Si po rritet biznesi i produkteve natyrale dhe organike

917
Sigal

Një tendencë e re po zhvillohet mes shqiptarëve, “dashuria” për organiken dhe natyralen. Në konceptimin se çfarë produktesh janë vërtet organike dhe çfarë natyrale ka ende mjegull. Numri i operatorëve në proces apo të certifikuar si organikë në Shqipëri është në rritje vit pas viti, ndërsa 1/4 e prodhimit shkon për eksport.
Shqiptarët “mburren” jashtë me bimët e tyre aromatike. Nuk është e vështirë të dëgjosh fjalën ‘bio’ në mesin e shqiptarëve, që përpiqen që të konsumojnë sa më shumë produkte natyrale, por që nuk janë të sigurt vërtet për origjinën e tyre. Duhet pasur parasysh se bio, pra natyralja, nuk do të thotë organike. Janë dy gjëra të ndryshme. Standardet e aplikuara në bujqësi, veçanërisht standardet eko dhe organike, janë një tërësi rregullash dhe specifikimesh, të cilat përcaktojnë kushtet e sakta për prodhimin, përpunimin, transportin, certifikimin dhe kontrollin e produkteve bujqësore. Një produkt nuk është organik, vetëm për shkak se atë e keni blerë tek një fermer që përpiqet t’ju sigurojë se janë kultivuar në oborrin e shtëpisë së tij dhe janë “të freskëta”. Specifikat mbi vendndodhjen e fermës apo kopshtit, me tokën ku këto produkte janë rritur, çfarë është përdorur për të plehëruar tokën, a është kjo tokë e ndotur me mbetje apo të ngjashme dhe në çfarë “mënyre këto produkte janë transportuar deri në vendin e shitjes” janë tejet të rëndësishme për të përcaktuar se çfarë është vërtet organike.

Prodhimi Organik në Shqipëri

Moti i ngrohtë dhe klima e favorshme e bëjnë Shqipërinë një burim ideal të prodhimit organik, duke i shtuar kësaj edhe një tokë pjellore. Për të konkurruar denjësisht në një treg ndërkombëtar, ku fuqia blerëse është e informuar dhe e orientuar drejt cilësisë, fermerëve shqiptarë do t’u duhet të marrin masat e duhura për të përmbushur pritshmëritë dhe kërkesat, duke certifikuar produktet e tyre. Certifikimi ka disa kritere që duhen përmbushur. Sipas informacioneve të marra nga Ministria e Bujqësisë, të dhënat paraprake të 2017-s tregojnë se numri total i operatorëve në sistem kontrolli për certifikim është 64. Nga këta, 43 janë operatorë të bimëve aromatike (të egra dhe të kultivuara). Burime nga Ministria e Bujqësisë tregojnë se numri i operatorëve ndryshon ndër vite, sepse mund të hiqen ose pezullohen nga sistemi nëse shkelin kriteret e kualifikimit. Në vitin 2016 ishin 51, nga 59 operatorë në 2015.

Sipas të dhënave të MBZHR, vitin e kaluar, sipërfaqja e mbjellë e certifikuar si organike, ishte rreth 380 hektarë, ndërsa si sasi e prodhuar e kulturave organike ishin mbi 5 mijë tonë. E krahasuar me një vit më parë, pra më 2016-n, prodhimi ishte me rritje me rreth 15%. Të dhënat tregojnë se sipërfaqja më e madhe e mbjellë, si dhe sasia e prodhuar ka qenë në vitin 2015. Në 2016, pati një përgjysmim të prodhimit, i cili përkon edhe me vitin që disa operatorë tregu u pezulluan nga certifikimi i konsideruar organik për mospërmbushje kriteresh. Sa u përket kulturave, dominojnë operatorët me bimë aromatike, me rreth 58 % ndaj totalit në 2016 (të dhënat e fundit të plota, 2017 ende paraprake!), ndjekur më pas me gështenjat dhe ullinj, erëza, vreshta, vaj ulliri dhe mjaltë etj. Nga 5223 tonë të prodhuara si produkte organike në 2017, vetëm 1395 tonë janë dërguar për eksport. Prodhimi i dërguar për eksport është rritur në dy vitet e fundit, me rreth 25% dhe kulturat që eksportohen më shumë janë bimët aromatike, erëzat, vaji i ullirit etj. Italia kryeson në vitin 2016 në listën e shteteve ku eksportojmë, me rreth 56% (sipas peshës në ton), ndjekur nga Gjermania me 25%, Spanja e Belgjika me 11%.

