Simon Miraka: “T’i jepet prioritet për dëmshpërblim të përndjekurve politikë 85-vjeçarë”

    383
    Sigal

    Kreu i institutit të Përndjekurve Politikë, Simon Miraka, në një prononcim për “Telegraf” ngre shqetësimin se po lihet pas dore për dëmshpërblim kategoria e të dënuarve politikë të moshës 85- vjeçare. Prioritet sipas zotit Miraka i duhet dhënë kësaj kategorie për shkak të moshës shumë të madh që përshin kjo kategori të përndjekurish. Zoti Miraka ka sqaruar se, për këtë kategori shoqata që ai drejton ka bërë dhe një projektligj, i cili ka kaluar në komisionin e ligje dhe në shtator pritet të shkojë në parlament për miratim ky projektligj. “Në këtë projektligj ne kemi parashtruar që kategoria e moshës 85 vjeç brenda vitit të merrte dëmshpërblimin. Njëkohësisht kërkuam që të njihet vërtetimi i komisionit trepalësh për internimet dhe pushkatimet pa gjyq, po ashtu kërkua që përfitues të ishin dhe fëmijët e birësuar”, është shprehur zoti Miraka. Po ashtu zoti Miraka, ka sqaruar se: “Janë aprovuar fondet për deri në vitin 2015, për këstet në vazhdim. Dhe pritet që sipas afateve të përcaktuara të bëhet edhe shpërndarja për kategoritë që nuk kanë marrë asnjë rast masën e dëmshpërblimit. Për këtë ne po presim që të zbatohen rregullat dhe afatet e përcaktuara”.

    Dëmshpërblimi për të pushkatuarit pa gjyq

    Në lidhje me dëmshpërblimin e të pushkatuarve pa gjyq zoti Miraka ka sqaruar se, ka dalë një listë për këtë kategori. “Ka dalë një listë para pak ditësh është aprovuar edhe nga këshilli i ministrave, pastaj këshilli i ministrave ja kalon për ekzekutim Ministrisë së Financës”. Pas datës 15 gusht personat e interesuar, duhet të shkojnë që të dorëzojnë dokumentacionin që duhet dhe më pas duhet të tërheqin lekët që përfitojnë ata emra që janë të përfshirë në kategorinë e të pushkatuarve pa gjyq.

    Dhënia e dëmshpërblimeve me vonesë

    “Po na vijnë ankesa, kanë probleme ekonomike dhe probleme shëndetësore. Por duhet thënë që duke marrë parasysh kushtet në të cilat jemi dëmshpërblimet po vazhdojnë. Ne e kemi thënë që edhe sikur sot t’i marrin dëmshpërblimet është tepër vonë”, është shprehur Miraka. Ai ka shtuar se duke pasur parasysh problemet e shumta përsëri mund të themi që po bëhet punë e mirë nga ana e qeverisë për dhënien e këtyre dëmshpërblimeve që kanë për të marrë ish të përndjekurit politikë.