Skënder Tufa/ Z. Kryeministër, merr masa, po persekutohemi politikisht!

    413
    Sigal

    Skandali, ish të burgosurit politikë largohen me dhunë nga Parlamenti

    Në datën 11 dhjetor, Nënkryetari i Parlamentit deklaroi se do të bëhej e mundur që qytetarët  të ndiqnin seancat Parlamentare. Në datën 12 dhjetor, një grup i ish të burgosurve politikë po  qëndronin tek hyrja e Parlamentit, policia veproi mbi ta duke i shtyrë për t’i larguar. Ndoshta,  kjo është mënyra që na ofrohet për të komunikuar ne, të burgosurit politik me ligjbërësit që po vazhdojnë të na zhgënjejnë. Të detyruar nga gjendja jonë social-ekonomike, jemi të detyruar t’i kërkojmë të drejtat tona, me forma dhe mënyra demokratike dhe kur institucionet injorojnë me heshtje dhe justifikime absurde, si dhe kur na kujtojnë me veprimet e tyre se ne jemi shtresa më vunerabël dhe e diskriminuar, që nuk merremi as në evidencat e Avokatit të Popullit dhe as në ato qeveritare, jemi të detyruar që t’i tregojmë kujtdo se ne do të vazhdojmë të jemi luftëtarë të fjalës së lirë dhe ushtarë të zgjidhjes së problemeve tona. Ne nuk do të na ndalojnë dot, as policët dhe  as agjentët, do të jemi sërish ditën e enjte datën 19.12.2013, ora 9.30 tek hyrja e Parlamentit, ne për asnjë moment nuk do të reshtim së kërkuari të drejtat tona. Gjendja jonë aktuale sa vjen e përkeqësohet, të burgosurit politikë të dërrmuar nga burgjet, të lodhur nga tranzicioni, të fyer nga politika sot, janë duke jetuar çastet më të rënda të skamjes dhe të injorimit. Kërkesat tona, të bazuara në ligjet e pa implementuara, nuk po shohin zgjidhje prej 22 vjetësh dhe të burgosurit politikë të dërrmuar nga kjo politikë katoviciane janë duke ndërruar jetë pa përfituar të drejtat që kanë mbetur në letër. Është e turpshme dhe kriminale që një i burgosur politik, i quajtur Mihal Kosta, 31 vjet burg politik, një Mandelë tjetër shqiptare, ndodhet prej një jave në morgun e qytetit të tij Ersekë, sepse familja nuk ka para për ta varrosur. Bashkëvuajtësit  dhe dashamirësit, për lëmoshë po mbledhin para që t’i bëjnë nderimet e fundit. Ndërsa, shteti hesht dhe organizmat që mbrojnë liritë dhe të drejtat e njeriut nuk ndihen.

    I nderuar z. Kryeministër, ndërhy menjëherë për të zgjidhur problemin e integrimit të të dënuarve  politikë, të cilët nuk kanë më kohë të presin se po largohen nga kjo botë në mënyrat më mjerane. Ata kërkojnë dinjitet njerëzor, nëpërmjet implementimit të ligjeve. Shprehim keqardhjen që persekutimi i hapur politik po vazhdon edhe sot, rasti i gjykimit të grevistit të urisë, z. Perikli Shqevi, më datë 13.12.2013, për arsye dhe motive të grevës së urisë është sa qesharake aq dhe fyese. Zoti Shqevi është një pikë referimi e 2 qeverisjeve,  “Berisha” dhe sot “Rama”.

    Shpresojmë që nuk do të na bëni që dhimbja jonë të vazhdojë më tej, nuk duam që të  rifillojmë dhe një herë nga e para, të dalim në rrugë, të protestojmë, të reagojmë e të  avancojmë me veprimet tona që janë të njohura. Çdo gjë është në dorën tuaj z. Qeveritar!

    Shoqata e ish-Burgosurve Politik të Shqipërisë (SHBPSH)