Skandali, bashkiakët dhe funksionarë të tjerë kanë ‘privatizuar. 90 % të plazhit

    337
    Sigal

    Nga sektori Teuta, Plepat e Currilat, në 90% të vijës bregdetare, janë pronarë plazhesh private nëpunës të bashkisë, prefekturës, hipotekës, tatimorëve e institucioneve të tjera

    Duket se ky sezon veror ka nisur dhe po bitiset me shumë probleme ku spikat ankesa e qytetarëve për plazhe publike, dhe veshi i shurdhër i zyrtarëve vendorë për të marrë masa ndaj shkelësve të ligjit. Realisht , plazhet private ( ku posedues të tyre shpesh janë zyrtarë të bashkisë, prefekturës, policisë bashkiake, tatimorëve, nëpunësve të hipotekës) këtë sezon i bënë sfidë të hapur qytetareve dhe ligjit. Megjithëse zona bregdetare dhe Durrësit, është pesëfishuar në numër popullsie, megjithëse turistët nga vendi dhe rajoni kanë mbushur vilat, pallatet, motelet dhe hotelet e plazhit, duket se sfidën më të madhe bashkia e qytetit e ka pasur veç rregullit dhe higjenës, edhe me ato që prej vitesh po quhen rëndom tashmë “plazhe private”. Sapo nis sezoni ato kanë vite që kanë nisur të pushtojnë gjithë zonën e plazhit të dikurshëm publik, duke mos lënë pothuajse asnjë metër katror vend për shumicën e cila vjen me mjete të tilla si urbane apo autobusë të linjës, dhe me çadër në duar sorollaten për të gjetur një hapësirë për të marrë rreze dielli. E gjithë vija bregdetare e Durrësit duke mos përjashtuar edhe Currilat, prej gati dy muajsh gjendet e mbushur me tabela “Plazh Privat”, dhe çadra e shezlonë të ngulur deri në bregun e detit. Por kush dhe si kanë arritur një grusht njerëzish ti bëjnë sfidë shtetit, ligjit dhe bashkisë? Përgjigjen e merr sapo afrohesh tek ato “plazhe private” dhe mëson se gjysma e zyrtareve të institucionit të bashkisë, janë pronarët e përkohshëm të tyre, madje ka prej tyre që ndoshta nuk kanë paguar as detyrimet tatimore në degën e Tatimeve pranë këtij institucioni. Në Bashki mësuam se janë dhjetëra plazhe private që shtrihen nga sektori Teuta deri tek Plepat, dhe po aq edhe në Currilat. Qytetarët e Durrësit, prej 2 muajsh i kanë drejtuar peticion Bashkisë, ku i kërkojnë atij “prishjen e tyre, për të lejuar ushtrimin e plazheve publike”. Dako mësohet se ka urdhëruar degën e INUK për verifikimin dhe prishjen e të gjitha “plazheve private” të paligjshme duke nisur kështu aksionin e shumëpritur nga qytetarët durrsakë. E njëjta situatë është dhe me hapësirat publike që janë zënë (lokale e njësi shërbimi) nga e njëjta kategori funksionarësh

    INUK e pafuqishme dhe inekzistente

    INUK, e detyruar të zbatojë vendimet e KRRT për prishjen dhe bllokimin e çdo objekti të paligjshëm që ngrihet në qytet dhe krejt vijën e verdhë të tij, mbetet e pafuqishme dhe inekzistente. Paralelisht me institucionin e Bashkisë edhe INUK ka marrë prej një muaji një peticion proteste nga qytetarët e Durrësit por që nuk ka qenë e gatshme të zbatojë ligjin, arsyeja sepse plazhet private në masën 90 për qind të tyre kishin qiramarrës zyrtaret e bashkisë. Kur troket tek zyrat e saj në Bashki, asnjeri nuk guxon të përgjigjet se përse nuk ndërhyn INUK për të prishur gardhiqet e ngritura në gjithë gjatësinë e vijës bregdetare nga pronarët e “plazheve private”.Nën zë, një zyrtar i Bashkisë tha se “mungesa e ndërhyrjes, dhe dështimi aksionit nga ana jonë, ka ardhur sepse gjysma e zyrtarëve të bashkisë janë pronarë të plazheve private, keq të zbatosh ligjin, keq të mos e zbatosh”. Problemin e ngritur e di edhe kryetari Dako, i cili ka urdhëruar “verifikimin e listës emërore, dhe zbatimin e ligjit për cilindo që ka marrë me qira plazhe private, qoftë ky edhe zyrtar bashkie”. Por sezonit veror është në pikun e tij, dhe gjithçka mbetet e vështirë të kthehet në normalitet kurse ajo që mbetet është sfida e fituar nga qiramarrësit e plazheve private, sfida që i bënë me gardhiqet e tyre, bashkisë, INUK dhe trokitjeve që qytetarët durrsakë bëjnë në zyrat e institucioneve pushtetit lokal. Gjithsesi Dako ka deklaruar se “plazhet private do të mbyllen, qytetarëve do t’u rikthejmë plazhet publike”.