Shqipëria në valë protestash kundër papunësisë dhe ekonomisë në rënie

    391
    Shqipëri është përfshirë nga valë protestash kundër rritjes së papunësisë, çmimit të energjisë elektrike dhe masave të ashpra, sipas qytetarëve të ndërmarra kryesisht ndaj shtresës së varfër në përgjithësi. Rëna ekonomike, largimi i shumë familjeve për azil dhe kushtet e vështira të jetesës, janë këto disa nga arsyet e tjera që po nxisin qytetarët të ngrihen në protesta. Por edhe tregtarët e biznesit të vogël janë një tjetër kategori që po organizon protesta kundër aksionit të ndërmarrë nga Drejtoria Tatimore për pajisjen me kasë fiskale. Kështu tregtarët në disa prej qyteteve kryesore të vendit kanë protestuar, duke kërkuar mos vendosjen e kasës fiskale, duke e argumentuar me faktin se është e papërballueshme për shkak të fitimit të ulët të bizneseve të vogla që ata drejtojnë. Ata kërkuan gjithashtu rishikimin e masave në kuadër të aksionit kundër evazionit fiskal pasi nuk mund të shlyejnë taksat. Tregtarët në protestat e zhvilluara shprehen se qeveria po tregohet e ashpër veçanërisht kundër biznesit të vogël, duke e trajtuar pothuajse njëjtë si biznesin e madh. Nga ana tjetër janë mësuesit, studentët edhe bluzat e bardha ata që kanë paralajmëruar protesta në ditët në vijim kundër disa vendimeve të qeverisë. 
    Tregtarët kundër aksionit ndaj informalitetit 
    Një numër i lartë tregtarësh të tregut të fruta perimeve në Elbasan, protestuan përpara Drejtorisë Rajonale të Tatimeve kundër aksionit ndaj informalitetit. Ata kërkojnë të mos u vendoset kasë fiskale, pasi për specifikën e mallit që tregtojnë kjo është e pamundur.
    Në Shkodër, tregtarët e Zdrales kërkojnë zgjidhje për tregtimin e fruta-perimeve, pas aksionit që ka ndërmarrë duke i larguar nga trotuaret dhe rrugët. 200 tregtarët që prej vitesh shesin në këtë zonë, ditët e fundit janë përballur edhe më kërkesën e tatimorëve për licencim. Ndërsa tregtarët e tregut industrial të Kavajës, protestuan kundër aksionit të qeverisë për t’i formalizuar. Sipas tyre klasifikimi si biznes i vogël, dhe vendosja e kasave përkthehet në falimentim, pasi shpenzimet janë më të larta se fitimet. Në janë 250 tregtarë që i janë drejtuar Këshillit të Bashkiak me kërkesën për t’u trajtuar si Ambulant. Në të gjithë vendin tregtarët janë përballur me kontrolle për ligjshmërinë e aktivitetit, në kuadër të aksionit ndaj informalitetit, i nisur prej fillimit të shtatorit. Tregtarët në mbarë vendin i kërkojnë qeverisë të rishikojë masat e marra për biznesin e vogël, duke theksuar se nuk është e mundur të përballohet kasa fiskale, pasi fitimi është në masë shumë të vogël. Në nisje të aksionit të qeverisë në luftën kundër informalitetit, një numër i lartë i bizneseve të vogla u detyruan që të mbyllnin dyert e biznesit për shkak se nuk i paguanin tatimet. Tregtarët gjithashtu kanë deklaruar se do të vazhdojnë protestat kundër aksionit të qeverisë deri në grevë urie, në rast se nuk rishikohen edhe një herë masat të cilësuara të ashpra ndaj biznesit të vogël. 
    Sigal