Suliotkat

    431
    Sigal

    Nga krijimtaria e Rilindësve

    Lumo Skëndo (Mit’hat Frashëri)

    Kam një javë këtu në Zafranboll, në këtë qytet të Anadollit, të humbur në gropë, të nxehtë dhe plot konupe tani në verë…Kajmekami, miku im z. Kadri Përmeti, më tha që dje se do të vemi në shkollë greqisht të çupave, të ndodhemi në provimet e tyre, dhe me gëzim e pranova fitimin e tij… Po dal! Çupat tani më s’po pyeten, kanë zënë e kërcejnë. Ç’është kjo valle, kjo këngë e njohur? “Lamtumirë o jetë e ëmbël…. Suljotka ! … ” në gjuhë greqisht. Këng e Sulit! Këng e shqipëtarkavet, këng e vendit tim edhe krahërori më fryhet, zemra më mallohet, më vjen dhe mua t’ia dredh një herë , a t’ia marr me to. Këng e Sulit ! Po shoh ato shqipëtarka trimëresha, ato gra zemër luaneshe, vallen e tyre mi shkëmpt, varur mi rripët, një valle vdekjeje, një zë i qiellit dhe i varrit.! Ushtarët e Ali Tepelenës po afrohen, po sulen, po gratë këndojnë, dridhen, të zëna prej dore, dhe ay vark më çdo grimë humbet nga një shpirt, edhe një nga një gratë lëshohen poshtë shkëmbit, hidhën në greminë, në skëterrë, në gojë të vdekjes që i kapërcen një nga një. Edhe vdesin me këngë në gojë, pa u dredhur zemra e tyre.! Më mirë vdekje e lirë se sa turp dhe robëri, na fjala e këtyre shqiptarkave, e sulotkave me kujtim të pavdirshëm, që i apin një emër të përmotshëm kombit tonë, që trimëri e tyre do të inspirojë gjithnjë poetët e gjithë kombeve ! Suljotët, një grusht njerëz, që kanë mbushur me famën e tyre faqet më të shkëlqyera të historisë së tanishme, që kanë lënë kujtime trimërie të paharruar!  Edhe e ndjeva veten time fatore të jem nga kjo racë, nga ky popull, nga ky dhe, nga këta shkëmbinj që nxjerrin të tillë njerëz, të tilla gra. Edhe krahërori m’u fry edhe një herë duke dëgjuar këtë këngë, këta emra, duke parë këtë valle këtu në këtë qytet të Anadollit. Po pse zemra ime përnjëherë më ngushtohet dhe mejtime të hidhur më sulen në mendje? A është pse këta suljotë kanë derdhur gjakun e tyre kaq të famshëm për një çështje të huaj, për një komp që s’ish i tyre? – Jo, s’është ky mejtim që më hidhëron kështu, se e di, e kam ditur, dhe gjithë bota e di që dhe këta shqiptarë, si kaq të tjerë, si edhe Sina Pasha, a Qypruliu, a Mehmed Aliu, kanë shërbyer një kauzë jo të tyren! Ajo që më hidhëron është Suli i sotmë. Ku je, o Sul? N’ato rripat e tua ata njerëz trima a e kanë akoma atë zemër trime, a e dinë që janë shqiptarë, që gjaku shqiptar rreh në rrembat dhe në zemrat e tyre? Tre vjet po bëhen, kur qeshë në Shqipëri vajçë nga Llura në Llakë të Lelovës, në këtë copë të Sulit . Po sa një helm i madh më priçe: atje pashë një të keqe,një mëkatë që s’rrëfehet, atje pashë fshatra ku, jo shqipëtarëria, po dhe shqipja ka zënë të harrohet ! Si tani po e shoh atë djalë mi mur të Papadhates, kur m’u përgjigj greqisht fjalës shqipe.- Kush të tha që të mos dish shqip, or bir? – O dhaskalos, më tha djaloshi, pa ditur se ç’të vërtetë të helmshime po thosh! Ah ,jo! E kuptoj që këta anadollakë të gjorë, këta jetimë të varfër të thonë se janë grekër. Po ne, ne shqiptarët, me kujtime, me histori të shkëlqyer, me fytyra dhe emër të ndershëm, ne të themi se jemi grekër, këtë s’ma pret dot mendja! Edhe nuk di, në duhet të kem një cmir të vdekshim për atë ” o dhaskalos” , apo në duhet të më vijë keq për atë djalosh edhe për prindët e tij?

    Zafranboll, 30 qershor 1912