Sitki Çerekja/ Harvard njofton zbulimin: Shikoni “Jehonën e Big Bang!”

    485
    Sigal

    E hënë 17 mars 2014, publikohet detektimi i valëve gravitacionale që shënon zbulimin epokal kozmologjik

     Zbulimi u njoftua prej ekspertëve të Qendrës së Astrofizikës Harvard Smithsonian, që zbuluan se kanë kapur jehonat e “Big Bang” të 14 miliardë viteve më parë nëpërmjet një teleskopi të vendosur në Polin Jug.

     Zbulimi i këtyre valëve gravitacionare paraqit elementin e fundit, të patestuar akoma prej teorisë së përgjithshme të relativitetit të Albert Ajnshtajnit e do të mbushnim një boshllëk të madh në kuptimin tonë se si është lindur universi. Njiheshin katër tipet e forcave në natyrë: Forcat elektrike, magnetike (Maksvelli i lidhi këto forca, pra dhe fushat në ato elektromagnetike), bërthamore dhe ato gravitacionare. U gjet një emër për thërrmijat që realizojnë bashkëveprimin gravitacionar, u quajtën gravitone, por asgjë më shumë se kaq… U përpoq shumë Ajnshtajni të bëjë lidhjen midis kësaj force dhe atyre të tjerave, por nuk arriti.  Të gjitha këto forca realizojnë të gjitha bashkëveprimet në natyrë, pra mund të themi se ato  drejtojnë Universin.

    Valët gravitacionare janë rrudhat (nënkupto ato kreshta e barqe të valëve), që lëvizin në hapësirë – kohën e janë përshkruar si “dridhjet e para të “Big Bang”-ut. Zbulimi i tyre konfirmon një lidhje integrale midis Mekanikës Kuantike dhe Relativitetit të Përgjithshëm.                                               “ Zbulimi i këtij sinjali është një prej objektivave më të rëndësishëm të Kozmologjisë sot. Për arritjen e kësaj u deshën shumë njerëz dhe shumë kohë”.

    Teleskopi që bëri zbulimin u drejtua në një zonë të qiellit, që njihet si “Vrima e zezë e Sud”-it, që ndodhet jashtë galaktikës dhe ku ka pak lëndë extragalaktike për të ndërhyrë me atë që është e mundur të shohësh nëpërmjet instrumenteve modernë. Kështu njofton axhencia “Asca”.

    U gjetën provat e para të inflacionit kozmik.

    Deri tani ishte vetëm një hipotezë. Në teleskopët, ku duhet të detektoheshin (zbuloheshin, nga të tjerat) valët gravitacionale  me gjatësi valore shumë herë më të vogla se sa madhësia e një atomi, njëkohësisht arrijnë valët e dritës që vijnë nga  burime të shumta  ndërgalaktike, që janë me biliona, midis burimit dhe detektorit (zbuluesit). Këto valë drite janë me intensitet dhe gjatësi vale shumë herë më të madhe se sa valët gravitacionale, që duhej të detektohen…

    “Janë mbledhur provat se Gjithësia (Universi), para 14 miliardë vitesh, pas aktit të lindjes me “Big Bang”, pësoi një zgjerim të papritur, të ashtuquajturën Inflacion, që zgjati vetëm një fraksion të sekondës. Falë instrumentit të një teleskopi me mikrovalë, të quajtur “Bicep 2”, për herë të parë u regjistrua sinjali i inflacionit kozmik”. Ishte pasditja e ditës së hënë 17 mars kur grupi i shkencëtarëve të kozmologjisë amerikane (astrofizikanët  John Kovac e Chao – Lin Kuo, në Konferencën në Qendra Astrofizike e Universitetit të Harvard, në Boston ) arritën në konkluzionin për atë që ishte njoftuar si një Zbulim më i madhi kozmologjik i kohëve të fundit.

    -Kapja e këtij sinjali, shprehet Kovac, paraqet një rezultat shumë të rëndësishëm të kozmologjisë së sotme. Me aparatet që u përdorën zbuluan se Big Bang ka lënë, si dëshmi të ekzistencës së tij, një radioacion fosil, që përshkon të gjithë Universin e që paraqet mbetjen, tashmë të ftohur, të energjisë së lartë të çliruar nga Shpërthimi Fillestar. Kjo ka ndodhur rreth 370 mijë vjet pas “Big Bang”, kur drita u nda nga materia elementare dhe filloi të përhapet në hapësirë.

    Një nga pamjet e jashtëzakonshme të zbulimit është se antena gravitacionale ndërtuar qëllimisht për të kapur këtë tip valësh të prodhuara prej një lëvizjeje të madhe mase, deri tani nuk ishin në gjendje t’i kapnin. Grupi kërkues i Bicep2 arriti t’i shohë me një teleskop për mikrovalë, qoftë nëpërmjet një efekti sekondar. Suksesi i astrofizikanëve të Harvard është i dyfishtë: vërtetimi i parë eksperimental i procesit inflacion të Universit të lashtë (primordial), por edhe një kërcim të fuqishëm së prapthi drejt fillimit të kohës. Deri tani kishim ndalur tek 370 mijë vjet pas “Big Bang”, koha kur drita filloi të shpërndahej, tani kemi arritur në një pjesë të vogël të sekondës, që mund ta japim me një dhjetë në fuqi – 34

    Më 6 mars 2013, gjatë një konference të mbajtur në CERN nga fizikanët u konfirmua zbulimi i bozonit Higgs.

    Dhe kjo u arrit më 5 prill në unazën prej 27 km në kufirin midis Francës e Zvicrës, ku u arrit energjia maksimale, kurrë e arritur ndonjëherë prej 8000 miliardë elektronvolt (8 TeV, 8 terra elektronvolt ). Derisa Bozonet Higgs sqarojnë formimin e materies, më saktë shndërrimin e energjisë në lëndë ) detektimi i valëve gravitacionale që i  takojnë përmasave  kuantike, të cilat sqarojnë inflacionin, apo zgjerimin e Universit, mundësojnë lidhjen e Teorisë së Relativitetit të Përgjithshëm të Ajnshtajnit me Teorinë kuantike. Kjo tregon se po realizohet  ëndrra e Albert Ajnshtajnit.

    Këto që mblodhën me Bicep2, kur të konfirmohen prej grupeve të tjera shkencëtarësh, do të na lejojnë të themi se, këto shkencëtarë janë kandidatët për një çmim “Nobel” të ri në fushën e Fizikës.

    Pedagog Fizike