Skënderbeu, strateg i përmasave të mëdha

    4160
    Sigal

    Shkruan Prof. Dr. Shahin Leka mbi sistemin ushtarak të Skënderbeut, më të përparuarin e asaj kohe

    *Prof. Dr. 

    Në luftën 25-vjeçare kundër perandorisë Otomane, Skënderbeu ka shpalosur koncepte politike e strategjike të qarta si dhe aftësinë të gjejë zgjidhje të drejta nëpërmjet luftës së armatosur ose edhe veprimtarisë diplomatike në varësi nga situata. Rrjedhojë e këtyre koncepteve ai plotësoi me sukses një varg detyrash politiko-strategjike tepër të rëndësishme. Të befasuar nga këto arritje në historiografinë botërore ndërmjet të tjerash është shtruar çështja e metodave të luftës së armatosur të përdorur nga Skënderbeu në krye të një ushtrie të vogël kundër ushtrisë më të madhe e më të fuqishme të kohës. Ka historianë si Voigt, Jorga e ndonjë tjetër, dhe së fundi historiani Zviceran Shmid me një tendencë të theksuar për të ulur vlerat e Skënderbeut e të veprës së tij, që e vlerësojnë Skënderbeun si një strateg  vetëm të luftës guerile, si një komandant çetash të malësorëve. Sigurisht, Skënderbeu ishte një Komandant shumë i zoti i luftës guerile. Po ai ishte njëherazi strateg dhe Komandant i luftës së rregullt po kaq i zoti dhe zhvilloi kundër ushtrisë osmane një numër të madh betejash sipas kritereve të luftës së rregullt. Analiza e luftërave dhe betejave të zhvilluara tregoi qartë se Skënderbeu duke qenë një njohës i thellë i artit ushtarak, kombinoi me mjeshtëri luftën e rregullt dhe luftën guerile. Për  t’u ndeshur me kundërshtarin jo vetëm më metodat e luftës partizane, por edhe me beteja në fushë të hapur, Skënderbeut i duhej së pari të ndërtonte një ushtri të rregullt. Kjo ushtri me tipare të plota të një ushtrie të rregullt, hedh vetëm themelet për të përdorur në fushën e luftës si taktikën partizanë, por dhe atë të luftës së rregullt. Konkluzione më  të qarta mund të nxjerrim nëpërmjet një analize të argumentuar të betejave të ushtrisë shqiptare të komanduar nga Skënderbeu, mbështetur në ligjësitë, parimet dhe rregullat e luftës e të artit ushtarak, analizë të cilën në tërësi historianët e kanë anashkaluar. Së pari, na duhet të sqarojmë cila është përmbajtja e luftës së rregullt dhe betejës në periudhën e shekullit XV. Beteja është një dukuri tipike që karakterizon luftën e rregullt nga lashtësia e deri nga mesi i shekullit XIX. Ajo përfaqëson ndeshjen në fushë të hapur të masës kryesore të forcave të dy palëve, të cilat mund të jenë rreshtuar përballë njëra-tjetrës ose fillojnë luftimin me afrimin në fushën e betejës. Ajo është një veprim taktik që synon realizimin e një objektivi strategjik. Sipërfaqja e fushë-betejës ka lëvizur nga 2-3 kmxo5 -1 km deri 15-20 km X 5-20 km. Kohëzgjatja e betejës ka ndryshuar nga disa orë në 2-3 ditë. Zakonisht betejat janë zhvilluar me forca 10-20 mijë luftëtarë nga secila palë. Por njihen edhe raste kur ato i kanë kaluar 50-70 mijë luftëtarë e më tepër për njërën apo për të dy palët ndërluftuese. Vetëm nga gjysma e dytë e shekullit XIX e sidomos me fillimin e Luftës së Parë Botërore, beteja i kishte shteruar aftësitë e saj për të plotësuar një