Siguria dhe mbrojtja shqiptare pjesë e një skenari shkatërrues

    435
    Sigal

    INTERVISTA/Flet kolonel Pëllumb Zaimi: Gjendje alarmi: Shteti dhe ushtria nuk kanë strategji…!

    Po e nis me një pyetje disi specifike jashtë karakterit të atyre pyetjeve, komenteve, opinioneve që jemi mësuar të dëgjojmë deri më tani nga ish- ushtarakët. Çfarë shqetësimesh ka shoqata juaj e AKUSH për sigurinë dhe mbrojtjen shqiptare?

    -Unë nuk marrë përsipër që të përgjigjem në emër të AKUSH. Në emër të AKUSH mund të flitet pasi të vendosin forumet dhe pas autorizimit të tyre për karakterin e pikëpamjeve që do të shpalosen. Di vetëm që shqetësimet për sigurinë dhe mbrojtjen ekzistojnë tek e gjithë anëtarësia, por nuk e di çfarë do të vendoset për t’u publikuar. Prandaj do t’ju shpreh vetëm opinionet personale.

    -Dakord, vazhdojmë në këtë linjë dhe desha të di cili është mendimi juaj për pyetjen që drejtova?

    -Personalisht mendoj se siguria dhe mbrojtja shqiptare janë pjesë e një skenari për t’i reduktuar dhe mandej për t’i shkatërruar. P.sh, çfarë mund të presim nga siguria dhe mbrojtja e shtetit shqiptar kur strategjia e tij ka tetë vjet që nuk ekziston? Strategjia e sigurisë dhe e mbrojtjes është bazamenti teorik nga i cili udhëhiqen gjithë praktikat në vijim. Ky bazament nuk ekziston, po a mund të ngrihet “shtëpia” pa bazament? Shqetësimi ynë i madh është se cila është ajo mëndje djallëzore që e ka lënë shtetin shqiptar krejtësisht të zbuluar. Nuk po hyj, në atë linjë që kërkon domosdoshmërisht “përkthimin” e strategjisë së shtetit shqiptar në strategji ushtarake. S’ka as strategji, as doktrina, as taktika operacionale ushtarake (e theksoj “ushtarake”) n.q.s shteti nuk ka strategji të sigurisë e të mbrojtjes. Të gjitha burojnë nga kjo e fundit. Atëherë del pyetja: Në bazë të çfarë konceptesh strategjike stërviten shtabet e të gjitha shkallëve? Përgjigja është: në bazë të boshllëkut strategjik. Prandaj s’dëgjohet gjëkundi për stërvitje ushtarake, për rregullore luftimi, për zbërthime praktike konceptesh nga të cilat udhëhiqet mjeshtëria e të luftuarit. Të mësojë si të luftojë ky është misioni kryesor i ushtrisë. Por siç e keni parë ushtria nuk mëson të luftojë, nuk mëson për misionin e saj kryesor, por për misionet e dyta, të treta, apo të dhjeta siç janë p.sh përdorimi i saj në zonat e përmbytjeve, të shuarjes së zjarreve, apo të shkatërrimit të municioneve. Dëgjova njëherë në televizion Zv/ministrin e 14 shtatorit 1998 që e cilësoi “prioritet të reformës ushtarake, shkatërrimin e municioneve…” dhe mbeta pa frymë para injorancës për t’i vënë emrin “reformë”një procesi krejt mekanik. Për të nuk ishin prioritete ato që janë vërtet prioritete për një vend të NATO-s. Nuk ishin as strategjia, as modernizimi ushtarak, as fuqia e zjarrit, as ekuilibri inferior i fuqisë ushtarake në raport me fqinjët. Dhe tani dëgjoni: nuk ishte prioritet as koncepti i ri strategjik i miratuar vjet në Lisbonë, në samitin e fundit të NATO-s!? Tani vetvetiu vijmë tek konkluzioni se misioni apo misionet fondamentale të FA nuk vijnë në pajtim dhe as ekuivalentohen me misionet e ushtrive të tjera të NATO-s!? Dikush po i degjeneron e degradon ato. Po i shkatërron. Po mbyt e po infekton burimet njerëzore të sigurisë me plehra. Po krijon një ushtri me njerëz të sëmurë. Po pakëson popullsinë duke krijuar qëllimisht anarkinë e sigurisë nga e cila rrjedh statistika e 5-6 të vrarëve çdo ditë, e po kaq të aksidentuarve, e po kaq të larguarve përfundimisht nga Shqipëria çdo ditë etj.. etj.. As në luftë nuk është ky bilanc.

