Skëndërbeu dhe jehona ndërkombëtare

2303
Sigal

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Skënderbeu në fushën ushtarake

Për epokën e Skënderbeut, si studimet dhe hulumtimet shkencore, në arkiva e biblioteka shtetërore e private, muze e koleksione të ndryshme, brenda dhe jashtë vendit na kanë dhënë rezultate të reja për fusha të ndryshme të historiografisë. Në fushën ushtarake është më e dukshme; si në mbrojtjen e lirisë e pavarësisë së vendit, për mbrojtjen e krishterimit dhe qytetërimit evropian nga vërshimi Osman. Skënderbeu paraqitet edhe në fusha të tjera si në art, në letërsi, në muzikë dhe në pikturë. Skënderbeu, me ushtrinë dhe popullin shqiptar, me personalitetin që shfaqi ka vulosur, jo vetëm kulturën dhe historiografinë e kohës së tij, por edhe atë të periudhave pasardhëse, gjë që vërehet në larminë dhe pasurinë e pa zbuluar akoma të dokumenteve, dorëshkrimeve dhe veprave të shkruara për figurën e tij anembanë Evropës dhe më gjerë. Nën drejtimin e tij, Kuvendi i Lezhës u bë bërthama e parë efektive për njësimin politik e ushtarak të forcave të popullit shqiptar kundër pushtimit osman. Kjo nuk ishte një dukuri e rastit. Më shpejt e më qartë se të gjithë bashkëkohësit, Skënderbeu e kuptoi dhe realizoi si një fakt të madh, pushtimin e huaj, kërcënimin e ardhur nga jashtë. Ai ishte i pari ushtarak që e shndërroi në një faktor përshpejtues njësimin dhe bashkimin e principatave, të resurseve të tyre në funksion të mbrojtjes së lirisë e pavarësisë së fituar. Një fenomen i ngjashëm u zhvillua në kushtet të përafërta edhe në vendet fqinjë si në Serbi, në Bosnjë e në More. Por në këto vende nuk mundi të sillte ato rrjedhime efektive që u shfaqën në Shqipëri nën udhëheqjen e Skënderbeut. Rrethanat e mësipërme bënë që shqiptarët të humbin të fundit pavarësinë e vet, ndonëse shtetet e tjera ishin më të mëdha e më të pasura në mundësi e mjete. E vetmja rrugëzgjidhje si ajo që gjeti e zbatoi Skënderbeu, e vuri atë në kushte të favorshme që t’i bënte ballë rrezikut të vërshimit Osman, i cili kishte marrë përmasa evropiane. Lufta e pabarabartë që bënte populli shqiptar, nuk ishte vetëm një luftë për mbrojtjen nga pushtuesi osman të krahinave të veçanta, por edhe për ruajtjen, bashkimin e forcave politike, ekonomike dhe ushtarake të kombit tonë. Ishte kjo luftë që farkëtoi atë ndjenjë të bashkimit politik, ushtarak, etnik e kulturor, që u ruajt edhe pas pushtimit të vendit si fitore e rëndësishme e saj.

