Skandali i ‘faturimeve të verdha’, hajdutët e rinj të CEZ-it kërkojnë kamatat e vjetra?!

    370
    Sigal

    Apel ministrit të Energjitikës Gjiknuri: Ndalo grabitjen e bandave me fatura të paqene, me pinca e kaçavida që sjellin errësirën

    Nuk shkruante kot poeti i madh Ali Asllani. Koha është e maskarenjve, por Atdheu i shqiptarëve! Këto ditë CEZ-i ka nisur gjuetinë e vjetër me mantel të ri dhe po këmbëngul të zhvatë fukarenjtë e ndershëm të këtij vendi, të cilët edhe pse janë në vështirësi ekonomike, tregohen korrekt me shtetin, paçka se mund të vonojnë një apo dy muaj pa paguar energjinë elektrike. Ajo që do tu tregoi është absurdet tjetër për ne që jetojmë në vendin e absurdit 23 vjeçar, i cili na është bërë ushqim i përditshëm. Shumë qytetarë të Vlorës po ankohen këto ditë sepse gjuetarët e CEZ-it kanë dalë me bllok në dorë dhe me kaçavidë në xhep dhe po presin energjinë e qytetarëve të ndershëm, duke u futur poshtë derës apo lenë tek bokset fatura të verdha me shuma të kripura?! U interesuam pranë kujdesit ndaj klientëve dhe atje na thanë se, këto fatura të verdha, janë me kamatëvonesat e viteve të shkuara?!… Po si ore, si ore mashtroni dhe gënjeni në mes të ditës me diell. Do thoni ju, nuk ishim ne, ja u kanë futur atë që ishin dje në qeveri dhe pushtet. Historia e kësaj pune është kjo: CEZ kishte vite,(3-4 vitet e fundit) që bënte thirrje lartë e poshtë. “Ata qytetar që e paguajnë energjinë elektrike pranë sporteleve të bankave, apo direkt në ndërmarrje, nuk do të paguajnë kamat vonesa”. Dhe kështu, shumë qytetar konsumator që për një arsye apo një tjetër ekonomike familjare, kishin vështirësi të paguanin energjinë në kohë, u derdhën drejtë sporteleve të bankave apo edhe në ndërmarrjen elektrike për të paguar energjinë e konsumuar dhe atje nuk iu mbahej kamatë. Ky paska qenë një mashtrim i paskrupullt ndaj qytetarëve shqiptar, ndaj qytetarëve të Vlorës, të cilët të ndodhur në vështirësi ekonomike e mirëpritën këtë “lehtësi” që po u bënte CEZ. Mirëpo kjo gjë nuk paska qenë e vërtetë, pasi CEZ-i ua kishin ngopur në sistem këto kamata qytetarëve dhe vjen një ditë e dërgojnë taksambledhësit e tyre derë më derë me fatura të verdha dhe pinca apo kaçavida në dorë. Qytetarët nisën të ankohen dhe të çuditen, pasi e kishin paguar energjinë e konsumuar pa kamatvonesa, ashtu siç edhe u kishte bërë thirrje CEZ?! Po tani?! Tani çdo faturë e verdhë kishte shuma që shkonin nga 30-40 mijë lekë të reja për familje që duhen paguar?!.. E keni në sistem, të thonë, nuk ua shkulim dot. Po çfarë faje kanë konsumatorët, atyre kështu u thanë dje dhe kështu vepruan. Atyre nuk u tha njeri që, paguani sot pa kamatë dhe nesër do paguani kamatën. Po të ishte kështu, askush nuk do shkonte të paguante në banka apo në ndërmarrje. Se sa persona hanë me të dy bulçitë në CEZ këtë e di Ministri i Energjitikës dhe Qeveria. Le të thonë sa të duan që ua kanë futur ata të Saliut, kjo është e kotë. Qeveria e 1 milion votave, qeveria e angazhimit dhe solidaritetit social nuk duhet të lejoj që qytetarëve të ndershëm tu hedh lakun në fyt CEZ i kaçavidave të reja?! CEZ mbahet në këmbë nga 60% e konsumatorëve, pasi 40% e konsumatorëve kanë 20 vjet që nuk paguajnë energji elektrike në këtë vend, ata vetëm e vjedhin pa iu hyrë gjemb në këmbë. Mendoi se, edhe mbledhja e kamatëvonesave të djeshme është për llogari të hajdutëve që nuk e paguajnë energjinë, qoftë edhe ndonjë biznes. Zoti Ministër i Energjitikës zoti Gjiknuri. Zoti Drejtor i Përgjithshëm i CEZ, ndërhyni në zgjidhjen e këtij halli të qytetarëve, pasi është e turpshme që ata të djeshmit mblodhën konsumin e energjisë pa kamatë në banka dhe ndërmarrje, kurse ju të sotmit kërkoni tu fusni thikën në palcë hallexhinjve që njohin shtetin. Gjithashtu, pastroni sistemin nga mashtrimi dhe ngarkesat e pavenda në kurriz të qytetarëve. Në bokse ka matësa elektrik pa vula, të prishura qëllimisht nga specialistët tuaj të djeshëm, të cilët kanë ngarkuar qytetarët me shuma të mëdha për shkak të sahateve të reja të vendosura.

    Disa nga skandalet e CEC

     -Mbifaturime pa parë matësit

    -Nënfaturime, me qëllim që të mbingarkohet fatura mbi 300 kë në muajin pasardhës

    -Ndërprerje kolektive të energjisë

    -Ndërprerje të pa lajmëruar të energjisë në zonat turistike

    -Faturim kamatash të shumë viteve të shkuara.