Simon Mirakaj: Me ligjin e ri dëmshpërblehen vetëm 13 vjet burg e poshtë

    392
    Sigal

    Flet Simon Mirakaj, kryetari i Shoqatës Antikomuniste: Ja sugjerimet tona për projektligjin e ri

    Me projektligjin e ri mund të dëmshpërblehen krejtësisht vetëm ata ish-të dënuar politik që kanë kryer jo më shumë se 13 vjet burg. Këtë e ka shprehur në një intervistë për “Telegraf”, z. Simon Mirakaj, kryetari i Shoqatës Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë Demokratë të Shqipërisë. “Kufizimi që është bërë në projektligj se masa e dëmshpërblimit duhet të jetë jo më e madhe se një milion lekë, tregon se një i dënuar politik mund të përfitojë, jo më shumë se 1 000 000 X 8 këste = 8 000 000 lekë.

    Një i dënuar politik për 1 vit burg përfiton 365 ditë X 2000 lekë = 730 000 lekë. Atëherë 8 000 000 : 730 000 = 11 vjet burg. Duke i shtuar kësaj shumën që ka përfituar ish-i dënuari nga ligjet e mëparshme, rezulton se me këtë mënyrë mund të dëmshpërblehen krejtësisht vetëm ata ish-të dënuar politik që kanë kryer jo më shumë se 13 vjet burg”, shprehet Mirakaj. Porse në historinë e dënimeve politike, janë jo pak ata që kanë vuajtur një periudhë shumë më të gjatë se 13 vjet, periudhë, që me raste ka arritur në 35 vjet burg. Lidhur me këtë problem dhe për shumë të tjera, Mirakaj tregon për sugjerimet që shoqata e tij i ka bërë komisioneve parlamentare rreth projektligjit të ri, duke shpresuar në marrjen parasysh të tyre.

     Z. Mirakaj, shoqata juaj i ka paraqitur disa sugjerime Komisioneve Parlamentare, ku po diskutohet projektligji i ri për ish të përndjekurit. Keni kërkuar që të përfitojnë dëmshpërblim edhe disa kategori që ligji aktual i penalizon. Cilat janë këto kategori?

     Në fakt ne kemi bërë një sërë sugjerimesh, nëpërmjet një projektligji që shoqata jonë ia ka paraqitur komisionit të Ligjeve dhe të Ekonomisë dhe shpresojmë që të merren parasysh, sepse janë kërkesa të drejta që burojnë nga vetë shtresa jonë. përpos të tjerave kemi kërkuar që të përfitojnë dëmshpërblim edhe disa kategori të përndjekurish që penalizohen nga ligji aktual. kështu, në ligjin në fuqi, është parashikuar që të përfitojnë dëmshpërblim financiar ish-të dënuarit politikë për vendime të padrejta të dhëna gjatë periudhës 30.11.1944 deri më 01.10.1991. Ne mendojmë se është i nevojshëm ndryshimi i kësaj periudhe në nenet 1,2,3,4,6 dhe 26 duke e zëvendësuar me periudhën 25.10.1944 deri më 01.10.1991. Ky ndryshim bëhet me arsyetimin se gjatë periudhës 25.10.1944 deri më 30.11.1944, periudhë që përmbledh luftën për çlirimin e plotë të Shqipërisë, në vendin tonë janë kryer shumë vrasje pa gjyq të njerëzve të pafajshëm të cilët duhet të futen në listën e përfituesve të këtij ligji. gjithashtu, në listën e veprave penale që përfitojnë nga dëmshpërblimi financiar nuk është përfshirë neni “Veprat terroriste”. Ky term është përdorur nga gjykatat e diktaturës në mënyrën më abuzive, duke konsideruar si të tilla edhe tentimin për arratisje nga burgjet dhe kampet e përqendrimit. Ndaj mendojmë se ky nen duhet të përfshihet në listën e veprave penale që përfitojnë nga ky ligj.

     Ju keni kërkuar që të zgjerohet edhe gama e familjarëve që përfitojnë dëmshpërblim, apo jo?

    Po, është e vërtetë dhe gjithmonë kemi kërkuar që te familjarët e të burgosurit politik që përfitojnë dëmshpërblim të futen dhe fëmijët e birësuar. Në nenin 8 të ligjit nënkuptohen si familjarë: paraardhësit, bashkëshortja, vëllezërit dhe motrat si dhe fëmija/fëmijët e vëllezërve dhe motrave të të dënuarit. Ne kemi sugjeruar se këtu duhen shtuar edhe fëmijët e birësuar nga ish i dënuari pasi ata, në bazë të Kodit Civil, janë konsideruar të njëllojtë me fëmijët legjitimë.

     Po përsa i përket masës së dëmshpërblimit, a jeni dakord me projektligjin e ri?