Skënderbeu frymëzimi për popuj të tjerë

Jeta dhe vepra e Skënderbeut është përdorur si frymëzimi për shumë popuj të tjerë, të cilët të ndodhur në robëri, qoftë nën sundimin osman apo edhe nën sundime të tjera, luftuan gjatë shekujve për liri dhe çlirim kombëtar. Duke pasur gjithmonë një mision të tillë, figura e tij është bërë simboli i lirisë për popujt e shtypur. Si rezultat, miti i krijuar për Skënderbeun në disa raste të duket sikur figura e tij ekziston diku midis ëndrrës për liri, imagjinatës së popujve dhe realitetit. Nga një këndvështrim i tillë, në dokumentet të zbuluar më herët që janë më afër realitetit kohor, kanë një vlerë të rëndësishme dhe të veçantë për historiografinë tonë, sepse ato na sjellin më afër të vërtetën, duke na larguar nga shtrembërimet, idealizmat e tepruara që në raste të caktuara shkojnë në ekstreme të tejskajshme. Në disa raste përpjekjet e historianëve për çmitizimin e figurës së Skënderbeut kanë bërë që ajo të kalojë nga një skaj në tjetrin, duke mos i qëndruar kohës dhe të vërtetës shkencore e historike. Nolin na ka lënë një thënie lapidare: “Çdo heroi në histori i është dashur të kalojë përmes tri fazave; të glorifikimit, të asgjësimit dhe të rivlerësimit.” Kështu ka ndodhur dhe me heroin Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeun. Madhështinë e figurës së Skënderbeut, nuk kanë munguan ta admironin dhe ta vlerësonin lart bashkëkohësit dhe një varg personalitetesh të shquar të Evropës e të botës që kanë arritur deri më ditët tona. Për këtë dëshmon dhe vargu i jashtëzakonshëm i veprave të hartuara nga historiografë, teoricienë ushtarakë, shkrimtarë dhe artistë. Literatura e shumtë, e përkthyer në shumë gjuhë të botës, i japin heroit shqiptar cilësimet më të vlerësuara dhe admirimin e shumë adhuruesve në botë. Vlerësim shpreh dhe Hanns Bajnnerson, në shek. XIX, në Islandë ku thekson se, “vjen rasa t’i këndoj një burri të tillë, që në fushën e mejdanit e mbajnë më të mirin ndër të gjithë kombet”.

Skënderbeu mbajti nën kontroll rrugët strategjike drejt perëndimit

Lufta heroike, afro një shekull e shqiptarëve kundër vërshimit osman hyri në kuadrin e përgjithshëm të historisë evropiane në dy drejtime:

E para, u mbylli këtyre vërshimeve rrugët drejt viseve të brendshme malore të Ballkanit Perëndimor;

E dyta, se rrugët drejt brigjeve Perëndimore të gadishullit që ishte një nga pikësynimet kryesore të strategjisë osmane për të shtrirë invazionin në gadishullin Apenin, u ndërprenë nga ushtria e Skënderbeut.

Shqipëria me ushtrinë e saj modeste u bë një mur i pakapërcyeshëm, duke gozhduar forca kolosale osmane në këtë trevë me rëndësi strategjike dhe duke e konsumuar atë në mënyrë graduale. Në Shqipëri iu mbyll rruga më e shkurtër e sulltanëve të Osmanëve drejt perëndimit dhe për në veri, drejt Malit të Zi, Bosnjës dhe Dalmacisë. Vërshimi osman në Ballkan dhe në Shqipëri, ishte një ngjarje historike me rëndësi ndërkombëtare. Këtë e kuptuan më mirë mendjet më të mprehta e të qarta të kohës, midis bashkëkohësve. Ishte e qartë për ata se sulltanët osmanë luftonin në Shqipëri, jo vetëm për të nënshtruar popullin shqiptar, por edhe për të mposhtur qëndresën e tyre heroike të këtyre “rebelëve” siç i cilësonin kronistët osmanë, por për të siguruar në Shqipëri atë kryeurë qo do t’u lejonte kalimin drejt perëndimit pa probleme e shqetësime. Ishte e kuptueshme që në kushte të tilla kërcënimi që i vinte Evropës nga pushtimi osman u bë një temë e përgjithshme e një literature historiografike e artistike që nga shek. XV e në vazhdim në vendet evropiane deri në ditët sotme. Historiografia moderne evropiane dhe ajo ballkanike nuk kanë mundur t’i mohojnë kësaj lufte një vend nderi, mandej nuk kanë nguruar nganjëherë edhe ta përvetësojnë atë. Lufta e popullit tonë nën udhëheqjen e Gjergj Kastriot Skënderbeut u bë një nga faqet më të ndritura të historisë së kombit tonë dhe asaj botërore të epokës. Janë aktuale dhe sot fjalët e Volterit se “Po të kishin qenë Perandorët e Bizantit, si Skënderbeu, Perandoria e Lindjes do të kishte shpëtuar”.