detyrë strategjike. Një varg faktorësh që përcaktuan rritjen numerike të ushtrisë dhe të teknikës luftarake, kushtëzuan kalimin nga beteja te operacioni dhe krijimin shkallë – shkallë të fronteve të pashkëputura çka kërkonte krijimin e një vargu të tërë betejash dhe operacionesh për plotësimin e një detyre strategjike. Mbështetur në këto kritere le të analizojmë disa nga betejat e Skënderbeut. E fillojmë me betejën e parë, betejën e Torviollit. Pas një tërësie lëvizjesh e manovrimesh në mëngjesin e 29 qershorit të vitit 1444 të dy palët janë rreshtuar përballë njëra-tjetrës. Në kodrat përreth fushës së Torviollit ishin përhapur forcat turke me një efektiv prej 25 mijë vetësh (15000 kalorës e 10000 këmbësorë) nën komandën e Ali Pashës, një nga gjeneralët më të zot të perandorisë. Këtu fillon edhe organizimi i mashtrimit nga Skënderbeu. Në fushë ai kishte përhapur në vendin e luftimit një efektiv prej 9000 luftëtarësh të ndarë në tre grupime me 3000 vetë secilin (1500 kalorës e 1500 këmbësorë) të komanduar secili grupim nga Tanush Topia, grupimi i qendrës nga vetë Skënderbeu dhe Moisi Golemi. 6000 luftëtarë të tjerë të ndarë në dy grupime, Skënderbeu i mbajti në rezervë duke i vendosur në mënyrë të fshehtë në pika kyçe mbas rendimit të luftimit. Ali Pasha i bindur se do të arrinte një fitore të lehtë përballë një force me inferioritet të theksuar e të vendosur në kushte terreni të papërshtatshme, kalon në mësymje të fuqishme në qendër e mundej në të dy krahët e frontit të betejës. Pas disa orë luftimesh të ashpra në çaste të vështira për ushtrinë shqiptare , futen në luftim në mënyrë të befasishme e të rrufeshme grupet e rezervës, duke ndryshuar tërësisht gjendjen. Beteja përfundoi me shpartallimin e plotë të ushtrisë turke. Beteja e Torviollit e zhvilluar në fushë të hapur, ku të dy palët ishin rreshtuar përballë njëra-tjetrës , përmbushte të gjitha kriteret e një beteje sipas metodave të luftës së rregullt: përmasat e fushës së betejës, forcat pjesëmarrëse dhe kohëzgjatjen. Ajo ngjason tepër me betejën e zhvilluar shekuj më parë,në vitin 48 p.e.s midis Jul Cezarit dhe Pompeit në Farsalë të Greqisë. Legjionet e Cezarit ishin rreshtuar përballë forcave të Pompeut në tre vija, ndërsa 6 i mbajti në rezervë të vendosura në mënyrë të fshehtë pas rendimit të luftimit. Sulmi i befasishëm i rezervës në një moment kyç të luftimit, u siguroi forcave të Cezarit fitoren edhe pse epërsia në forca ishte nga ana e Pompeit në përpjesëtim 2.2 me 1. Askujt si ka vajtur në mend ta vlerësojë këtë betejë të zhvilluar sipas metodave të luftës guerile. Përkundrazi  përdorimi për herë të parë i rezervës si element i veçantë i rendimit të luftimit duke mos u qëndruar strikt metodave taktike të njohura, shënoi progres në fushën e artit ushtarak. Dy betejat e tjera të viteve 1445-1446 të zhvilluara në zonën e Dibrës, edhe pse nuk morën tipare të qarta të luftës së rregullt e në to mbizotëruan tiparet e luftës guerile, ndoqën qëllime vendimtare që çuan në disfatën e ushtrive turke. Betejat e zhvilluara gjatë viteve 1444-1447, Shmidi i quan përleshje të vogla, të zhvilluara në brezin kufitar, pa