Skandali/Si grabit CEZ klientët familjarë me faturat kolektive

    364
    Sigal

    Prej tre muajsh, në abuzim të hapur, qytetarët paguajnë për të njëjtin konsum deri 50% më shumë

    Grabitje nëpërmjet shtimit të vlerës në faturat kolektive, është skandali i radhës i abuzimit të punonjësve të CEZ-it me klientët familjarë. Dhe vlera e abuzimit në ‘dritë me diell’ nuk është pak, por deri në 50% dhe më shumë se sa vlera që paguanin muaj më parë. Nga investigimi në proces i “Telegraf”, për dokumentet zyrtare të siguruara, konstatohet se, kjo praktikë abuzimi vazhdon së paku prej tre muajsh. Po mbi këtë bazë, evidentohet se qytetarët shqiptarë jo vetëm e paguajnë më shtrenjtë se ata europianë energjinë elektrike, pra deri më shumë se 3 herë, por grabiten në mënyrë të paligjshme dhe nëpërmjet faturave kolektive. Kjo bën që, në kurriz të qytetarëve të varfër, biznesi i energjisë elektrike, të jetë ndër më fitimprurësit në Shqipëri.

    SKANDALI

    Skandali, grabitja e CEZ-it nëpërmjet faturave kolektive (për shërbimet e ndriçimit në shkallë, pompa uji, ashensorë), bëhet kaq hapur, sa nuk është vështirë që ta konstatoj kushdo. Ky fenomen ka filluar që nga muaji dhjetor i vitit të kaluar dhe vazhdon. Për ta konkretizuar këtë skandal, po u referohemi vetëm faturave të 37 familjeve të një pallati tek lagja “Ali Demi” në Tiranë, ndonëse i njëjti fenomen, është dhe në lagje të tjera të Tiranës e qytete të tjera të vendit. Kështu, referuar faturave (faksimile ngjitur), rezulton që këto 37 familje, për faturimin kolektiv, deri në muajin dhjetor të vitit 2013, janë faturuar dhe kanë paguar nga 30 kvv secila. Të paktën, sipas investigimit në proces të “Telegraf”, kjo sasi ka qenë e njëjtë për këta familjarë që prej tre vitesh të shkuara. Që nga ky muaj, pra muaj dhjetor i vitit 2013,  kjo pagesë, siç fiksohet dhe në fatura, ka vajtur 50 kvv për çdo familje. Ndërkohë, faktikisht, konsumi i energjisë në muaj, për secilën, nuk ka ndryshuar. Qytetarët e revoltuar, me faturat skandaloze në duar, japin dhe disa nga mënyrat e kësaj grabitje skandaloze. Ata pohuan (megjithëse, kjo nuk është objekt investigimi dhe verifikimi i gazetës për momentin) se bëhen ndërhyrje në sahat nga vetë punonjës të CEZ-it, ka bashkëpunim midis faturuesve (lexuesve) dhe teknikëve. Por kjo, nuk mund të bëhet pa dijeninë e eprorëve të CEZ, pasi është një fenomen masiv i grabitjes së qytetarëve.

    PËRMASAT E SKANDALIT

    Nisur nga një analizë e thjeshtë, rezulton se përmasat e këtij abuzimi janë shumë të mëdha, e përfitimet e CEZ-it në kurriz të qytetarëve, po ashtu. Një kilovat orë energji elektrike Divizioni i Prodhimit (KESH) ja shet OST-së. Në bazë të kontratave, OST, mbi këtë shumë shton 0.4 lekë (lekë të reja) për kilovat si fitim të vetin.  Pra, një kilovat i shitet CEZ-it me 2.3 lekë. Ndërsa CEZ-i, po një kilovat orë energji ua shet klientëve me 7.7 lekë deri në 300 kvv dhe me 8 lekë për sasinë e harxhuar mbi 300 kvv. Ndërsa për ambientet e përbashkëta, shuma shkon në 13.5 lekë. Pra, një kilovat orë energji elektrike, nga 1.5 lekë që KESH ia shet OST-së, tek qytetarët për mjedise të përbashkëta, shkon 13.5 lekë pra (përfshi këtu dhe shtesat e motivuara në çmim) afro 9 herë më shumë!? Pra, kuptohet fitimi kolosal dhe shkalla e abuzimit me qytetarët.

    APELI I BANORËVE

    Ky skandal, nuk është i shkëputur, por një fenomen masiv dhe që çuditërisht strukturat shtetërore, ato të drejtësisë dhe Mbrojtësit e Konsumatorit, nuk ndërhyjnë. “Na vjedhin hapur, bëjnë si të duan, e ne na mbesin faturat e shumëfishuara në dorë. Nëse nuk paguajmë në kohë, na shtojnë dhe kamatë. Jemi ankuar, por askush nuk na dëgjon. Është e pafalshme, që në këtë situatë ekonomike që jemi, në këtë papunësi e mungesës së të ardhurave për mjetet minimale për jetesë, të abuzohet kështu. Po qeveria çfarë bën, po ministria përkatëse, po deputetë, pozita e opozita!? Po organet e drejtësisë, prokuroria çfarë bëjnë!? Ne kërkojmë që të vihet dorë menjëherë, e abuzuesit të shkojnë para drejtësisë:- pohuan qytetarët. Ndërsa “Telegraf”, në ditët në vazhdim, do të vazhdoj të publikoj dokumente e dëshmi të qytetarëve rreth këtij fenomeni.