Epoka e Skënderbeut

Luftërat e popullit shqiptar për mbrojtjen e lirisë dhe pavarësisë gjatë shek. XV që quhet epoka e Gjergj Kastriot Skënderbeut përfaqëson në vetvete një etapë shumë të rëndësishme në historinë e kombit tonë. Periudhë e tillë si ajo e shek. XV me ndeshje vigane, kërkonte figura të mëdha që t’iu bënte ballë situatave, ndeshjeve midis popujve që mbronin e ruanin lirinë e pavarësinë e vendit dhe agresorëve që robëronin e gllabëronin lirinë e popujve të tjetër. Përkujtimi i vitit jubilar të vdekjes së Heroin tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu si kryetar shteti, komandant, strateg e luftëtar të madh, është një vlerësim dhe kontribut i madh i një populli të tërë për Të. Epoka që mban emrin e tij është një nga epokat më vendimtare të historisë së kombit tonë, në të cilën populli ynë luftoi për 25 vjet më radhë kundër superfuqisë së kohës, për të mbrojtur tokën, lirinë dhe pavarësinë e vet. Popuj të vegjël si Shqipëria i duhej të zhvillonin aftësi dhe forca të veçanta, të derdhnin të gjitha energjitë e tyre intelektuale, materiale dhe morale për të mbrojtur çka kishin më të shtrenjtë; lirinë e pavarësinë e identitetin e tyre kulturor në shek. XV. Vlerësim i drejt i Skënderbeut kërkon ende studim në fushën ushtarake. Një figurë e tillë ushtarake kërkon që të vlerësohet edhe në aspektin politik e shtetëror shqiptar e ndërkombëtar të lidhura me tetendencat objektive të zhvillimit të kohës në planin e përgjithshëm, në lidhje me aspiratat, jo vetëm të klasave sunduese e të interesave të tyre politike, por në radhë të parë me aspiratat veprues në gjirin e masave popullore të vendit. Epoka e Skënderbeut nuk ishte thjesht një periudhë ngjarjesh ushtarake, ajo ishte një periudhë fillimi i një kthese epokale, kalimi nga copëzimi feudal e anarkia që e shoqëroi këtë sistem, drejt përpjekjeve për krijimin e pushteti politik që t’u përgjigjej më mirë nevojave të reja ekonomike dhe shoqërore të vendit. Krijimi i shteteve feudale me popullsi unitare nga pikëpamja gjuhësore e kulturore. Vërshimi osman nuk ishte një faktor lokal që prekte njërin ose tjetrin sundues feudal në disa treva shqiptare ose ballkanike. Zhvillimi i qyteteve kishte çuar që në shek. XIV fuqizimin e pushtetit ekonomik e politik të klasës sunduese feudale vendase, kishte rritur rolin e tyre politik si në planin lokal ashtu dhe rajonal. Me mprehtësinë e gjykimit të burrit të shtetit dhe të strategut të madh, Skënderbeu diti të gjejë e të krijojë për këtë qëllim forma e metoda të reja organizative që u përgjigjeshin më mirë detyrave të mëdha që shtronte koha, momenti historik dhe e ardhmja. Edhe pse niseshin nga kushte të veçanta të Shqipërisë së shek. XV, këto koncepte dhe veprimtaria e Heroit shqiptar që lidhej me to, marrin rëndësinë e tyre edhe për shekujt pasardhës dhe për vendet e tjera. Kjo shpjegon, përse figura e Skënderbeut ushtroi një jehonë kaq të gjerë e të thellë mbarëbotërore. Fakti që nuk u realizua ideja e bashkëpunimit të luftës së shqiptarëve më qëndresën që i bënin vërshimit osman edhe popujt e tjerë të gadishullit Ballkanik dhe të Evropës, nuk është faji i burrit të shtetit e strategut shqiptar. Mund të themi pa nguruar se me zbulimin e këtyre rrënjëve shoqërore që e bënë luftën e popullit shqiptar një ngjarje të madhe në plan ndërkombëtar dhe udhëheqësin e saj Skënderbeun, një figurë të madhe historike, qëndron një nga rezultateve rëndësishme të historiografisë shqiptare, një kontribut me vlerë edhe në rrafshin e historiografisë ndërkombëtare.