arritur asnjëra palë përfitime të shënuara strategjike. Kemi të bëjmë përsëri me një interpretim të gabuar. E dimë se betejat zhvillohen e kanë përmasa taktike, por si rregull synojnë të arrijnë objektiva strategjike. Këto synime u arritën bindshëm në betejën e Torviollit. Kjo betejë krijoi bindje se ushtria shqiptare edhe pse shumë më e vogël në numër nga  ushtria e Perandorisë Otomane, mund të ndeshet me të dhe të arrijë fitore. Ajo forcoi simpatinë e besimin e popullit për Skënderbeun dhe për ushtrinë e re shqiptare të komanduar prej tij. Fitorja në Torvioll pati jehonë të madhe jashtë Shqipërisë dhe i bëri fuqitë evropiane ta drejtonin vëmendjen e tyre përsëri nga Shqipëria. Disfata e ushtrisë turke ne betejën e Torviollit e detyroi Sulltan Muratin II të heqë dorë nga strategjia e betejave mësymëse vendimtare dhe të adoptojë  kundër Shqipërisë një strategji tjetër , atë të veprimeve mësymëse me forca të kufizuara. Por disfatat e viteve 1445-1446 e detyruan Sulltan Muratin të heqë dorë edhe nga kjo strategji. Komandantët turq e kuptuan fare mirë se me metodat e veprimeve rraskapitëse, të shkretimit të vendit e të luftës së pritave e të kurtheve, nuk mund të mundeshin mjeshtërit e pritave. Kundër Shqiptarëve duhej të kalohej në një luftë të madhe dhe me forcat kryesore të Perandorisë. Me fitoret e arritura gjatë tre viteve të para të luftës, shqiptarët e detyruan ushtrinë turke të kalojë përkohësisht në mbrojtje strategjike. Për këtë qëllim një forcë prej 15000 vetësh e drejtuar nga Mustafa Pasha u ridërgua në Maqedoni me detyrë të ruajë kufijtë, por edhe të ndjekë situatën në Shqipëri. Njëherazi fitoret e ushtrisë Shqiptare e shqetësuan Republikën e Venedikut, e cila filloi të ndërmarrë ndaj Skënderbeut një veprimtari të gjerë përçarëse dhe provokuese. Rrethanat historike e çuan vendin në atë periudhë përballë luftës në dy fronte, kundër dy fuqive të mëdha të kohës, Perandorisë Turke dhe Republikës së Shën Markut. Në këtë situatë të vështirë strategjike, Skënderbeu u detyrua ta shpërndajë ushtrinë prej 200000 vetësh në një hapësirë të gjerë: 6000 në frontin lindor dhe 14000 në frontin perëndimor Nga forcat e frontit perëndimor shkëputi 5000 vetë për të bllokuar kështjellat e Durrësit, Lezhës e Danjës duke siguruar shpinën e forcave kryesore, ndërsa 9000 të tjerë (7000 kalorës dhe 2000 këmbësor) të komanduar nga vetë Skënderbeu përbënin grupimin që do të ndeshej me ushtrinë e Venedikut në betejën e Drinit. Po e analizojmë shkurtimisht këtë betejë, pasi në të shprehen dukshëm tiparet e luftës së rregullt. Më 23 korrik të dyja ushtritë ndodheshin të rreshtuara përballë njëra – tjetrës, pranë fshatit Vukatanë, 6 km në juglindje të Shkodrës në afërsi të brigjeve të Drinit. Ushtria e Venedikut e komanduar nga Daniel Juriçi përbëhej nga 15000 vetë, 3500 kalorës të armatosur rëndë dhe 10500 këmbësorë, duke siguruar një epërsi 1.7:1. Formacionin e luftimit e kishte ndërtuar në tri grupime të vendosura në dy skalione. Në grupimin e krahut të majtë të cilën e komandonte vetë Daniel Juriçi, kishte vendosur kalorësinë e rëndë, ndërsa dy grupimet e tjera përbëheshin nga