Skënder Tufa: Ministri Veliaj si Sudja, shpërndan çeqe, por jo lekë

    373
    Sigal

    Ish të burgosurit politikë mblidhen sërish tek instituti: Duam të na dëgjohet zëri!

    Pas shpërndarjes së dëmshpërblimeve për rreth 106 ish-të përndjekur politikë nga ministri Erjon Veliaj, ka reaguar Skënder Tufa, Kryetari i SHBPSH. Z. Tufa në një deklaratë ka paralajmëruar për një mbledhë sërish në ambientet e institutit të ish të përndjekurve politik. Në deklaratën e tij ai shprehet se ministri Veliaj është bërë si Sudja që vetëm shpërndan çeqe, por jo lekë, duke pohuar se, akoma 44 personat që kanë marrë çekun më datën 17 prill nga ministri Veliaj ende nuk i kanë marrë paratë. Më poshtë mund të lexoni deklaratën e plotë të z. Tufa.

    “Për arsye të gjendjes së vështirë dhe të tensionuar do të bëhet takimi i të burgosurve politike ditën e hënë ora 09.00 tek instituti. Ky takim ka si qëllim ngritjen e zërit për tu marrë në konsideratë trajtimi që po i bëhet amendimit të ligjit për zhdëmtimin e të burgosurve politikë. Kemi kërkuar nga qeveria që të na vërë në dijeni, duke na bërë të ditur përmbajtjen e paketës ligjore dhe mundësinë për të dhënë dhe ne mendimin tonë për problemet që trajtojnë shtresën tonë. Heshtja e deritanishme është e papranueshme, zëri ynë duhet të dëgjohet sepse shtron kërkesat sipas nevojave imediate dhe i bën ligjet një përmbledhje gjithëpërfshirëse të problemeve. Duke mos u marrë në konsideratë fjala jonë dhe duke mos na vënë në dijeni për përmbajtjen e paketës ligjore, na përforconi mendimin që po vazhdoni të luani ashtu siç beri dhe qeveria e kaluar. Duam të bëjmë diferencime mes dy qeverive për trajtimin tonë dhe rezultantja na del; i njëjti keqtrajtim, e njëjta përbuzje, të njëjtat mashtrime që na çojnë sërish në zhgënjim. Të burgosurit politikë shqiptare tashmë janë të detyruar që pas heshtjes të kërkojnë me mjete demokratike të drejtat e tyre. Shpresojmë dhe njëherë që fjala jonë të merret dhe të trajtohet me seriozitet, sepse përndryshe s’do të ketë më kthim mbrapa. Ne nuk duam që të arrimë në limite të padëshirueshme, por heshtja qeveritare dhe manipulimet me emrat tanë na detyrojnë të shkojmë në akte ekstreme, të cilat vijnë si shkak i indiferentizmit që ka sjellë lodhje psikologjike, zhgënjim, fyerje dhe tallje. Shfaqja e fundit e ministrit Veliaj me çeqet që ju dorëzon të dënuarve politikë, duket si loja e Sudes me fajdexhinjtë, për arsye se, akoma 44 personat që kanë marrë çekun më datën 17 prill nga ministri Veliaj ende nuk i kanë marrë paratë. Të nderuar bashkëvuajtës, është tepër e nevojshme prania juaj ditën e hënë në orën 9:00 tek Instituti, pa u ligjëruar projektligji që do të trajtojë mënyrën dhe format e dhënies së dëmshpërblimit, i cili deri tani është përdorur për lojëra politike. SHBPSH do të ngrejë zërin kundër çdo padrejtësie dhe abuzimi që bëhet me ne nga çdo qeveri, kushdo qoftë ajo që nuk merr në konsiderate kërkesat tona. Të hapen dosjet, shtet ligjor, të ndëshkohen krimet e diktaturave”.