Strasburgu-letër qeverisë shqiptare për padinë e 60 pronarëve

    374
    Sigal

    Pesë marsi është data e fundit, e vendosur si kufiri kohor për qeverinë shqiptare për të informuar mbi zgjidhjen në mirëkuptim të çështjes së pronarëve shqiptarë që kanë fituar paditë kundër shtetit në gjykatën e Strasburgut. Afatet kohore, sipas Shoqatës Pronësi me Drejtësi, përcaktohen përmes një letre të dërguar nga Seksioni IV i Gjykatës së të Drejtave të Njeriut për 60 pronarë (në total 83), të cilët kanë fituar betejën ligjore kundër shtetit shqiptar në Strasburg. Përmes letrës, gjykata e Strasburgut instrukton pronarët shqiptarë për hapat që duhet të ndjekin në vazhdim lidhur me ekzekutimin e vendimeve nga ana e shtetit shqiptar. Gjithashtu, qeverisë i është lënë afat deri më 2 qershor të japë motivet e saj në rast se nuk bie dakord me pronarët mbi gjetjen e zgjidhjes për përmbushjen e vendimit të Strasburgut.

     Zgjidhja me mirëkuptim

     Në letrën dërguar pronarëve, Strasburgu bën me dije se i ka lënë një afat qeverisë shqiptare për të bërë të ditur vendimin për zgjidhjen në mirëkuptim të vendimit gjyqësor, dhe se pronarët do mund të bëjnë komentet e tyre mbi propozimin e bërë nga shteti. “Qeverisë i është dhënë një afat (07/03/2014) për të shfaqur qëndrimin e saj lidhur me zgjidhjen në mirëkuptim të çështjes suaj, si dhe të shfaqë çdo propozim që mund të ketë lidhur me të. Në rast se qeveria do të bëjë propozime të tilla, juve do të keni mundësinë të bëni komentet tuaja lidhur me to”, këshillon përmes dokumentit gjykata e Strasburgut.

     Vërejtjet

     Në një paragraf më poshtë, Strasburgu instrukton pronarët për mënyrën si duhet të veprojnë në rast se qeveria vendos të mos i drejtohet mirëkuptimit për zgjidhjen e çështjeve. “Në rast se palët nuk bien dakord, qeverisë, nëse e kërkon këtë, i është përcaktuar një afat (02/05/2014) për të paraqitur vërejtjet e veta. Pas përfundimit të afatit të qeverisë, vërejtjet e qeverisë, nëse ka, do t’ju dërgohen juve vetëm sa për informacion. Në çdo rast, ju do keni mundësi të bëni vërejtjet tuaja brenda gjashtë javësh”, thekson në letër gjykata e Strasburgut. Më tej, gjykata i njofton të interesuarit se duhet medoemos të paraqesin vërejtjet e tyre lidhur me qëndrimin e qeverisë, në të kundërt ajo do ta konsiderojë këtë si heqje dorë nga çështja. “Në rast se ju nuk do të dëshironi të shfrytëzoni mundësinë të bëni të qarta vërejtjet tuaja lidhur me dëmshpërblimin, sipas Artikullit 31, ju duhet ta informoni gjykatën për këtë brenda afatit 6-javor të përmendur më lart. Në rast se nuk do ta bëni këtë veprim, do t’i lini gjykatës të nënkuptojë se ju keni humbur interesin për të ndjekur aplikimin, e për rrjedhojë do ta heqë çështjen tuaj nga lista e çështjeve”, thekson gjykata.