këmbësorë. Ndryshe nga ushtria Venedikase, Skënderbeu e ndërtoi formacionin e luftimit në tre grupime, por në një skalion, ç’ka i lejonte të zbuste epërsinë në forca të kundërshtarit. Grupimet komandoheshin nga Skënderbeu, Tanush Topia dhe Moisi Golemi. Duke vlerësuar drejt mangësitë në ndërtimin e luftimit të ushtrisë venedikase, Skënderbeu shpërthen në pikën më të dobët të tij, në ndër hapësirën ndërmjet grupimit të kalorësisë së rëndë dhe grupimit të qendrës, ç;ka bëri të mundur të veçohet kalorësia e rëndë venedikase nga pjesa tjetër e ushtrisë. Me futjen dhe të dy grupimeve të tjera , luftimet u ashpërsuan me situata të vështira për të dy palët , por në tërësi nismën e zotëronte ushtria Shqiptare, e cila mundi t’i shpartallojë grupimet e veçuara të ushtrisë Venedikase, t’i shkaktojë asaj humbje të rënda e të vijojë ndjekjen deri te muret e Shkodrës. Jo vetëm formacioni i luftimit, por edhe tabloja e zhvillimit të veprimeve luftarake, shpalos qartë një ndeshje ku të dy palët respektuan të gjitha kriteret për një betejë të rregullt, në të cilën Skënderbeu edhe pse me forca më të pakta arriti fitoren kundër një ushtrie të një vendi evropian. Kjo fitore u thellua më tej me një tjetër të arritur në frontin e lindjes. Nëpërmjet manovrimit të shpejtë të forcave, Skënderbeu me 6000 kalorës mbërriti në zonën e Dibrës dhe u ndesh përsëri ne betejë të rregullt në Oranik më 14 Gusht 1448 kundër forcave të Mustafa Pashës prej 15000 vetësh. Me gjithë përpjesëtimin 2.5:1 në dobi të turqve, beteja përfundoi në disfatë të plotë për ta. Tiparet që përcaktuan edhe fitoren e kësaj beteje ishin këmbëngulja dhe shpirti sulmues, aftësia për manovër brenda e jashtë fushës së luftimit, rendimi i qëndrueshëm elastik, shfrytëzimi me mjeshtri i terrenit etj. Fitoret e bujshme të arritura brenda një muaji në Drin e Oranik , duke u ndeshur me armiq të fuqishëm e në dy fronte , tregojnë për rritjen cilësore të ushtrisë Shqiptare gjatë 5 viteve të jetës së saj. Betejat e ushtrisë Shqiptare nën udhëheqjen e Skënderbeut të zhvilluara sipas taktikës së luftës së rregullt ndjekin njëra tjetrën. Të tilla ishin beteja e Pologut  e Prillit 1453, beteja e Oranikut në maj të vitit 1456 dhe disa beteja të tjera të zhvilluara gjatë viteve 1462-1465. Gjatë 5 muajve që zgjati fushata e vitit 1465, Sulltan Mehmeti i II në katër ekspeditat që ndërmori kundër Shqipërisë hodhi rreth100000 vetë. Me numrin e madh të hordhive të tij, ai nuk mundi të realizojë synimet strategjike ndaj Shqipërisë. Pësoi disfatë, strategjia e re e komandës turke, nëpërmjet së cilës synonin të asgjësonin Skënderbeun dhe ushtrinë Shqiptare duke përdorur në shkallë më të gjerë format e luftës guerile, Skënderbeu arriti t’i shmangë me aftësi përpjekjet e ushtrisë Turke për të realizuar befasinë e goditjes e për t’i futur forcat tona në kurthe e prita. Luftëtarët e ushtrisë Shqiptare me forma e metoda luftimi të gjalla e të shkathëta, bënë që të dështojnë sulmet njëpasnjëshme të kundërshtarit. Me një manovër të gjerë, të realizuar si jashtë fushës së luftës, ashtu edhe brenda betejës e detyruan kundërshtarin të futej në luftim edhe