Produkte organike vs. bio?

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), ushqimet organike janë prodhuar tradicionalisht dhe në mënyrë të qëndrueshme, pa përdorur produkte kimike ose dhe duke mos pësuar modifikime gjenetikisht. Për pjesën më të madhe të njerëzve, këto produkte respektojnë mjedisin dhe janë më natyrale kur konsumohen. Ndërsa ushqimi bio është ai që kujdeset për mjedisin, por respekton procesin gjenetik natyror të specieve, ciklet e tyre riprodhuese dhe biodiversitetin. Është më e vështirë të gjesh produkte bio se sa produkte organike, pasi prodhimi i tyre është më i shtrenjtë, gjë që ndikon në kërkesën dhe çmimin përfundimtar. Për shembull: Gjysmë kilogram makarona gruri jo të ndryshuar gjenetikisht mund të kushtojë një euro më shumë se një makaron me grurë të paspecifikuar si bio në çdo supermarket.

Aplikimet për “bio”

Në Agjencinë e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural u regjistruan 49 aplikime për subvencion për zhvillimin e fermave Bio, sipas shifrave të bëra publike për gjysmën e parë të këtij viti. Aplikantët janë nga i gjithë vendi dhe kryesisht kanë në plan të kultivojnë prodhime organike si fruta, perime dhe bulmet me përparësi varietetet vendase. Sipas listës së publikuar nga AZHBR, aplikantët përfaqësojnë dhe bizneset e agroturizmit, të cilët kanë kombinuar zhvillimin e bujqësisë organike me shërbimet e turizmit. Nga 49 aplikime, 25 prej tyre janë shpallur fitues dhe do të mbështeten me subvencione. Sipas kritereve që qeveria ka miratuar për subvencionet në bujqësinë organike, bizneset e kësaj linje përfitojnë mbështetje për ngritjen ose rikonstruksionin e ambienteve të prodhimit të produkteve tradicionale të zonës, në 50% të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 1,000 000 lekë. Për makineri, pajisje të tjera për prodhimin e produkteve tradicionale, merret mbështetje deri në 50% të vlerës së blerjes së pajisjeve, jo më shumë se 500 000 lekë për subjekt. Mbështetja për marketingun (përfshirë linjat e ambalazhimit/paketimit) e produkteve tradicionale të zonës është sa 70% e vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 700 000 lekë për subjekt. Mbështetja për modernizimin e staneve mbulon deri në 80% të vlerës së investimit, jo më shumë se 200 000 lekë për subjekt. Ngritja e inkubatorëve të prodhimeve tradicionale mbështetet me grant deri në 70% të vlerës së investimit, jo më shumë se 15 000 000 lekë për subjekt. Ministria e Bujqësisë, tre vite më parë, duke vlerësuar fizibilitetin e investimeve në bujqësi, përzgjodhi agroturizmin si modelin më të suksesshëm dhe vlerësoi se fermat bujqësore nuk ishin fitimprurëse nëse nuk kishin më shumë se 20 hektarë. Fermat e mëdha të kafshëve prodhojnë produkte me kosto të lartë, për shkak se nuk mbështeten me zinxhirin ushqimor. Copëzimi i madh i tokës, ku sipërfaqja mesatare e një ferme nuk është 1.03 hektarë, problemet e pronësisë, mekanizimi i dobët i kanë bërë bizneset e sektorët të vuajnë nga produktiviteti i ulët, teksa agroturizmi po shihet si shpresëdhënës për riorientimin e investimeve në sektor.