    Në Nenin 12, paragrafi i parë thuhet se masa e dëmshpërblimit duhet të jetë jo me e madhe se 1 000 000 (një milion) lekë. Duke u mbështetur në këtë pikë, rezulton se një i dënuar politik mund të përfitojë, jo më shumë se 1 000 000 X 8 këste = 8 000 000 lekë.

    Një i dënuar politik për 1 vit burg përfiton 365 ditë X 2000 lekë = 730 000 lekë. Atëherë 8 000 000 : 730 000 = 11 vjet burg. Duke i shtuar kësaj shumën që ka përfituar ish-i dënuari nga ligjet e mëparshme, rezulton se me këtë mënyrë mund të dëmshpërblehen krejtësisht vetëm ata ish-të dënuar politik që kanë kryer jo më shumë se 13 vjet burg. Historia e dënimeve politike gjatë regjimit komunist ka treguar se në Shqipëri janë jo pak ata që kanë vuajtur një periudhë shumë më të gjatë se kjo, periudhë, që në rastin më të theksuar ka arritur në 35 vjet burg. Kështu që këtyre ish-të dënuarve politik u mbetet pa dëmshpërblyer pjesa mbi 13 vjet burg. Për më tepër në llogaritjen e dëmshpërblimit të tyre nga vlefta e përgjithshme u është zbritur shuma e të gjithë viteve të burgut të kryer.

     Dhe cili është propozimi juaj?

    Ne propozojmë që ky paragraf të hiqet. Secilit ish të dënuar politik t’i llogaritet vlera e një kësti e barabartë me 1/8 e shumës së përgjithshme të dëmshpërblimit. Gjithashtu propozojmë që ky paragraf të zëvendësohet me:

    1. “Ish të dënuarit politikë që janë gjallë dhe kanë mbushur moshën 75 vjeç për meshkuj dhe 70 vjeç për femra, dëmshpërblehen me dy këste”. Këtë propozim e bëjmë mbështetur në faktin se në legjislacionin e kaluar te Kuvendit të Shqipërisë, është miratuar një gjë e tillë në Komisionin e Ekonomisë dhe të Ligjeve, me votat e shumicës dhe pakicës por që, çuditërisht, shumica e atëhershme nuk e kaloi në seancë plenare. E bëjmë gjithashtu edhe në premtimin e bërë nga Partia Socialiste gjatë fushatës elektorale.

    2. “Afati i përfundimit të dëmshpërblimit të të përndjekurve politikë nga regjimi komunist është viti 2017. Këtë propozim e bëjmë mbështetur në ligjin Nr. 9831, datë 12.11.2007, i ndryshuar, i cili parashikon shlyerjen e tij për tetë këste dhe meqenëse zbatimi ka filluar në vitin 2010, i takon që përfundimi të jetë në vitin 2017.

     Po, për të burgosurit që nuk gjejnë dot dokumentet që i duhen për të përfituar dëmshpërblimin, a keni gjetur ju një zgjidhje?

    Ka patur raste që dokumentet që vërtetojnë statusin e atëhershëm të ish të dënuarve politikë nuk janë gjetur në institucionet përkatëse, të përcaktuara dhe në ligj. Ndaj ne kemi propozuar që në Nenin 20, pas shkronjës “c” të shtohet shkronja “c/1”, me këtë përmbajtje: “Aktin administrativ, të lëshuar nga Komisioni Tripalësh ose dokumentin e lëshuar nga arshiva e Ministrisë së Brendshme”, pasi aktet administrative të lëshuara nga Komisioni Tripalësh ose arshiva e Ministrisë së Brendshme, janë akte zyrtare të lëshuara nga organe kompetente të shtetit shqiptar.

     Po për dosjet që janë dorëzuar pas afateve të përcaktuara në ligj, ç’do të ndodhë?

    Ne kemi kërkuar zëvendësimin e datës së pranimit të kërkesave nga ish të dënuarit politik që, sipas ligjit, është data 01.07.2009, sepse një pjesë e madhe (mbi 2000 dosje) janë dorëzuar jashtë këtij afati. Kjo për shumë arsye, si për shembull qenia e ish të dënuarit jashtë shtetit apo shkaqe të tjera të ngjashme. Ne mendojmë se atyre nuk duhet t’u hiqet e drejta e përfitimit të dëmshpërblimit vetëm për këtë fakt. Ndaj kërkojmë zgjatjen e afatit deri më 31.12,2015.

     Të gjitha propozimet e juaja kanë kosto financiare. Mendoni se do të merren parasysh, ndërkohë që vendi po përjeton një krizë, duke pasur parasysh edhe borxhet që janë marrë për të dalë nga kjo situatë?

    Në qoftë se të burgosurit politikë janë prioritarë për qeverinë “Rama”, siç edhe thuhet, mendojmë se Qeveria Shqiptare duhet të sigurojë fondet e nevojshme për përballimin e këtij detyrimi qoftë nëpërmjet huave të marra ose burimeve të tjera. Le të shpresojmë…