në beteja të rregullta në kushte të pa përshtatshme për të, duke iu nënshtruar vullnetit dhe iniciativës së forcave Shqiptare. Spikasin në këtë drejtim beteja në fushën e Stefigradit dhe ajo e Vajkalit në Gusht të vitit 1465. Në të dyja këto beteja u shfaqën qartë gjithë treguesit e luftës së rregullt. Luftimet ishin të ashpra me sulme e kundërsulme nga të dy palët, ato zgjatën në kohë, por mundej nën vrullin e sulmeve të pandërprera  të Shqiptarëve, Turqit bashkë me komandantin e tyre Ballaban Pashën morën arratinë duke pësuar humbje të shumta. Të vijmë tani të një betejë tepër origjinale, beteja e Albulenës (Ujit të Bardhë),  në vërën e vitit 1457 një kulm i betejave të ushtrisë Shqiptare në të cilën Skënderbeu arriti një fitore spektakolare. Komanda turke e këshilluar edhe nga Hamza Kastrioti kishte vendosur të përdorte një strategji të re sipas së cilës, forcat kryesore të ushtrisë Shqiptare që qëndronin jashtë kështjellave do të asgjësoheshin me anën e një beteje të madhe fushore.  Të gjitha lëvizjet e veprimet e ushtrisë Turke gjatë afrimit dhe hyrjes në territorin Shqiptar synonin të evitonin goditjet e befasishme, kurthet e pritat që mund të ndërmerrte Skënderbeu dhe ta detyronin atë të tërhiqej në një betejë të rregullt fushore. Për këtë qëllim Sulltan Mehmeti solli në Shqipëri një ushtri të madhe prej 50000 vetësh, shumica kalorës nën komandën e pashait Isak Bej Evrenozit të cilin e mbante si gjeneralin turk më me përvojë në luftën kundër Shqiptarëve. Ndihmës e këshilltar tepër i dobishëm mendohej se do të ishte Hamza Kastrioti. Skënderbeu kishte grumbulluar një forcë prej 17000 luftëtarësh. Me një grupim prej 6000 kalorësish ai e priste ushtrinë turke në kufirin e tij në Oranik të Dibrës. Ndërkohë që, pjesën tjetër të forcave e kishte vendosur në vende të përshtatshme e të fshehta në rajonin malor të Kurbinit. Idesë së Komandës turke Skënderbeu i vuri një plan tepër të goditur. Ai pranoi sfidën. Gjatë shkëputjes së kontaktit e tërheqjes , nuk organizoi prita e kurthe siç vepronte zakonisht. Por brenda kësaj sfide Skënderbeu ndërtoi planin e tij të mashtrimit, duke dhënë përshtypjen e rreme se me ushtrinë e tij të vogël që i kishte mbetur ishte tërhequr në brendësi të vendit me qëllim që të shpëtonte kokën  dhe se gjoja nuk guxonte të ndeshej me një armik kaq të madh. Dështoi, kështu ideja e Komandës Turke për fillimin e shpejtë të betejës së rregullt. Me të drejtë Skënderbeu sipas Barletit, kishte vlerësuar se “Në qoftë se neve presim atë (armikun në –Sh,L) në fushë të hapët, përfundimi i luftës mbetet i dyshimtë”.Tërheqja e forcave të Skënderbeut u realizua nëpërmjet një manovre të shkallës strategjike jashtë fushës së luftimit. Duke zgjedhur Lezhën si drejtim të tërheqjes dhe jo zonat malore që jepnin mundësi për të organizuar kurthe e prita, Skënderbeu synonte te thellonte më tej idenë e mashtrimit, duke krijuar bindjen te komanda Turke se forcat Shqiptare ishin të paorganizuara e të paafta për të përballuar forcat shumë të mëdha të Turqve, çka e detyronte të kërkonte mbrojtjen e Venedikut. Më tej Heshtja e plotë e forcave të Skënderbeut për një periudhë 