Si u pushkatuan  26 të burgosur shkodranë nga kampi i Prishtinës në Morinë të Kukësit

389
Sigal

Të gjithë ishin djem të rinj, pjesa më e madhe intelektualë, pjesëmarrës aktivë në LANÇ

 

(shtator 1944-2021 plot 77-vjet)

Në 15 ditëshin e parë të muajit shtator 1944, partizanët e batalionit “Perlat Rexhepi” dhe të Brigadës V Sulmuese, kryen një aksion mbi një autokolonë gjermane në afërsi të vendit të quajtur “Kulla e Lumës” në rrugën Kukës-Prizren. Gjatë këtij aksioni mbetën të vrarë disa ushtarë gjermanë dhe u dogjën makina. “Në këtë situatë, disa ditë më vonë gjermanët erdhën në kampin tonë dhe duke i rënë çangës, na rreshtuan të gjithë të burgosurit në oborr në rresht për pesë. Ishim të tronditur dhe me kureshtje se çfarë do të bëhej me ne. Në hyrje të kampit shohim 4 oficerë gjermanë me një listë emërore. Komandanti i kampit urdhëroi të lexohej lista me anë të përkthyesit. Emrat në listë i përkisnin të burgosurve shkodranë. Normalisht ne ishim të regjistruar në listat e gjermanëve në bazë të alfabetit dhe emri im që ishte me shkronjën B, ndodhej në mes të Beqir Sahatçisë dhe Bep Tushës. Për çudinë time u thirr emri i Beqir Sahatçisë dhe pas tij po prisja të thirrej emri im, por dëgjova atë të Bep Tushës. Kuptova se ishte një ngatërresë gjatë leximit, dhe siç dukej fati në këtë ditë ishte me mua. Mbasi u lexuan mbi 40 emra, shokët që i nxorrën nga kampi i futën në dy makina ushtarake naziste dhe ne menduam se po i transportonin në ndonjë kamp tjetër. Ata të gjithë së bashku i kishin dërguar në Prizren, ku i kishin mbyllur në një godinë me disa dhoma të errëta, dhe po atë natë kthyen në kamp 11 veta dhe pas pak ditëve kthyen gjithashtu edhe 5 a 6 të tjerë. Kështu shokët e tjerë 27 vetë, u morën mizorisht dhe u pushkatuan në vendin e quajtur “Kulla e Lumës” në Kukës, siç e morëm vesh më vonë. Në qelinë e Prizrenit, Nuri Bushati, një nga shokët tanë më të afërt, la një shënim përmallues për neve. Ai me një copë gëlqere shkruajti në murin e qelisë: atë që ndjente në ato çaste tejet të rënda: “Sot më datë 19 shtator 1944 pushkatohet nga gjermanët nazistë Nuri Bushati, 16 vjeç!”

Pra, më 19 shtator 1944 gjermanët i morën 27 nga shokët tanë dhe i dërguan afër një pylli tek “Kulla e Lumës”, i pushkatuan ata me të cilët deri një ditë më parë kishim ndarë së bashku bukën e ujin, urrinë dhe etjen, vuajtjet e sakrificat. E pabesueshme! Njëri nga shkodranët Sabri Hoti me zgjuarsi, trimëri e shkathtësi, duke parë shokët që binin përdhe nga plumbat e gjermanëve, shkëputet me shpejtësi nga grupi, hyri në pyll dhe prej disa metrave lartësi, hidhet në lumë. Megjithëse ushtarët gjermanë e goditën me breshëri automatiku disaherë, ata nuk arritën ta ndalnin Sabriun. Pas disa ditë udhëtimi nëpër pyje, ai u bashkua me forcat partizane. Në këtë vend, pas çlirimit të Shqipërisë, në nderim të kujtimit të tyre u ngrit një lapidar me mbishkrimin: “Në nder e respekt të 26 të pushkatuarve nga burgu i Prishtinës. Më poshtë po listoj emrat e 26 të pushkatuarve tek vendi “Kulla e Lumës” në Kukës, nga të cilët 22 ishin nga Shkodra dhe 4 nga rrethet e tjera: 1-Abdyl Sadik Bajraktari, 2-Preng Gac Gjinaj, 3-Bep Gaspër Tusha, 4-Qazim Mustaf Lekaj, 5-Dul Beqir Dragovoja, 6-Shyqyri Sulejman Haxhia, 7-Eljaz Muharrem Gjylbegu, 8-Ton Alimhilli, 9-Fahri Cen Haxhia, 10-Zyhdi Riza Lahi, 11-Hamdi Beqir Uruçi, 12-Shaban Tahir Huti, 13-Isa Jakup Ramadani, 14-Fetah Smajl Barbullushi, 15-Jovan Mitro Thanasi, 16-Rexhep Muho Kraja, 17-Musa Malush Luli, 18-Ndoc Gac Hila, 19-Nikoll Zef Gjeçaj, 20-Nuri Hamza Bushati, 21-Osman Hasan Dhempiri, 22-Pjetër Jovan Tusha, 23-Xhemal Hasani, 24-Seit Pekoviç, 25-Luan Seferi, 26-Lefter Anastasi.