    -Interesante, por dhe e frikshme mënyra juaj e vështrimit. Dua të fokusohesh pak tek puna e mosreflektimit të konceptit të ri strategjik të NATO-s, miratuar vjet në Lisbonë…

    -Po. Nuk e mbaj mend fjalë për fjalë këtë koncept, por jam i sigurt se dy shtyllat kryesore të tij ishin njëra për mbajtjen e ushtrive të vogla dhe tjetra që këto të jenë cilësore, të kompensojnë mungesën e sasisë me cilësi. Duhet tepër kohë të t’i bëj të qarta ç’përfaqësojnë si nocione sigurie e mbrojtje këto dy shtylla, prandaj po kufizohem në aspektin e masave për t’i implementuar. Asgjë nuk u bë nga kjo pikëpamje. E para do të duhej të rishikohej e gjithë strategjia e sigurisë dhe mbrojtjes së RSH po kjo siç e pamë ka tetë vjet që nuk po bëhet. E dyta, menjëherë brenda 2-3 muajve duhej të ishte konturruar politika ushtarake e cila të përcaktonte direktivat bazë për implementimin e konceptit të ri strategjik. As kjo nuk u bë, megjithëse është detyra numër 1 e MM. Me sa duket ministri e ka pasur mendjen të merret me përgjimin e opozitës e të ambasadorëve jo me detyrën e tij. Këtu ministrat bëjnë atë që thotë kryeministri por as ky se “vrau mëndjen” për konceptin bazal të hierarkisë më të lartë të sigurisë e mbrojtjes së Aleancës. Kryeministri jonë nuk mban as këshilltar sigurie sepse s’do këshilla nga kurrkush. Mesa duket ka këshilltar vetëm Fazlliçin, përderisa këtij i ka dhënë viston të futet deri në mbledhjet e Këshillit të Sigurisë. E ka neglizhuar krejt parimin themelor të Aleancës për “pandashmërinë e sigurimit” nga i cili buron dhe detyrimi për të përmbushur reformat në konceptin strategjik të vendit, të cilat janë pjesë e pandashme e reformave që ndërmerr lidershipi i Aleancës. E treta, do të duhej që të paktën të futej në lojë Sh.Përgjithshëm, i cili paraprakisht të hartonte një strategji të vogël të implementimit të konceptit të ri strategjik të NATO-s. Por as kjo s’është parë e dëgjuar të bëhet. Për gjeneral Wikiliksin si duket janë të rënda strategjitë e këtij niveli prandaj zgjedh të mos i futet fare kësaj pune. Dhe duhet të kuptoni se esencialisht koncepti i ri strategjik i Aleancës, është pikësëpari një ndërmarrje ushtarake. Por gjeneral Wikiliksi e hedh shpejt lumin sepse nuk ka kush ta kontrollojë. Opozita nuk duket se ka këllqe për kontrollin ushtarak, sidomos nga pikëpamja doktrinare. Ata deputetë ushtarake që ka nuk janë të fushës së strategjisë. Mandej as që e merr mundimin të konsultohet me shoqatat ushtarake dhe me strategjistët e tyre. Vetëm AK është e para gjatë 22 vjetëve që i thërret ushtarakët në një tryezë për çështjet e sigurisë e të mbrojtjes. Kjo s’kishte ndodhur asnjëherë, nga asnjë formacion politik, prandaj kjo tryezë bëri përshtypje të madhe tek pjesëmarrësit ushtarakë ose jo. Prandaj ushtarakët po afrohen masivisht aty. Të paktën dëgjohen.