4-5 javësh pas tërheqjes , e bënë mashtrimin tërësisht të besueshëm. Në të tilla rrethana, si vigjilenca e komandës, ashtu dhe rregulli, disiplina e gatishmëria luftarake e forcave turke po shkonin drejt rënies. Shthurja disiplinore dhe vapa e madhe e gushtit e kishin paralizuar e dobësuar aftësinë luftarake të kësaj ushtrie që ishte shndërruar në një turmë të çrregullt. Kishte ardhur çasti i shumëpritur. Skënderbeu në mënyrë krejt të fshehtë i kishte nxjerrë forcat e tij në kushte shumë të përshtatshme në krah të fushimit turk, në lartësitë lindore të tij, duke i pasur forcat turke në këmbët e veta. Formacionin e luftimit e ndau në tre grupime kolonash.  Në qendër, grupimi përbëhej prej 8000 luftëtarësh, 4000 kalorës në skalionin e parë nën komandën e tij dhe 4000 këmbësorë në skalionin e dytë nën komandën e Tanush Topisë. Në të dy krahët vepronin grupime kalorësish prej 4000 vetash. Grupimi i krahut të djathtë komandohej nga Pjetër Emanueli dhe Gjon Stres Balsha; grupimi i krahut të majtë komandohej nga Moisi Golemi. Rreth1000 këmbësorë , të përforcuar dhe nga njësi të armatosura të popullsisë vendase, Skënderbeu i vendosi në prita në vendkalimet, qafat e luginat malore, për të asgjësuar grupimet e ushtarëve turq, që mund të iknin në panik. Goditjet e vrullshme e të fuqishme të ushtrisë Shqiptare në mesditën e 7 Shtatorit e gjetën në befasi të plotë ushtrinë turke. Stuhia kalorësiake po shpërthente nga të gjitha drejtimet duke shkaktuar tmerr dhe panik në radhët e saj. Hamza Kastrioti e komandanti i saj turk Isak Bej Evrenazi mundën të vënë në gatishmëri e të organizojnë qëndresën me disa reparte. Beteja po ashpërsohej duke arritur në pika të caktuara deri në luftim trup me trup. Luftimi merr pamjen e një beteje të rregullt po ku nismën , zotërimin e gjendjes dhe epërsinë morale e kishim forcat Shqiptare. Nën peshën e forcës goditëse të ushtrisë Shqiptare qëndresa e forcave turke po dobësohej, arratia në masë e tyre nuk mbahej më. Veç humbjeve të shumta në fushën e betejës, grupime të çrregullta turqish asgjësoheshin nga pritat e ngritura në rrugët e tërheqjes. Beteja fushore u zhvillua, por jo në kohën e parashikuar nga komanda turke, ajo u zhvillua në kohën e kushtet e  përgatitura nga Skënderbeu. Fitorja ishte mahnitëse. Ushtria e vogël Shqiptare prej 17000 luftëtarësh, mundi ushtrinë e madhe turke prej 50000 vetësh me një përpjesëtim 3:1 në dobi të saj. Humbjet ishin të pa llogaritura, rreth 20000 të vrarë në fushën e betejës, veç shumë të tjerë gjatë rrugëve të tërheqjes.

    ***

    Skënderbeu dhe ushtria e tij u ndeshëm dhe fituan kundër dy sulltanëve më të mëdhenj të Perandorisë dhe 15 gjeneralëve ndër më të zgjedhurit e saj. Çdo përpjekje për të zvogëluar sadopak vlerat dhe meritat e Skënderbeut si personalitet shumëplanësh janë më shumë se dashakeqe e në rastin më të mirë, tregues i një naiviteti të theksuar. Skënderbeu është një realitet i fuqishëm historik. Në qoftë se personalitetit i Skënderbeut ka arritur ato kulme, ato përmasa, që koha dhe popujt i kanë dhënë dhe fuqinë e një miti, kjo është një dëshmi tjetër e qartë e madhështisë së tij.

