Skandali në Shtëpinë e Jetimëve Sarandë: Mjerimi shpirtëror prek edhe jetimët

    598
    Sigal

    Të gjithë  e dinë në Sarandë, ku është Shtëpia e Fëmijëve Jetimë, aty ku jetojnë vogëlushë pa prindër apo me familje me probleme sociale. Strehëza e tyre në rrugën përballë shkollës ngrihet mbi një sipërfaqe 4500 metër katror dhe aty janë të punësuara në shërbim pothuaj po aq edukatore e kujdestare sa fëmijë janë. Shifrat tregojnë se,  ka dy edukatore në 5 fëmijë, kuzhiniere dhe psikologë. Ndryshimet e qeverisjes lokale janë pasuar nga presioni mbi edukatoret, ku drejtoresha e re rishfaqi probleme në komunikimin me stafin duke i kërcënuar me vendin e punës. Një prej punonjëseve Flora Patali u pushua dhe e fitoi procesin gjyqësor, por tashmë vendi i është dhënë dikujt tjetër. Një tjetër ditë në këto mjedise mbërriti ambulanca  për një nga edukatoret me të cilat drejtoresha u konfliktua në prani të gjithë fëmijëve. Për situatën konfliktuale kryetari i bashkisë Stefan Çipa ka dhënë vërejtje me shkrim nga zyra e tij, ndërsa këtë të hënë aty mbërriti drejtoresha  e burimeve njerëzore e bashkisë Dafina Allkushi. Asnjë shënim nuk mbajti Dafina, dëgjoi edukatoret që ankoheshin dhe drejtoreshën që u justifikua dhe konflikti u quajt i mbyllur, kryetari i fali sërish. U harrua natyra konfliktuale e drejtueses , që më shumë flet për përkujdesje sesa i kryen ato vërtet. Po fëmijët nuk e falin situatën e acaruar, ku u duhet të jetojnë dhe të kapërcejnë atmosferën e munguar të festave.

     Drejtoresha Kushta hap dhuratat e fëmijëve, psikologia kundërshton

    Dhuratat e “Fondacionit Adra”  për fëmijët që jetojnë aty  nën kujdesin e qeverisë dhe bashkisë përfunduan në zyrën e drejtoreshës ditën e diel, kur u sollën nga dhuruesi. Fëmijëve u thanë do t’jua japim pas drekës. Dreka e së dielës ishte mundësuar nga deputetja Luiza Xhuvani, e cila solli aty 8 kg patate, 2 gjela deti dhe fruta dhe priti jashtë në oborr me disa gra të PS-së së qytetit ndërsa drejtoresha rrinte lart në zyrë mes pakove. Dhuratat pas drekës u harruan edhe pse fëmijët pothuaj e lanë ushqimin përgjysmë. Si gjithë fëmijët ata mezi prisnin, përpos faktit se këtë vit ata nuk kanë pasur dhurues të shumtë. E diela kaloi me vizitën e zonjës deputete që dha vaktin e drekës dhe iku me më shumë trishtim pasi bukën e përditshme fëmijëve ua mundëson bashkia nga taksapaguesit e saj, ndërsa dhuratat e fundvitit vijnë zakonisht  nga donatorët pasi merret një listë me emrat dhe moshën e fëmijëve. Në shoqërinë e një kamera lokale ajo u largua me detyrën e përvitshme të kryer si deputet e Sarandës, pavarësisht se asnjë emër fëmije apo histori nuk mori me vete. Këtë fundviti stafi ndihet i trishtuar, nën turne me lista emrash edukatoret ndihen të ngacmuara, pasi ka humbur lidhja me fëmijët, aq sa bën psikologia për të qenë mike e mirë me ta e prish drejtoresha që u bërtet punonjëseve dhe u ndërhyn gjatë procesit edukativ duke dashur t’u mësojë gjithçka atyre fëmijëve: si ecjen edhe lojërat, edhe këto ndërhyrje pa program, sa herë ajo do apo kur është në punë dhe nuk i rrihet në zyrën magazinë. Edhe për dhuratat e “Adras” u reagua të hënën.

