Shtyhet afati për provimin e shtetit për mësuesit, ja profesionet që do testohen në nëntor

    426
    Sigal

    INTERVISTA/ Flet Niko Terezi Drejtori i Drejtorisë së Provimit të Shtetit pranë Agjencisë Kombëtare të Provimeve, për procedurat

    Muaji dhjetor do të jetë koha në të cilën do të zhvillohen një sërë provimesh shteti për disa profesione, siç janë mësuesia, degët e mjekësisë etj. Një fakt të tillë e bën të ditur në një intervistë për “Telegraf”, Drejtori i Drejtorisë së Provimit të Shtetit pranë Agjencisë Kombëtare të Provimeve, Niko Terezi. Ai thekson se këto provime ishin planifikuar që të mbaheshin në tetor dhe nëntor, por ato janë shtyrë dhe më konkretisht provimi për mësuesinë do të zhvillohet në dhjetëditëshin e parë të muajit dhjetor. Sipas tij, Ministria e Arsimit është e përgatitur për mbarëvajtjen e këtij provimi dhe ka publikuar edhe programin e saj para afatit të mbajtjes së provimit. Ajo që ka më shumë rëndësi është që nëse mësuesi nuk arrin t’i marrë pikët për të kaluar këtë provim, ai mund t’i nënshtrohet përsëri këtij provimi dhe provimi mund të jepet deri në pesë herë.

    -Zoti Terezi, kur do të zhvillohet provimi i shtetit për profesionet që janë përshirë në listë si mësuesit, profesionet e mjekësisë etj.? 

    -Disa prej provimeve ishin planifikuar që do të zhvilloheshin në tetor, por janë shtyrë disa ditë disa prej tyre për shkak të procedurave. Po marrim rastin e provimit të mësuesisë ai do të jepet fillim të dhjetorit. Di të ju them që nuk është përcaktuar data e saktë por që do të jepet kryesisht në dhjetëditëshin e parë të dhjetorit. Ndërsa në muajin nëntor ka konfirmuar farmacia që do të dërgojë listat e emrave në datë 30. Listat ne duhet të na vijnë 15 ditë para futjes në provim.  Ndërsa Infermieria dhe mjekësia na kanë thënë që do të na sjellin listat në datën 6, pasi ato kanë disa procedura që i aplikojnë për herë që kanë të bëjnë me kontrollin e aftësimit praktik u duhet pak më shumë kohë.

    -A janë shpallur të gjitha programet orientuese ku do të bazohen pjesëmarrësit për provimin?

    -Në bazë të udhëzimit të Ministrisë së Arsimit nga e cila varet edhe Drejtoria që zhvillon provimin e shtetit, janë shpallur të gjitha programet për lëndët si Kimi, Matematikë, Gjuhë, Biologji etj.. Do të jenë 15 provime dhe programet janë shpallur katër muaj përpara. Ndërkohë që për gjuhën angleze 40 % do ta ketë ana pedagogjike, ku këtu 6% do e ketë drejtshkrimi, ndërsa pjesa e gjuhës angleze do ta ketë 60%. Programin është i përcaktuar qartë për çdo lëndë, pra janë të ndara si p.sh, për programi i Historisë është i ndarë, nga lënda e Gjeografisë etj.. Ata po ashtu kanë edhe pyetjet për secilën nga këto profile.

    -A ka ndonjë ndarje të veçantë për mësuesit që do të përfshihen në provim. A do të përfshihen të gjithë mësuesit pa përjashtim apo do të ketë ndarje specifike? 

    -Në provimin e shtetit për mësuesinë do të jenë të përfshirë të gjithë ata që mësues marrë një diplomë të nivelit të dytë në mësuesi. Në diplomë duhet të jetë e shkruar p.sh. “Mësues për letërsi”. Do t’i nënshtrohen këtij provimi të gjithë ata persona që kanë mbaruar pas 15 janarit 2011.

     -Si do të bëhet vlerësimi dhe çfarë masash që do merren për mësuesit nëse nuk do i marrin pikët e duhura në këtë provim?

    -Sikurse edhe në provime të tjera në fushën e mësuesisë edhe ky provim do të ketë 50 pyetje, ku 20 pyetje do të jenë të pjesës së përbashkët dhe 30 pyetje do të jenë të pjesës profesionale. Këto 50 pyetje kanë në total 100 pikë dhe që një mësues të kalojë provimin duhet të ketë marrë në provim 50 pikë. Ndërkohë që, nëse nuk i plotëson pikët për ta kaluar në provim, ministria ka përgatitur një rregullore dhe si e tillë një mësues ka të drejtë që ta japë një provim deri në pesë herë.

    -Përkrah këtyre profesioneve si mësuesi dhe mjekësi, a do të ketë profesione të tjera që do të përfshihen në këtë provim?

    -Po do të ketë dhe një sërë profesionesh të tjera që do t’i nënshtrohen provimit të shtetit. Më konkretisht do të përfshihen profesionet e inxhinierisë. Ku më konkretisht do të përfshihen Inxhinieria e ndërtimit, Inxhinieria elektrike, arkitektura, Inxhinieria Mekanike, Inxhinieria e Ambientit.