Shqipëria me pagë minimale më të ulët në Europë

    433
    Sigal

    Rreth 2,2% e popullsisë në zonat urbane të vendit, gjatë vitit 2012 jetojnë në varfëri ekstreme, në pamundësi për të përmbushur nevojat bazë ushqimore. Studimi më i fundit i Qendrës shqiptare për Kërkime Ekonomike ka treguar se 29% e punësimit të përgjithshëm është informale, dhe Shqipëria ka ende pagat minimale më të ulëtat në Europë. Eksperti i Organizatës Botërore në Gjenevë, Denid Vaugham Whitchead, tha se rritja e pagës minimale është prioritet, edhe pse qeveria aktuale ka një defiçit të madh, ky hap nuk duhet të shihet si pengesë. “Na duhen shifra të besueshme për të kuptuar situatën reale në Shqipëri mbi pagën dhe punësimin. Rritja e pagës minimale lidhet me konsumin e përditshëm dhe kjo tregohet edhe në shifra. Një problem tjetër mbetet që një pjesë e madhe deklaron pagën minimale e në fakt paguan më shumë. Paga minimale në Shqipëri është më e ulëta në Europë, më e ulët se në Bullgari apo Rumani, ndaj dhe është e nevojshme të kemi rritjen e saj, siç po ndodh në shumë vende. Paga minimale rritet duke pasur parasysh edhe varfërinë ekstreme të vendit. Çmimet rriten, ndërsa pagat jo, ndaj këtu kërkohet që të ndërhyhet”, tha Denid Vaugham Whitchead.

    Rritje të hendekut midis të varfërve dhe të pasurve

    Kriza ekonomike ka bërë që të thellohet edhe më tej hendeku mes të pasurve dhe të varfërve, ose më saktë të varfrit janë bërë edhe më të varfër, ndërsa të pasurit janë pasuruar edhe më shumë. “Kemi rritje të hendekut mes të pasurve dhe të varfërve, këtë e tregojnë edhe statistikat. Gjatë krizës, të pasurit janë pasuruar më shumë, ndaj kërkohet një politikë e caktuar për të pasur një shpërndarje edhe më të drejtë. Nëse rritet paga minimale zvogëlohet hendeku mes atyre që janë në majë dhe atyre që janë në fund. Ndaj, një rol të rëndësishëm kanë taksat” , tha Denid Vaugham Whitchead.

    Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Erion Veliaj, deklaroi se vendosja e taksës progresive synon pikërisht ngushtimin e këtij hendeku, dhe se aplikimi i saj çon realisht në rritjen me 10% të pagave neto për mbi 90% të të punësuarve, të cilët marrin paga të ulta dhe të mesme.

    Veliaj: Që në kontratat kolektive do të caktohet paga minimale

     Ministri i Mirëqenies Sociale Erion Veliaj ka deklaruar dje se “për të mbrojtur punonjësit nga një pagë jo e denjë për ta, ministria, me të gjitha strukturat e saj, do të ndikojë që në të gjitha kontratat kolektive të punës të përcaktohet niveli i pagës minimale.”

    Këtë deklaratë, Veliaj e ka bërë në Konferencën Ndërkombëtare të Punës që u mblodh dje në Tiranë, ku ishin të pranishëm përfaqësues të sindikatave, biznesit dhe ILO-s.

    Veliaj shtoi se “përcaktimi i nivelit të pagës minimale do të bëhet jo vetëm sipas Vendimit të Qeverisë, por në nivelet më të larta, duke mbështetur biznesin dhe sindikatat ndërsa bëjnë analiza socio-ekonomike që gjatë negociatave për pagën minimale dhe kontratën kolektive”. Ministri vuri në dukje në fjalën e tij se “në politikën tonë të pagave, sidomos në sektorin jobuxhetor dhe atë privat, Ministria e Mirëqenies Sociale ka negociuar në mënyrë të vazhdueshme me punëdhënësit dhe punëmarrësit për të realizuar një mirëkuptim social, me qëllim që paga të jetë një element i rëndësishëm për nxitjen e aktivitetit ekonomik dhe uljen e varfërisë. Por është e rëndësishme që ky proces të fuqizohet edhe më shumë, jo vetëm në momentet e përcaktimit të pagës minimale, por edhe gjatë gjithë kohës, sidomos gjatë negocimit dhe nënshkrimit të marrëveshjeve kolektive ndërmjet punëdhënësve dhe punëmarrësve”.