    Pas reagimeve që u zgjuan bashkë me fëmijët të hënën, drejtoresha e institucionit Adriana Kushta , nisi hapjen e dhuratave në zyrën e saj dhe selektimin sipas seksit dhe moshës. Ndërhyrja e psikologes së fëmijëve, staf i punës ishte që çdo fëmijë të merrte pakon e tij dhe të negocionte vetë në ndërrimin apo dhurimin mes shokësh e shoqesh, bashkëjetues të një fati të rëndë për shpirtrat e njomë. Disa nga pakot mbetën të pahapura ashtu si trishtimi në sytë e të vegjëlve.

    Në zyrën e drejtoreshës është bërë traditë që vetëm të magazinohen veshje dhe sende që janë për fëmijët, pa asnjë dokument apo listë emërore. Asnjë pyetje më parë, asnjë magazinim me letra, si rast i përsëritur i administrimit të institucionit që ka varësi dyfishe dhe nga bashkia dhe nga ministria e Çështjeve Sociale.

     Fëmijët  “Gjykatës” të heshtur

    I mituri S.M tregon se nuk s’kanë ç’të bëjnë, “ja po e kalojmë dhe këtë, do doja të më birësonte ndonjë njeri jashtë shtetit, se këtu ja shiko vetë”. Një shtëpi e bërë sa herë ka fushata objekt qendër votimi, magazinë e përkohshme  sa herë ka objekte të dhuruara si 60  shezlongët e verës të bashkisë të pa faturuar në letër si hyrje dalje, sa herë ka fushata politike dynden pushtetarët lokalë me dreka e kokteje, ku fëmijët u përgjumën në pritje të mbarimit të fjalëve. Askush nuk u flet për sigurinë se ku do të shkojnë ndërsa rriten, pse s’mund të pushojnë në shtëpinë e pushimit në Borsh ish pronë e tyre. Ata thjesht duhet të rrinë urtë, pasi numri i tyre i vogël është një rrezik që shtëpiza të shndërrohet në qendër sociale ditore e bashkisë, në fund të fundit të gjithë mbeten “të kënaqur”. Nën emrat e tyre janë hapur prej vitesh disa llogari bankare për të cilat fëmijët askush nuk i informon nëse kanë apo jo të ardhura nga donatorët. Nëse pyet rreth tyre drejtoresha Adriana Kushta të kërkon të mos e përsëritësh interesin “Janë të dhëna mbi fëmijët, janë sekret”. Këto sekrete i japin pasiguri fëmijëve që duhet të përballin këto muaj keqadministrimin lokal. Nuk ka listë emrash apo shumash të përkojnë me ndonjë fushatë bamirësie nga pasanikëve  qytetit apo donatorët që vendosin stemat përkrah projekteve për qytetin. Skandali verës me listën e fëmijëve jetimë që u përjashtuan nga kampi në Korfuz se nuk kishin pasaporta e pasoi një kamp sfilitës nga streha e tyre në bregdet pa peshqirë e çadra, aq me shumë shezlongje. Fëmijët ditorë duhet të ecnin në këmbë gjithë mëngjesin për të mbërritur në kampin e donatorëve të huaj me mbështetjen një sanduiç dhe një pije.

    Asnjëherë nuk ka një “pronar të dashur” të pasurisë publike.

    Nga numri i ulët i fëmijëve hapësirat e strehëzëz në Sarandë po ngushtohen, projekte për kopshte të reja të bashkisë dhe shoqata fantazma po ngrihen për 2013 dhe një drejtuese që shkakton probleme dhe konflikte është një “shërbëtore e jetimëve” dhe fëmijët janë fëmijët e qytetit kur heshtin. Ata flasin me moshatarët në shkollë, u besojnë miqve gazetarë brengat dhe presin diçka më të vërtetë e të natyrshme sesa hipokrizia e të rriturve.

    Një vit më parë Ksera premtoi…

    Një vit më parë ministri Spiro Ksera premtoi vëmendje të qeverisë dhe rikthimin e kampit të Borshit, ndërsa politikat lokale të mbetura pa vizion nuk e përdorën lidhjen me ministrin Ksera për rritje të cilësisë së shërbimit, por për të mbajtur disa punësime personale në dikasterin e tij. Krishtlindjet trokasin sot në shtëpinë e jetimëve Sarandë pa gëzimin se ekziston vërtet thesi i dhuratave surprizë dhe që zënë një vend në fantazinë e realitetin e fëmijëve. Një fëmijëri pa kujtime të gëzuara vret kur rritesh, po shumë fëmijëri të përdorura akuzojnë…