    -Ku e shikoni tjetër atë që ju e konsideruat “shkatërrim i sigurisë e mbrojtjes”?

    -Në shumë e shumë fusha. Por po ndalem në një çështje që më duket se tregon më mirë shkatërrimin e fuqisë ushtarake të shtetit shqiptar. Kjo është çështja e ekuilibrit të fuqisë ushtarake me shtetet fqinj. Jo e ekuilibrit ushtarak, por e ekuilibrit të fuqisë ushtarake. Sepse dy emërtimet shprehin raporte të ndryshme, jo të njëjtin raport ekuilibri. Të jesh në ekuilibër do të thotë të jesh barabar në sasi. Ndërsa ekuilibri në fuqinë ushtarake nuk sheh domosdoshmërisht sasinë, por kryesisht cilësinë. Po ta shpjegoj për lexuesit: N.q.s ti ke 5 tanke për km2 territor dhe po kaq ka ta zëmë greku apo serbi ky është ekuilibër sasior. Ndërsa ekuilibër fuqie do të thotë se ti mund të kesh dhe 3 tanke për km 2 e greku apo serbi pesë, por duke qenë se të tutë janë më cilësorë, atëherë ekuilibrin e siguron fuqia e zjarrit, lëvizshmëria më e lartë etj. Tani të vijmë te “shkatërrimi” i ekuilibrit të fuqisë tonë ushtarake. Ne siç e dini kemi qenë një shtet i militarizuar. Në shumë raporte të ekuilibrit ushtarak kemi qenë superior, por dhe inferiorë. Inferiorë sidomos nga pikëpamja e mjeteve të goditjes në largësi. Megjithatë e kompensonim me mënyra të tjera të cilat s’është vendi t’i trajtoj. E keqja e tanishme, shumë serioze është se FA shqiptare nuk sigurojnë ekuilibër fuqie me asnjë nga fqinjët. Në disa raporte jemi tmerrësisht inferiorë. Na mbron NATO-ja thotë dikush. Jo, nuk të mbron NATO-ja kur ti s’përmbush parimin tjetër themelor të saj, atë të “përgjegjësisë sovrane për mbrojtjen e vetes”. Duhet të kesh këtë përgjegjësi që të të ndihmojnë. “Aleatët e dobët janë më shumë pengesë se sa ndihmë”, thotë Hantingtoni. Pastaj eksperienca ka treguar se NATO-ja nuk ka ndërhyrë kur kanë pasur “sherr luftarak” anëtarët e saj si p.sh Greqia me Turqinë. Që t’i bie shkurt po të them atë që thotë Kisingeri trajtuesi më autoritar i ekuilibrit ushtarak. Ai thotë atë që thonë të gjithë doktrinarët ushtarake me peshë e pikërisht këtë: Baza e mirëbesimit reciprok dhe e partneritetit ndërmjet shteteve është ekuilibri i fuqisë ushtarake, çka frenon dhe shkurajon aventurat e njërit kundër tjetrit. Tani më thoni kë shkurajojmë ne me këta tregues ekuilibri që kemi. Ja bënë gati Millosheviçit disekuilibrin e tmerrshëm të Shqipërisë pa thoshte; që e marr Shqipërinë vetëm me shoqatën e gjuetarëve të Beogradit. Pse Greqia bleu sivjet 400 tanke “Abrams” nga SHBA? Ja këtyre pyetjeve nuk u japin dot përgjigje… Pacifistë i konsideroj në një kuptim të thjeshtëzuar sepse në të vërtetë nuk janë pacifistë por zbatues të skenarit të demilitarizimit total, të skenarit të lënies së Shqipërisë pa mbrojtje.