Si mund të merret nënshtetësia gjermane

    4215
    Sigal

     GJERMANI/ Emigrantët duhet të kapërcejnë shumë pengesa për të marrë pasaportën gjermane

    Emigrantët duhet të kapërcejnë shumë pengesa për të marrë pasaportën gjermane. Përveç njohjes së gjuhës, pesë vitet e fundit emigrantët duhet të kalojnë edhe një test të shtetësisë në qoftë se ata duan të bëhen gjerman. Cila kafshë është e paraqitur në stemën e Gjermanisë? Çfarë do të thotë “sovraniteti i popullit”? Janë vetëm dy nga 33 pyetjet për të fituar shtetësinë gjermane, të detyrueshme për të kaluar janë përgjigjet e sakta në 17. Gjithsesi, në internet ka kurse të ndryshme trajnimi, ku mund të gjesh të gjitha pyetjet dhe të mësosh përgjigjet. Pesë vjet më parë, testi për shtetësinë gjermane u aplikua në mbarë vendin. Atëherë u zhvillua një debat i ashpër lidhur me kuptimin dhe moskuptimin e këtij testi. I formuluar vështirë, shumë pyetje të detajuara, ishin disa prej kritikave. Ndërkohë, ai është thjeshtuar në disa vende të Europës, në Greqi është thuajse i thjeshtë, po të marrim parasysh historikun e madh të vendit. Për të kaluar testin gjerman duhet të zotërosh mjaft mirë gjuhën si dhe të jesh i edukuar e i shkolluar, një emigrant punëtor i thjeshtë nuk e ka të lehtë, prandaj dhe kërkesat janë të ulëta nga kjo shtresë e të huajve. Dhe me të vërtetë, numri i natyralizimeve ka rënë pas zbatimit së testit të shtetësisë. Por megjithatë vetëm për një kohë të shkurtër: Ka katër vite që numri i tyre po ngrihet përsëri. 112.000 ishin në vitin e kaluar, pesë për qind më shumë se në vitin 2011.

    Gjermania nxiti emigracionin

    Ndërkohë, gjithnjë e më shumë emigrantë nga Evropa Jugore duan të bëhen gjermanë. Veçanërisht interesim i madh vërehet në radhët e emigrantëve nga vendet e eurozonës të përfshira në krizë: numri i grekëve të cilët kanë kërkuar pasaportën gjermane është ngritur vitin e kaluar përmbi 80 për qind, italianët ishin gati 30 për qind më shumë. Midis tyre janë shumë të rinj të mirë-arsimuar të cilët nuk arrijnë të gjejnë një vend punë në vendlindjen e tyre dhe shohin shanse më të mira në Gjermaninë më të fortë ekonomikisht. Qeveria ka shtuar përpjekjet e saj për emigrantë të tillë me kualifikim të mirë. Kjo për faktin se Gjermania ka nevojë urgjente për punëtorë të kualifikuar në shumë fusha. Disa lande gjermane angazhohen në mënyrë specifike që emigrantët të aplikojnë për pasaportën gjermane: Për shembull slogani “Po, unë dua” shihet në postera dhe fletushka në landin e Renanisë Veriore Vestfalisë.

    KRITERET E SHTETËSISË

    Edhe pse landet gjermane duan që numri i atyre që natyralizohen të jetë më i madh prapëseprapë nuk është e lehtë marrja e një pasaporte gjermane. Testi i shtetësisë nuk është pengesa e vetme. Një emigrant duhet të ketë jetuar të paktën tetë vjet në Gjermani, duhet të mos jetë i dënuar për vepra penale dhe duhet të dëshmojë se fiton të ardhura të mjaftueshme për të mos qenë i varur nga ndihmat sociale. Përveç kësaj, është e nevojshme edhe njohja e mirë e gjuhës gjermane.

    Jeanette Seiffert & Esat Ahmeti

    GREQI/ Masa kur nuk plotëson enzimat & të ardhurat vjetore

    Ja çfarë parashikon Kodi i ri i Emigracionit

    *Kush përfiton rilegalizim?

    Për shkak të papunësisë janë me dhjetëra (mos të themi më tepër) rastet në ditë që na kontaktojnë për të pyetur se si do to zgjidhet problemi i tyre, pamundësia e rinovimit të lejes së qëndrimit për shkak të mungesës të numrit të enzimave. Shumë emigrantë ndod­hen në një udhëkryq pasi në periudha të caktuara nuk kanë pasur enzimat e duhura, nuk kanë patur punë. Ndërkohë, problem i madh është paraqitur edhe me shumat e kërkuara në deklaratat tatimore për gjithë ata që nuk kanë arritur të garantojnë shumat e nevojshme sipas ligjit aktual ende në fuqi për të realizuar bashkim familjar ose rinovim të lejes të qëndrimit për arsye të bashkimit familjar.