AZHBR/ Mbështetje për certifikimin dhe sigurimin e produkteve

-Mbështeten me 50% të vlerës për implementimin dhe certifikimin Global GAP, jo më shumë 175 000 lekë për secilën nga masat 1-12, si dhe për lakrën, lulelakrën dhe brokolin për sipërfaqe të mbjellë, por jo më pak se 1 hektar.

-Mbështetje me 50% të vlerës për certifikimin e standardeve IFS, BRC dhe/ose FS në stabilimentet e përpunimit të prodhimeve të detit, por jo më shumë se 325 000 lekë për standard për produkt;

-Mbështetje për certifikimin e fermave organike, për periudhën në kalim, vitin e parë në vlerën 100,000 (njëqindmijë) lekë, në vitin e dytë 150 000 (njëqind e pesëdhjetë mijë) lekë dhe 200,000 (dyqind mijë) lekë për fermë të certifikuar;

-Mbështetje me 50% të vlerës për implementimin dhe certifikimin për standardin ISO 22000:2005 për operatorët e biznesit ushqimor, por jo më shumë se 120 000 lekë;

-Mbështetje me 50% të vlerës për primin vjetor të siguracionit të prodhimeve bujqësore, por primi të mos kalojë vlerën 4% të totalit të aseteve të siguruara. NIPT i Fermerit dhe përditësimi i të dhënave të NIPT-it janë kusht i domosdoshëm për të aplikuar

Ligji

Ligji “Për prodhimin biologjik, etiketimin e produkteve biologjike dhe kontrollin e tyre”, i miratuar në vitin 2016, ka të bëjë me vendosjen e një sistemi menaxhimi të qëndrueshëm të bujqësisë. Etiketat e produkteve bio do të shoqërohen me emërtimin “bio”, “biologjik” ose “eko”.

Ndërsa, për produktet e përpunuara, kushti që të konsiderohen biologjike është që të paktën 95% e peshës së përbërësve të tij me prejardhje bujqësore të jenë biologjikë. Gjithashtu përcakton edhe përmbajtjen që duhet të ketë etiketimi i një produkti bio, në të duhet të cilësohet qartë se kemi të bëjmë me “bujqësi shqiptare”, kur lënda e parë bujqësore është kultivuar në Shqipëri dhe me “Bujqësi joshqiptare”, kur lënda e parë bujqësore është kultivuar në vende të tjera.

Ligji:

Përcakton produktet dhe substancat që lejohen të përdoren në prodhimin biologjik;
– Përcakton metodat që duhet të përdoren në bujqësinë biologjike dhe në përpunimin e ushqimit biologjik;
– Ndalon përdorimin e organizmave të modifikuar gjenetikisht (OMGJ-të) dhe produkteve të prodhuara me apo nga OMGJ-të në bujqësinë biologjike apo në përpunimin e produkteve biologjike;
– Përcakton rregullat e përgjithshme dhe të veçanta për etiketimin e produkteve biologjike, si dhe logon kombëtare;
– Përcakton sistemin e kontrollit për prodhimin biologjik dhe përcakton autoritetet përgjegjëse për kontrollin në çdo hallkë të prodhimit biologjik, si dhe rregullat e veçanta për kryerjen e kontrollit biologjik;
– Ngre sistemin e informacionit për prodhimin biologjik;
– Siguron përshtatshmërinë për zbatimin e rregullave të prodhimit, sipas kushteve lokale klimatike ose gjeografike, praktikave specifike të mbarështimit dhe fazave të zhvillimit;
– Përcakton rregullat për importin e produkteve biologjike nga vendet e tjera.