Sot, 5000 studentë të Mjeksisë, në protestë

    413
    Sigal

    Protesta e studenteve kundër cenimit të autonomisë universitare

    Rreth 5000 studentë të fakulteteve të Mjekësisë dhe Shkencave Mjekësore Teknike sot do të bojkotojnë mësimin në formë proteste për të kundërshtuar projektligjin e ri që do të fillojë të diskutohet, po sot në Komisionin Parlamentar të Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik. Në fakt studentët e mjekësisë e kanë parashtruar përshkallëzimin e revoltës së tyre në protesta, në një letër dërguar Kryeministrit z. Edi Rama, nëse nuk do të merrnin asnjë përgjigje pozitive për kërkesat e tyre. Në letrën dërguar Kryeministrit, studentët e mjekësisë kishin parashtruar problematikat e Universitetit të Mjekësisë, sipas të cilëve “më shumë po krijon burokraci se sa i zvogëlon. Më shumë po rrit fondet e shpërdorimit të taksave tona se sa këto të ardhura vihen në dobí. Më shumë po rriten numrat e dekanëve dhe zv/dekanëve artificialë dhe nuk po rritet numri i pedagogëve, laboratorëve, klasave”. Studentët i kanë kujtuar Kryeministrit premtimin e tij: “Ne përgëzuam iniciativën tuaj në zgjedhje, atë të rikthimit të Universitetit të Mjekësisë, aty ku ishte më parë, në atë traditë e histori 60-vjeçare. Mos harroni se ky premtim i juaji sugjestionoi votën e shumë studentëve të mjekësisë, dhe ky është një detyrim edhe më i madh që ju bie të zgjidhni”.

    Kjo protestë vjen sot, më shumë se një vit nga krijimi i Universitetit të ri të Mjekësisë. Po sot nis diskutimi në komisionet e Kuvendit të projektligjit për disa ndryshime në Ligjin për Arsimin e Lartë, e lidhur kjo vetëm me pjesën mjekësore të tij. Ky projektligj parashikon emërime të drejtuesve të tyre dhe jo zgjedhje të tyre me votë, pra kemi të bëjmë me cungime të demokracisë universitare. Ky është një hap prapa për këtë pjesë të arsimit të lartë, përsa i përket lirisë e autonomisë së institucionit. Universiteti Mjekësor përbëhet nga bashkimi i disa fakulteteve ekzistuese me tradita të shkëlqyera në Universitetin e Tiranës. Aktualisht, aty ka dekanë të zgjedhur me votim të fshehtë, shefa shërbimesh mjekësorë të QSUT të përzgjedhur mbi bazën e një konkurrimi, të cilët janë të mbrojtur në ligjin ekzistues. Ndërsa drafti i ri parashikon që rektori “përzgjedh” dekanët, ata “përzgjedhin” shefat e departamenteve, të cilët më tej “përzgjedhin” drejtuesit e shërbimeve. Në këtë mënyrë krijohet një precedent për emërime të drejtuesve në arsimin e lartë si dhe ndërprerje arbitrare të mandatit te atyre që janë zgjedhur me votë të fshehtë e të lirë, duke goditur në këtë mënyrë lirinë e sistemit universitar.

    Njoftimi

    Rreth 5000 studentë të fakulteteve të Mjekësisë dhe Shkencave Mjekësore Teknike sot do të bojkotojnë mësimin në formë proteste për të kundërshtuar fortësisht projektligjin e ri që do të fillojë të diskutohet, po sot në Komisionin Parlamentar të Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik. Këshilli Studentor si organizator i kësaj proteste bën të ditur se projektligji i ri për arsimin e lartë prek vetëm Universitetin Mjekësor Tiranë duke cenuar rëndë autonominë universitare. E pabesueshme sesi guxohet sërish të cenohet autonomia e Universiteteve duke rikthyer politikën e emërimeve si ne kohën e “shokëve të Partisë së Punës” që me terma më të moderuara mund ta quajmë koha e “miqve me interesa te përbashkëta”.  Duam t’iu kujtojmë se me këto emërime po na prekni drejtpërdrejtë edhe ne studentet ku “profesorët e emëruar” automatikisht do të jenë përgjegjës të lëndëve dhe vlerësuesit e performancës tonë akademike, madje edhe më tepër siç janë komisione të ndryshme si ato të specializimeve dhe dhënieve të titujve në të ardhmen. Për ne është e papranueshme ajo që synon projektligji i ri, sipas të cilit: “Rektori i emëruar përzgjedh dekanët/drejtorët. Dekani/drejtori i emëruar përzgjedh përgjegjësin e departamentit/qendrës së kërkim zhvillimit. Përgjegjësi i departamentit përzgjedh përgjegjësin e njësisë mësimore-kërkimore/ përgjegjësin e shërbimit”. Diktaturë !!! Ku në mënyrën më të turpshme, edhe njëherë tjetër, që nga momenti i krijimit të këtij institucioni dhunohet në mënyrë barbare e drejta dhe e vetmja forcë që studentet kanë, VOTA, duke na shmangur nga vendimmarrja dhe duke deformuar rëndë demokracinë në Universitet! Kjo që këta hartues të këtij projektligji duan të bëjnë, është më tepër se një gabim, ky është një KRIM që po i bëhet sistemit arsimor shëndetësor dhe atij mjekësor Shqiptar duke zëvendësuar si koncept “meritokracinë” me “servilizmin” dhe sahanlëpirjen ndaj eprorit që ka në dorë emërimin. Ne si studentë i lutemi këtij komisioni që ta shqyrtojë këtë projektligj me shumë përgjegjësi dhe maturi, duke respektuar në radhë të parë autonominë universitare dhe dinjitetin e studentëve të këtij Universiteti dhe të shmangë një precedent, jashtëzakonisht negativ që nuk e ka parë historia e pas viteve ‘90 në asnjë Universitet të Shqipërisë. Këtij Bojkoti do t’i bashkohen dhe një pjesë e madhe e pedagogëve tanë. Të reagojmë të gjithë! Disa nga kërkesat që duam të shqyrtohen nga institucionet përkatëse janë si më poshtë. Ajo që ne kërkojmë është:

    1-Autonomia Universitare

    2-Të pajisemi me diplomat tona, të cilat na mohohen prej një viti, duke na mbajtur me premtime të kota që do zgjidhet ky problem

    3-Të mos zëvendësohen të Mandatuarit me të Komanduar: Një e drejtë Demokratike e fituar nga Studentët e Dhjetorit nuk mund të zëvendësohet me emërime

    4-Kërkesat klienteliste duhet t’i plotësoni në vende të tjera dhe JO në ambiente edukimi universitar

    5-Të shkojmë në Europë me Demokraci dhe Liri Akademike dhe jo me emërime si Venezuela dhe të tjera vende të botës së tretë

    Fakti është që Ligji i Arsimit të Lartë do të kalojë për një muaj në Parlament; atëherë pse nxitohet të bëhen ndryshime në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës?!

    Këto kërkesa ua kemi bërë të ditur: Komisionit për Edukim dhe Mjetet e Informimit Publik;   Ministres së Arsimit, Znj. Lindita Nikolla; Rektorit të Universitetit të Mjekësisë dhe Dekanëve të Fakulteteve përkatëse si dhe të gjithë trupës pedagogjike.

    Jonel Ngjelina, Senator i vitit 6, Fakulteti i Mjekësisë

    Taulant Basha, Kryetar i Këshillit studentor të Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike

    Kërkesat e studentëve

    1-Autonomia Universitare

    2-Të pajisemi me diplomat tona, të cilat na mohohen prej një viti, duke na mbajtur me premtime të kota që do zgjidhet ky problem

    3-Të mos zëvendësohen të Mandatuarit me të Komanduar: Një e drejtë Demokratike e fituar nga Studentët e Dhjetorit nuk mund të zëvendësohet me emërime

    4-Kërkesat klienteliste duhet t’i plotësoni në vende të tjera dhe JO në ambiente edukimi universitar

    5-Të shkojmë në Europë me Demokraci dhe Liri Akademike dhe jo me emërime si Venezuela dhe të tjera vende të botës së tretë

    Prof.dr. Dhori Kule: E drejta zgjedhore nuk mund të cenohet, ndryshe universitetet ndikohen nga politika

    Një nga elementët që po hasin më shumë diskutim në grupin e punës të ngritur për reformën në Arsimin e Lartë është pikërisht procedura e  emërimit apo ajo e zgjedhjeve të organeve që drejtojnë strukturat e universiteteve. Rektori i Universitetit të Tiranës, prof.dr. Dhori Kule shpreh bindjen se në Shqipëri e ka fituar të drejtën e qytetarisë absolute procedura zgjedhore. Sipas prof Dhorit, ajo nuk mund dhe nuk duhet të cenohet. Për të sqaruar problematikën e cenimit të procedurës zgjedhore, prof Kule citoi modelin e Prishtinës si universiteti që kishte në funksionimin e vet ndikimin e politikës. “Fatmirësisht në Shqipëri Kushtetuta, ndryshe nga vendet e tjera, i ka dhënë autonomi universiteteve dhe procedura zgjedhore e çliron nga ndikimi politik, pavarësisht preferencave politike që mund të kenë individët” shprehet rektori i9 UT-së. Ndërsa porsa i përket trupës zgjedhore, prof. Kule mendon se ajo duhet të jetë gjithëpërfshirëse. “Edhe pse ka mendime që të mos jenë studentët, unë jam i mendimit që studentët duhet të jenë si pjesë e trupës zgjedhore për autoritetet e organeve drejtuese, sepse nuk janë konsumatorë të thjeshtë, studenti nuk është votues i rëndomtë, është një votues përzgjedhës”, shprehet prof. Kule.

    Rektori i Universitetit të Mjekësisë, sërish me emërim

    “Përsa i përket emërimit të rektorit, natyrshëm, unë nuk jam për emërime drejtuesish. Vetë autoritetet drejtuese duhet të kërkojnë vetëbesimin. Ligji me të vërtetë e parashikon emërimin në një universitet të ri, por në gjykimin tim ajo nuk është strukturë e re, është strukturë që ishte, që funksiononte. Pra zgjedhja në vetvete dhe marrja e votëbesimit është fuqi drejtimi, është fuqi besimi nga ata që ti do të drejtosh” shprehet prof. Kule. Megjithatë, rektori i UT-së dëshiron që në Universitetin e Mjekësisë të funksionojë çdo gjë mirë, pasi sipas tij është universiteti, ku përgatiten specialistë tek të cilët do të trokasim të gjithë.