Shqiptarët kërkojnë azil, mjekët “pushtojnë” plazhet e botës

    423
    E ndërsa kriza ekonomike sa vjen dhe shtohet, e ndërsa fukarallëku te shumica e këtij populli sa vjen dhe rritet e thellohet, duket se bosët e mjeksisë nuk duan t’ia dinë. Ata edhe në kohë krize nuk iu ndahen pushimeve të shtrenjta, duke nisur nga plazhet greke, turke, malazeze, italiane apo edhe spanjolle. Kjo ndodh edhe me shefat e shërbimeve spitalore të Tiranës, Elbasanit, Durrësit, Shkodrës, Korçës, Vlorës Elbasanit dhe disa qyteteve të tjera. Por ndërsa gjeografia e vendeve të shtrenjta është më e larmishme në Tiranë pasi është edhe qyteti ku mjekët krijojnë më shumë të ardhura, jo më mbrapa mbeten edhe atat të rretheve. Kështu nëse mjekët e Elbasanit preferojnë Italinë, ata të Durrësit kanë në itinerar dy tre shtete të tjera, të Shkodrës frekuentojnë Malin e Zi, Kroacinë, apo Varnën e Bullgarisë, të Korçës i gjen në Selanik dhe Korfuz dhe kështu me radhë për mjekët e qyteteve të tjera. Në rrethet e doktorëve qarkullon shpesh batuta sipas të cilës “në rast se nuk ke kryer 4×5, nuk ke arritur asgjë”. Pra në rast se nuk ke vajtur në 4 destinacione të shtrenjta dhe nuk ke qëndruar 5 ditë e pakta, nuk ke provuar pushime të vërteta. 
    Destinacione të larmishme
    Destinacionet e bosëve të shërbimeve spitalore të këtyre qyteteve janë kryesisht Korfuzi, Budva, Antalia, Palma de Majorka, apo dhe Rimini, ku mesatarisht për 20 e ca ditë pushime të transferueshme, i bie të paguajnë mbi 25 mijë euro, plus shpenzimeve të tjera personale dhe familjare. E ndërsa ankohen dhe kërkojnë “rritje të pagës, rritje të vëmëndjes për kushtet e punës”, si dhe “anullimin e testimit nga Ministria e Shëndetësisë”, duket se bosët e bluzave të bardha të qyetetve kryesore, ku pjesën më të madhe edhe të orarit të punës e kalojnë në klinikat e tyre private, renditen ndër më të pasurit në këtë qytet. 
    Përralla e deklarimit të pasurisë
    Çdo njëri prej tyre ka postin, pra shef shërbimi në spital, ka klinikën, është edhe anëtar bordi në 1 apo 2 ndërmarje duke u kamufluar me emra të ndryshëm dhe duke marrë çdo muaj 500 deri 700 mijë lekë dhe kur vjen vera natyrisht që pushimet vlejnë miliona. Asnjë prej bosëve të mjekësisë në këto qyetete nuk ka treguar dhe nuk ka deklaruar realitetin në deklaratën e pasurisë dhe kjo gjë padyshim ka patur reagimin edhe nga ILKDP, e cila për vitin 2014 dhe 2015 i ka nisur shkresë zyrtare disa Drejtorive Spitalore ku i kërkon “rifreskimin e deklaratës të pasurisë për të gjithë zyrtarët e administratës dhe shefat e shërbimeve spitalore”. Prej 15 korrikut deri në 31 gusht, bosët e shërbimeve spitalore, nuk do t’i takosh askund në vendet e tyre të punës, pasi qysh në muajin prill apo maj, ata kanë pronotuar biletat e avionëve, kroçerat dhe hotelet më të shtrenjta të plazheve të Europës. Akuzat për korrupsion, mitmarrje dhe lidhje me afera të tjera të pista nga ku sigurohen miliona, duken si të sfumuara përballë luksit në të cilin jetojnë dhe vegjetojnë bosët e shërbimeve spitalore. 
    Peshku është “qelbur nga koka” në Ministrinë e Shëndetësisë
    Shpesh qytetarët akuzojnë bosët e shërbimeve spitalore për “mungesë etike, mungesë shërbimi, korrupsioni, neglizhencë në detyrimin që ata kanë ndaj pacientëve duke nisur nga shtrimi në spitale dhe duke përfunduar tek mjekimi jo i duhur”, por duket se e keqja ka kapur edhe titullarët e Ministrisë Shëndetsisë, dhe gjithçka është kthyer në sistem. Shpesh qytetarët kanë bërë edhe denoncime dhe të paktën 4 nga shefat dhe 2 ish-shefa shërbimesh spitalore në Elbasan janë ende me dosje penale në organin e Prokurorisë dhe me procese të stërgjata gjyqësore. Akuzat e qytetarëve nisin nga “mitmarrja, dhe përfundojnë tek mjekimi i gabuar mjekësor me pasojë jetën e familjarëve të tyre”, por deri më sot bosët e pushimeve përrallore të shërbimit spitalor në qytetet kryesore ia kanë hedhur duke paguar dhe blerë prokurorë e gjyqtarë. Ata që e kanë vuajtur dhe vazhdojnë ta vuajnë pasojën e dhimbshme të shkaktuar nga “çifligarët” e shërbimeve mjeksore që janë kthyer në lubi të parasë, janë si gjithmonë qytetarët hallexhinj. Tashmë edhe në strukturat e mjekësisë, duke nisur nga shërbimet spitalore, është krijuar kasta e borgjezëve të pangopur me para, që përballë interesave dhe xhepave të tyre, nuk vënë në asnjë rast jetën e qytetarëve. Shërbimi mjekësor ka vite që menaxhohet nga bosët e shërbimeve spitalore, pasi zinxhiri korrupsionit nis nga Qendrat Shëndetsore dhe përfundon tek pavionet spitalore ku qytetarëve u merret shpesh edhe me dhunë verbale paraja, për të mbushur xhepat e bluzave të bardha të shefave fodullë dhe të pangopur. 
    Sigal