“Strehimi” , shembull i diskriminimit të hapur…

    390
    Për shumë njerëz, aksesi në një strehë të sigurt e të mbrojtur mbetet privilegj. Një nga të drejtat themelore të njëriut është pikërisht banesa e sigurtë. Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut (neni 25) përcakton se “gjithkush gëzon të drejtën për një standart jetese të përshtatshme për shëndetin dhe mirëqenien personale si dhe të familjes së tij, duke përfshirë ushqimin, veshmbathjen, banesën, kujdesin mjekësor dhe shërbimet e nevojshme sociale” . Mungesa e strehimit shoqërohet me shkelje të tjera të të drejtave të njeriut, dhe akoma më e rëndë është se edhe programet sociale që kanë si qëllim zbutjen e problemit kanë në brendësi të tyre pabarazi dhe shkelje të këtyre të drejtave. Si e trajtojnë autoritetet vendore problemin e të pastrehëve? Sa investojnë ato për strehimin social? Si e karakterizojnë marrëdhënien me qeverinë qendrore? A kanë kapacitete të mjaftueshme për të plotësuar kërkesat për strehim social? Problemi i të pastrehëve në Shqipëri sjell më tepër përjashtim social dhe pabarazi sesa zgjidhje dhe mbështetet kryesisht në lidhjet personale. Në bashkinë e Tiranës, banesat me kosto të ulët cilësohen si një program që i lejon zyrtarët të bëjnë qoka. Zyrtarët i përdorin programet sociale të strehimit për të shpërblyer mbështetësit e tyre politikë dhe për të zgjeruar bazën e tyre elektorale. Po paraqesim se cilat janë kriteret dhe dokumentacioni që duhet të paraqesi një individ që vetëm të aplikojë për të përfituar një të drejtë themelore që i takon: Dokumentacioni i nevojshëm për të përfituar nga trajtimi me këtë bonus qiraje:
    1. Çertifikatë e përbërjes familjare të vitit 1992
    2. Çertifikatë aktuale të përbërjes familjare
    3. Çertifikatë lindjeje personale të aplikuesit
    4. Vërtetim banimi nga Njësia Bashkiake ku kërkon strehim, ose lejen e banimit për fëmijët që kanë lëvizur nga zonat e tjera të vendit
    5. Vërtetim të ardhurash (neto të familjes)
    6. Vërtetim page për aplikuesin si dhe për të gjithë pjesëtarët e tjerë të familjes të cilët janë në marrëdhënie pune
    7. Dokumentacion nga Organet Tatimore dhe Sigurimeve Shoqërore për derdhjen e kontributeve, kur njeri nga anëtarët është i vetëpunësuar
    8. Vërtetim nga Zyra e Ndihmës Ekonomike nga Njësia Bashkiake, nëse përfitojnë nga programi i ndihmës ekonomike
    9. Vërtetim nga Zyra e Punës, për personat e përfshirë në programin e pagesës së papunësisë
    10. Vërtetim nga Sigurimet Shoqërore, për personat e dalë në pension
    11. Vërtetim nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për sipërfaqen e pronës, kur banesa është me sipërfaqe nën normat e lejuara të strehimit
    12. Vërtetim nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të vendit të origjinës, se nuk figuron e regjistruar asnjë pronë, e cila nuk mund të përdoret për strehim për familjet që kanë ndryshuar vendbanim për efekt punësimi
    13. Dokument zyrtar të celebrimit dhe çertifikatën personale, për efekt të llogaritjes së moshës për çiftet e reja
    14. Vendimin gjykate për fëmijët në ngarkim për çiftet e divorcuara
    15. Vërtetim të statusit të jetimit, në ato raste kur e gëzojnë këtë status
    16. Vendim nga Komisioni Mjekësor për personat me aftësi të kufizuara, të cilët trajtohen sipas pikës d, neni 5 i ligjit nr. 9232, datë 13.05.2004
    17. Vërtetim nga Kadastra e Rrethit nëse ka përfituar ose jo nga ligji nr. 7501, “Për tokën”, për të gjithë pjesëtarët madhorë të familjes
    18. Vërtetim nga Zyra e Tatim Taksave nëse është, ose jo subjekt i taksës së vlerës së shtuar, për të gjithë anëtarët e familjes
    19. Vërtetim nga Zyra e Urbanistikës pranë Bashkisë së Tiranës, llogarisë dhe hipotekës nëse ka blerë, ose jo truall nga shteti për ndërtim banese, për të gjithë anëtarët e familjes
    20. Deklaratë personale e noterizuar, ku përfshihen të gjitha pikat e mësipërme.
    21. Kontratë qiraje të banesës ku jetoni. 
    “Programi 10-vjeçar i Strehimit Social në Tiranë synon në: Përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve, përmirësimin e cilësisë së shërbimeve, rritjen e kujdesit ndaj qytetarëve ,ofrimin e shanseve të barabarta ,uljen e varfërisë, krijimin e sistemeve dhe organizmave efikase, gjithë-përfshirjen”
    Pjesa më e madhe e jetimëve jetojnë në konvikte për më shumë se 30 vjet dhe nuk i përballojnë dot bonuset e strehimit. Gjithashtu, bonuset duhen shoqëruar me programe të tjera mbështetëse, si p.sh. programe punësimi, arsimimi dhe të shëndetit mendor. Pronarët i dëbojnë jetimët nga shtëpitë pasi shpesh ata kanë sjellje problematike dhe nuk janë në gjendje të administrojnë mirë apartamentet. Nuk ka të dhëna mbi numrin e personave me aftësi të kufizuara që janë të pastrehë. Ka një hendek të konsiderueshëm midis ligjit dhe praktikës. Në praktikë, personat me aftësi të kufizuar nuk janë në gjendje të përfitojnë nga strehimi social. Procesi i aplikimit është shumë i kushtueshëm. Vetëm vërtetimi noterial i një dokumenti shkon rreth 3 000 lekë. Kjo është një kosto mjaft e lartë për një person me të ardhura mujore 9 000 lekë. Marrja e disa dokumenteve është shumë e vështirë. Për një pjesë të dokumenteve personat me aftësi të kufizuar duhet të udhëtojnë jashtë kryeqytetit. Disa aplikantë mund të jenë vulnerabël në shumë aspekte. Për shembull, mund të jenë jetimë dhe me aftësi të kufizuara në të njëjtën kohë. Kjo gjë nuk merret parasysh gjatë procesit të aplikimit. Rreth 50 për qind e personave me aftësi të kufizuara kanë probleme me shëndetin mendor. Pavarësisht kësaj, theksi vihet kryesisht mbi individët me aftësi të kufizuara fizike. Një nga problemet me programin e ri të banesave sociale me qira në bashkinë e Tiranës është se banesat me qira janë shumë larg nga qendrat e shërbimit social dhe shëndetësor. Ky është shembull i diskriminimit të hapur
    Sigal