      

    Ushtria e Skënderbeut

    Ushtria e Skënderbeut me mundësi mobilizimi të një efektivi prej 15-20 mijë luftëtarësh, e aftë të përhapej me shpejtësi në fushën e luftës, përbëhej nga garda pretoriale, repartet e kufirit dhe forcat ndihmëse. Krijimin e kësaj ushtrie e mundësonte zbatimi i parimit “burrë për shtëpi”dhe hartimi i listave të rekrutimit. Ky sistem që ka tiparet e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, ishte mjaft përparimtar për kohën. Skënderbeu krijoi kështu i pari në Evropë në periudhën e mesjetës ushtrinë e përhershme dy vjet para Karlit XII të Francës, i cili vetëm në vitin 1445 krijoi një lloj ushtrie të përhershme, dhe këtë ushtri Shmidi e vlerësoi si “një masë të vogël luftëtarësh fshatarë e blegtorë”, krejt ndryshe nga çka na dëshmon Falmerajer se “Në krahinën e stërgjyshërve në Mat, u bë regjistrimi në lista i banorëve të aftë për të luftuar”.  Për një veprim të tillë në krishterimin e atëhershëm nuk kishte menduar njeri, por edhe për Shqipërinë ishte një reformë që nuk ishte dëgjuar dhe në këtë mënyrë të regjistruarit thirreshin nën armë rregullisht sipas nevojës dhe dëshirës.

    Fitorja e Albulenës, rrjedhojë e manovrës së thellë strategjike

    Historianët në tërësi nga Barleti e deri në ditët tona e pranojnë këtë mësymje dhe rezultatet e arritura. Por si u bë e mundur kjo? Fitorja në Albulenë ishte rrjedhojë e manovrës së thellë strategjike, e cila bëri të mundur së pari mashtrimin e armikut  dhe së dyti nxjerrjen e forcave të veta në kushte të përshtatshme si në pikëpamje të terrenit, ashtu dhe të befasisë së goditjes. Manovra u realizua mbi bazën e një ideje të guximshme që mundësoi betejën vendimtare. Një manovër me përpjesëtime të tilla e me një ide kaq të qartë nuk njihej atëherë jo vetëm nga ushtritë e vogla të vendeve të Evropës, por edhe nga ushtria e madhe turke. Një tipar dallues në betejën e Albulenës është dhe ndërtimi  i formacionit të luftimit. Bazën e formacionit e përbënin kolonat e kalorësve në skalionin e parë në largësi 3-4 km larg njëra – tjetrës, të afta për të kaluar nga formacioni i marshimit në formacion luftimi. Duke përbërë 70% të forcave, kolonat e kalorësisë siguruan goditje të fuqishme fillestare, mësymjen në disa drejtime e copëtimin e armikut , vrullin e mësymjes dhe zotërimin e nismës. Këmbësoria e vendosur në skalionin e dytë në drejtimin e qendrës, e rriti forcën goditëse, ndërsa rezerva megjithëse me përbërje të vogël, duke bllokuar shtigjet  e vendkalimet u shkaktoi humbje edhe atyre forcave turke që mundën të dalin nga rajoni i luftimit. Duke pranuar disfatën e ushtrisë së tij në betejën e Albulenës, Sulltan Mehmeti II u detyrua të bëjë përpjekje të shumta për të nënshkruar me Skënderbeun paqen. Në pamundësi të saj, ai u detyrua që për disa vjet rresht të heqë dorë nga strategjia mësymëse dhe të kalojë në strategji mbrojtëse. Fitorja e ushtrisë Shqiptare pati rëndësi të madhe edhe në planin ndërkombëtar. Me dështimin e përpjekjeve të Perandorisë Osmane për pushtimin e Shqipërisë, dështoi në të njëjtën kohë edhe mundësia e realizimit të planit strategjik të saj për pushtimin e Evropës.