    Nga informacionet që kemi të gjithë, dhe që do të na lejoni të jemi tepër të matur dhe të rezervuar, sepse burime të sakta të ministrisë bëjnë të ditur se gjithçka po përpunohet deri në mi­nutën e fundit, ligji i ri nuk do të ketë fuqi prapavepruese. Ç’ka do të thotë kjo më konkretisht? Kjo do të thotë se emigrantët që kanë mbetur deri më sot pa dokumente për shkak se nuk përmbushnin kushtet e kërkuara nuk do të ripajisen me leje qëndrimi. Dhe diçka e tillë do të jetë mëse e justifikueshme dhe lehtësisht e kuptueshme prej të gjithëve. Por ndërkohë, ajo që pritet të ndodhë, është që ras­tet që ndodhen në procese gjyqësore për shkak të mos rinovimit të lejeve të qëndrimit, pritet të kenë një përballim ndryshe, pra pozi­tiv.

    Ndërkohe, mes kësaj çështje konfuze dhe tepër me rëndësi, po presim që shumë e shumë emigrantë që akoma nuk u ka skaduar leja e qëndrimit, por që nuk kanë numrin e duhur të enzimave ose të ergosimos për rinovimin e radhës, në qoftë se do të jenë në gjendje pune, do të arrijnë të rinovojnë dokumentet për lejen e qëndrimit pa u kërkuar numri i dikurshëm i enzimave, por vetëm libreza e shën­detit. Po ashtu, edhe gjithë ata që kanë fëmijë të lindur në Greqi, që mësojnë në shkolla vendëse, do të kenë një shans më tepër për të pasur në duar një dokument pasi sipas premtimeve të deritanishme, bëhet fjalë se fëmijëve do t’u jepet një status special i cili detyrimisht do të sigurojë edhe një status qëndrimi tek prindërit.

    Të bëjmë vetëm pak durim, deri në botimin e kodit të ri dhe pasi ta përpunojme me imtësi, që javën në vijim do të kemi një shpjegim direkt për secilën çështje dhe çdo rast edhe kategori. Ajo që duhet të dimë të gjithë, është se nuk duhet të presim surpriza apo mrekulli. Koha për ato ka kaluar dhe Greqia, me këto masa të reja, thjesht kërkon të jetë në koherencë për shkak të zhvillimeve në fushën e emigracionit dhe për të paraprirë valët e reja emigrive që pritet të trokasin derën e saj, në një botë kaq shumë të shqetësuar edhe të kërcënuar….

    VASIL MERKO

    GREQI

    Ligji i ri për Liceun e Përgjithshëm mbyll shkollat

    Siç e shkruajmë dhe në faqet e tjera të gazetës (12-13) sivjet nxënësit e arsimit të Mesëm do të përballen me një tjetër sistem. Kryesisht viti i parë i Liceut do të jetë ndryshe, ndërsa provimet për AEI-TEI do të përshtaten me sistemin e ri në vitin 2016. Por nxënësit e vitit të parë e të dytë të Liceut do duhet të japin të gjitha lëndët provim në fund të vitit, ndërsa në vitin e fundit do të zgje­dhin një nga 5-6 drejtimet shkencore e ofruara. Në vitin e dytë do të zgjedhin “grupet e orientimit” që në vit të tretë do të jenë vetëm 3. Ndryshon dhe nota bazë për kalimin e klasës apo nota me­satare e vlerësimit të provimeve, për të fituar të drejtën e kalimit të klasës ose marrjes së diplomës. Të gjitha këto e shumë të tjera kanë shkaktuar reagimin e OLME, që ka deklaruar nga e hëna 16 shtator grevë 5-ditore në mjaft shkolla të mesme të vendit (lexoni më tepër në faqen 12).

    ***

    Regjistrimet në AEI-TEI, mes grevës

    Nga 11-27 shtator

    Këto janë datat e shpallura për regjist­rimet në AEI-TEI të studentëve të vitit të parë, por asgjë nuk është e sigurt, pas vendimit të Akademikëve për pjesë­marrjen në grevë. Federata Mbarëgreke e nëpunësve të Administratës së AEI-TEI kanë shpallur grevë 48- orëshe që i bllokon deri në datën 13 shtator, ndërsa vetë nëpunësit e administratës së AEI-TEI kanë shpallur grevë 5-ditore në datat 16-20 shtator. Në këto kushte, jemi në pritje të vendimit të ri të Min­istrisë së Arsimit, për shtyrje të afatit të regjistrimit të të gjithë maturantëve të suksesshëm të Panhelenikeve 2013.

    ***

    Transferimet e studimeve sipas deklaratës tatimore

    Për vitin e parë

    Rritet niveli i të ardhurave për të përfitu­ar transferim të së drejtës së studimit në AEI-TEI. Ministri i Arsimit K. Arvanitopu­los, ka bërë të ditur se në projektligjin e Liceut të Ri përfshihet edhe neni për transferimin e studimeve. Të ardhurat vjetore familjare do të ndryshojnë në këtë mënyrë që këtë të drejtë ta përfi­tojë çdo student me deklaratë familjare tatimore deri në 9.000 euro për çdo anëtar të familjes. Për shembull, një familje me 4 veta duhet të ketë të ar­dhura vjetore nën 36.000 euro, ndërsa familje me 3 veta nën 27.000. Deri tani, niveli i të ardhurave për transferim të studentëve ishte 7.500 për çdo anëtar të familjes. Po në të njëjtin projektligj, parashikohet rritja e transferimeve nga 10% e studentëve të çdo shkolle, në 15% të numrit të përgjithshëm të stu­dentëve të çdo shkolle (me 5%).