën përsipër padrejtësisht! Prisja sa vinte ora një e natës, kur fillonte të lexohej shtypi i ditës. Ishte ditë ferri, të shikoje foton në faqe të parë të gazetës me lloj-lloj epitetesh e shpifjesh. Të gjithë numra e ZP-së i kam në arkivin tim. Sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, nuk munguan as kërcënimet nga disa krerë drejtues të Vlorës, të cilët në ZP deklaronin sesa të ishin ata gjallë këmba ime nuk do të shkelte kurrë në Vlorë. Këto kërcënime ishin fare qesharake dhe as që i vija në kandar. Në fakt unë shkoja përherë në Vlorë, (edhe kur më rrezikohej jeta gjatë vitit 1997) sepse ai është qyteti, ku kanë jetuar dhe janë varret e të parëve të mi, ku jam lindur e rritur, ku më është i shtrenjtë çdo gur, pemë e rrugicë sepse Vlora, është Mëmë-dheu dhe At-dheu im. Kam shumë miq e shokë me të cilët takohem, më respektojnë dhe i respektoj. Kam dhe “armiq” por këta ishin dhe janë të pakët, njerëz të indoktrinuar, kryesisht vlonjatë të ardhur pas viteve ’90-të në qytet, që kanë zanat gënjeshtrën dhe ligësinë e më njihnin dhe i njihja pak ose aspak…  Pjesë nga libri në përfundim