Lajmi që u pushkatuan shokët, kryesisht nga Shkodra, erdhi menjëherë tek neve në kampin e Prishtinës dhe të gjithë u dëshpëruam pa masë për këtë akt tragjik të nazistëve gjermanë”.- ka shkruar në kujtimet e tij Burhan Bushati, i mbijetuar nga Shkodra në kampin gjerman të Prishtinës, Kosovë.

Ngjarja

77 vjet më parë, në qytetin e Kukësit, më 19 shtator 1944, u ekzekutuan 26 të burgosur të marrë nga kampi famëkeq i gestapos në Prishtinë. Të gjithë ishin djem të rinj, pjesa më e madhe intelektualë, pjesëmarrës aktivë në LANÇ dhe të burgosur fillimisht në Shkodër e më vonë u dërguan në kampin famëkeq të Prishtinës. Ata u ekzekutuan në Kukës si hakmarrje për aksionin që partizanët e batalionit “Perlat Rexhepi” kishin kryer kundër forcave naziste në rrugën automobilistike Shkodër-Kukës. 26 djemtë e pushkatuar ishin banorë të qytetit të Shkodrës dhe të organizuar në Frontin Antifashist Nacionalçlirimtar. Gjatë kohës që po dërgoheshin për t’u pushkatuar, një prej tyre u shkëput duke u hedhur në lumin Drin, dhe mundi të shpëtonte e të bashkohej me forcat partizane.

Qëndrimi heroik i të burgosurve politikë la mbresa të thella e në mënyrë të veçantë ajo e ish partizanit 17 vjeçar Nuri Bushati, i cili para ekzekutimit mundi të shkruante këto fjalë: “Më datën 19 shtator 1944, vritet nga nazistët gjermanë Nuri Bushati 17 vjeç. Lulzo Atdhe!” Këto fjalë u shkruan me një gozhdë që rastësisht Nuriut iu gjend me vete.

Qëndrimi heroik i të pushkatuarve ngriti urrejtjen ndaj okupatorit nazist dhe bashkëpunëtorëve të tij, shtoi radhët e luftëtarëve të lirisë, me përpjekjet e të cilëve u arrit që me forcat e veta të çlirohej vendi më 29 Nëntor 1944.

Lavdi dëshmorëve: Abdyl Bajraktari, Bep Tusha, Dul Dragovaja, Eljaz Gjylbegu, Fahri Haxhija, Hamdi Oruçi, Isa Ramadani, Jovan Thanasi, Musa Luli, Ndoc Hila, Nikoll Gjeçaj, Nuri Bushati, Osman Dhampiraj, PjetërTusha, Preng Gjinaj, Qazim Lekaj, Rexhep Karaj, Shyqyri Haxhija, Zydi Lahi, Shaban Huti, Hysen Hakia etj.

Na u vranë shokët tanë, të gjithë në moshë të re, në lulen e rinisë pa asnjë arsye dhe pa asnjë të drejtë. Ata dëshmorë të Atdheut do të qëndrojnë gjithmonë të paharruar në zemrat, mendjet dhe kujtimet tona.

 

Propaganda gjermane

Ndryshe nga Italia, Gjermania do të përpiqej të krijonte përshtypjen se nuk synonte aneksimin dhe kolonizimin e Shqipërisë, se ajo kishte qenë e detyruar nga rrethanat e luftës të pushtonte Shqipërinë dhe se qëndrimi i tyre ishte i përkohshëm. Autoritet gjermane deklaruan se do të respektonin pavarësinë e Shqipërisë. Ndërtimi i rendit pushtues u shoqërua me një propagandë intensive që kishte për qëllim të bindte shqiptarët se regjimi i ri ishte ndryshe, dhe kësodore të përligjej prania e trupave gjermane. Kjo propagandë u mbështet edhe nga organizmat shtetërorë të krijuar dhe nga shtypi. Rexhep Mitrovica deklaronte se ushtria gjermane “nuk kërkon asgjë, veç mos t’i hipim në qafë”. Gjenerali Bazel, kryekomandanti i trupave gjermane në Shqipëri dekaronte se ushtarët gjermanë erdhën si miq të Shqipërisë, për ta çliruar atë nga Italianët, për ta mbrojtur nga anglezët dhe për të shkatërruar bazat e lëvizjes komuniste. Me krijimin e Aleancës së Madhe, gjermanët filluan të humbasin luftën. Me situatën e tanishme duke favorizuar komunistët, partizanë filluan një sulm të plotë në gjermanët dhe Ballin Kombëtar , lufta vazhdoi deri me clirimin e kombit me 28-29 nëntor ku u shpall pavarësia. Zyrtarët ndërlidhës britanikë në Shqipëri vunë në dukje se komunistët po përdorin armët që morën për të luftuar me shokët e tyre shumë më tepër sesa për të ngacmuar gjermanët. Perëndimi vuri në dukje se komunistët nuk mund të kishin fituar pa furnizimet dhe armatimet nga britanikët, Amerika dhe Jugosllavia dhe se LNC-ja nuk kishte frikë nga vrasja e burrave të tyre në vend.